Published
4 years agoon
By
Betim GashiNjë javë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, stafi i kanalit të fundit televiziv të pavarur rus, TV Rain, u mbyll. E ulur në studion e lajmeve, Drejtoresha e Përgjithshme dhe bashkëthemeluesja, Natalia Sindeeva, njoftoi mbylljen e televizionit. “Ne kemi nevojë për forcë, për të kuptuar se si të punojmë më tej. Shpresojmë shumë të kthehemi në transmetim dhe të vazhdojmë punën tonë.”
Stacioni ishte zyrtarisht i bllokuar nga rregullatorët e Rusisë, por edhe për pak kohë arriti të transmetonte informacionet e veta përmes YouTube.
“Të gjithë ndiejmë dhimbje dhe kemi frikë. Ne e kemi humbur këtë luftë, por ndonjëherë në luftë duhet të tërhiqeni. Mendojmë se tani kemi marrë vendimin e duhur për të mbajtur gjënë më të çmuar që kemi. Është jeta jonë, është detyra jonë. Ata u përpoqën të na etiketonin si individët më të këqij në vend, u përpoqën të na fajësonin edhe për disa krime imagjinare.”

TV Rain ka qenë prej vitesh në qendër të Kremlinit. Në vitin 2014, kreu një anketë në internet duke pyetur shikuesit nëse gjatë Luftës së Dytë Botërore, qeveria sovjetike duhet ta kishte lënë Leningradin t’i dorëzohej gjermanëve, në mënyrë që të shmangte afërsisht një milion vdekje, që u shkaktuan nga bllokada naziste. Prindërit e Putinit i mbijetuan kësaj bllokade dhe qeveria e tij u zemërua që një demonstrim kaq i shenjtë trimërie, po vihej në dyshim dhe kjo sigurisht i kushtoi rëndë televizionit të pavarur.
Jill Dougherty nga CNN tregon eksperiencën e tij në TV Rain, Moskë: “Kam qenë i ftuar në këtë kanal disa herë dhe në vitin 2014, pranova të jap një intervistë. Kur më dhanë adresën e tyre u çudita: një ndërtesë private në qendër të Moskës. U ngjita në ashensor, trokita në derë dhe hyra në një studio të madhe të improvizuar në dhomën e ndenjes. Dhoma e grimit ishte në banjë. Të gjitha dritaret ishin të mbuluara me perde të errëta. U porosita të mos tregoja se ku ndodhej studioja.”
TV Rain për shumë kohë arriti të transmetonte lajmet, por vazhdimisht zemëronte Kremlinin me mbulimin e protestave antiqeveritare dhe aktiviteteve të opozitarit, Alexey Navalny. Në verën e vitit 2021, televizioni u shpall zyrtarisht “agjent i huaj” dhe iu kërkua të përfshinte një njoftim në çdo transmetim ose raport në uebsajt: “Ky raport (material) krijohet dhe (ose) shpërndahet nga një masmedia e huaj, duke kryer funksionet e një agjenti të huaj dhe (ose) një person juridik rus që kryen funksionet e një agjenti të huaj.”
Në javën kritike të pushtimit të Ukrainës, Rusia po vepronte edhe me censurimin e vendit të vet. Pjesë e kësaj censure u bë dhe TV Rain që në një mesazh në Telegram raportoi: “Në zyrën e Dozhdit kanë mbërritur dy policë, njëri prej tyre me rroba civile, duke lënë dy “paralajmërime” nga prokuroria, si dhe duke informuar kanalin se është kundër ligjit që mediat të përhapin material ekstremist”.
Përmendja e fjalës “luftë”, në pak kohë, u bë shkelje e një ligji të ri, i cili ndalon mediat që veprojnë në Rusi të përdorin fjalët “luftë”, “sulm” ose “pushtim”. Këto fjalë, kurrsesi nuk mund të përdoren si përshkrim i vendimit të Vladimir Putin, për të lëshuar forcat e tij kundër Ukrainës. Në vend të kësaj, ata duhet të përdorin frazën e përzgjedhur nga pushteti: “Operacion special ushtarak”. Shprehja “Jo luftës!” është bërë, së fundmi, thirrja e rusëve, të cilët rrezikojnë arrestimin gjatë protestave në rrugët e qyteteve anembanë vendit.
Transmetimi i fundit i TV Rain përfundoi duke thënë “Jo luftës!”, ndërsa të gjithë u larguan nga seti, me dhimbjen dhe frikën që iu lexohej lehtësisht në sy. Pasi u larguan nga studioja, kanali filloi transmetimin e filmit bardhezi të baletit të Çajkovskit “Liqeni i Mjellmave”, ashtu siç bëri televizioni sovjetik gjatë grushtit të shtetit të vitit 1991, kundër Presidentit Mikhail Gorbachev.

Mbyllja e Radiostacionit “Echo of Moscow”
Radiostacioni “Echo of Moscow”, është gjithashtu një tjetër viktimë e censurës absurde që Putin po ushtron mbi mediat. Stacioni daton që nga tentativa e dështuar e grushtit të shtetit të vitit 1991 kundër Gorbaçovit, kohë kur me guxim vazhdoi transmetimin kundër puçit. Sinjali i radiostacionit u dëgjua nga 1.8 milionë njerëz në shumë qytete ruse dhe u transmetua nga filialet në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik.

Nën direktivat e kryeredaktorit të tij të famshëm, Alexey Venediktov, stacioni përballoi përpjekjet e shumta të qeverisë për ta mbyllur atë. Venediktov, një gazetar energjik dhe me disa miq në administratën presidenciale, gjeti mënyra për të vazhduar transmetimin. Kjo përfshinte marrëveshjen për të lejuar “Gazprom Media” të bëhej aksioneri i saj dhe gjatë transmetimit, stacioni vendosi të zbusë tonet, duke komentuar në mënyrë më miqësore për Kremlinin.
Mirëpo këto “dinakëri”, duket se nuk funksionuan më kur nisi pushtimi i Ukrainës. Ashtu si TV Rain, Echo of Moscow u akuzua për “thirrje të aktiviteteve ekstremiste, dhunë dhe ndarje të informacioneve qëllimisht të rreme, në lidhje me veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë”. Dy ditë më vonë, bordi drejtues i stacionit votoi për mbylljen e tij.
“Eksodi” i gazetarëve
Shumë nga gazetarët kryesorë të Rusisë filluan të largoheshin nga Rusia që pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë, në vitin 2014. Ata u vendosën kryesisht në vendet baltike, veçanërisht në Letoni, si dhe në Poloni e Gjeorgji. Tani, me luftën në Ukrainë, kur qeveria po miraton ligje drakoniane të censurës, largimi i gazetarëve dhe jo vetëm, po merr formën e një eksodi.
Gazetari i TV Rain, Mikhail Fishman, u largua nga Rusia menjëherë sapo nisi pushtimi i Ukrainës. “Pashë transmetimin e fundit të kanalit tonë. Ishte e trishtë! E dija se kishte marrë fund, kur mbyllën faqen e internetit dhe në të njëjtën kohë mbyllën transmetimin e Echo Moscow. Ky është një moment shumë ndryshe, Rusia ka ndryshuar dhe Putini po ashtu është shumë ndryshe nga ai që ishte në vitin 2014. Mendoj se është e rrezikshme të jesh në Moskë tani”, deklaroi Fisherman. I pyetur nga CNN nëse kishte frikë për jetën e tij, ai përgjigjet: “Jo! Por kisha frikë. Kisha frikë se mund të më arrestonin në çdo moment. Kjo nuk është diçka që do ta mendoja në 2014-n, por tani, me siguri që mund të ndodhë”.
Gazeta “Novaya Gazeta”, një zë liberal, është ende në internet, por redaktori i saj, Dmitry Muratov – i cili ishte bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqen, vitin e kaluar – ka vendosur të mos raportojë për konfliktin në Ukrainë.
“Ne mbetemi këtu për të mbuluar një gamë të madhe temash. Korrespondentët e shërbimit informativ të Novaya Gazeta kanë punuar gjatë gjithë këtyre ditëve pa gjumë, dhe do të vazhdojnë të punojnë. Ne do të publikojmë me kujdes dhe qetësi pikën e kthesës globale që ndodhi në orën 5 të mëngjesit të 24 shkurtit dhe që po udhëheq jetën e secilit prej nesh.”
Bllokimi i çdo kanali informues dhe komunikues
Zërat kundërshtues mund të përhapen në disa faqe të mediave sociale dhe aplikacione të ndryshme, por bllokimi i Facebook, i cili është bërë një burim alternativ informimi për shumë të rinj rusë, do të jetë një goditje e madhe. Të rinjtë rusë kanë braktisur televizionin, i cili tani kontrollohet totalisht nga qeveria dhe është i mbushur me propagandë pro luftës. Ata informohen kryesisht në internet, duke marrë lajme nga kanale të ndryshme online, që përfshijnë edhe blogerët.

Vlogeri Yuri Dud, kanali i të cilit në YouTube ka më shumë se 9.8 milionë abonentë, është marrë me temën e pushtimit të Ukrainës dhe nuk është shmangur nga përdorimi i fjalës “luftë”, në diskutimin e tij të fundit me romancierin më të njohur bashkëkohor rus, Boris Akunin. Diskutime të tilla do të kishin qenë të vështira, por të lejueshme përpara pushtimit, ndërsa tani janë të paimagjinueshme. Vetëm disa ditë pasi Putin nisi pushtimin e tij në Ukrainë, rregullatori federal i internetit në Rusi bllokoi Twitter-in dhe aplikacionet e Apple dhe Google.
Uebsajtet ruse të BBC-së, filialit Deutsche Welle të Gjermanisë, si dhe disa faqe interneti të financuara nga SHBA-ja u bllokuan gjithashtu. Në të njëjtën ditë, Parlamenti rus miratoi një ligj që e shpalli të paligjshme përhapjen e “informacionit të rremë” për ushtrinë ruse, me shkelje të dënueshme deri në 15 vjet burg.
Gazetari Fishman ende po përpiqet të kuptojë se si bota e tij u transformua në vetëm një javë.
“Putini e ka shkatërruar gazetarinë profesionale, e ka eliminuar atë. Është një lloj transformimi nëpër të cilin Rusia kaloi në vitin 1917 (Revolucioni Bolshevik). Shkalla e transformimit është absolutisht e paprecedentë… është një tragjedi. Është një tragjedi që ne jemi dëshmitarë. Është një tragjedi historike.”
Mikhail Fishman
Marrë nga CNN
You may like
Rajoni
Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut
Published
10 hours agoon
December 19, 2025By
Driton Iseni
Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.
Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.
Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.
Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST
Lajmet nga UBT
Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë
Published
13 hours agoon
December 19, 2025By
Driton Iseni
Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.
Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.
Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.
Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.
Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.
Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.
Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.
Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.
Vendi
Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja
Published
13 hours agoon
December 19, 2025By
Driton Iseni
Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).
Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.
Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.
Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.
Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.
Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.
UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.





Lajmet nga UBT
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave
Published
14 hours agoon
December 19, 2025By
Driton Iseni
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.
“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.
Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.
“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.
Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut
Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë
Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave
Ambasada amerikane e quan sukses të madh ushtrimin e përbashkët me Policinë
Simboli i Ujkut, FSK dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes profesionale
Fotot më të fuqishme të vitit 2025
Këshilli i Evropës do të vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë
Elezi: Për tri ditë janë shpërndarë me sukses 93% e pakove me fletëvotime për votimin me postë të diasporës
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
