Lajmet

600 zyrtarë izraelitë i kërkojnë Trumpit t’i japë fund luftës në Gaza

Published

on

Një grup prej rreth 600 zyrtarësh izraelitë të sigurisë, që kanë dalë në pension, përfshirë ish-krerë të agjencive të shërbimit sekret, i kanë shkruar presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ushtruar presion mbi Izraelin që të përfundojë menjëherë luftën në Gaza, shkruan BBC.

“Është bindja jonë profesionale se Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin”, theksuan zyrtarët.

“Besueshmëria juaj me shumicën dërrmuese të izraelitëve rrit aftësinë tuaj për të drejtuar kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe qeverinë e tij në drejtimin e duhur: për t’i dhënë fund luftës, për të kthyer pengjet dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve”, shkruanin ata.

Apeli i tyre vjen në një kohë kur thuhet se Netanyahu po shtyn përpara zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza, ndërsa bisedimet indirekte për armëpushim me Hamasin kanë ngecur.

Mundësia e një përshkallëzimi të ri në Gaza mund të zemërojë më tej aleatët e Izraelit, të cilët kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa raportet për palestinezë që vdesin nga uria ose kequshqyerja po tronditin botën.

Grupi kryesor që mbështet familjet e pengjeve dënoi idenë e një ofensive të re ushtarake, duke deklaruar se “Netanyahu po e çon Izraelin dhe pengjet drejt shkatërrimit”.

Ky qëndrim u shpreh në mënyrë të qartë në letrën drejtuar Trump nga ish-shefi i Mossadit, Tamir Pardo, ish-shefi i Shin Bet, Ami Ayalon, ish-kryeministri Ehud Barak dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Moshe Yaalon.

“Në fillim, kjo luftë ishte një luftë e drejtë, një luftë mbrojtëse, por kur arritëm të gjitha objektivat ushtarake, kjo luftë pushoi së qeni një luftë e drejtë”, thekson Ayalon.

“Ndalo luftën në Gaza! Në emër të CIS, grupit më të madh të Izraelit të ish-gjeneralëve të IDF-së dhe ekuivalentëve nga Mossadi, Shin Bet, ju nxisim të përfundoni luftën në Gaza. Ju e bëtë në Liban. Është koha ta bëjmë edhe në Gaza”, i shkruan ata presidentit të SHBA-së.

Izraeli përballet me një izolim ndërkombëtar në rritje, ndërsa shkatërrimi i përhapur në Gaza dhe vuajtjet e palestinezëve shkaktojnë zemërim.

Sondazhet në të gjithë botën sugjerojnë se opinioni publik është gjithnjë e më negativ ndaj Izraelit, duke ushtruar presion mbi udhëheqësit perëndimorë për të vepruar.

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së do të përfshihet në buxhetin e vitit 2027

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë, do të përfshihet në Buxhetin e vitit 2027, ndërsa fillimisht do të hartohet strategjia shtetërore për mbështetjen juridike dhe institucionale në procedurat e apelit, raporton Ekonomia Online.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, se kur do të ndahen mjetet financiare, Kurti tha se fillimisht duhet të përcaktohen vizioni, mekanizmat dhe masat e strategjisë, e më pas kostot për zbatimin e saj.

“Që ta votojmë në mbledhjet e qeverisë, buxhetin për vitin 2027. Do të bëjmë këtë, dhe natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për 4 ish-krekrve tw UCK-se. Por ta kemi parasysh që së pari duhet strategjia shtetërore, dhe më pastaj kostot; një herë vihet ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e më pastaj edhe kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmave e vizionit. Së dyti, duhet t’ia lëmë punën këtij grupi punues, prandaj edhe e kemi formuar. Tash unë nuk mund të bëhem zëdhënës paraqitues i punës që do të bëjë grupi punues”, tha Kurti.

Kryeministri ka bërë të ditur se Qeveria ka themeluar grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Sipas Kurtit, grupi do të ketë për detyrë të ofrojë mbështetje juridike dhe institucionale në procedurat e apelit, si dhe të bashkërendojë veprimet diplomatike për dokumentimin dhe afirmimin ndërkombëtar të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Me vendimin e qeverisë dje, themeluam grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e kësaj strategjie, të kryesuar nga zëvendës-kryeministri i parë dhe ministri i punëve të jashtme dhe diasporës, zotëri Glauk Konjufca. Mandati i tij përfshin mbështetjen juridike dhe institucionale në procedurat e apelit, si dhe bashkërendimin e veprimeve diplomatike për dokumentimin e mbrojtjen dhe afirmimin ndërkombëtar të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës. Grupi do të bashkëpunojë me ekipet mbrojtëse për identifikimin e nevojave për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke përfshirë ekspertë si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, sipas nevojave të cilat identifikohen. Pjesë themelore e punës do të jetë sistemimi dhe analizimi i dokumentacionit historik juridik dhe gjyqësor, përfshirë atë gjykimet e tribunalit ndërkombëtar penal të Jugosllavinë, lidhur me krimet e kryera gjatë Luftës së Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Kurti ka theksuar se dokumentacioni do të shërbejë si bazë për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse dhe për komunikimin ndërkombëtar, ndërsa strategjinë e ka cilësuar si angazhim gjithëinstitucional dhe mbipartiak.

“Kjo bazë dokumentare do t’i shërbejë mbështetjes mbrojtës dhe një komunikimi ndërkombëtar të qëndrueshëm të mbështetur në fakte dhe argumente. Këtë proces e kemi konceptuar si angazhim gjithë-institucional dhe mbi-partiak, ushtria çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashëgimi e përbashkët dhe përgjegjësia për mbrojtjen e të vërtetës së saj shkon përtej mandateve të qeverisëse dhe dallimeve partiake. Prandaj, grupi punues është ngarkuar që ta përgatisë propozimin fillestar të strategjisë, me masa prioritare institucionale përgjegjëse dhe afate të zbatimit”, tha Kurti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shiroka Pula mban takimin e parë koordinues me krerët e institucioneve, diskutohet edhe strategjia për Apelin në Hagë

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka mbajtur sot takimin e parë koordinues me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Sipas njoftimit për media, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, situatën aktuale dhe çështje të tjera me rëndësi për institucionet e Republikës së Kosovës.

Një nga temat e takimit ishte edhe krijimi i Grupit Punues për Strategji Shtetërore për Apelin në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Takimi u zhvillua në kuadër të koordinimit të rregullt ndërmjet institucioneve të larta të shtetit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haradinaj u bën thirrje opozitës për bashkim kundër Qeverisë Kurti

Published

on

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje partive opozitare që të bashkohen kundër qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se vendit i duhet një opozitë e vërtetë.

Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka akuzuar Qeverinë për korrupsion dhe përçarje, ndërsa ka kërkuar bashkërendim të veprimeve opozitare.

“Lirinë tonë e mbrojmë duke bërë opozitë të vërtetë. Duhet të bashkohemi kundër kësaj qeverisjeje të Kurtit”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka folur edhe për mbështetjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, duke thënë se e përkrah çdo veprim në mbështetje të tyre, por i ka cilësuar si të vonshme vendimet e Qeverisë lidhur me këtë çështje.

Haradinaj ka theksuar se siguria kombëtare e Kosovës mbështetet në sakrificën e UÇK-së dhe në aleancat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Ai ka paralajmëruar se ruajtja e këtyre aleancave është thelbësore për sigurinë e vendit, duke kritikuar njëkohësisht situatën në të cilën, sipas tij, Kosova ka ardhur të ketë dilema të brendshme për çështje që lidhen me themelet e shtetësisë së saj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hamza: Na duhet një strategji shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel

Published

on

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se është takuar para dy ditësh me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa pas këtyre diskutimeve është miratuar themelimi i grupit punues për hartimin e një strategjie shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë në shkallën e Apelit.

Hamza e ka vlerësuar këtë si një hap të mirë, duke theksuar se Kosovës i duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore për këtë çështje.

Ai ka folur edhe për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke thënë se ato nuk janë bërë për të kënaqur palë të caktuara, por për të garantuar drejtësi dhe pavarësi.

“Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çdo pale”, ka deklaruar Hamza.

Kreu i PDK-së ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të hartojë dhe miratojë ligje që i konsideron të rëndësishme për mbrojtjen e vlerave të vendit dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, shqetësimi kryesor duhet të lidhet me trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe jo me nismat ligjore të Kuvendit.

Hamza ka shprehur gjithashtu besimin se presidentja do ta dekretojë ligjin pa vonesa, pasi, sipas tij, dita e sotme është afati i fundit ligjor për procedimin e tij për dekretim./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara