Lajmet

PE: Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohjen reciproke

I bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Published

on

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Në raportin për Kosovën i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në atë të Serbisë për herë të parë thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”. Kurse, në raportin e Bosnjës dënohet ashpër çdo përpjekje, e cila minon shtetësinë e këtij vendi.

Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raportet për të tria shtetet do të diskutohen dhe do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian.

Këto rezoluta kanë peshë politike, por nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.

Çka tjetër thuhet në raportin për Kosovë?

Në raportin për Kosovën që e kishte prezantuar raportuesja për Kosovën në këtë trup, Viola von Cramon, theksohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.

Në raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.

Sipas raportit, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione, dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion. Megjithatë, Kosova është kritikuar për situatën në gjyqësor.

Është shprehur shqetësim me arsyetimin se gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike.

Në këtë drejtim është përshëndetur propozimi për reformën në prokurori dhe është kërkuar që të merret parasysh mendimi i Komisionit të Venecias.

Për raportin për Kosovën janë paraqitur edhe amendamentet. Një numër i madh i tyre janë paraqitur nga disa deputetë nga Spanja, të cilët kanë propozuar që nga raporti të largohen të gjitha referencat që e trajtojnë Kosovën si shtet.

Ndërkaq, disa deputetë nga e djathta ekstreme, më së shumti nga Franca dhe Gjermania, kishin propozuar që, në vend të thirrjes për liberalizim vizash, të thuhet se “vizat nuk duhet të liberalizohen në një të ardhme të afërt”.

Raporti për Serbinë: Të harmonizohen politikat e sanksioneve kundër Rusisë

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Për raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit (AFET) votuan 50 anëtarë të AFET-it, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.

Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Vladimir Bilçik, raportuesi i përhershëm për Serbinë në PE dhe autori i tekstit, tha pas votimit se dëshira e tij është që pas zgjedhjeve të prillit dhe luftës së agresionit rus, partnerët në Serbi të kuptojnë se sa urgjente është të shkohet para në rrugën e tyre evropiane.

“Mund të bëhet më shumë për të ecur me vendosmëri drejt BE-së dhe si raportues i PE-së jam i gatshëm të punoj së bashku me lidershipin e ri në Beograd për të ndihmuar në arritjen e ndryshimeve pozitive për Serbinë evropiane”, tha Bilçik.

Autoriteteve serbe u kërkohet, gjithashtu, të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe rrezikon stabilitetin dhe pajtimin rajonal.

Ai është ankuar për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të gjykimeve ndërkombëtare të krimeve të luftës.

Ai i bëri thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e Gjyqësorit si çështje me prioritet.

Raporti për Bosnjën kundër institucioneve paralele

Përfaqësuesit e Komitetit të Politikës së Jashtme (AFET) në Parlamentin Evropian (PE) votuan edhe raportin për Bosnje dhe Hercegovinën i cili dënon ashpër “mosrespektimin e normave dhe detyrimeve ndërkombëtare dhe kombëtare, të gjitha retorikat e urrejtjes dhe veprimet përçarëse, duke përfshirë tërheqjen nga institucionet, veçanërisht të udhëheqësit të entitetit të Republika Sërpska, gjë që destabilizon vendin, minon shtetësinë e tij duke shkelur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe pengon sistematikisht vendimmarrjen për ligjet dhe reformat kyçe.”

Për këtë raport votuan 44 anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme të PE-së, tetë prej tyre ishin kundër dhe pesë abstenuan.

Raporti i votuar hedh poshtë të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve paralele para-shtetërore, të cilat cenojnë institucionet shtetërore, rendin juridik, pavarësinë dhe sovranitetin e gjyqësorit; bën thirrje për një kthim të plotë, pa dallim dhe pa kushte në të gjitha institucionet shtetërore dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian (BE), si dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i përdorin të gjitha instrumentet në dispozicion, përfshirë sanksionet e synuara, kundër aktorëve destabilizues në vend.

Paulo Rangel, raportuesi i përhershëm i PE-së për Bosnje-Hercegovinën, vlerësoi se ky raport vjen në një moment vendimtar si për vendin ashtu edhe për Evropën.

“Raporti do të konfirmojë mbështetjen e Parlamentit për të ardhmen evropiane të BeH, ndërsa adreson sfidat kryesore me të cilat përballet vendi, përkatësisht përshkallëzimin e aktiviteteve destabilizuese dhe bllokimin e institucioneve dhe vendimeve shtetërore. Këto sfida kërcënojnë unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, “të cilat janë të nevojshme që BeH të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe ato janë reforma zgjedhore dhe kushtetuese dhe përmbushja e 14 përparësive kryesore”, tha Rangel.

Në raportin e votuar, deputetët evropianë thanë se ritmi i anëtarësimit në BE përcaktohet nga funksionimi i duhur i institucioneve demokratike, bazuar në shtetin e së drejtës, qeverisjen e mirë dhe të drejtat themelore.

Prandaj i bëhet thirrje Bosnjës të bëjë përparim në 14 prioritetet kryesore duke rivendosur pavarësinë e gjyqësorit, forcimin e shtetit të së drejtës, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sigurimin e lirisë së medias dhe një mjedis të favorshëm për shoqërinë civile dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme./REL

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara