Lajmet

6 aftësitë udhëheqëse që i bëjnë punonjësit e thjeshtë më produktivë

Jini vazhdimisht mbështetës.

Published

on

Shumë njerëz mendojnë që nuk kanë aspak fuqi në vendin e punës ku punojnë. Kjo është gabim, sepse pavarësisht se çfarë pozite keni aftësitë udhëheqëse janë ende të vlefshme.

Por kjo, sigurisht që nuk do të thotë të jepni urdhra, por të jeni në gjendje të udhëhiqni dhe të gjeni zgjidhje edhe në qoftëse nuk keni pozita udhëheqëse. Këto aftësi do t’ju ndihmojnë në karrierën tuaj të mëvonshme, kur të filloni të rriteni.

Rrisni një mendësi të mirë

Pasja e pamjes së mirë është një aftësi e shkëlqyeshme. Nëse shfaqni entuziazëm dhe pozitivitet, pavarësisht se çfarë pune bëni, njerëzit do ta vërejnë. Në shumë ditë, shumë gjëra mund të shkojnë tmerrësisht keq, por është personi i cili qëndron në këmbë e që është diçka që vlerësohet dhe respektohet.

Jini vazhdimisht mbështetës

Kur vjen koha që ta shfaqni udhëheqësin e brendshëm, ekipi është diçka themelore. Në qoftëse insistoni që t’i bëni gjërat në mënyrën tuaj apo të mundoheni që t’i impononi mendimet tuaja, duke i kontrolluar të tjerët, kjo do të krijojë mure dhe gjasat për të bashkëpunuar tani dhe më vonë janë shumë të vogla. Askush nuk e dëshironi një udhëheqës që bën gjëra kokë më vete. Njerëzit të cilët janë mbështetës, janë gjithmonë duke u munduar t’u shërbejnë të tjerëve. Gjithmonë mundoheni që të jepni ndjenjën “Çfarë mund të bëj për ju?” edhe në qoftëse nuk e thoni me zë.

Mësohuni të jini fleksibilë

Nëse dëshironi që të jepni përshtypje të mirë, punoni për t’u bërë dikush i cili është fleksibil dhe dikush i cili është në gjendje të lëvizë shpejt dhe lehtë. Janë personat e ngurtë ata të cilët nuk ia lejojnë vetes zhvillimin. Nëse dëshironi që të keni sukses, bëhuni ndikues, por gjithmonë duke mësuar se si të jeni fleksibilë!

Njerëzit mund të llogarisin në ju

Nëse njerëzit ju njohin si dikush në të cilin mund të llogarisin, kjo ju jep më shumë besueshmëri. Kur ju njohin që rrini përkrah të tjerëve dhe gjithmonë gati për të ndihmuar, ata do t’ju respektojnë. Sepse në shumicën e kohës është e vështirë të gjinden kolegë të tillë që janë gjithmonë aty. Pra, besimi që krijoni nga këto veprime përballë të tjerëve, bën që ata ta fitojnë besimin në ju edhe të krijoni reputacion shumë mbresëlënës.

Jini kreativë

Në pozitat aktuale, çfarë veprimet mund të ndërmerrni? Mendoni pra, se cilat praktika do të të ndihmonin në punë ty, por edhe të tjerëve dhe kompanisë! Nëse punoni me klientë dhe konsumatorë mendoni gjithmonë se çfarë veprimet mund t’u ndihmonin atyre, por edhe t’u pëlqenin! Andaj, përdorimi i kreativitetit në mënyrë të vazhdueshme do të nxisë procese dhe do t’ju bëj që të jeni gjithmonë më të dalluar.

Jepni merita aty ku duhet

Sa shpesh të ka ndodhur që t’i shihni kolegët, bashkëpunëtorët, madje edhe shefin duke i marrë meritat, kur ato nuk ishin të tyret? Të jesh udhëheqës edhe pa pasur pozitë të tillë, do të thotë që të jeni të gatshëm për t’i bërë të ditura kontributet e të tjerëve dhe t’i jepni meritat aty ku duhet.

Nëse filloni t’i rrisni aftësitë e udhëheqjes, suksesi do të jetë në punë do të jetë i pranishëm. E nëse mendoni që nuk keni aspak vlerë dhe fuqi në vendin tuaj të punës, atëherë edhe produktiviteti e me këtë edhe suksesi do të mungojë. /Akademi Pune

Continue Reading

Vendi

Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT

Published

on

Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.

Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.

Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.

Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.

Continue Reading

Vendi

Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.

Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.

Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.

Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.

Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Published

on

By

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Continue Reading

Lajmet

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Published

on

By

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

Continue Reading

Të kërkuara