Lajmet

Tomas Szunyog: S’ka asnjë marrëveshje në dialog që pengon vendosjen e policisë në veri

Megjithatë për pjesën veriore thotë se ka njëfarë tradite njoftimi.

Published

on

Për shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, Kosova ka shënuar njëfarë progresi në një mori fushash.

Dhe këtë ai thekson se e thotë edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian.

“Kosova ka bërë përparim apo njëfarë përparimi: lufta kundër terrorizmit, ekonomia e tregut ose reformat strukturore; digjitalizimi i ekonomisë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, investimet në burimet e ripërtëritshme, doganat, taksat, politikat e ndërmarrjeve dhe ato industriale”, përmend ai fushat ku ka pasur ecje.

“Progresi i kufizuar megjithatë është progres”.

Szunyog për KlanKosova duke përmendur fushat ku nuk ka pasur përparim ka theksuar se raporti i fundit duhet të shihet si mundësi për veprime konkrete në periudhën pasuese njëvjeçare.

“Shpresojmë se vitin në vijim do të ketë më tepër vendime konkrete. Është me rëndësi të shikohet raporti si një grumbull rekomandimesh për hapa të mëtejmë – një udhërrëfyes për veprime. Puna për raportin e ardhshëm nis që tani. Kosova mund të bëjë më mirë: qytetarët e meritojnë më mire”.

Ai në disa përgjigje ka folur edhe për zhvillimet e muajve më parë në veri të Kosovës, duke potencuar se asnjë marrëveshje dialogu s’ia ndalon Policisë së Kosovës vendosjen kudo në territorin shtetëror.

Megjithatë për pjesën veriore thotë se ka njëfarë tradite njoftimi.

“Nuk ka asnjë marrëveshje në dialog që pengon vendosjen e njësive speciale policore nga jugu në veri, por që është një praktikë e zakonshme koordinimi i ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare si dhe njoftimi paraprak i KFOR-it”.

INTERVISTA:

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, është theksuar se është bërë “pak progres” në disa fusha. A janë pritjet që Kosova mund të bëjë më shumë, apo edhe qeveria e re sipas juve ka ngecur ta bëjë atë përparim?

Tomas Szunyog: Së pari dua të shpjegoj se çfarë është raporti. Ai ofron një pasqyrë objektive për progresin drejt Bashkimit Evropian dhe përcakton rekomandimet për të ardhmen. Me fjalë të tjera: vlerëson se si Kosova është e përgatitur për anëtarësim për t’u bashkuar në BE, duke parë shumë çështje: rendin dhe ligjin, reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguria, të drejtat themelore, reforma e administratës publike, zhvillimi ekonomik dhe konkurrenca.

Përgjithësisht për shkak të ndryshimit të kontekstit politik dhe fokusin mbi pandeminë e COVID-19, raporti vë në dukje përparimin e kufizuar në reformat lidhur me BE-në. Në pjesën më të madhe të periudhës raportuese, aktivitetet legjislative ishin të kufizuara, duke përfshirë përpjekjet për reforma. Sidoqoftë, progresi i kufizuar megjithatë është progres. Më lejoni të sqaroj se progresi që ne matim mund të rezultojë me kthim mbrapa, jo përparim, përparim i kufizuar, njëfarë progresi, progres i mirë dhe përparim shumë të mirë. Në disa nga fushat, Kosova ka bërë përparim apo njëfarë përparimi: lufta kundër terrorizmit, ekonomia e tregut ose reformat strukturore; digjitalizimi i ekonomisë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, investimet në burimet e ripërtëritshme, doganat, taksat, politikat e ndërmarrjeve edhe ato industriale. Në fusha të tjera, është bërë përparim i kufizuar apo s’është bërë fare: lufta kundër krimit dhe korrupsionit, kapacitetet për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut, reforma në administratë publike, cilësia e arsimit, zhvendosja drejt prodhimit të energjisë së gjelbër dhe më të sigurt.

Raporti vlerëson progresin e bërë; ai gjithashtu e bën të qartë se nuk ka rrugë të shkurta drejt BE-së  – reformat duhet të zbatohen në mënyrë efektive për të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët.

Është me rëndësi për të theksuar që ne matim progresin në terma të vendimeve të marra, legjislacionit të miratuar, masave të zbatuara dhe strukturat në fuqi. Raporti fokusohet në fakte, jo në qëllime. Më lejoni që të theksoj se është një dokument i publikuar një herë në vit dhe ajo që ka rëndësi është sesi në bashkërisht punojmë për t’i kthyer rekomandimet në realitet.

Raporti i këtij viti ofron një kuptim shumë të mirë se ku qëndron Kosova dhe jep udhëzime konkrete për 12 muajt në vijim. Qeveria, në mandatin e saj të tanishëm, ka një shumicë të fortë parlamentare dhe duke qenë kështu, një bazë të fortë për më tepër reforma drejt BE-së. Ajo po ashtu ka treguar angazhimin dhe motivin për të bërë përparim. Shpresojmë se viti në vijim do të ketë më tepër vendime konkrete. Është me rëndësi të shikohet raporti si një grumbull rekomandimesh për hapa të mëtejmë –  një udhërrëfyes për veprime. Puna për raportin e ardhshëm nis që tani. Kosova mund të bëjë më mirë: qytetarët e meritojnë më mirë.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që qytetarët e saj nuk lëvizin pa viza derisa kriteret për këtë çështje janë plotësuar prej vitesh. Pse duhet që siç thuhet “problemet e brendshme të BE-së” të peshojnë mbi kurrizin e një kombi prej 1.8 milion banorëve?

Tomas Szunyog: Jam shumë i vetëdijshëm mbi rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe vërtet e kuptoj frustrimin rreth faktit që qytetarët e Kosovës mbesin të vetmit në Ballkanin Perëndimor që kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen. Në këtë kuptim, Komisioni Evropian mban vlerësimin e bërë në korrik 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizim vizash. Parlamenti Evropian ka rikonfirmuar mbështetjen  për propozimet e bëra nga komisioni për t’i liberalizuar vizat në shumë raste, për së fundi herë në raportin e vet për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor që I bën thirrje Këshillit Evropian për të miratuar liberalizimin e regjimit të vizave me Kosovën pa vonesa të mëtejme.

Propozimi po mbahet pezull në Këshill. Komisioni dhe Zyra e BE-së këtu në Prishtinë vazhdon shkëmbimet me vendet anëtare të BE-së në këtë çështje. Kosova mundet dhe duhet që edhe më tej të përforcojë përpjekjet duke u angazhuar gjithashtu në një dialog me shtetet anëtare dhe të kërkojë mbështetjen e tyre në mënyrë dypalëshe, si dhe të jetë e gatshme që të adresojë çdo shqetësim në lidhje me liberalizimin e vizave me të cilat mund të përballen ende disa shtete anëtare.

Aksioni kundër korrupsionit në veri të vendit dhe po ashtu vendosja e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit për targa, është bërë temë si në BE, por edhe SHBA. Nëse BE thërret Kosovën për sundim të ligjit, atëherë pse shihen me kritikë e skepticizëm aksionet në veri të vendit?

Tomas Szunyog: Ne mirëpresim dhe mbështesim përkushtimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civileve, gazetarëve, policëve dhe autoriteteve të tjera është e papranueshme. Në të njëjtën kohë, ne theksojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është mekanizmi kyç për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe inkurajojmë të dy palët që t’i shmangin veprimet që kërcënojnë stabilitetin.

Nuk ka asnjë marrëveshje në dialog që pengon vendosjen e njësive speciale policore nga jugu në veri, por që është një praktikë e zakonshme koordinimi i ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare si dhe njoftimi paraprak i KFOR-it. Në këtë kuptim, EULEX dhe KFOR janë përgjegjësit e dytë të sigurisë, respektivisht të tretë.

Vetëm përmes dialogut mund të adresohen të gjitha çështjet e hapura në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë punën drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizim.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të marrë leje për të dalë në pjesën veriore të vendit. A është absurde në syrin tuaj që një ushtri të marrë leje për të shkelë në një pjesë të territorit të shtetit të saj dhe kur besoni se duhet të marrë fund kjo?

Tomas Szunyog: Shkëmbimi i letrave në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it për çdo mision të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës. BE nuk mund të komentojë rreth marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n.

Janë pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Sa është duke punuar BE që t’i bindë këto shtete që ta njohin Kosovën?

Tomas Szunyog: Bashkimi Evropian nuk mund të komentojë për çështjen e njohjes e cila është kompetencë ekskluzive e vendeve anëtare. Mund të ju siguroj se si BE, në mbesim plotësisht të përkushtuar për ta mbështetur Kosovën për të përparuar dhe për të krijuar një shoqëri të qëndrueshme, demokratike dhe paqësore./KlanKosova.tv/

Continue Reading

Vendi

Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT

Published

on

Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.

Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.

Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.

Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.

Continue Reading

Vendi

Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.

Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.

Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.

Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.

Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Published

on

By

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Continue Reading

Lajmet

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Published

on

By

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

Continue Reading

Të kërkuara