

Lajmet
Mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani, sektorët ku po kërkohen urgjentisht punëtorë të huaj
Sipërmarrjet gjermane së shpejti mund të kenë mungesë të miliona punëtorëve.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiNdryshimi strukturor i një ekonomie të qëndrueshme nxjerr në pah nevojën për punëtorë të tjerë të panumërt të kualifikuar. Por që tani ata mungojnë në shumë fusha. Këtu duhet të angazhohet më shumë politika.
Sipërmarrjet gjermane së shpejti mund të kenë mungesë të miliona punëtorëve. Agjencia Federale e Punësimit dëshiron të marrë kundërmasa mbi të gjitha me trajnime të mëtejshme. Askush nuk duhet të humbasë nga jeta e punës, thotë kreu i autoriteteve të Nurembergut.
Në luftën kundër mungesës së madhe të punëtorëve të kualifikuar në tregun gjerman të punës, ekspertët thonë se sa më shumë njerëz duhet të vazhdojnë të punojnë – përfshirë edhe ata me më pak kualifikime. “Është e rëndësishme që të fitojmë sa më shumë punëtorë potencial në Gjermani dhe të mos humbasim askënd”, tha kryetari i Agjencisë Federale të Punësimit, Detlef Scheele. Në të ardhmen, do të hapen po aq vende të reja pune sa do të eliminohen si pasojë e procesit të automatizimit dhe transformimit – por punëtorët duhet të kenë një profil tjetër.
Trajnimet e mëtejshme
Personat që janë të kërcënuar nga papunësia për shkak të ristrukturimit të ekonomisë mund të humbasin vendet e punës, por kjo fuqi punëtore duhet të ruhet dhe të rikualifikohet për punë të tjera. “Duhet t’i trajnojmë”, theksoi Scheele. Agjencia Federale ka një fond prej rreth 900 milionë eurosh për programe të trajnimit të mëtejshëm të punonjësve për vitin 2022. “Ato para duhet të përdoren për të përballuar ndryshimet strukturore, transformimin e ekonomisë dhe për të mbajtur njerëzit në punë”, tha Scheele.
Në radhë të parë punëdhënësit janë ata që duhet të reagojnë dhe të veprojnë, sepse ata duhet të përcaktojnë se në ç’drejtim duhet të rikualifikohet fuqia punëtore. Agjencia Federale e sheh veten në dhjetë vitet e ardhshme si një lloj moderatori në këtë proces. “Si mund të kalohet nga kompania A në kompaninë B”, tha Scheele, duke përshkruar problemin me të cilin ata duhet të merren. Tashmë janë bërë edhe projektet pilot për fusha të ndryshme, në industri dhe zeje. “Ne po mësojmë të jemi qendra e transformimit”, tha Scheele.
Numri i personave ekonomikisht aktivë në Gjermani që janë subjekt i kontributeve të sigurimeve shoqërore është tashmë në një nivel rekord me 34.3 milionë. Agjencia Federale e Punësimit supozon se – nëse nuk ndërmerret asgjë – deri në vitin 2035 Gjermania do të ketë një mungesë prej shtatë milionë punëtorësh.
Kërkimi i fuqisë punëtore në vendet e tjera
Kjo është arsyeja pse Gjermania ka nevojë të sjellë fuqi punëtore të kualifikuar nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe vendet jashtë BE-së – që tani vijnë infermierë dhe punonjës që kujdesen për të moshuarit nga vendet si Kolumbia, Meksika ose Indonezia. Gjermanisë i duhen urgjentisht këta punonjës që vijnë nga BE-ja dhe nga vendet e treta. Nëse nuk do të vinin në numër të mjaftueshëm, Gjermania mund të përballet me vështirësi në rritjen ekonomike. Mungesa e ardhjes së të huajve mund të frenojë rritjen ekonomike.
Përveç kësaj, duhen bërë përpjekje për të rikthyer në procesin e punës të paktën disa nga rreth një milion të papunë afatgjatë në Gjermani. Një hap i duhur në këtë drejtim është edhe pjesa e Marrëveshjes së Koalicionit ku parashikohen ndryshime në këtë fushë, tha Scheele. Këtu mund të ndihmojnë edhe subvencionet e konsiderueshme për punësimin e të papunëve afatgjatë.
Kërkohen më pak taksa për punëtorët e huaj të kualifikuar
Kryetari i Dhomës për tregti të jashtme, Dirk Jandura, i ka kërkuar qeverisë federale të ulë përkohësisht barrën tatimore për punëtorët e huaj të kualifikuar që vijnë në Gjermani. “Unë mund të imagjinoja që për ta bërë Gjermaninë tërheqëse për ta, punëtorëve të kualifikuar t’u jepej një ulje e tatimeve për dy ose tre vitet e para si një lloj nxitje për ardhje këtu”, tha Jandura për gazetën Rheinische Post.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është që sot një disavantazh vendimtar ndaj konkurrencës. Prandaj, qeveria federale duhet të rrisë shpejt atraktivitetin dhe të bëjë një politikë më të përshtatshme ndaj imigrantëve. Për të janë shumë të paqarta formulimet në marrëveshjen e koalicionit. “Unë do të doja një qasje sistematike me rregulla të qarta si kristali, se kush duhet të vijë tek ne, me çfarë kualifikimesh profesionale dhe cilat do të jenë stimulimet e përshtatshme për këta njerëz. Beteja globale për kokat më të mençura ka nisur prej kohësh. Ne po rrezikojmë të humbim këtë betejë”.
Sindikatat – trajnimet janë tepër të rëndësishme
Nuk ka dyshim se përgatitja e mëtejshme profesionale duhet të jetë një fushë thelbësore e ndryshimit strukturor. Por kush duhet të jetë përgjegjës për të? Sindikatat e shohin qeverinë si përgjegjëse. Ajo duhet të mbështesë punonjësit në ndryshime strukturore, për shembull me të drejtën për kualifikim dhe mësim, thotë shefi e DGB-së, Reiner Hoffmann.
Kryetari i Shoqatës së punëdhënësve Rainer Dulger, nga ana tjetër, thotë: “Kompanitë nuk kanë nevojë për rregulla burokratike të pakoordinuara ligjore”. Trajnimet janë “e nesërmja” e sipërmarrjeve dhe fuqia punëtore duhet të jetë sa më fleksibël. “Kompanitë dhe punonjësit e tyre mund të vendosin më së miri për opsionet individuale dhe kushtet që kërkohen.”
Trajnimi i mëtejshëm është një nga sfidat që sjell ndryshimi strukturor, tha Dulger. “Ne kemi nevojë për një revolucion të mëtejshëm arsimor – ai duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në kompani.” Dugler mendon se shuma prej rreth 41 miliardë eurosh që kompanitë tashmë kanë investuar në trajnime të mëtejshme do të vazhdojë të rritet.
Aktualitet
UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
Published
8 hours agoon
July 18, 2025By
Driton Iseni
Një sukses që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe vendos Kosovën në hartën globale të arsimit të lartë është rangimi i radhës i UBT-së, i cili ka arritur të renditet ndër universitetet më të mira dhe më inovative në botë, sipas rangimit prestigjioz të World University Rankings for Innovation (WURI 2025), duke u radhitur përkrah universiteteve prestigjioze si Harvard, MIT, Stanford, Oxford, e të tjera.
Në raportin zyrtar të publikuar nga WURI, UBT ka arritur pozicionime të larta në disa kategori kyçe, duke u radhitur në mesin e institucioneve lidere të arsimit të lartë në nivel global:
- Vendi i 10-të në kategorinë ESG Trend (B3) – për përkushtimin në mjedis, shoqëri dhe menaxhim të qëndrueshëm;
- Vendi i 14-të në kategorinë Funding for Sustainability (B5) – për sigurimin e burimeve për projekte që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm;
- Vendi i 5-të në kategorinë University Brand and Reputation (B8) – për ndërtimin e një identiteti të fuqishëm institucional dhe reputacioni ndërkombëtar në rritje;
- Dhe, vendi i 208-të në renditjen e përgjithshme ndër Global Top 400 Innovative Universities.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi këto arritje si një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të institucionit.
“UBT po dëshmon se është një forcë lëvizëse e arsimit të lartë në botë. Rangimet e WURI janë pasqyrim i realitetit që po ndërtojmë çdo ditë: një universitet që promovon dijen, inovacionin, dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërkombëtarizimit”.
Ky sukses i radhës konfirmon rolin e UBT-së si një lider në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe ndërkombëtarizimit, duke e vendosur Kosovën fuqishëm në hartën globale të arsimit cilësor dhe transformues.
Për më tepër, renditja e UBT-së në mesin e universiteteve më të mira dhe më inovative në botë sipas WURI 2025 përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për institucionin, por për gjithë sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. Pozicionimi në vendin e 10-të për ESG Trend dëshmon angazhimin e UBT-së për zhvillim të qëndrueshëm dhe përgjegjësi ndaj mjedisit dhe shoqërisë, ndërsa vendi i 14-të në Funding for Sustainability tregon kapacitetin për të siguruar burime për projekte me ndikim afatgjatë. Veçanërisht i rëndësishëm është renditja në vendin e 5-të në University Brand and Reputation, që e vendos UBT-në si një nga institucionet me reputacion më të madh global, duke rritur besueshmërinë dhe vlerën e diplomës për studentët, si dhe mundësitë për bashkëpunime ndërkombëtare për stafin akademik.
Ky sukses e ngre më tej profilin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të arsimit, duke e bërë më tërheqëse për studentë, profesorë dhe partnerë strategjikë nga e gjithë bota dhe duke dëshmuar se institucionet kosovare mund të konkurrojnë denjësisht në nivel global.
Lajmet
Gjykata cakton një muaj paraburgim për policin e dyshuar për spiunazh
Published
12 hours agoon
July 18, 2025By
UBTnews
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për policin e ndaluar një ditë më parë, Bojan Jevtiq, nën dyshimet për kryerje të veprave penale si spiunazhi dhe armëmbajtja pa leje.
“Gjykata vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda” është thënë në njoftimin e gjykatës.
Prokuroria ka thënë se Jevtiq ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu ka thënë para mediave se pas aksionit të kryer një ditë më parë në Komunën e Kamenicës, në shtëpinë e Jevtiqit dhe objekte tjera, janë gjetur prova materiale dhe personale, çka vërtetojnë se i dyshuari është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm.
Përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria më 17 korrik, është thënë se janë sekuestruar këto prova materiale: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër pa autorizin, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.
Millosh Nikolliq, mbrojtësi i Jevtiqit, ka thënë pas përfundimit të seancës që ka kërkuar mbrojtje në liri të klientit të tij dhe ka ofruar garanci financiare.
“Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës, dhe se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka thënë ai për mediat pas mbajtjes së seancës.
Më herët, pothuajse të gjithë personat e arrestuar për sulmin ndaj KFOR-it, në fund të majit të vitit 2023, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, pas pranimit të fajësisë dhe pagesës financiare si garanci.
Lubisha Jevtiq, vëllai i policit të ndaluar, ka thënë të premten para gjykatës se ai është ndaluar “pa asnjë bazë ligjore”.
“Është njeri i ndershëm dhe e ka kryer punën e tij me përkushtim. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i ka mbajtur me atë pagë. Ka punuar në Policinë e Kosovës për 23 vjet pa asnjë njollë në karrierën e tij, pa asnjë shkelje. Besoj se ndaj tij nuk do të zhvillohet fare procedurë dhe se do të lirohet”, ka thënë ai pas seancës.
Pas aksionit të 17 korrikut, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë”.
Sipas tij, “ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë”.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.
Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare./REL
Aktualitet
Rritet dukshëm numri i operacioneve në vena në Klinikën e Kirurgjisë
Published
12 hours agoon
July 18, 2025By
UBT News
Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës është rritur dukshëm numri i operacioneve në vena, në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare.
Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, janë operuar 244 pacientë që kanë qenë në lista të pritjes, njofton QKUK.
Kjo shifër është dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, falë edhe investimeve që janë bërë në këtë klinikë.
Gjatë vitit 2024 ishin kryer 225 operacione në vena dhe bazuar në ritmin e punës së gjysmë vitit, por edhe planin e punës së klinikës, pritet që ky numër të rritet edhe më tutje.
Lajmet
Apple po përgatitet të prezantojë iPhone e parë të palosshëm
Published
12 hours agoon
July 18, 2025By
UBT News
Apple pritet të prezantojë modelin e parë të iPhonet me ekran të palosshëm në vitin 2026, sipas informacioneve të fundit që vijnë nga burime të besueshme në industrinë e teknologjisë.
Ky telefon i ri do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në dizajnin dhe funksionalitetin e smartphoneve të kompanisë amerikane.
Sipas të dhënave, iPhone i palosshëm do të ketë një ekran të jashtëm OLED prej 5.5 inçësh dhe një ekran të brendshëm më të madh, OLED 7.8 inç, me rezolucion të lartë, që do të përdorë teknologji të avancuar për të eliminuar pengesat gjatë palosjes. Mekanizmi i palosjes do të jetë në stilin e librit, i ngjashëm me atë të modeleve të njohura të Samsung.
Materialet e përdorura për kuadratin dhe mekanizmin do të jenë një kombinim titani dhe çeliku inox, duke siguruar qëndrueshmëri dhe rezistencë të lartë ndaj përdorimit të përditshëm. Një ndryshim i rëndësishëm në këtë model është përdorimi i sensorit Touch ID të integruar në butonin anësor, në vend të Face ID, që do të ndihmojë në ruajtjen e një dizajni më të hollë dhe të komod.
Çmimi i këtij modeli pritet të jetë mbi 2000 dollarë, duke e pozicionuar atë në segmentin premium të smartphoneve./Telegrafi

Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit

Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT

UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI

Qendra e Laboratorëve testues në UBT është qendra më e madhe në rajon

UBT dhe Binance bashkë në një ngjarje unike për Blockchain dhe sigurinë në kripto

Gjykata cakton një muaj paraburgim për policin e dyshuar për spiunazh

Rritet dukshëm numri i operacioneve në vena në Klinikën e Kirurgjisë

Apple po përgatitet të prezantojë iPhone e parë të palosshëm

OnePlus me një kabllo speciale për karikimin e telefonit
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore