Lajmet

Pse nuk mjafton embargoja e Evropës ndaj naftës ruse?

A do ta detyrojë embargoja e saposhpallur kundër naftës ruse nga Bashkimi Evropian, që t’i japë fund luftës?

Published

on

Nga Sergei Guriev

“Project Syndicate”

Vladimir Putin ka nevojë për petrodollarë, dhe ato i duhen pikërisht tani. Shumë analistë prisnin që presidenti rus të shpallte zyrtarisht gjendjen e luftës me Ukrainën, një veprim që do të lejonte mobilizimin e plotë të forcave rezervë që ka Rusia.

Por edhe pse Putin mund të dëshirojë të dërgojë më shumë ushtarë rusë në Ukrainë, ai nuk ka mundësi ta bëjë këtë. A do ta detyrojë embargoja e saposhpallur kundër naftës ruse nga Bashkimi Evropian, që t’i japë fund luftës? Aktualisht, Kremlini e ka zbutur shumë propagandën e tij.

Tani nuk po flet më për pushtimin e Kievit. Mesa duket synimi i vetëm i Putinit është pushtimi i rajonit lindor të Donbasit. Por edhe atje Putin nuk e ka të sigurt fitoren, pasi Ukraina ka nisur të ashtuquajturin Operacion i Forcave të Përbashkëta, që përfshin njësitë e saj ushtarake më të trajnuara, dhe të armatosura gjithnjë e më shumë me pajisje të avancuara ushtarake perëndimore.

Ndërkaq Rusia, ka humbur shumë nga pajisjet e saj moderne ushtarake, dhe sanksionet e forta perëndimore e kanë bërë të paaftë të rimbushë rezervat e saj. Me shumë pak opsione nëdispozicion, Rusia po hedh në betejë tanket e vjetra të epokës sovjetike.

Mënyra e vetme se si Putini mund ta kompensojë mungesën e pajisjeve në terren, është nëpërmjet dërgimit të më shumë ushtarëve. Por përfshirja në luftë e rekrutëve të rinj, është një ide e papëlqyeshme në popull, ndaj Putin po paguan paguajë njerëz që të luftojnë për Rusinë.

Thuhet se aktualisht rekrutët paguhet 3000-5000 dollarë në muaj. Por, vendimi i fundit për të hequr kufirin e moshës për rekrutët e ushtrisë, sugjeron se edhe perspektiva për të marrë njëpagë që është më e lartë sesa paga mesatare në Rusi, nuk po tërheq mjaftueshëm luftëtarë.

Të dhënat buxhetore të publikuara së fundmi nga Ministria ruse e Financave, sugjerojnë se Putini nuk mund të përballojë shumë gjatë kostot në rritje të luftës. Së pari, të dhënat konfirmojnë se lufta ka qenë e shtrenjtë. Shpenzimet ushtarake janë rritur me thuajse 130 për qind muajin e kaluar, në 630 miliardë rubla (10.2 miliardë dollarë), ose 6 për qind e PBB-së vjetore në një bazë të përpjestuar.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se Rusia pati në prill një deficit fiskal prej më shumë se 260 miliardë rublash, ose 2.5 për qind të PBB-së së përpjesëtuar me shifrat vjetore. Ndërsa çmimet globale të naftës janë shumë të larta, Rusia e shet naftën e saj me një ulje të madhe –70 dollarë për fuçi për naftën e papërpunuar të Uraleve javët e fundit, 30 për qind nën çmimin e tregut – në një kohë që prodhimi i përgjithshëm pritet të bjerë këtë vit me 10 për qind.

Ndërkohë, të ardhurat e tjera përveç hidrokarbureve kanë rënë, duke bërë që taksat e naftës dhe gazit të përbëjnë më shumë se 60 për qind të të ardhurave fiskale, krahasuar me më pak se 40 për qind një vit më parë. Varësia e Putinit nga petrodollarët nënkupton se duke shpallur një embargo mbi rreth 90 për qind të importeve të naftës ruse brenda 6-8 muajve të ardhshëm, Bashkimi Evropian po e godet Rusinë aty ku i dhemb vërtet.

Tashmë është e sigurt se Putin do të përballet me një krizë të madhe fiskale brenda një viti, duke e bërë të vështirë vazhdimin e luftës së tij në Ukrainë, pa folur për mundësinë e pushtimit të ndonjë vendi tjetër. Por problemi është se embargoja do ta ndihmojë Putinin në një periudhë afatshkurtër.

Vetëm lajmi i shpalljes së tij, ka shkaktuar tashmë rritje të çmimeve të naftës. Kjo është arsyeja pse Evropa duhet ta plotësojë embargon e saj ndaj naftës ruse me masa shtesë dhe të menjëhershme. Në këtë rast spikasin 2 opsione. I pari – i propozuar nga ekonomisti Ricardo Hausmann menjëherë pas pushtimit rus, dhe që të tjerët kanë treguar se mund të zbatohet me shpejtësi – është një tarifë e lartë për importet e naftës ruse.

Kjo qasje ka shumë kuptim nga pikëpamja ekonomike. Çdo euro e shpenzuar për naftën ruse,e ndihmon Putinin të financojë luftën e tij në Ukrainë. Prandaj një pjesë e shumës së paguar nga blerësit e hidrokarbureve ruse, duhet të transferohet në Ukrainë si dëmshpërblim, ose të ruhet në një llogari bankare speciale, derisa Rusia t’i dëmshpërblejë zyrtarisht Ukrainën për dëmet e shkaktuara nga lufta.

Por në një kohë kur familjet evropiane po përballen me kosto të larta të energjisë, politikanët nuk janë të interesuar të vendosin një taksë të re mbi naftën. Për këtë arsye, kryeministri italian Mario Draghi ka propozuar një zgjidhje alternative:vendosjen e një kufiri mbi çmimin e natës.

Sipas këtij propozimi – të cilin Këshilli Evropian ka udhëzuar Komisionin për ta vlerësuar – vendet perëndimore do të paguajnë një çmim më të ulët për naftën dhe gazin rus, dhe do të vendosin sanksione dytësore ndaj palëve të treta që paguajnë më shumë.

Kjo masë do të zbatohet menjëherë – të themi, në nivelin 70 dollarë për fuçi – dhe do të ulet me rreth 10 dollarë çdo muaj që vazhdon lufta. Është e vërtetë, që Putin mund të refuzojë të shesë naftën me këtë çmim. Por, duke pasur parasysh se ai tashmë është mjaft i dëshpëruar për t’i shitur Kinës dhe Indisë me ulje të madhe, dhe faktin që çmimet e sotme të energjisë itejkalojnë shumë kostot e prodhimit, kjo nuk duket se ka shumë të ngjarë të ndodhë.

Përkundrazi, ndoshta Rusia do të vazhdonte furnizimin me naftë dhe gaz për blerësit perëndimorë me çmimin e kufizuar, ndërsa blerësit si Kina dhe India, nën kërcënimin e sanksioneve, nuk do të kishin asnjë arsye të paguanin më shumë. Kjo do të siguronte lehtësim për konsumatorët nga çmimet e larta të energjisë, dhe do të reduktonte ndjeshëm të ardhurat e Rusisë.

Disa mund të pretendojnë se kufizimet e çmimeve shtrembërojnë stimujt, në këtë rast, nxitjenpër të nisur përdorimin e gjerë të burimeve të rinovueshme. Por ky argument vlen vetëm për një treg konkurrues. Në tregun e sotëm të naftës dhe gazit, çmimet i tejkalojnë shumë kostot dhe karteli global i naftës OPEC+ (që përfshin edhe Rusinë), kanë rënë dakord vetëm kohët e fundit që të rrisin prodhimin në korrik dhe gusht.

Kompania e madhe ruse e gazit, Gazprom, ka të ngjarë të ketë mashtruar me çmimet në Evropë edhe para luftës. Një sjellje e tillë monopoliste garanton një kufizim të çmimit. Një argument tjetër që haset shpesh kundër një kufiri mbi çmimin, është se ai mund të nxisë lulëzimin e tregut të zi.

Dhe ky është një rrezik real. Kompanitë energjetike evropiane kanë filluar tashmë të kombinojnë produktet ruse të naftës me të tjera – një “përzierje letoneze” – që të përfitojnë nga çmimet më të ulëta, ndërsa pretendojnë se e nuk mbështesin zyrtarisht makinerinëluftarake të Putinit.

Në fakt këto kompani nuk po shkelin asnjë ligj. Nëse do të vendosej një kufi mbi çmimin  e naftës, ai do të zbatohej. Duke pasur parasysh zemërimin publik ndaj luftës së Rusisë nëUkrainë, përkushtimin e Perëndimit ndaj sanksioneve dytësore, por edhe shtimin e investigimeve nga qytetarët që mbështeten tek burimet e hapura të inteligjencës, do të ishte shumë e vështirë, në mos e pamundur, shkelja e një rregullore të tilla pa u ndëshkuar.Embargoja që ka vendosur së fundmi BE ndaj naftës ruse do ta dëmtojë Putinin, por kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt. Prandaj Evropa duhet të vendosë menjëherë një kufi mbi çmimine naftës dhe gazit rus.

Shënim: Sergei Guriev, ish-kryekonomist i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH). Aktualisht është profesor i ekonomisë në Universitetin Sciences Po në Paris.

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara