Published
4 years agoon
By
Betim GashiKryeqyteti boshnjak mban një libër me tekste për shtatë ditët e festës Pasah (Pashkës). Ai e ka origjinën në Spanjën mesjetare dhe është shpëtuar disa herë nga shkatërrimi dhe shpesh nga jo hebrenj.
Haggadat janë libra ritualë hebrej, që përmbajnë histori biblike, lutje dhe psalme. Ato lexohen për Pashkë, kur çifutët besimtarë festojnë largimin e popullit të Izraelit nga Egjipti. Një nga Haggadat më të famshme ndodhet në Sarajevë.
“Hagada e Sarajevës është si një feniks”, thotë për DW Jakob Finci, kryetari i komunitetit hebre në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Megjithë rreziqet, dhe të tilla ka patur shumë, duke filluar nga përndjekjet e hebrenjve, te inkuizicioni dhe dy luftërat botërore, deri te lufta në Bosnje dhe Hercegovinë – përherë libri është shpëtuar, përherë ka mbijetuar, përherë është shfaqur përsëri”.
Jakob Finci
Haggada e Sarajevës përbëhet nga tri pjesë. E para përmban 62 kompozime figurash me mbishkrime të shkurtra hebraike, e dyta, tekste të rrethuara me motive thjesht dekorative për ditën e parë të Pashkës dhe e treta ka lutje dhe psalme për gjashtë ditët e tjera të Pashkës, pa asnjë dekoracion. Analizat stilistike të pikturave dhe miniaturave tregojnë se libri është shkruar rreth vitit 1350 në Spanjë.
Sipas shënimeve në këtë Haggadë, pas dëbimit të hebrenjve në 1492 ajo ndryshoi disa pronarë, por se kush ishin ata, nuk dihet. Gjurma e parë e besueshme daton në vitin 1894, kur muzeu kombëtar i Bosnjë-Hercegovinës, në atë kohë i administruar nga austro-hungarezët, e bleu librin nga familja sefarde Kohen nga Sarajeva për një shumë prej 150 koronash (rreth 15,000 euro).
Shpëtimi nga nazistët
Por Haggada e Sarajevës nuk gjeti paqe të përhershme as në muze. Menjëherë pas hyrjes së Wehrmacht-it në Sarajevë në vitin 1941 pushtuesit gjermanë i kërkuan drejtorit të atëhershëm të muzeut, katolikut Jozo Petroviç, që t’ia dorëzonte atyre librin hebre. Por me ndihmën e kuratorit mysliman, Dervish M. Korkut u arrit që Haggada të dërgohej në një vend të sigurtë.

“Dervish Korkuti u tha gjermanëve se ushtarët e Wehrmacht-it kishin qenë ndërkohë në muze dhe e kishin marrë Haggadën me vete. Ata nuk i kishin thënë emrat, me arsyetimin se stafi i muzeut nuk duhet ta dinte se kush e mori librin”, rrëfen për DW Hikmet Karçiç studiues i gjenocidit në Institutin për Traditën Islame të Boshnjakëve në Sarajevë dhe autor i librit “Dervish M. Korkut: Një biografi”.
Vendi i fshehjes: xhamia
Në fakt Korkuti e kishte marrë vetë Haggadën dhe e kishte fshehur në një xhami në një nga malet, që rrethojnë Sarajevën. Atje ajo qëndroi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. “Përveç librit Korkut shpëtoi një koleksion privat me dorëshkrime hebreje, që i kishte marrë nga një mik, duke i futur në arkiv me një emër të rremë”, thotë Karçiç.
Hikmet Karçiç studiues i gjenocidit në Institutin për Traditën Islame të Boshnjakëve
Korkut ishte shumë i arsimuar dhe besonte fort se ajo që bënte ishte e drejtë. Ai shpëtoi edhe gjimnazisten Mira Papo, prindërit e së cilës ishin dërguar në një kamp përqendrimi nga pushtuesit gjermanë. E reja u vesh me perçe dhe në këtë mënyrë hebreja boshnjake Mira u bë shqiptarja myslimane Amira, që kishte ardhur gjoja nga Kosova për të ndihmuar Korkutin si ndihmëse për punët e shtëpisë.
Haggada në luftën e Bosnjës
Pas Luftës së Dytë Botërore Dervish Korkut e ktheu Haggadën në Muzeun Kombëtar të Bosnjës. Atje libri u mbajt në një kasafortë dhe i shfaqej publikut rrallë për ta mbrojtur atë nga prishja. Por kur filloi rrethimi i Sarajevës me 6 prill 1992, Muzeu Kombëtar, që ndodhej në vijën e demarkacionit midis ushtrisë boshnjake dhe trupave serbe të Bosnjës, nuk qe më vend i sigurt për Haggadën.
Sinagoga Ashkenazi e Sarajeves
Drejtori i muzeut Enver Imamoviç e ruajti librin bashkë me vepra të tjera të vlefshme me iniciativën e tij, duke i vendosur në kasafortën e Bankës Kombëtare. Por në mediat ndërkombëtare u raportua se qeveria boshnjake e kishte shitur Haggadën dhe i kishte shpenzuar paratë për ushtrinë e vendit. Si qeveria ashtu edhe komuniteti hebre në Bosnje e mohuan këtë. “Qytetarët e Sarajevës nuk do ta shisnin apo ta shkatërronin kurrë Haggadën”, thekson Jakob Finci.
Me famë botërore për shkak të një gabimi
Kryetari i komunitetit hebre të Bosnjës jetonte në atë kohë si refugjat në Shtetet e Bashkuara. Senatori hebre amerikan Joe Lieberman i njoftoi atij se për Pashkët e 1995 donte të shkonte në Sarajevën e rrethuar, me kusht që të mund të shihte atje Haggadën. “Unë i thashë se ku gjendej dhe se ai mund ta shikonte atë kurdoherë”, tregon Finci për DW. Në fund udhëtimi i Lieberman nuk u bë, por në Sarajevë erdhën gazetarë nga e gjithë bota, që kishin dashur ta takonin senatorin atje.

“Një reporter i New York Times shkroi pastaj një raport, ku thuhej se ‘Haggada e famshme e Sarajevës kishte një vlerë prej 7 milionë dollarësh. Por që nuk u botua kështu”, tregon Finci duke qeshur, sepse tek shuma kishte ndodhur një gabim. Kur u dërgua me faks, pika midis shifrave ishte bërë e palexueshme, çmimi real i Haggadës ishte vlerësuar në shtatë milionë dollarë – jo 700 milionë. “Aq e lartë nuk kishte qenë vlera e asnjë libri deri atëherë dhe kështu Hagada u bë e famshme në botë.”
Pas përfundimit të Luftës së Bosnjës, Kombet e Bashkuara i financuan Muzeut Kombëtar të Bosnjë dhe Hercegovinës një raft të posaçëm xhami për Haggadan e Sarajevës. Që nga nëntori i vitit 2002 libri i mbrojtur në këtë mënyrë dhe i vendosur ne nje dhomë shumë të sigurtë mund të kundrohet nga vizitorët e regjistruar më parë. Në vitin 2017 Haggada e Sarajevës u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.DW
You may like
Odhise Paskali, njëri ndër themeluesit e skulpturës shqiptare dhe personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar, u lind në Përmet më 22 dhjetor 1903.
Hapat e para të karrierës së Odhisesë, janë në fushën e publicistikës, si dhe u shqua në estetikë dhe kritikë arti.
Më 1919 ai shkoi në Itali, ku kreu Liceun më 1923 dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.
Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968, “Naum Veqilharxhi”, bust në bronz, në Korçë, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968 etj.
Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të Shqipërisë.
Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë.
Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i Odhise Paskalit me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave.
Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali.
Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet.
Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 shtator 1985, i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë e adhurues të veprës së tij të pavdekshme./S.K/KP/
Nga parashutistë që sfidojnë Diellin deri te refugjatë që luhaten mes shpresës dhe mbijetesës, disa prej fotografive më të fuqishme të këtij viti që kanë bërë më shumë sesa të dokumentojnë ngjarje, ato kanë ringjallur shekuj të tërë historie arti, simbolike dhe mitologjie.

Parashutizëm, Arizona
Një fotografi mahnitëse e kapur nga astrofotografi Andrew McCarthy tregoi një parashutist të siluetuar përballë Diellit me teksturë të dendur, në agimin e 8 nëntorit në Arizona. Sinkronizimi i përsosur i kohës, dritës dhe lëvizjes nuk linte vend për gabime. Imazhi u pagëzua shpejt si “Rënia e Ikarit”, duke ringjallur mitin grek të të riut që fluturoi shumë afër Diellit. Ashtu si në veprat e Bruegelit, Rubensit apo Matisse, fotografia flet për guximin, ambicien dhe rrezikun e tejkalimit të kufijve njerëzorë

Alpinist, Nepal
Një alpinist francez, duke u ngjitur drejt majës Jannu East (7,468 m), u bë simbol i njeriut të vogël përballë natyrës së pamëshirshme. I zbehur nga akulli dhe shkëmbinjtë monumentalë, figura njerëzore duket pothuajse e gëlltitur nga peizazhi – një pamje që kujton akuarelet dramatike të JMW Turner, ku madhështia e natyrës e shtyp pa mëshirë praninë njerëzore.

Pagoda e shkatërruar, Myanmar
Një statujë gjigante budiste e rrëzuar, pas tërmetit shkatërrues të 28 marsit në Mandalay, mbart peshën e mbi 3,000 jetëve të humbura. Kontrasti mes arkitekturës së copëzuar dhe figurës kolosale të shembur krijon një ndjenjë apokaliptike, që sjell ndër mend përpjekjet e piktorit João Glama Ströberle për të përjetësuar traumën e tërmetit të Lisbonës të vitit 1755.

Protestues, Stamboll
Imazhi i një protestuesi në Stamboll i veshur me veshje tradicionale dervishi, që përballej me një batalion oficerësh policie të pajisur rëndë që përdornin sprej me piper, u bë viral në mars. Trazirat e përhapura politike, më të nxehtat në më shumë se një dekadë në Turqi, u shkaktuan nga arrestimi dhe burgosja e kryetarit të bashkisë së Stambollit. Një figurë e vetmuar, e veshur si dervish sufi, përballë policisë së armatosur gjatë protestave në Stamboll, u shndërrua në imazh simbol të vitit. Stoicizmi shpirtëror përballë forcës shtetërore i dha skenës një dimension mitik, duke e ngritur protestën nga realiteti politik në alegori vizuale.

Anije turistike e braktisur, Gjiri i Elefsinës
As nga deti dhe as pa det, lëvozhga e ndryshkur e anijes së braktisur turistike, MS Mediterranean Sky, e cila u përmbys në Gjirin e Elefsinës, në perëndim të Athinës, në vitin 2003, u fotografua në gusht në gjendjen e saj të përhershme gjysmë të zhytur. Për më shumë se 20 vjet, anija ka mbetur gjysmë e zhytur, duke u zhytur ngadalë në harresë.t. Profili i saj i ndryshkur mbi blu të thellë sjell ndër mend imazhe të lashta fenikase të anijeve funerale, udhëtime pa destinacion, mes harresës dhe kujtesës.

Murgjit duke u lutur, Tajlandë
Një foto e murgjve që luten nën kupolën e madhe të artë të Wat Phra Dhammakaya gjatë ceremonisë vjetore të Makha Bucha në shkurt është marramendëse në shkëlqimin e saj eterik. Dhjetëra mijëra murgj të mbledhur nën kupolën e artë të Wat Phra Dhammakaya gjatë ceremonisë Makha Bucha krijuan një skenë eterike. Drita e fenerëve dhe përkushtimi kolektiv evokojnë dorëshkrime budiste të shekullit XIX, ku komuniteti shndërrohet në një trup të vetëm shpirtëror.

Varri i Papa Françeskut, Romë
Një pllakë e thjeshtë guri dhe një trëndafil i bardhë, fotografia e varrit të Papa Françeskut ishte e fuqishme në heshtjen e saj. Ashtu si vizatimet funerale të Turnerit, imazhi sugjeron se vdekja nuk është fund, por një hapësirë e ndërmjetme, e depërtueshme.

Punëtor migrant, Chandigarh, Indi
Një punëtor që ndalet për të pirë ujë gjatë korrjes së grurit në periferi të Chandigarh mishëron arketipin e korrësit të vetmuar. Imazhi rezonon me veprën e Winslow Homer, duke e vendosur punën fizike në kufirin mes realitetit dhe alegorisë.

Studentë të baletit, Tembisa, Afrika e Jugut
Dy vajza pesëvjeçare me fustane baleti, të fotografuara mbi një tokë të thatë në Tembisa, krijojnë një kontrast prekës. Ashtu si balerinat e Degas, ato duken të shkëputura nga koha, delikatesë përballë një realiteti të ashpër.

Qendra e tranzitit, Buganda
Një grua kongoleze në një qendër tranziti, e ulur mbi një lëkundëse të ndryshkur, rrezaton gëzim përtej rrethanave të vështira. Imazhi rimerr simbolikën e lëkundëses nga piktura rokoko e Fragonard, duke e kthyer atë në një metaforë të qëndrueshmërisë njerëzore.

Fëmijë i dobësuar, Qyteti i Gazës
Fotografitë e fëmijëve të kequshqyer në Qytetin e Gazës tronditën ndërgjegjen globale. Ndryshe nga çdo përfaqësim artistik historik i vuajtjes, këto imazhe dokumentare tejkalojnë artin: ato nuk interpretojnë dhimbjen, por e dëshmojnë atë drejtpërdrejt, pa filtra dhe pa paralelizma të mjaftueshëm estetikë.

Lajmet
“The Guardian”: Shqipëria mes vendeve të preferuara evropiane për britanikët
Published
1 week agoon
December 19, 2025By
UBT News
Ekspertët e udhëtimit kanë zbuluar disa nga destinacionet më emocionuese evropiane këtë vit, nga ishujt e paprekur në Finlandë, vendpushimet me çmime të përballueshme në Bullgari e deri te shtigjet e fshehura në Shqipëri.
“The Guardian”, gazeta e përditshme britanike, e ka renditur Shqipërinë midis 26 vendeve më emocionuese dhe të përballueshme për pushime familjare.
Vizitoni shtigjet e fshehura në Shqipëri (eksperienca e ekspertëve):
“Vizita në Shqipëri na la një përshtypje të paharrueshme dhe vërtetoi se largimi nga destinacionet turistike të njohura dhe të mbipopulluara shpesh sjell shpërblime më të mëdha. Kaluam dy netë në bujtinën “Lëpushë”, një shtëpi mysafirësh e rrethuar nga pemishte, koshere bletësh dhe ferma të vogla që shtriheshin drejt një amfiteatri gjigant – që kufizohej nga majat e thepisura të Bjeshkëve të Nemuna. Ndërsa mbërritëm në muzg, fëmijët 10 dhe 12 vjeç luanin me kotelet në verandën e shtëpisë sonë, ndërsa ne bisedonim me pronarin për jetesën në Lëpushë. Migrimi jashtë vendit ose në qytete më të mëdha dhe turizmi janë një litar shpëtimi për këdo në rajon. Por për fat të mirë, në Lëpushë mundësitë për zhvillim në fushën e turizmit janë të mëdha. Ditën e parë, vizituam një vendpushim të qetë dhe u hodhëm nga shkëmbinjtë për të shijuar notin në ujërat e kristalta ngjyrë blu. Më pas, hëngrëm djathë dhe bukë të bërë në shtëpi, në një kamp veror.
Në ditën e dytë, ne ecëm deri në majën e Majës së Nagvacit (2,412 metra e lartë) në disa shtigje pothuajse të shkreta, duke shijuar boronica të egra gjatë rrugës. Lëpusha pret një pjesë të turistëve – që akomodohen nga banorët e Thethit aty pranë, të cilët e vizitojnë zonën për të bërë ecje në shtegun e famshëm që të çon në “Majat e Ballkanit”, kanë thënë ata.
Kulturë
Fatlume Bunjaku ndër aktorët më premtues evropianë të European Shooting Stars 2026
Published
2 weeks agoon
December 15, 2025By
UBT News
Aktorja shqiptare Fatlume Bunjaku do të përfaqësojë Shqipërinë në programin prestigjioz European Shooting Stars 2026, një iniciativë e European Film Promotion (EFP) e organizuar si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale). Lajmin e bëri të ditur vetë EFP.
Çdo vit, European Film Promotion zgjedh 10 aktorë e aktore nga 37 vende evropiane, që konsiderohen talentë me potencial ndërkombëtar.
Programi ka për qëllim promovimin e aktorëve të rinj dhe ndihmën për të ndërtuar një karrierë në film dhe televizion jashtë vendit.
Fatlume Bunjaku është nominuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë për rolin e saj në Hana, të regjisorit Ujkan Hysaj.
Ajo do të ketë mundësinë të marrë pjesë në katër ditë intensive me intervista, prezantime, workshop-e dhe takime me emra të mëdhenj të industrisë së filmit ndërkombëtar. Programi do të kulmojë me një paradë në tapetin e kuq të Berlinale Palast dhe ndarjen e çmimeve.
European Shooting Stars ka shërbyer si një trampolinë për karrierën ndërkombëtare për aktorë të njohur si Daniel Craig, Maisie Williams, Carey Mulligan, Riz Ahmed, Alicia Vikander dhe George MacKay.
Për Shqipërinë, Bunjaku është aktorja e tretë që merr pjesë në këtë program, pas Nik Xhelilaj më 2011 dhe Arta Dobroshi në vitin 2013. /A.Z/UBT News/
Ngadhnjim Arrni zgjidhet kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinës
REL: Shëndeti në QKUK pret, pavarësisht investimeve milionëshe
SHBA nis sulme vdekjeprurëse kundër Shtetit Islamik në Nigeri
Studentët e Psikologjisë në UBT vizitojnë Qendrën për Zhvillim, duke u njohur nga afër me shërbimet në shëndetin mendor
Ndarja e shtesave prej 100 eurove – Kurti: Çdo herë para vitit të ri ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët
Besimtarët katolikë kremtojnë Krishtlindjet, mesazh për paqe dhe reflektim shpirtëror
12 traditat më të çuditshme të Krishtlindjeve në botë
REL: Kurti: Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet
Punëtori statistikore për studentët e Psikologjisë në UBT me ligjëruese nga ShBA
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Rajoni2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Lajmet3 months agoUBT hap thirrjen për punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare MBE 2025
-
Vendi3 months agoPunimi shkencor i profesoreshës së UBT-së, Miranda Sejdiu Abazi dhe bashkëautorëve botohet në Georgian Medical News
