

Lajmet
Debati në Parlamentin Evropian: BE-ja ftohet t’i mbajë premtimet ndaj Kosovës
Në debat kanë folur edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe ata të shërbimit të Jashtëm të BE-së.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiNë Komisionin e Parlamentit Evropian për politikë të jashtme është zhvilluar të enjten, 21 prill, debati për draftin e raporteve për Kosovën dhe Serbinë. Për përmbajtjen e këtij raporti ka folur Viola von Cramon, raportuese për Kosovën. Radio Evropa e Lirë ditë më parë ka publikuar pjesët kryesore të këtij dokumenti.
Disa folës në debatin e së enjtes kanë shprehur mirënjohje për shpejtësinë, me të cilën Kosova kishte mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe kishte dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Në debat kanë folur edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe ata të shërbimit të Jashtëm të BE-së.
Vasilis Maragos nga Komisioni Evropian ka shprehur mirënjohje për qëndrimet e Kosovës rreth luftës në Ukrainë. Ai ka përshëndetur në veçanti edhe pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në konferencën e donatorëve për Ukrainën.
Maragos ka paralajmëruar se Komisioni do ta ndihmojë Kosovën për t’u përballur me pasojat ekonomike. Në mënyrë të veçantë Maragos ka përmendur nevojën për investime në sektorin e energjisë duke e quajtur krizën e fundit të furnizimit me energji në Kosovë, si alarm për t’u zgjuar nga gjumi.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në këtë debat ka përsëritur se vlerësimi i Komisionit Evropian vazhdon të jetë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se mbështetja nga Parlamenti Evropian në këtë drejtim mbetet kyçe.
Elsa Fenet, nga shërbimi i veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) po ashtu ka vlerësuar qëndrimet e Kosovës rreth luftës në Ukrainë. Ajo ka thënë se Kosova formalisht nuk është e obliguar që t’u përshtatet qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme, por gjithsesi një përshtatje e tillë është e mirëseardhur. Ajo ka theksuar se Kosova do të duhet të tregojë më shumë fleksibilitet në bashkëpunimin rajonal.
Sa i përket dialogut ka thënë se situata gjeopolitike e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë më të nevojshëm.
Deputeti kroat Tonino Piculla ka kërkuar nga BE-ja që të dëshmojë përkushtim ndaj Kosovës.
“Roli ynë në Kosovë është kyç, por ne kur kërkojmë përmbushje të kushteve, duhet të dëshmojmë me shembullin tonë përkushtimin. Është e papranueshme që BE-ja akoma nuk i ka liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Raportuesja Von Cramon në fund të debatit ka bërë ftesë që, në kohën kur fokusi është në agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, të mos harrohet se procesi i pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk ka dhënë rezultate akoma. Ajo ka rikujtuar se në Kosovë edhe sot mund të shihen traumat nga lufta.
Në debatin për raportin për Serbinë është shprehur keqardhje për qëndrimet e saj rreth luftës në Ukrainë dhe kjo është parë si largim i Serbisë nga aspiratat e saj evropiane. Disa deputetë kanë përmendur edhe pasoja të rënda për Serbinë nëse nuk dëshmon se dëshiron të respektojë vlerat evropiane.
Shumë deputetë kanë thënë se “ka kaluar koha kur kanë mundur të bëhen balancime të qëndrimeve dhe tash Serbia, sikur secili shtet tjetër evropian, duhet të vendosë se në cilën anë dëshiron të jetë”.
Edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Biliçik, ka kërkuar që Beogradi t’i mbështesë qëndrimet e BE-së.
“Shtetet sovrane miratojnë qëndrime sovrane, por edhe mbajnë përgjegjësi për qëndrimet e tilla”, ka thënë Biliçik, duke shprehur pritjet e tij që Serbia t’i mbështesë qëndrimet e BE-së.
Michael Muler nga Komisioni Evropian ka thënë gjatë këtij debati se qëndrimet e Serbisë sa i përket agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës do të merren në konsideratë kur të vendoset për hapat në procesin e zgjerimit.
Elsa Fenet nga EEAS ka thënë se, ndonëse Serbia ka mbështetur disa qëndrime të BE-së, siç janë votimet në OKB, ende nuk e ka mbështetur asnjë sanksion ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës. Ajo ka thënë se kanë vazhduar kontaktet politike mes Serbisë dhe Rusisë, përfshirë edhe me ata që i ka quajtur “persona kundërthënës”. Po ashtu, ajo ka tërhequr vërejtjen se fushata dezinformuese ruse në Serbi vazhdon të jetë e pranishme.
Viola Von Cramon ka përshëndetur përmbajtjen e raportit për Serbinë, por e ka kritikuar grupin e Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian duke e quajtur si “zonë e sigurt për interesat e Partisë së presidentit Vuçiq”.
Deputeti nga Kroacia, nga radhët e grupimit Socialist dhe Demokrat, Tonino Piculla, ka thënë se Serbia nuk po e zbaton në praktikë obligimin për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë. Ai ka thënë se BE-ja nuk mund të tolerojë më kalkulime rreth standardeve dhe vlerave të saj.
Serbinë disa deputetë e kanë ftuar edhe që t’i hapë arkivat e ish-shërbimit sekret komunist UDB-së.
Raportet për Kosovën dhe Serbinë, sikur edhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të votohen në mesin e qershorit në Komisionin e politikës së jashtme, ndërsa në seancë plenare në muajin korrik./REL
Lajmet
Aksioni i Prokurorisë për spiunazh, arrestohet një polic
Published
10 minutes agoon
July 17, 2025By
UBTnews
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari të Policisë gjatë një operacioni të zhvilluar të enjten, më 17 korrik, që lidhet me dyshimet për spiunazh.
Sveçla e cilësoi këtë ndërhyrje si një aksion të rëndësishëm, duke theksuar se “rrit sigurinë dhe integritetin e institucioneve të vendit”.
Operacioni është ndërmarrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të tij”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Lajmet
Haradinaj: Kurti me vetëdije po e mban peng Kuvendin
Published
1 hour agoon
July 17, 2025By
UBTnews
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj tha se e gjithë Kosova është lodhur nga situata aktuale. Ai deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti me vetëdije po e mban situatën peng, siç shtoi ai, nuk ka arsye tjetër që të mbahet 48 herë seancë për konstituim të Kuvendit.
Para fillimit të seancës, ai iu tha mediave se nuk pret ndonjë ndryshim për ditën e sotme.
“Unë mendoj që jo vetëm protestuesit që janë këtu, por mendoj që e gjithë Kosova është lodhur me këtë situatë dhe ne po i përsërisim fjalët e njëjta. Kemi dhënë një ofertë, jemi të gatshëm që të votojmë në rast se do të ketë një mirëkuptim ndryshimi të emrit, të kandidatit. Në rast se jo, do të mbesim kështu edhe fatkeqësisht edhe një kohë por unë prapë besoj që me vetëdije zotëri Kurti po e mban këtë situatë peng sepse nuk shoh arsye tjetër, pse duhet me ardh 48 herë me të njëjtin kandidat kur dihet botërisht që nuk janë numrat”, u shpreh ai.
Haradinaj shtoi se do ta shqyrtojnë ftesën e kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ka paralajmëruar se do i ftojë partitë politike për takim.
“Nuk e shoh se cila do të jetë ajo marrëveshje përpos asaj që po qarkullon mes Nisma-s dhe LVV-së por sido që të jetë duhet me pa se çfarë do ndodhë. Nuk e di se çfarë pozicioni ka nëse Limaj i fton në takim partitë, që do t’i fton por do ta shohim, deri tash nuk kemi marrë ndonjë ftesë, por do ta shohim shqyrtojmë dhe do ta japim përgjigjen në kohë”, shtoi Haradinaj.
Lajmet
Kuvendi nuk konstituohet përsëri, megjithëse po soset afati i dhënë nga Kushtetuesja
Published
2 hours agoon
July 17, 2025By
UBTnews
Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe në tentimin e së enjtes, pavarësisht se po soset afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.
Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.
Edhe në këtë mbledhje, partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.
Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.
Në seancën e 17 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.
Seanca dështoi dhe vazhdimi i radhës do të mbahet më 19 korrik.
Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.
Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qasjen e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.
Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale.
Pas përfundimit të konsultimeve, ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor – të vendosur nga Kushtetuesja – nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.
Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.
Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.
Ngërçi vjen pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.
PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9./REL
Lajmet
Autoritetet kosovare zhvillojnë aksion të ri kundër spiunazhit
Published
3 hours agoon
July 17, 2025By
UBTnews
Autoritetet kosovare janë duke e zhvilluar një aksion në lidhje me dyshimet për spiunazh, duke intensifikuar luftën kundër rrjetit të spiunazhit, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten.
Prokuroria tha se aksioni është duke u kryer në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Ajo tha se nuk mund të japë hollësi, për shkak ndjeshmërisë së hetimeve dhe pasi operacioni është ende në zhvillim e sipër.
Aksioni vjen në një kohë kur autoritetet kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor./REL

Aksioni i Prokurorisë për spiunazh, arrestohet një polic

Haradinaj: Kurti me vetëdije po e mban peng Kuvendin

Kuvendi nuk konstituohet përsëri, megjithëse po soset afati i dhënë nga Kushtetuesja

Yamal: Fillimi i një udhëtimi që shpresoj të jetë i gjatë dhe plot fitore

Autoritetet kosovare zhvillojnë aksion të ri kundër spiunazhit

Senati e kalon planin e Trumpit për shkurtimin e ndihmave amerikane në botë në vlerë 9 miliardë dollarë

Sot përpjekja e 48-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Tri raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit, një person u dërgua në mbajtje

Pesë ushqime të shëndetshme që duhet t’i shtoni në dietën tuaj
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore