Lajmet
Protestojnë punëtorët teknikë të spitaleve: Jemi diskriminuar nga qeveria
Thonë se kërkesa e vetme tash e sa muaj mbetet pagesa shtesë.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiParullat me mbishkrimet “Kush ua dha shkollën e diskriminimit”, “Nuk tolerojmë diskriminimin njerëzor”, dhe disa uniforma të punëtorëve teknikë të spitaleve kanë mbetur në rrethojat e Ministrisë së Shëndetësisë. Në shenjë revolte ata kanë protestuar para këtij objekti, për mos-përfshirjen e kësaj kategorie në stimulimin me nga 60 euro nga Qeveria e Kosovës. Nga ora 11 deri në orën 12 këta punëtorë nuk kanë ofruar shërbime në spitalet ku punojnë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se kërkesa e vetme tash e sa muaj mbetet pagesa shtesë, ashtu siç është vendosur për mjekët dhe infermierët.
“Që nga sot po fillojmë një përshkallëzim të protestave dhe grevave. Qëllimi kryesor i kësaj proteste është ku kjo protestë ka shtrirjen në gjithë nivelin e Kosovës. Ju njoftoj që në të gjitha spitalet në Qendër të Mjekësisë Familjare dhe në ambulantë sot në orën 11:00 deri në orën 12:00, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik, nuk do të kryejnë shërbimin e tyre për një arsye, pasi që Qeveria e Kosovës ka bërë një diskriminim të madh që është bërë për një benificion shtesë për infermierët me 60 euro. Ne mendojmë se ata meritojnë edhe më shumë. Megjithatë, e gjithë ironia është se ne në të njëjtën objekt, në të njëjtën ndërtesë punojmë bashkërisht dhe ndoshta jemi shumë më të rrezikuar se mjekët dhe infermierët”, ka theksuar ai.
Për këtë, theksoi se për kaq muaj kanë kërkuar takim me ministrin e shëndetësisë dhe me ministrin e financave dhe kryeministrin, por, që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Kjo është protesta e fundit me të cilën do të merremi. Sepse pas kësaj proteste, nëse nuk do të ketë lëvizje pozitive ne do të jemi të obliguar pa dashje që të futemi në grevë. Dhe sigurisht greva do të kushton edhe për neve edhe për punëtorët, por edhe në veçanti për MSh-në, por edhe për pacientët”, ka shtuar ai.
Edhe Sabri Ejupi, përfaqësues i sektorit të sigurimit në QKUK, e quan diskriminuese mospërfshirjen e sektorit të sigurimit në pagën stimuluese.
“Jemi diskriminuar ne punëtorët e sigurimit dhe kështu që për këtë nuk kemi koment. Kemi telashe, vjen pacienti në dhomë, është mjeku, infermieri, së pari do të kalojë nga punëtori i sigurimit. Sigurimi diskriminohet në atë masë sa që nuk ka koment, pse të anashkalohemi ne. Duam të dimë pse, edhe ne jemi njerëz, edhe ne kemi pasur raste të infeksionit kemi çuar në shtëpi. Ka pasur raste që i ka vdekur familjari”, u shpreh ai.
Zejnije Vranovci, e cila punon në Spitalin e Gjilanit tha se shteti po ju bën diskriminim njerëzor.
“Ne punën më të madhe e bëjmë në spital. E kam pasur COVID-in, 21 ditë kam qëndruar në spital, 600 euro më kanë shkuar, duke blerë antibiotikë, fraksiparina e barna të tjera. Unë COVID-in e kam marrë në spital duke i pastruar dhomat me pacientë me COVID. E sot nuk e gëzojmë asnjë të drejtë, pse? Jemi punëtorë të mirëmbajtjes. Pa hy unë me pastruar dhomën dhe dyshemenë e shtratin ku qëndron pacienti me COVID, mjeku nuk mund të hyjë të bëjë vizitën dhe infermieri me dhënë terapinë”, u shpreh ajo e mllefosur.
Në kohën që po protestonin kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve shëndetësor, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi ka takuar protestuesit.
Më pas, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Kosovës, theksoi se në këtë takim u tha se këto kërkesa do të adresohen. Ai ka ftuar punëtorët të kthehen në punë deri në kohën kur do të merret një vendim nga institucionet.
Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të ndajë pagesë shtesë prej 10 për qind për punëtorët shëndetësor.
Vendi
Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
Published
45 minutes agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.
Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.
Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.
Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.
Vendi
Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së
Published
52 minutes agoon
December 18, 2025By
Driton Iseni
Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.
Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.
Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.
Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.
Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.


Lajmet
Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare
Published
1 hour agoon
December 18, 2025By
UBTnews
Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.
Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.
KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.
Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.
Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.
Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.
Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.
Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.
Lajmet
Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës
Published
2 hours agoon
December 18, 2025By
UBTnews
Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.
Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.
Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.
Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.
Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.
Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.
Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.
Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.
Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.
Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.
Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL
Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së
Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare
Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës
Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
Profesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
Studentët e Artit dhe Medias Digjitale në UBT realizojnë vizitë studimore në 7 Arte dhe Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”
Rektori Hajrizi merr pjesë në Simpoziumin Shkencor Ndërkombëtar në CERN
Për herë të parë në Kosovë lansohet magazina “BLANK”, iniciativë që buron nga angazhimi akademik dhe kreativ i studentëve të UBT-së
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
