Lajmet

Kalaja e Novobërdës në gjendje jo të mirë, pritet rehabilitimi i dëmeve që janë shkaktuar gjatë restaurimit

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i tha Radio Kosovës se kanë marrë masa emergjente në atë lokalitet.

Published

on

Kalaja e Novobërdës (Artanës) konsiderohet një nga atraksionet më të vjetra dhe më të vizituara nga turistët në Kosovë. Por si rezultat i një pune joprofesionale që është bërë para disa vitesh nga një kompani serbe, gjendja e saj nuk është aspak e mirë.

Në vitin 2015, UNESCO i kishte dhënë projektin për restaurimin e Kalasë së Novobërdës Kompanisë “KOTO” nga Beogradi. Pas një pune 3-vjeçare me një kosto mbi 1 milion euro, kalaja fillon të shkatërrohet gradualisht. Pas këtij skandali, kompania në fjalë rifillon restaurimin sërish por punimet u ndërprenë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve me arsyetimin se ato ishin punime joprofesionale dhe me rreziqe të mëdha për monumentin.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i tha Radio Kosovës se kanë marrë masa emergjente në atë lokalitet, sepse janë të rrezikuar edhe qytetarët. Ai tha se janë duke biseduar edhe me UNESCO për këtë çështje, për arsye se këta të fundit e kanë mbikëqyrur këtë projekt.

“Ka zhvillime rreth Kalasë së Novobërdës. Ne jemi siguruar që të merren masat emergjente në atë lokalitet, sepse deri vonë kanë qenë të rrezikuar edhe qytetarët. Prandaj kemi marrë masa emergjente, jemi në komunikim të rregullt me zyrën e UNESCO në Sarajevë dhe së shpejti pritet të ketë veprime në raport me rehabilitimin e dëmeve që janë shkaktuar atij lokalitetit”, tha ai.

Çeku tha se kompania që e ka shkaktuar dëmin duhet të ofrojë dëmshpërblim.

“Janë çështje procedure që unë besoj se kompania që ka shkaktuar demin duhet të ofrojë dëmshpërblim, por nëse do të vazhdojnë me të njëjtën kompani apo forma të tjera, këto janë çështje që do të dakordohen në nivel të ekspertëve”, shtoi ai.

Kalaja ndodhet në Komunën e Artanës, rreth 30–35 km në perëndim prej Gjilanit dhe rreth 39 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, ku ruhen rrënojat e qytetit dhe fortesës mesjetare të Novobërdës. Ky monument vizitohet nga qindra mijëra vizitorë.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Me ShBA-në diskutuam për rikthimin e dialogut strategjik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se me zëvendëssekretarin amerikan kanë trajtuar gjithashtu një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Presidentja u ndal edhe te nënshkrimi i një ligji nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin edhe Republikën e Kosovës. Sipas saj, ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, përjashton ndryshimet e kufijve dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në”, deklaroi Osmani pas takimit.

Ajo theksoi se në këtë takim është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe shprehu besimin e saj të plotë në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-në si shtyllë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT vizituan SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë

Published

on

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën organizimin e profesoreshës Besarta Sadriu dhe profesor Emrush Thaçi, realizuan një vizitë me karakter humanitar dhe edukativ në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.

Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me punën fisnike të institucionit, i cili ofron mbështetje për fëmijët pa përkujdesje prindërore, si dhe sensibilizimi i studentëve për përgjegjësinë sociale dhe empatinë profesionale.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me funksionimin e SOS Fshatit, programet psiko-sociale të ofruara për fëmijët, si dhe rolin e psikologut në mbështetjen emocionale dhe zhvillimore të tyre. Kjo përvojë praktike dhe interaktive u shndërrua në një mësim të vlefshëm për studentët, duke i nxitur të reflektojnë mbi rëndësinë e mbështetjes emocionale dhe përgjegjësisë profesionale në punën me fëmijët.

Në kuadër të kësaj vizite, studentët dhe profesorët e UBT-së dhuruan një donacion simbolik, si shprehje solidariteti dhe përkrahjeje për fëmijët dhe stafin e SOS Fshatit. Ky veprim thekson angazhimin e UBT-së për të kombinuar dijen akademike me vlerat humanitare, duke promovuar ndjeshmëri sociale dhe përkushtim profesional tek studentët.

Vizita u vlerësua pozitivisht nga të dyja palët, duke shprehur dëshirën që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim zhvillimin e vlerave etike, sociale dhe profesionale te gjeneratat e reja të psikologëve.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Në UBT u ndanë certifikatat për ekipin kosovar pjesëmarrës në “FIRST Global Challenge”

Published

on

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në UBT, në prani të drejtuesve të institucionit, mentorëve, prindërve të anëtarëve të ekipit, si dhe përfaqësuesve të komunitetit akademik, u ndanë certifikatat për ekipin kosovar që mori pjesë në garën ndërkombëtare të robotikës FIRST Global Challenge në Panama.

Ekipi i përfaqësuesve të Kosovës ishte i përbërë nga Leona Hajrizi, Amar Rama, Ardi Krosa dhe Marta Çerkini, të cilët nën mentorimin e Elita Hajrizit demonstruan përkushtim, profesionalizëm dhe përfaqësuan denjësisht Kosovën në këtë garë prestigjioze.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë, mentore Elita Hajrizi theksoi sfidat me të cilat u përball ekipi, sukseset dhe angazhimin dinjitoz të treguar gjatë garës:

“Ekipi ynë përballoi sfida të shumta, por me përkushtim, bashkëpunim dhe punë të palodhur, arritëm të përfaqësojmë Kosovën me krenari. Kjo garë na dha mundësinë të tregojmë profesionalizmin tonë dhe të krijojmë miqësi ndërkombëtare që do të mbeten të paharrueshme”.

Gjithashtu, gjatë ceremonisë u certifikuan edhe mentorët e tjerë Ylli Rexhaj, Redon Rexhepi dhe Argjend Jetullahu, për ndihmën dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë procesit.

Ekipi shprehu falënderime të veçanta për UBT, si mbështetës kryesor i të rinjve të Kosovës, si dhe për mentorët, stafin administrativ dhe ekipin e mediave që dokumentoi gjithë aktivitetet e ekipit. Po ashtu, falënderime iu drejtuan familjeve të ekipit, të cilat kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj gjatë gjithë këtij udhëtimi.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, shprehu mirënjohje të thellë për punën dhe vullnetarizmin e treguar nga studentët dhe nxënësit, të cilët po dëshmojnë suksese të jashtëzakonshme në fushën e robotikës.

Ky sezon i FIRST Global Challenge ishte një eksperiencë e paharrueshme për ekipin kosovar, i cili përveç njohurive teknologjike dhe robotike, fitoi edhe miqësi të reja dhe përvoja të çmuara ndërkombëtare. Team Kosova përfundoi sezonin me energji dhe pasion, duke premtuar rikthim edhe në sezonin e ardhshëm për të përfaqësuar vendin me krenari.

Continue Reading

Lajmet

PZAP e dënon Listën Serbe me 20 mijë euro

Published

on

By

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur me 20 mijë euro subjektin politik Lista Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa është paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez, i cili ka pretenduar se në komunën e Leposaviqit, në disa lokacione të ndryshme, Lista Serbe ka vendosur materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin. Për këto pretendime, Lista Serbe nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj ankesës.

Paneli ka vlerësuar se ankesa është e bazuar, duke theksuar se ankuesi ka bashkëngjitur fotografi si dëshmi të vendosjes së materialeve promovuese. Sipas vendimit, materialet ishin vendosur në hapësira publike, përfshirë shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime, trafo-stacione elektrike dhe rrugë publike.

Në arsyetim thuhet se vendosja e materialeve promovuese pa leje të organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor.

Continue Reading

Të kërkuara