Lajmet

600 zyrtarë izraelitë i kërkojnë Trumpit t’i japë fund luftës në Gaza

Published

on

Një grup prej rreth 600 zyrtarësh izraelitë të sigurisë, që kanë dalë në pension, përfshirë ish-krerë të agjencive të shërbimit sekret, i kanë shkruar presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ushtruar presion mbi Izraelin që të përfundojë menjëherë luftën në Gaza, shkruan BBC.

“Është bindja jonë profesionale se Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin”, theksuan zyrtarët.

“Besueshmëria juaj me shumicën dërrmuese të izraelitëve rrit aftësinë tuaj për të drejtuar kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe qeverinë e tij në drejtimin e duhur: për t’i dhënë fund luftës, për të kthyer pengjet dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve”, shkruanin ata.

Apeli i tyre vjen në një kohë kur thuhet se Netanyahu po shtyn përpara zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza, ndërsa bisedimet indirekte për armëpushim me Hamasin kanë ngecur.

Mundësia e një përshkallëzimi të ri në Gaza mund të zemërojë më tej aleatët e Izraelit, të cilët kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa raportet për palestinezë që vdesin nga uria ose kequshqyerja po tronditin botën.

Grupi kryesor që mbështet familjet e pengjeve dënoi idenë e një ofensive të re ushtarake, duke deklaruar se “Netanyahu po e çon Izraelin dhe pengjet drejt shkatërrimit”.

Ky qëndrim u shpreh në mënyrë të qartë në letrën drejtuar Trump nga ish-shefi i Mossadit, Tamir Pardo, ish-shefi i Shin Bet, Ami Ayalon, ish-kryeministri Ehud Barak dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Moshe Yaalon.

“Në fillim, kjo luftë ishte një luftë e drejtë, një luftë mbrojtëse, por kur arritëm të gjitha objektivat ushtarake, kjo luftë pushoi së qeni një luftë e drejtë”, thekson Ayalon.

“Ndalo luftën në Gaza! Në emër të CIS, grupit më të madh të Izraelit të ish-gjeneralëve të IDF-së dhe ekuivalentëve nga Mossadi, Shin Bet, ju nxisim të përfundoni luftën në Gaza. Ju e bëtë në Liban. Është koha ta bëjmë edhe në Gaza”, i shkruan ata presidentit të SHBA-së.

Izraeli përballet me një izolim ndërkombëtar në rritje, ndërsa shkatërrimi i përhapur në Gaza dhe vuajtjet e palestinezëve shkaktojnë zemërim.

Sondazhet në të gjithë botën sugjerojnë se opinioni publik është gjithnjë e më negativ ndaj Izraelit, duke ushtruar presion mbi udhëheqësit perëndimorë për të vepruar.

Continue Reading

Lajmet

Drita e Prishtina përballen sot në Gjilan për majën e tabelës

Published

on

By

Kampioni në fuqi, Drita, dhe klubi më i trofeshëm në futbollin kosovar, Prishtina, do të përballen sot në Gjilan në kuadër të ndeshjes së mbetur nga xhiroja e dytë e Albi Mall Superligës. Sfidë kjo ku tri pikët mbajnë një peshë të jashtëzakonshme në luftën për kreun e tabelës.

Ballafaqimi i dy gjigantëve të futbollit vendor do të zhvillohet në stadiumin ndihmës me bari artificial në Gjilan, ku ambalazhohet një përplasje e fortë taktike. Për skuadrën e Dritës, ky takim përfaqëson shansin ideal për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për t’u barazuar me Prishtinën në pozitën e dytë me 26 pikë. Në krahun tjetër, bardhekaltërit nga kryeqyteti synojnë një fitore që do t’i ngjiste në kuotën e 29 pikëve, duke parakaluar lideren aktuale, Malishevën, që udhëheq me 27 pikë.

Format e të dyja ekipeve paralajmërojnë një duel mjaft interesant. Drita hyn në këtë përballje pas katër fitoreve radhazi në kampionat, përfshirë edhe një triumf bindës 0-3 të arritur pikërisht ndaj Prishtinës në kryeqytet. Ndërkaq, Prishtina – e cila e e nisi këtë edicion me shtatë fitore rresht – ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë dulet e fundit, duke kërkuar kësisoj këndelljen në një nga transfertat më të vështira të sezonit.

Peshën e takimit e rrit edhe bilanci i historikut mes tyre. Në dhjetë përballjet e fundit, Drita dominon me pesë fitore kundrejt dy të Prishtinës, ndërsa tri sfida janë mbyllur me barazim. Sidoqoftë, Prishtina mbetet skuadra më e dekoruar në vend me 11 tituj kampioni, nëntë Kupa dhe 11 Superkupa pas pavarësimit të futbollit kosovar. Nga ana tjetër, Drita ka konsoliduar suksesin në futbollin e pasluftës me pesë tituj kampioni, dy prej të cilëve radhazi në edicionet e fundit, duke i dhënë këtij derbi të gjitha përbërësit e një përplasjeje të madhe sportive. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Galatasaray triumfon ndaj Stuttgartit: Batrakov dypikësh dhe vendimtar në Stamboll

Published

on

By

Galatasaray ka arkëtuar tri pikë me mjaft peshë në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Stuttgartin me rezultatin 2-0 në kuadër të xhiros së katërt të fazës së ligës.

Skuadra turke e nisi sfidën me një ritëm të lartë dhe arriti të krijojë epërsi të dyfishtë që në 15 minutat e para. Protagonist i padiskutueshëm i takimit ishte Alexey Batrakov, i cili realizoi të dy golat e vendasve. Fillimisht, ai shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës për të zhbllokuar shifrat, ndërsa tri minuta më vonë çoi peshë tifozët duke dërguar topin në rrjetë pas asistimit të Davinson Sanchez.

Gjermanët provuan të reagonin që në minutat e para, por Jamie Leweling goditi shtyllën. Në vijim, Stuttgarti rriti presionin përmes tentimeve të Chris Fuhrich dhe Deniz Undav, mirëpo portieri i vendasve, Ugurcan Cakir, u shfaq në formë të shkëlqyer duke ndalur çdo rrezik. Në pjesën e dytë, Fuhrich realizoi një gol të bukur nga distanca, mirëpo pas rishikimit në sistemin VAR, realizimi u anulua për pozitë jashtë loje.

Përbaljka u karakterizua nga një atmosferë mjaft e tensionuar në fushë, ku gjyqtari shpërndau tetë kartonë të verdhë, ndërsa në një moment shpërtheu edhe një përplasje e ashpër mes Deniz Undav dhe Baris Alper Yilmaz.

Pavarësisht trysnisë së mysafirëve, Galatasaray ruajti epërsinë deri në bilbilin e fundit. Me këtë fitore, gjiganti turk ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve në pozitën e 14-të të tabelës, ndërsa Stuttgarti mbetet në vendin e tetë me shtatë pikë të grumbulluara. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Barcelona shkëlqen ndaj Aston Villas: Katalunasit triumfojnë bindshëm 3-0

Published

on

By

Barcelona ka regjistruar një fitore të madhe dhe mjaft bindëse para tifozëve të vet, duke mposhtur Aston Villan me rezultatin e pastër 3-0, në kuadër të xhiros së katërt në fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.

Skuadra katalunase diktoi ritmin që nga fillimi i takimit. Talenti Lamine Yamal i dha avantazhin e hershëm vendasve, duke zhbllokuar shifrat pas vetëm shtatë minutave lojë. Ndonëse Aston Villa provoi të kundërpërgjigjej dhe pati një mundësi të mirë përmes Johan Manzambit, i cili dështoi nga afërsia, mysafirët nuk arritën të konkretizojnë.

Dominimi i Barcelonës u konfirmua edhe në pjesën e dytë. Raphinha u përkujdes për golin e dytë në minutën e 52-të pas një bashkëpunimi të bukur me Ferminin, ndërsa po i njëjti lojtar vulosi triumfin me një tjetër realizim spektakolar në minutën e 64-t.

Me këtë fitore të merituar, Barcelona ngjitet në kuotën e nëntë pikëve në tabelë, duke barazuar pikërisht me Aston Villan pas katër ndeshjeve të para në këtë fazë të kompeticionit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bayern Munich triumfon në Madrid: Bavarezët mposhtin Atleticon dhe ngjiten në tetë pike

Published

on

By

Bayern Munich ka korrur një fitore të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur Atletico Madridin si mysafir me rezultatin e pastër 2-0. Me këtë sukses, skuadra bavareze arrin në kuotën e tetë pikëve, duke vazhduar ngjitjen në renditjen e përgjithshme.

Pjesa e parë e takimit u karakterizua nga një lojë e fortë taktike dhe u mbyll pa gola të shënuar. Megjithatë, bavarezët arritën të zhbllokojnë shifrat në fillimin e pjesës së dytë, kur Lennart Karl shfrytëzoi mjaft mirë një mundësi brenda zonës për të kaluar mysafirët në epërsi.

Pavarësisht përpjekjeve të Atletico Madridit dhe lëvizjeve taktike nga trajneri Diego Simeone për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, Bayerni mbeti rrezikues. Mbrojtësi Dayot Upamecano ishte afër golit të dytë me një goditje që u devijua në traversë nga portieri Jan Oblak, por trysnia e gjermanëve u shpërblye sërish. Pas një krosimi të saktë nga Harry Kane, Konrad Laimer goditi fuqishëm duke e dërguar topin në rrjetë për të dyfishuar avantazhin.

Bavarezët realizuan edhe një herë në fundin e ndeshjes, por goli u anulua nga gjyqtari për shkak të një faulli paraprak. Me këtë triumf, Bayern Munich regjistron fitoren e dytë krahas dy barazimeve në këtë fazë të garave, ndërsa spanjollët mbeten pa pikë nga ky duel i vështirë në shtëpi. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara