

Lajmet
Gjermania drejt shndërrimit në fuqi të madhe ushtarake
Programi i koalicionit të ri qeveritar mban titullin “Të guxojmë më shumë përparim”.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiKthesa historike në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë është kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje në vete. Opinioni publik në Gjermani e mbështet fuqimisht këtë shndërrim, shkruan Auron Dodi.
Thuajse asgjë konkrete nuk ta sugjeronte këtë kthesë historike të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë. Programi i koalicionit të ri qeveritar mban titullin “Të guxojmë më shumë përparim”. Është fakt se ky program i dy partive të majta, me krahe pacifiste, dhe i një partie të djathtë nuk mbetet pas programit të qeverive konservatore të Merkelit, në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Por hapat e parë të qeverisë së re të kujtonin vazhdimin e politikës s deritashme. Qeveria nuk deklaronte shprehimisht se gazsjellësi Nordstream 2 do të pezullohej, ndonëse e nënkuptonte këtë. Dërgimi i armëve Ukrainës përjashtohej. Qëndrimi ndaj Rusisë shpjegohej me të kaluarën.
Kjo ishte situata kur ofensiva e Rusisë kundër Ukrainës solli një tronditje tektonike të parimeve bazore të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë.
Java kur ndryshoi thuajse gjithçka
Kjo ishte situata kur të martën (22.02.) kancelari Olaf Scholz shpalli pezullimin e gazsjellësit Nordstream 2. Rusia kishte njohur republikat separatiste në Ukrainën Lindore. Katër ditë më vonë (26.02.) Gjermania vendosi t’i dërgojë armë Ukrainës. Rusia sapo kishte nisur ofensivën kundër Ukrainës. Dhe një ditë më vonë (27.02.) kancelari Scholz mblodhi parlamentin federal, Bundestagun, në një sesion të posaçëm, për shkak të situatës në Ukrainë. Ishte hera e parë në 70 vitet e fundit që Bundestagu mblidhej në një të diel.
Aty kancelari Scholz mbajti një fjalim historik. Me të ai shpalli riformulimin e elementëve të identitetit të politikës gjermane pas ribashkimit të Gjermanisë. Është një ndryshim historik i kursit të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë. Ky ndryshim do ta ripërcaktojë rolin e Gjermanisë në botë. Fjala e kancelarit Scholz përmbante pesë pika themelore. Nga mënyra e ndërtimit të fjalimit dhe nga atmosfera, jo pak njerëzve iu erdhi në mend fjalimi me dhjetë pika i kancelarit Helmut Kohl, me të cilin ai përcaktoi hapat për ribashkimin e Gjermanisë.
Elementët e kthesës
Nga pesë “detyrat për veprim” që rreshtoi kancelari Scholz në fjalën e tij, ndryshimet madhore prekin së pari politikën e sigurisë. Dhe së dyti politikën energjetike të Gjermanisë.
Në politikën e sigurisë mund të flitet për një ndryshim revolucionar. Kancelari Scholz deklaroi që Gjermania do ta trefishojë këtë vit buxhetin e mbrojtjes. 100 miliardë euro të tjera, fonde speciale, u shtohen 52,3 miliardë eurove, shpenzimeve ushtarake të planifikuara për këtë vit.
Por ndryshimi revolucionar konsiston, para së gjithash, në shpenzimet e ardhshme për mbrojtjen. Gjermania do të shpenzojë për mbrojtjen, që nga viti i ardhshëm, më shumë se 2 përqind të PBB. Pra do të shpenzojë më shumë se 71 miliardë euro në vit. Kjo do të thotë që Gjermania do të bëhet fuqia e tretë në botë për shpenzime ushtarake, pas SHBA dhe Kinës. Gjermania do të bëhet një fuqi e madhe ushtarake e Evropës. Jo vetëm këtë vit, por edhe prej vitit të ardhshëm Gjermania do të shpenzojë më shumë se çdo shtet tjetër evropian për mbrojtjen.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner i tha ARD-së se “qëllimi ynë… është që gjatë kësaj dekade të kemi një nga ushtritë më efektive, më të fuqishme në Evropë”. Do të fiksohet edhe në kushtetutën e Gjermanisë që fondet ushtarake të mos preken, të mos përdoren ndryshe, edhe po të ndryshohen qeveritë.
Numri i ushtarëve të Gjermanisë ende nuk është tematizuar. Deri 31 vjet më parë, Gjermania kishte 500.000 ushtarë. Sot numri i ushtarëve është 183.758. Për strukturën e ushtrisë Gjermania synon të ruajë strukturën me ushtarë profesionistë dhe vullnetarë, të përgatitur për detyrat e kohës. Thirrjet për rifutjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kundërshtohen nga shumica e partive, të paktën për aq kohë sa nuk rrezikohet territori i Gjermanisë. Ringritja e strukturave për shërbimin e detyrueshëm ushtarak do të thithte fonde urgjentisht të nevojshme.
Scholz: „Ndryshim epokash”
Vlen të kujtohet se ishte kërcënimi i Bashkimit Sovjetik për paqen, që e bëri Gjermaninë të riarmatosej pas Luftës së Dytë Botërore. Të riarmatosej vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore,
Tani është kërcënimi rus për paqen, që Gjermania vendosi të bëhet fuqi e madhe ushtarake në botë.
Kancelari Scholz tha në fjalimin e tij se po përjetojmë “një ndryshim epokash”. “Kjo do të thotë se bota më pas, nuk është e njëjta, si bota më parë”. “Do të na duhet të investojmë shumë më tepër për sigurinë e vendit tonë.”
Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se “Gjermania lë pas sot një formë të veçantë dhe të vetmuar kufizimi në politikën e jashtme dhe të sigurisë”. “Kur bota ndryshon, duhet të ndryshojë edhe politika jonë”, tha ministrja e Jashtme gjermane.”
Kthesë e Gjermanisë drejt Evropës, jo drejt vetes
Një investim kaq i madh ushtarak do të theksojë një rol të ri të Gjermanisë. Kancelari Scholz skicoi konturet e këtij roli. Me investimet masive ushtarake Gjermania jo vetëm do të bëhet shumë më e aftë për të mbrojtur veten. Scholzi deklaroi se Gjermania është e vendosur që me aftësitë e saj të mbështesë NATO-n, ta mbrojë aleancën.
Me rishikimin e parimeve bazë të politikës së jashtme dhe të sigurisë Gjermania u përgjigjet pritjeve të Evropës dhe të Perëndimit. Kthesa madhore në politikën gjermane është një kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje në vete.
Në fjalën e tij kancelari Scholz theksoi veçanërisht synimin për një lidhje edhe më të fortë me Evropën, me Bashkimin Evropian. Scholzi tha në fjalim që në Gjermani të mos harrohet të pyetet, se çfarë është më e mira për Evropën, për BE, jo vetëm për Gjermaninë, në Bruksel.
Kancelari theksoi se aftësitë mbrojtëse, Gjermania do t’i zhvillojë bashkë me partnerët evropianë. Ai e quajti “prioritet absolut” ndërtimin e “brezit tjetër të avionëve dhe tankeve luftarake, bashkë me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Francën”.
Deri në modernizimin dhe zhvillimin e avionëve të ardhshëm të përbashkët evropianë, për të transportuar armët bërthamore amerikane, që janë në Gjermani, Gjermania do të blejë avionë amerikanë F-35. Ata do të zëvendësojnë avionët aktualë Tornado të Gjermanisë. Kancelari u shpreh edhe për blerjen e dronave të armatosura, risi kjo në Gjermani.
Nga qarqe majtiste në Francë erdhën menjëherë paralajmërime, për rrezikun që paraqet “një riarmatim” i Gjermanisë. Por Gjermania është e ndërgjegjshme për nevojën që t’i qetësojë partnerët. Ata nuk kanë pse të frikësohen nga Gjermania e sotme, që po bëhet lidere edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë, jo vetëm në politikën ekonomike.
Kthesa në politikën energjetike
Në të njëjtën frymë, në fjalën e tij kancelari Scholz përcaktoi objektivin e kapërcimit të varësisë së Gjermanisë nga importimi i energjisë “nga furnizues të veçantë”. Fjala është kryesisht për shkëputjen e varësisë energjetike të Gjermanisë nga Rusia.
Për këtë synim do të nxitet, edhe më fort, zgjerimi i energjive të ripërtëritshme. Por deri atëherë, tani po shqyrtohet kohëzgjatja e mbajtjes në punë të termocentraleve me qymyr. Njëkohësisht po shqyrtohet zgjatja e kohës së funksionimit të centraleve bërthamore në Gjermani. Bavaria madje po diskuton edhe rivënien në punë edhe të një centrali bërthamor të mbyllur. Po krijohet edhe një rezervë kombëtare për qymyr, duke blerë në tregun botëror qymyr. Do të ndërtohen me shpejtësi edhe dy terminale për të importuar gaz të lëngshëm.
Kthesa në opinionin publik dhe te partitë
Kthesa në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë u mbështet nga të gjitha partitë e koalicionit qeveritar në Bundestagun gjerman, si dhe nga CDU/CSU.
Socialdemokratët pranuan realitetin e ri në marrëdhëniet me Rusinë dhe fundin e përpjekjeve të afrimit me Putinin; të Gjelbrit pranuan nevojën edhe të hard power, fuqisë ushtarake për të mbrojtur Gjermaninë dhe Evropën; Liberalët e FDP-së pranuan nevojën e futjes në borxhe me fondet speciale për mbrojtjen.
Impresionuese është mbështetja e opinionit publik gjerman për kthesën në politikën e sigurisë dhe të jashtme të Gjermanisë. Sipas Institutit demoskopik Forsa, dërgimin e armëve Ukrainës dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake të Gjermanisë e mbështesin 78% e gjermanëve. Kujtojmë që jo më larg se viti 2010, ish-presidenti gjerman, Horst Köhler dha dorëheqjen pas kritikave për deklaratën se “një vend i madhësisë sonë…duhet të dijë edhe që në rast nevoje nevojitet edhe angazhim ushtarak, për të ruajtur interesat tona.”
Kancelari Scholz e shfrytëzoi me aftësi këtë ndryshim të opinionit publik për të prezantuar ndryshime madhore. Marshimet e paqes, me qindra mijëra pjesëmarrës në Gjermani, i japin atij të drejtë.
Auron Dodi/DW
You may like
Lajmet
Gjykata cakton një muaj paraburgim për policin e dyshuar për spiunazh
Published
3 hours agoon
July 18, 2025By
UBTnews
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për policin e ndaluar një ditë më parë, Bojan Jevtiq, nën dyshimet për kryerje të veprave penale si spiunazhi dhe armëmbajtja pa leje.
“Gjykata vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda” është thënë në njoftimin e gjykatës.
Prokuroria ka thënë se Jevtiq ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu ka thënë para mediave se pas aksionit të kryer një ditë më parë në Komunën e Kamenicës, në shtëpinë e Jevtiqit dhe objekte tjera, janë gjetur prova materiale dhe personale, çka vërtetojnë se i dyshuari është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm.
Përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria më 17 korrik, është thënë se janë sekuestruar këto prova materiale: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër pa autorizin, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.
Millosh Nikolliq, mbrojtësi i Jevtiqit, ka thënë pas përfundimit të seancës që ka kërkuar mbrojtje në liri të klientit të tij dhe ka ofruar garanci financiare.
“Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës, dhe se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka thënë ai për mediat pas mbajtjes së seancës.
Më herët, pothuajse të gjithë personat e arrestuar për sulmin ndaj KFOR-it, në fund të majit të vitit 2023, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, pas pranimit të fajësisë dhe pagesës financiare si garanci.
Lubisha Jevtiq, vëllai i policit të ndaluar, ka thënë të premten para gjykatës se ai është ndaluar “pa asnjë bazë ligjore”.
“Është njeri i ndershëm dhe e ka kryer punën e tij me përkushtim. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i ka mbajtur me atë pagë. Ka punuar në Policinë e Kosovës për 23 vjet pa asnjë njollë në karrierën e tij, pa asnjë shkelje. Besoj se ndaj tij nuk do të zhvillohet fare procedurë dhe se do të lirohet”, ka thënë ai pas seancës.
Pas aksionit të 17 korrikut, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë”.
Sipas tij, “ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë”.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.
Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare./REL
Aktualitet
Rritet dukshëm numri i operacioneve në vena në Klinikën e Kirurgjisë
Published
4 hours agoon
July 18, 2025By
UBT News
Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës është rritur dukshëm numri i operacioneve në vena, në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare.
Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, janë operuar 244 pacientë që kanë qenë në lista të pritjes, njofton QKUK.
Kjo shifër është dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, falë edhe investimeve që janë bërë në këtë klinikë.
Gjatë vitit 2024 ishin kryer 225 operacione në vena dhe bazuar në ritmin e punës së gjysmë vitit, por edhe planin e punës së klinikës, pritet që ky numër të rritet edhe më tutje.
Lajmet
Apple po përgatitet të prezantojë iPhone e parë të palosshëm
Published
4 hours agoon
July 18, 2025By
UBT News
Apple pritet të prezantojë modelin e parë të iPhonet me ekran të palosshëm në vitin 2026, sipas informacioneve të fundit që vijnë nga burime të besueshme në industrinë e teknologjisë.
Ky telefon i ri do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në dizajnin dhe funksionalitetin e smartphoneve të kompanisë amerikane.
Sipas të dhënave, iPhone i palosshëm do të ketë një ekran të jashtëm OLED prej 5.5 inçësh dhe një ekran të brendshëm më të madh, OLED 7.8 inç, me rezolucion të lartë, që do të përdorë teknologji të avancuar për të eliminuar pengesat gjatë palosjes. Mekanizmi i palosjes do të jetë në stilin e librit, i ngjashëm me atë të modeleve të njohura të Samsung.
Materialet e përdorura për kuadratin dhe mekanizmin do të jenë një kombinim titani dhe çeliku inox, duke siguruar qëndrueshmëri dhe rezistencë të lartë ndaj përdorimit të përditshëm. Një ndryshim i rëndësishëm në këtë model është përdorimi i sensorit Touch ID të integruar në butonin anësor, në vend të Face ID, që do të ndihmojë në ruajtjen e një dizajni më të hollë dhe të komod.
Çmimi i këtij modeli pritet të jetë mbi 2000 dollarë, duke e pozicionuar atë në segmentin premium të smartphoneve./Telegrafi
Lajmet
OnePlus me një kabllo speciale për karikimin e telefonit
Published
4 hours agoon
July 18, 2025By
UBT News
OnePlus ka sjell në treg një kabllo të re për karikim me dy mundësi që të karikojë në të njëjtën kohë.
Ai mund të karikojë njëkohësisht smartphone dhe smartwatch. Karikimi bëhet përmes kabllos standard USB-C, por kjo kabllo ka në mes një shtesë me pin-a të posaçëm.
Çmimi i kabllos është 27.99 euro dhe ajo nuk vjen me adapter./Telegrafi

UBT dhe Binance bashkë në një ngjarje unike për Blockchain dhe sigurinë në kripto

Gjykata cakton një muaj paraburgim për policin e dyshuar për spiunazh

Rritet dukshëm numri i operacioneve në vena në Klinikën e Kirurgjisë

Apple po përgatitet të prezantojë iPhone e parë të palosshëm

OnePlus me një kabllo speciale për karikimin e telefonit

Armend Rexhepagiqi nderohet me “Hyjneshën në Fron” dhe mirënjohje të veçantë

Irani u kërkon evropianëve të heqin dorë nga kërcënimet për rikthimin e sanksioneve

Lëndohen pesë persona në një aksident zinxhirorë

Greva e punëtorëve të sigurimit fizik në QKUK po vazhdon
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore