Lajmet
Kurti: Në dhjetor do të dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në BE
Kryeministri ka thënë do të shkojë në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për gazetën gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka deklaruar se është pajtuar për çështjen e targave jo vetëm për shmangur përshkallëzimin e situatës, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të bisedimeve për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri ka thënë do të shkojë në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Megjithatë, zoti Borrell këmbënguli që në të nënshkruajmë vetëm një deklaratë në targa dhe ta prezantojmë këtë si një sukses të madh. Kjo ishte mosmarrëveshja kryesore që kisha me të”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, me ç’rast ka potencuar se në dhjetor do të dorëzohet zyrtarisht kërkesa për anëtarësim.
Intervista e kryeministrit Kurti për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung
Në vijim gjeni intervistën e përkthyer në shqip të kryeministrit Kurti me gazetarin Michael Martens, të realizuar më 26 nëntor dhe publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung më 29 nëntor.
FAZ: Kryeministër, falë ndërmjetësimit amerikan dhe evropian, “kriza e targave” në Kosovë duket se është zbutur, të paktën për momentin. Cili është thelbi i kompromisit?
Kryeministri Kurti: Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Ne e bëmë këtë jo vetëm për shmangur përshkallëzimin e situatës, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të bisedimeve për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto duhet të përfundojnë përpara pranverës 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i kompromisit.
FAZ: Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ju kritikoi në një mënyrë jashtëzakonisht të qartë për dështimin në fillim të gjetjes së një kompromisi. A jeni një person kokëfortë – apo e kishte gabim Borrell?
Kryeministri Kurti: Unë nuk jam kokëfortë, jam parimor. Ka parime dhe vlera që unë i përmbahem dhe që nuk i negocioj në Bruksel. Ne nuk shkojmë në Bruksel për të negociuar për oficerët e policisë, prokurorët, doganierët dhe drejtuesit kadastral. Ne jemi atje si përfaqësues të dy shteteve që po negociojnë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Bëhet fjalë për një dialog për një marrëveshje në parim, jo vetëm për një dialog për menaxhimin e krizës. Ne nuk kemi nevojë për dialog për hir të dialogut apo për të treguar se Brukseli është aktiv. Nuk do të kisha shkuar në Bruksel nëse do të ishte fjala vetëm për targat. Unë do të shkoj në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, zoti Borrell këmbënguli që në të nënshkruajmë vetëm një deklaratë në targa dhe ta prezantojmë këtë si një sukses të madh. Kjo ishte mosmarrëveshja kryesore që kisha me të.
FAZ: Ju ishit i burgosur politik në Serbi kur presidenti aktual Aleksandar Vuçiq ishte Ministër i Propagandës në regjimin e Millosheviqit. A i rëndon kjo bisedat apo i përmbani ndjenjat tuaja?
Kryeministri Kurti: Unë kurrë nuk përpiqem t’i përmbaj ndjenjat e mia. Emocionet janë një pjesë e rëndësishme e asaj që ne jemi dhe çfarë bëjmë. Por, unë kam gjithashtu mjaftueshëm përvojë për t’i lënë arsyes të vendosë se çfarë them apo nuk them. Unë nuk u lirova nga paraburgimi serb vitin e kaluar, por më shumë se 20 vjet më parë. Problemi kryesor për mua nuk është se çfarë ka qenë z. Vuçiq, por që edhe sot nuk është penduar për atë që ka qenë. Në vend që të pendohet që ishte Ministër i Informacionit i Millosheviçit, atij i vjen keq që më liruan nga burgu më shumë se një vit pas rënies së Millosheviçit. Këtë e ka thënë disa herë dhe kjo më irriton. Nuk bëhet fjalë për atë që kam kaluar në burg, por për faktin se Serbia ka ndryshuar kaq pak.
FAZ: Është folur shumë për një nismë franko-gjermane për zgjidhjen e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Çka parasheh ky plan?
Kryeministri Kurti: Më 9 shtator, më vizituan i dërguari i posaçëm i BE-së Lajčák dhe Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltar për politikën e jashtme të kancelarit gjerman dhe presidentit francez. Ajo që ata prezantuan dukej si një nismë shumë serioze. Më sollën një listë me modele dhe ide, të cilat i diskutuam gjatë përpara se t’i çonim në Beograd. Unë u thashë atyre se mendoja se kjo do të ishte një bazë e mirë për bisedime të mëtejshme.
FAZ: Pse duhet të interesohet Aleksandër Vuçiq për një kompromis me Kosovën kur shpërblimi për të cilin dikur shpresonte – anëtarësimi i Serbisë në BE – nuk është më realist?
Kryeministri Kurti: Kanë kaluar më shumë se nëntë muaj që nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe Serbia ka kaluar shumë në anën e Rusisë, ka shkuar shumë larg. Kushdo që zbulon se Serbia nuk do të anëtarësohet në BE në një të ardhme të parashikueshme, të mos harrojë se jo vetëm që Brukseli nuk e do Beogradin, por edhe se Serbia preferon Moskën.
FAZ: Megjithatë, marrëveshja nuk po dështon vetëm për shkak të Serbisë. Paraardhësit tuaj kanë premtuar se enklavat serbe dhe zonat e vendbanimeve në Kosovë do të lejohen të bashkohen në një asociacion të komunave. Ju po e bllokoni këtë, pse?
Kryeministri Kurti: Serbia vazhdon të thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Ata thonë se Kosova është shtet artificial. Por në këtë shtet gjoja artificial, ata duan një asociacion real të komunave. Zgjidhja serbe është: “Ju nuk ekzistoni – por ne duam diçka nga ju.” Nuk do të funksionojë kështu. Së dyti, kur kërkoni diçka, mbani gjithmonë parasysh se e njëjta kërkesë mund të ju bëhet edhe juve. Pakicat përbëjnë rreth tetë për qind të popullsisë në Kosovë dhe rreth 20 për qind në Serbi. Serbia duhet të mendojë për parimin. Gjithashtu, gjykata jonë kushtetuese ka vendosur që asociacioni serb i komunave nuk është në përputhje me kushtetutën e Kosovës.
FAZ: Një parim kyç i politikës suaj ndaj Serbisë është reciprociteti. A mund të imagjinoni një model në të cilin minoriteti serb në Kosovë merr saktësisht të njëjtat të drejta si minoriteti shqiptar në Serbinë jugperëndimore?
Kryeministri Kurti: Unë jam për reciprocitetin e të drejtave të të gjitha pakicave në mbarë Ballkanin. Kjo është formula e paqes. Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme për të luftuar dominimin nacionalist. Por Beogradi nuk e ka me të drejtat e serbëve. Serbia dëshiron që këto të drejta të territorializohen dhe kjo është diçka krejtësisht tjetër. Beogradi dëshiron që komunitetet serbe të formojnë një bashkim, por unë nuk di të ketë ndonjë serb në Kosovë që e kërkon këtë. Çdo javë marr dhjetëra letra nga qytetarët serbë të vendit tonë. Bëhet fjalë për të gjitha llojet e gjërave, për punët, funksionimin e shtetit ligjor e kështu me radhë. Askush nuk shkruan: ‘Ne kemi nevojë për një shoqatë komuniteti’. Këtë e thotë vetëm zoti Vuçiq.
FAZ: Megjithatë, BE-ja dhe Uashingtoni duket se insistojnë në krijimin e asociacionit të komunave. A është parandalimi i tij më i rëndësishëm për ju sesa rrezikimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë?
Kryeministri Kurti: 33 marrëveshje janë arritur në Bruksel gjatë dekadës së fundit. Dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia. E pranoj që këto 33 marrëveshje ekzistojnë dhe jam gati t’i marr parasysh të gjitha kur të fillojnë bisedimet zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve tona në bazë të propozimit franko-gjerman në Bruksel. Por Serbia do të donte ta veçojë një marrëveshje dhe të shpërfillë 32 të tjerat si dhe propozimin franko-gjerman. Por unë nuk jam për këtë. Kur flasim për normalizimin e marrëdhënieve tona, unë jam i gatshëm të flas për komunitetet dhe të drejtat e pakicës serbe – jo si parakusht për bisedime, por si pjesë e tyre.
FAZ: Ku qëndron Kosova në aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës?
Kryeministri Kurti: Ne po llogarisim në mbështetjen e partnerëve dhe miqve tanë në mënyrë që votimi për pranimin tonë në Këshillin e Evropës të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur. Përveç kësaj, ne do të dorëzojmë zyrtarisht kërkesën tonë për t’u anëtarësuar në BE në dhjetor. Sigurisht që ne e dimë se anëtarësimi nuk do të vijë së shpejti. Por është e rëndësishme që ne të shprehim vullnetin tonë për t’u anëtarësuar në BE zyrtarisht, formalisht dhe publikisht.
Lajmet
Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës
Published
11 hours agoon
January 9, 2026By
UBTnews
Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.
Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.
Postimi i plotë i Osmani në Facebook:
Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.
Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.
Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.
Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.
Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.
Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.
As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.
U prehsh në paqe, Ali Sadriu.
Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.
Lajmet
The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë
Published
12 hours agoon
January 9, 2026By
UBTnews
Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.
Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.
Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.
The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.
Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.
Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.
Lajmet
Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë
Published
13 hours agoon
January 9, 2026By
UBTnews
Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.
Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.
Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.
“Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.
Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.
“Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.
Lajmet
Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të
Published
13 hours agoon
January 9, 2026By
UBTnews
Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.
Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas rezultateve preliminare:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.
Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.
Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.
Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.
Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.
Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.
Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.
Super derbi në basketboll
Top dhjetë rangimet në sporte të ndryshme
Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës
The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë
Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë
Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të
Gjendja aktuale në pikat kufitare
Stabilizohet furnizimi me ujë nga KRU “Mitrovica”, megjithatë rekomandohet uji mos të përdoret për pije
Përfundon numërimi i të gjitha votave
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
