Lajmet

Partygate ose rrëzimi i mundshëm i Boris Johnsonit

Një rregull për pushtetarët, një tjetër për njerëzit.

Published

on

Kundërshtarët e tij politikë kishin parashikuar prej kohësh se Boris Johnsoni do ta fundoste vetë veten duke mos respektuar detyrimet dhe rregullat. Tani duket se Partygate mund të përshpejtojë në mënyrë dramatike fundin e tij si kryeministër.

Pas raportimeve të fundit për festat në kohën e masave kufizuese në Downing Street 10, në selinë e qeverisë, ai u detyrua të kërkonte falje vetë Mbretëreshës Elizabeth II. Dy festa ishin mbajtur në prill, një ditë para funeralit të bashkëshortit të saj, Princit Philip. Në gazetën konservatore ‘Times’, komentatori Daniel Finkelstein shkroi, “Marrëzia dhe arroganca e numrit 10 është befasuese” dhe sugjeroi që Johnsoni të jepte dorëheqjen.

Pak para kësaj, Johnsoni e kishte pranuar vetë në Parlament se kishte marrë pjesë në një festë në oborrin e Downing Street në maj 2020 dhe pati kërkuar falje. Ai tha se e kishte kujtuar të gjithën si një “takim pune” – gjë që i shkaktoi një valë talljeje në Twitter: “Furnizim për zyra” është shkruar mbi raftin e verërave të supermarketit në një postim në Twitter.

Pamja prekëse e mbretëreshës 95-vjeçare e ulur në stol në ditën e funeralit të Princit Philip, që qëndronte vetëm dhe larg familjes së saj për të respektuar rregullat e koronas, u kthye në simbol të qëndrimit të perceptuar si mosrespektues dhe të pafytyrë të liderit të qeverisë.

Coronavirus UK | Fernsehkamera vor Downing Street No 10

Një rregull për pushtetarët, një tjetër për njerëzit

Ndërkohë, shumica e britanikëve të indinjuar i kanë kthyer shpinën kryeministrit të tyre. Partia e tij, konservatorët, kanë humbur dhjetë pikë ndaj opozitës.

Të dielën, komentuesit të Sky-News, Trevor Phillips i shkanë lotët, kur intervistoi për Partygate deputetin e konservatorëve Oliver Dowden. Bija e tij pati vdekur e vetme në prill 2021, gjatë masave kufizuese, pa mundur familja t’i qëndronte pranë – në të njëjtën kohë, në oborrin e Downing Street nisi një festë me pije alkololike e disa dyzina punonjësve, në të cilën kryeministri Boris Johnson mori pjesë përkohësisht. “A është në gjendje ta kuptojë kryeministri”, e pyeti Philips partnerin e tij të intervistës, “pse janë kaq të revoltuar njerëzit?”

Në parlament ishte deputeti irlandezoverior Jim Shannon, të cilit iu mbushën sytë me lot në debatin për Partygate, kur tregoi vdekjen e vetmuar të vjehrrës së tij gjatë kufizimeve të koronas. Në të njëjtën kohë, festuesit në Downing Street dërguan në supermarket një punonjës me valixhe me rrota për të blerë më shumë verë.

“Një rregull për ata, një rregull për ne” – ky është konkluzioni i shumë britanikëve. Është kjo shkelje e parimit të drejtësisë, ajo që e bën Partygate kaq të rrezikshme për Boris Johnsonin.

Sulm shpërqëndrues kundër BBC

Këtë fundjavë, ministrja e Kulturës, Nadine Dorries, një nga mbështetëset më të vendosura të Johnsonit, tha se qeveria synonte të anulonte taksën audiovizuale të BBC-së në vitin 2027 dhe ta zëvendësonte atë me një model të ri financimi. Kjo do të ishte e barabartë me fundin e këtij transmetuesi me traditë, i konsideruar si fener për gazetarinë cilësore. Krahu i djathtë konservator, i cili prej kohësh e ka denoncuar BBC-në si të majtë dhe të njëanshme, duartroket.

A dëshiron Johnsoni të qetësojë me këtë hap të djathtët e partisë së tij, të cilët janë gjithnjë e më të acaruar nga sondazhet e këqija dhe afera Partygate? Për Partinë Laburiste të opozitës, njoftimi kundër BBC-së është një sulm shpërqëndrues: “Kryeministri mendon se ata që raportojnë për shkeljet e rregullave prej tij duhet të vuajnë pasojat, kurse ai shpëton”, deklaron deputetja laburiste Lucy Powell.

Boris Johnson te Mbreteresha Elizabeth

Si do të vejë puna më tej?

Me këtë përshtatet edhe mënyra se si synon qeveria të nxjerrë përfundime tani. Ka plane për një fushatë spastrimi te gazetarët, këshilltarët dhe njerëzit e tjerë që kryeministri beson se janë të përfshirë në skandal. Natën e shpallur të thikave të gjata tashmë e qesëndisin si “natë të gjatë të kurbaneve”.

Boris Johnsoni duhet të luftojë për ta mbajtur postin e tij. Pas një zinxhiri të pafund skandalesh, ky është i pari që e kërcënon realisht kryeministrin. Shpërdorimi i miliarda paundëwve për blerjen e veshjeve mbrojtëse mjekësore, prej të cilave përfituan paturpësisht mbështetësit konservatorë ose rinovimi i kushtueshëm i banesës zyrtare në Downing Street, ku gruaja e kryeministrit i veshi muret me tapete me letra floriri – Johnson arriti t’i shmangte të gjitha këto me sjelljen e tij karakteristike të paturpshme e brutale.

Megjithatë, festat gjatë masave kufizuese mund t’ia këpusin zverkun. Në fund të javës pritet raporti i një nëpunëseje të pavarur civile të qeverisë, e cila do të publikojë një listë të saktë të të gjitha shkeljeve të rregullave të kryera nga qeveria gjatë pandemisë së koronas. Raporti i Susan Grayt mund ta bëjë të derdhet gota.

Gazetat britanike raportojnë se organi përkatës i partisë ka marrë tashmë 35 nga 54 letrat e nevojshme për një mocion mosbesimi. Vetëm partia e vet mund ta largojë kryeministrin nga posti i tij – është e paqartë nëse dhe kur do ta bëjë këtë. Ndërkohë, kandidatët e parë për të pasuar Johnsonin po bëjnë nxemjen: ministrja e Jashtme Liz Truss ose ministri i Financave, Rishi Sunak.

Aktualitet

IKD: Çdo vendim i “ministrave – deputetë” mund të shfuqizohet në gjykatë

Published

on

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se ushtrimi i njëkohshëm i pozitave të ministrit dhe deputetit bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme që bëri të qartë se nuk mund te jesh edhe ministër edhe deputet.

Melos Kolshi nga IKD-ja tha se çdo vendim i marrë nga 27 marsi e tutje nga ministrat në detyrë që janë njëkohësisht deputetë, mund të shfuqizohet në gjykatë, njësoj si rasti i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave.

“Nuk mundet një individ të ushtrojë edhe pozitën e deputetit, edhe ministrit në detyrë, apo kryeministrit në detyrë, për arsye që këto bien ndesh njëra me tjetrën. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme, duke thënë dhe duke ruajtur parimin e ndarjes së pushteteve: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duke treguar se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ nuk duhet të ushtrohen nga i njëjti individ”, tha Kolshi.

Ai shprehu shqetësim për komentet publike të zyrtarëve qeveritarë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, duke i cilësuar ato si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se nga institucionet, në këtë rast nga Qeveria në detyrë, pritet vetëm ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Continue Reading

Aktualitet

Të mërkurën fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë

Published

on

Të mërkurën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hapë afatin për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Sipas afatit të përcaktuar nga KQZ-ja, periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të zgjasë 38 ditë, deri më 29 gusht 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi shpjegoi se si do të realizohet procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

“Gjatë periudhës 38-ditore të paraparë për regjistrim, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet në njërën nga dy mënyrat: (1) përmes platformës elektronike të KQZ-së ose (2) përmes postës, duke e dërguar aplikacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Duke filluar nga data 23 korrik, në përmbushje të detyrimit ligjor, KQZ do të aktivizojë platformën elektronike, përmes së cilës votuesit jashtë Kosovës mund të regjistrohen për votim”, shpjegoi Elezi.

Sipas tij, ndryshe nga zgjedhjet për Kuvend që u mbajtën në shkurt, kur u mundësua votimi në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, në zgjedhjet lokale nuk do të organizohet votim në ambasada dhe konsullata, pasi kjo s’lejohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas afateve të vendosura nga KQZ-ja, periudha e votimit jashtë Kosovës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025.

Continue Reading

Aktualitet

Lirimi i hapësirave publike, Edi Rama: Kush nuk e ka bërë ende me dëshirë, do e bëjë me gjobë

Published

on

Aksioni për lirimin e hapësirave publike në Shqipëri po vijon në të gjithë vendin, ndërsa kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga një zonë e kryeqytetit ku njerëzit mund të lëvizin të lirë.

Rama ka thënë se lirimi i hapësirave është i vlefshëm jo vetëm për këmbësorët, por edhe për një shërbim më të mirë ndaj komunitetit në tërësi.

Lidhur me rastet ku ende disa biznese kanë zënë hapësirat publike, Rama ka theksuar se në këto raste do të ketë edhe një gjobë për ndërtuesit e tyre.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit. Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shkruan Rama.

Më herët kryeministri bëri të ditur se do të ketë një plani të ri menaxhim, ku 75% e hapësirës do t’i lihet këmbësorëve, ndërsa 25% do të shfrytëzohet nga njësitë e shërbimit.

Sipas një bilanci vetëm në kryeqytet, hapësira e çliruar deri tani shkon në rreth 20 mijë metër katrorë.

Continue Reading

Aktualitet

Kërkohet heqja e taksës ndaj SHBA-së: Dëmton ekonominë dhe marrëdhëniet diplomatike

Published

on

Njohës të ekonomisë në Kosovë po kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme të taksës prej 10 për qind ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm që po dëmton rëndë raportet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke e quajtur këtë taksë “të pajustifikueshme dhe të dëmshme”, njohësit e zhvillimeve ekonomike theksojnë se urgjenca për heqjen e saj nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike dhe gjeostrategjike duke kritikon ashpër institucionet vendore.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se heshtja e institucioneve të Kosovës dhe mosangazhimi serioz për heqjen e kësaj takse, po e izolon gjithnjë e më shumë vendin në aspektin ekonomik, politik dhe gjeostrategjik.

“E para është një turp i kohës për Kosovën, që një shtet shpëtimtar, një aleat strategjik, siç është SHBA të jenë të penalizuara me një taksë 10 për qind për importet, e dyta e tëra kjo e dëshmon papjekurinë institucionale në Kosovë. E treta, e tëra kjo e dëshmon që në Kosovë është varrosë definitivisht diplomacia, si politike, e në veçanti ajo ekonomike”, tha Gërxhaliu.

Eksportet e Kosovës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pësuar rënie gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në maj 2025, Kosova eksportoi drejt SHBA-së rreth 10.04 milionë euro, ndërsa në pesëmujorin e parë të vitit 2024 kjo shifër ishte rreth 23.79 milionë euro.

Pra, një tkurrje prej mbi 57.8 për qind, në më shumë se 13.7 milionë euro më pak mallra të eksportuara drejt SHBA-së.

Continue Reading

Të kërkuara