Lajmet

​Berisha: Prokuroria Themelore në Prishtinë po trajton me prioritet rastet e dhunës në familje

Berisha theksoi se neni për dhunë në familje është shumë i paqartë.

Published

on

Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka diskutuar me koordinatoren për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në lidhje me ndjekjen dhe arsyetimin e rasteve, të dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje. Anëtarët e komisionit kanë reaguar me dënimin prej 2 mijë e 400 euro për personin që ka dhunuar një grua në një market në Prishtinë. Po ashtu janë shprehur të pakënaqur me mosprezencën e udhëheqësve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) në raportimin para këtij komisioni.

Koordinatorja për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha theksoi se neni për dhunë në familje është shumë i paqartë dhe se nuk specifikon llojet e dhunës. Ajo tregoi se janë katër prokurorë në Prishtinë që merren me dhunë në familje.

“Ligji e parasheh, neni 127, që një viktimë e dhunës në familje kur e ka bashkëshort ia jep të drejtën mos të deklarohet fare. A e din cila është situata e ndjeshme, kur prokuroria e hap një rast, e ndjek një të akuzuar dhe kur vjen viktima në seancë gjyqësore e pyet gjyqtari a po dëshiron që të dëshmosh dhe viktima thotë unë nuk dua të flas. Edhe prokuroria mbetet pa prova”, u shpreh ajo.

Anëtari i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Bajrami ka shprehur pakënaqësi me personin që ka dërguar për raportim para komisionit.

“Nuk na ka ardhur mirë për mos respekti që na ka bërë Këshilli Prokurorial, duke mos dërguar asnjë udhëheqës apo anëtarë të Këshillit Prokurorial. Mendoj që kërkesa jonë ka qenë shumë specifike, njëjtë si për Këshillin Gjyqësor dhe nuk është respektuar. E dyta, arsyeja pse ju kemi ftuar janë disa raste specifike të cilat kemi dashur të dimë se cili është trajtimi që është duke ju bërë, sikurse rasti i Pejës kur është prokurorja ajo që ka kërkuar dënimin e butë, të cilin jemi shqetësuar të gjithë. Rasti më i fundit është ngjarja në një market në Prishtinë, ku një burrë rrah në mënyrë mizore një grua dhe në fund prokuroria dhe gjyqësia pajtohen me një dënim prej 2 mijë e 400 euro”, ka deklaruar ai.

Madje, nënkryetarja e komisionit, Tinka Kurti theksoi se detyrohen të përsëritin ftesën për KPK-në, meqë nuk mbërrijnë të diskutojnë për prokurorët që nuk janë duke e kryer punën e tyre me profesionalizëm.

Më tej ka folur edhe për vendimin që është marrë në rastin e dhunimit të një gruaje në një market në Prishtinë.


“Prokuroria është pajtuar me një shumë monetare. Është shumë e vogël, por edhe të ishte sado e madhe, është një rast që nuk mund të përkthehet në shumë monetare. Është fjala për jetë njerëzish, një njeri ka përjetuar një dhunë. Nuk është dëmtuar një tavolinë. Për këto raste jemi duke folur. Ligji për Këshillin Prokurorial i jep kompetenca Këshillit që të nis procedura ndaj prokurorëve”, ka deklaruar Kurti.

Po ashtu, anëtarët e këtij komisioni kanë kritikuar prokurorët në zvarritjen e lëndëve për dhunë në familje.

“Sa i përket rasteve të dhunës në familje që presin tri vjet, ajo nuk qëndron. Mund të vini në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të parë statistikat, mund të vini në zyrën time. E mos të flisni për prokurorinë që një rast po pret tri vjet. Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është themeluar njësiti për dhunë në familje, katër prokurorë trajtojnë dhunën në familje. Me qëllim që të mos rriten rastet”, u shpreh Berisha, duke shtuar se kanë prioritet trajtimin e dhunës në familje.

Koordinatorja për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha tha se sfidë mbetet edhe tërheqja e viktimës në rastet kur duhet të dëshmojë për dhunën që ka përjetuar. Po ashtu, ajo ka përmendur edhe rastet kur detyrohen të paraburgosin persona të cilët kanë nevojë për rehabilitim, por që një gjë e tillë ndodhë për shkak të kapaciteteve të pakta në institucionet psikiatrike.

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara