Lajmet

9 mënyra për të kursyer karburantin gjatë vozitjes së makinës

Published

on

Të gjithë duam të kursejmë karburantin i cili po bëhet çdo ditë e më i shtrenjtë.

Më poshtë gjeni disa prej mënyrave që mund t’ju vijnë në ndihmë gjatë ngasjes.

9. Shmangni qëndrimin në vend me makinë ndezur!

Kjo është një nga mënyrat më të zakonshme. Jeni duke pritur një pasagjer që të hypë në makinë? Në vend që të mbani makinën ndezur për të dëgjuar muzikë, kini parasysh që muzika mund të dëgjohet edhe me makinë fikur. Keni ngelur për minuta të tëra në trafik pa lëvizur? Fikeni makinen dhe do të kurseni ndjeshëm. Makinat me sistemin Start/Stop janë bërë pikërisht për këtë arsye dhe, për kundër asaj që mund të mendohet, kjo nuk e dëmton aspak makinën.

8. Përdorni karburant cilësor

Shpesh herë joshemi nga cmimi i lirë i karburantit në disa pika shitjeje. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që ky karburant është jo cilësor, por shancet për këtë janë të konsiderueshme. Gjithashtu cmimi i lartë nuk është tregues i cilësisë së mirë. Gjithsesi, testoni disa pika shitjeje dhe më pas furnizohuni te më e mira.
Makinat e reja janë shumë të ndjeshme ndaj cilësisë së karburantit dhe nese kjo e fundit lë për të dëshiruar, atëherë edhe makina do ju kundërpërgjigjet me të njëjten monedhë. Një karburant jo cilësor nuk digjet plotesisht. Kjo bën që makina juaj të jetë e pafuqishme. Në këto kushte ju jeni i “detyruar” të shtypni pedalin e gazit edhe me shumë. Rrjedhimisht karburanti do të shkojë “lum”.

7. Zbrazeni bagazhin nga gjërat e panevojshme

Pesha e tepërt nuk është problem vetëm për sistemin e amortizimit. Ajo ndikon drejtëpërdrejt në konsumin e karburantit.
Një nga mënyrat për të kursyer karburant është pikërsht heqja e sendeve të panevojshme nga makina.

6. Mbani të pastër filtrin e ajrit

Njësoj si të keni bllokuar me rubinetë, pluhuri bllokon filtrin e ajrit duke sjellë rënien e performancës dhe me shumë mundësi edhe te nivelit të karburantit në depozitë. Filtrat e ajrit janë shumë të lirë dhe nuk kërkojne mjete të vecanta për t’u ndërruar. Blijeni një, ndërrojeni sa hap e mbyll sytë dhe ja ku i keni kursyer disa herë paratë e filtrit.

5. Kujdes nivelin e fryrjes së gomave

Statistikisht, gomave i’u kushtohet më pak vëmendje në një makinë. Madje mund të themi që disa shoferë kalojnë vite pa kontrolluar gomat. Sigurisht që një situatë e tillë shton rrezikun në rruge. Presioni i duhur i gomave ka ndikim parësor në konsumin e karburantit. Kjo, sepse me goma të shfryra rritet rezitenca në rrugë e cila duhet mposhtur. Presionin ideal për makinen tuaj do e gjeni te kapaku i karburantit ose te dera e shoferit. Prodhuesit e makinave shpenzojnë kohë të konsiderueshme për të përcaktuar se sa duhet të jenë fryer gomat në mënyrë që makina të kete eficencë maksimale. Kjo vlen edhe per sigurinë tuaj në rrugë.

4. Ndërroni vajin

Gjendja e mirë e vajit është vitale për një funksionim eficent te motorrat me djegie të brendshme. Vaji i motorrit ka detyrën më të vështirë në një makinë. Detyra e tij është të reduktojë fërkimin ndërmjet pjesëve, t’i ftohë ato dhe të mbajë motorrin të pastër duke e mbrojtur nga gërryerja. Nëse përdorni të njëjtin vaj për një kohë të gjatë, ai do të trashet dhe lëvizja e tij ndërmjet pjesëve do të vështirësohet. Kjo do të sjellë më shumë fërkim të pjesëve me njëra tjetrën. Pasojat e kësaj janë shumë të kushtueshme. Shpesh herë, për këtë shkak, makinat janë bërë të papardorshme. Ndërrojeni vajin në kohë dhe sipas udhëzimeve të prodhuesit dhe kjo do ju shpërblehet me jetëgjatësi të makinës dhe me konsum minimal.

3. Ngadalëso!

Në momentin që shpejtësia kalon 80-90 km/h, edhe konsumi i karburantit i kalon limitet e kursimit. Duke ecur më ngadalë do të kurseni jo pak. Shpenzoni më shumë kohë duke ecur ngadalë, por kurseni shumë më shumë se kaq.

2. Përdorni Auto-Pilot-in

A ka mënyrë më të mirë për t’u përqendruar plotësisht mbi rrugën sa se kur perdorni Auto-Pilot-in? Aktivizoje në një shpejtësi normale, relaksohu dhe lëre makinën të bëjë pjesën tjetër të punës. Auto-Piloti ndihmon në uljen e konsumit të karburantit duke përdorur minimalisht gazin. Duke ecur me shpejtësi konstante, inertësia e makinës shfrytëzohet maksimalisht. Kjo e ul konsumin e karburantit në minimum.

1. Parashikoni trafikun perpara jush

Se fundmi, një tjetër menyrë për të kursyer karburant është të qëndroni të vëmendshëm dhe të parashikoni sjelljen e trafikut që keni përpara. Nëse shikoni semaforin të kuq apo makinat përpara që frenojnë, mjafton të hiqni këmben nga gazi dhe të lini makinën të ngadalësojë. Nëse autokolona rifillon lëvizjen, ju do të keni avantazh inertësinë e makinës tuaj për të përshpejtuar duke harxhuar më pak karburant se sa do të harxhonit nëse do të niseshit nga vendi. “Ngarja Parashikuese” ju ndihmon të reduktoni konsumin e karburantit me 20%.

Vendi

34 aksidente dhe afro 2 mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve

Published

on

By

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është regjistruar një numër i lartë i gjobave të shqiptuara dhe i aksidenteve në rrugët e vendit

Sipas të dhënave zyrtare, fatmirësisht nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet, mirëpo janë regjistruar gjithsej 34 aksidente trafiku, prej të cilëve 12 kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 22 me dëme materiale.

Gjatë kësaj periudhe, policia ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit, ka shqiptuar gjithsej 1896 tiketa trafiku.

Sa i përket aktiviteteve operative për rendin dhe ligjin, janë arrestuar 5 persona, ku 2 prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa 3 persona janë dërguar direkt në vuajtje të dënimit.

Continue Reading

Lajmet

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit

Published

on

By

Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.

Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.

*****

Pjesë nga intervista:

Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?

Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja.  Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.

Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?

Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.

Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?

Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.

Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?

Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.

Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?

Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.

Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?

Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.

Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.

Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?

Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.

Continue Reading

Vendi

PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses

Published

on

By

Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.

Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.

 

Continue Reading

Rajoni

Shqipëria synon ta shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Shqipëria do të votojë për një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun, organizata terroriste, njoftoi të premten kryeministri i vendit, Edi Rama.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Rama tha se vendimi do të merret javën e ardhshme.

“Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet ta votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën e Khomeiniste të Iranit – unë me gojë nuk e them dot islamike, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj te islami – shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallen organizata terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu”, theksoi Rama.

Hezbollahu është grup militant në Liban i mbështetur nga Irani. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Ndërsa, Bashkimi Evropian muaj më parë e shpalli terroriste Gardën Revolucionare të Iranit.

Synimi i Shqipërisë vjen pak ditë pasi Kuvendi i saj ish në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Rama, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, thanë gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë, se erdhi nga Irani.

Kreu i Qeverisë tha se sulmet kibernetike nga Irani janë të vazhdueshme, madje, sipas tij, të përditshme, që prej vitit 2022.

Kryeministri shtoi Shqipëria ka kapacitete mbrojtëse kibernetike, dhe atë ndër më të mirat në Evropë, por tregoi se Kuvendi nuk është përfshirë ende në to.

“Problemi ynë është që nuk kemi përfshirë ende të gjithë sistemin brenda rrjetit të mbrojtjes. Nuk ka probleme me zonat kritike ku ata mund të sulmojnë. Ne sulmohemi nga Irani, çdo ditë, jo njëherë. Nuk kanë ndalur asnjëherë sulmet. Këto janë të dhëna sensitive, në sistemet e mbrojtjes kibernetike ka lexim dhe gjurmë të çdo sulmi, por s’kanë pasur sukses në pjesën e infrastrukturës kritike”, tha Rama.

Ndërsa, Hoxha tha se “fakti që arritën të cenojnë infrastrukturën teknologjike të Kuvendit do të thotë që duhet të jemi shumë të vëmendshëm”.

Ai tha se kjo çështje është ngritur në NATO dhe Shqipëria ka marrë garancinë se nuk është vetëm.

Hoxha theksoi se Shqipëria mbështet politikën e jashtme të sigurisë kolektive dhe renditet krah SHBA-së për ndalimin e programit bërthamor dhe raketave balistike nga Irani.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të MEK-ut strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Sulmet kibernetike iraniane prej vitit 2022, për të cilat Shqipëria beson se janë hakmarrje ndaj saj për strehimin e disidentëve iranianë, bëri që Qeveria shqiptare t’i pezullonte marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Përgjegjësinë për sulmin e 9 marsit e mori një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, i cili theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet./REL/

Continue Reading

Të kërkuara