Lajmet

Bordi i RTK-së raporton para Komisionit për Buxhet dhe Transfere

Published

on

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019.

Kryetari i Bordit të RTK-së Sali Bashota, tha se kanë pasur probleme në marrjen e vendimeve për shkak të mungesë së kuorumit.

Sipas tij, RTK-ja punon në kushte jo të mira infrastrukturore.

“Raporti reflekton të gjitha aktivitetet e një periudhë kur Bordi ka pasur vetëm 7 anëtar nga 11 që është dashur t’i ketë. S’ka pasur as menaxhmentin e plotë. Mendoj që është një raport transparent. Kemi pasur probleme me marrje vendimesh për shkak të mungesës së kuorumit. RTK-ja punon në kushte jo të mira infrastrukturore. Mendoj që RTK ka paraqitur të gjitha transaksionet me të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2019”, ka thënë Bashota.

Deputeti Veton Berisha ka thënë se komuniteti egjiptian ka një program vetëm në vikend në kohën kur nuk ka shikueshmëri.

“Lus Bordin e drejtorin që komuniteti egjiptian të ketë redaksinë e vet. Kërkojmë më shumë hapësirë që çështjet tona të kenë zgjidhje”, ka thënë mes tjerash Berisha.

Kryesuesi i Komisionit Hekuran Murati nuk e ka parë të papranueshme raportin e RTK-së.

Murati ka thënë se në RTK janë rreth 900 punëtorë, por ka shpenzime shumë të larta për blerje të programeve.

Sipas tij, 117 punonjës në RTK kanë paga mbi një mijë euro në muaj.

“Menaxhim skandaloz financiar dhe nuk di si mund të quhet raporti apo menaxhimi i mirë. Me të gjitha këto unë nuk mendoj që duhet të votohet apo të rekomandohet për votim ky raport sepse nuk i plotëson kriteret”.

“Në raportin e dorëzuar në Kuvend, theksohet se shpenzimet për program për vitin 2019 ishin 3 milionë e 676 mijë euro, apo rreth 50 mijë më shumë se planifikimet”, ka thënë kryesuesi i komisionit, Hekuran Murati.

Drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati ka thënë se në aspektin e shpenzimit të parasë publike do të mundohet që të ketë kujdes gjatë mandatit të tij. Sipas tij, të gjitha shpenzimet ishin të planifikuara.

“Jemi munduar në mënyrën më të mirë të mundshme të menaxhojmë me paranë publike. Ajo që mendoj unë është se jam munduar që ta stabilizojmë gjendjen financiare dhe te kjo pikë besoj ia kemi arritur”, është shprehur Kastrati.

Në këtë komision ka dështuar votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, për shkak të mungesës së kuorumit.

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara