Lajmet

83 vjet nga vdekja e Faik Konicës

Published

on

Më 15 dhjetor 1942 ndërroi jetë mjeshtri i hollë i gjuhës shqipe Faik Konica. Ai mbahet mend si krijuesi i prozës moderne shqipe.

Faik Konica njihet si një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

I lindur më 15 mars 1876 në Konicë, Konica ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale, dhe mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke.

Konica mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar.

Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”.

Ai fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta.

Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi botoi broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”.

Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj.

Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve.

Në Kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore e më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në vitin 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ‘20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri përmes gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”.

Me dështimin e Revolucionit Demokratik dhe me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial.

Konica la pas vetes veprat letrare “Doktor Gjilpëra”, (prozë satirike), “Katër përralla nga Zullulandi”, (cikël tregimesh), “Shqipëria si m`u duk”, (udhëpërshkrim) dhe “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore”, (dorëshkrim anglisht i veprës)./S.K/KP/

Continue Reading

Vendi

Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re./A.K/

Continue Reading

Vendi

Kurti propozon për presidente ish-ministren e PDK-së, Justina Shiroka-Pulën

Published

on

By

Në orët e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje të re drejt PDK-së.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të votojë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – një kërkesë kjo e kahershme e PDK-së.  

Përmes kësaj oferte, Kurti i ka bërë thirrje PDK-së që të hyjë në seancë, duke propozuar si kandidate për presidente ish-deputeten dhe ish-ministren nga radhët e PDK-së, Justina Shiroka-Pula.  

Ky propozim vjen pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, refuzoi emrat e propozuar më parë, si Feride Rushiti dhe Glauk Konjufca. Kurti iu drejtua opozitës me thirrjen për bashkëpunim në Kuvend për të votuar së pari ligjin e kërkuar dhe më pas kandidaturën e Shiroka-Pulës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Continue Reading

Vendi

Rritet numri i protestuesve, protesta vazhdon në sheshin “Skënderbeu”

Published

on

By

Është shtuar numri i qytetarëve që po marrin pjesë në protestën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, ndërsa protesta po vijon përpara institucioneve të vendit.

Protesta e sotme është thirrur lidhur me kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë.

Continue Reading

Lajmet

Hamza e refuzon ofertën e dytë të Kurtit për presidentin dhe Specialen: Po tentohet të shndërrohet në pazar

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i është përgjigjur negativisht propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.

Në një konferencë për media, Hamza ka kritikuar qasjen e deritanishme, duke thënë se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.

Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen”, është shprehur Hamza.

Ai ka thënë se kjo çështje, sipas tij, po tentohet të përdoret për pazare politike në momentet e fundit.

“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar ai.

Hamza ka theksuar se pjesëtarë të UÇK-së janë të lidhur me subjekte të ndryshme politike, ndërsa ka akuzuar për tentim të përdorimit të kësaj çështjeje për arritjen e qëllimeve politike.

“UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se ka marrë pjesë në takime për tejkalimin e situatës, por ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike.

“Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, ka deklaruar Hamza.

Continue Reading

Të kërkuara