Lajmet

Abdixhiku-Kurtit: Pse keni frikë, kur i keni krejt

Published

on

Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së, deklaroi sot në Kuvend, se prograimi i qeverisë një dokument 60 faqesh i përgatitur për 60 ditë, nuk ka as argument e as ide të fjalës.

“Për befasinë time e tonën, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore që kam lexuar ndonjëherë – e që mban titullin e Programit Qeverisës për 4 vjet”, u shpreh ai./UBTNEWS.

Fjalimi i plotë

Të presësh 60 ditë për një program qeverisës nuk është ndonjë tragjedi.

Qeverive të reja, të papërvoja, ju duhet kohë.

Kohë për të projektuar ecjen e gjithë aparatit shtetëror për 4 vjet mandat.

Të presësh 60 ditë e të marrësh një dokument 60 faqesh si përfundim, veç fillon të keshë dyshim mbi aftësinë e dikujt që të gjitha problemet ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, të rendit e ligjit, të sigurisë e integrimit, të dialogut e punësimit, të korrupsionit e nepotizmit, të kapjes e pandemisë – do t’i përfshijë në 60 faqe platformë.

Dyshimin disi e kapërcen sepse faqet megjithatë s’e bëjnë përmbajtjen. Përmbajtjen e përbëjnë argumentet e idetë e fjalës. Sa të fuqishme, sa konkrete e sa kreative janë ato.

Por, ky dokument 60 faqesh i përgatitur për 60 ditë, nuk ka as argument e as ide të fjalës. Për befasinë time e tonën, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore që kam lexuar ndonjëherë – e që mban titullin e Programit Qeverisës për 4 vjet.

Dhe s’po e them këtë si kritikë sa për hir të opozitarizmit. Është një dokument që s’përmban ndonjë masë, ndonjë matje e ndonjë numër. S’përmban as kohë se kur do të nisë e kur do të përfundojë një politikë qeveritare për katër vjet planifikim. S’thotë gjë, askund – përjashto ndonjë politikë dytësore aty – këtu se çfarë problemi do të adresojë, çfarë rezultati do të japë, kush do ta implementojë, sa do të kushtojë, e si do ta bëjë atë. Këtë pret secili nga një Program Qeverisës. Çfarë do të bëhet për katër vjet e si do të duket vendi ynë i përbashkët katër vjet nga sot?!

“Do të bëjmë politika të mira”, thotë Programi Qeverisës në pothuajse secilin sektor. Ec e definoje abstraktin e një hartimi të tillë. “Do të bëjmë politika të mira”, s’është masë! Është deklaratë. Është parullë. Në Programin Qeverisës parullat vend s’kanë. Ato as nuk maten as s’udhëzojnë. Ato thjeshtë jepen sa për të mbushur vend.

Janë dy shkaqe e arsye prapa një mosdefinimi të tillë. E para, ndoshta sepse nuk dini e nuk e keni të qartë as ju se çfarë do të bëni tani që jeni në pushtet. E dyta, sepse keni frikë nga vendosja e synimimit e qëllimit. Sepse qëllimi me gjithë masa është i matshëm. Matja tregon dhe progres. E kur s’ka progres, nëpërmjet matjes, shpërfaqet ngecja. Duket se Qeveria me këtë plan ka treguar frikën nga kritika ndaj ngecjes – sepse nuk i beson vetes. E për shkak të frikës nga ngecja, kanë hequr dorë edhe nga përpjekja.

E pse keni frikë, kur i keni të gjitha, kur i keni krejt, këtë nuk e kuptoj dot?! Programin duhet ta përdorni si udhërrëfyes tuajin, e tonin bashkërisht. Ta matni veten e të ju masim ne e qytetarët bashkërisht për gjërat që jeni zotuar se do t’i bëni.

S’mund të vazhdoni të qeverisni me inercion!

As duke e kritikuar të shkuarën. Për këtë kritikë qytetarët kanë dhënë një verdikt. Juve një shpërblim 50 plus përqind, të tjerëve një dënim. Tash do të ju masin njëtrajtësisht për të ardhmen. Për t’iu matur duhet të tregoni fillimisht se çfarë keni për të bërë në katër vjet. Dhe këtë nuk arrini dot ta shpërfaqni në dokumentin më të rëndësishëm parashikues tuajin – në Programin Qeverisës.

S’e arrini dot sepse – për shembull – gjithë shëndetësinë, problemin numër një të qytetarëve tanë e përmblidhni me 344 fjalë në një faqe program. 344 fjalë për shëndetësi në katër vjet – një Qeveri e tërë s’mund ta prodhojë si dokument. Është mungesë e plotë e ambicies e përpjekjes.

Dhe në këtë një faqesh për shëndet, as një fjalë për shumën e parave që do t’i jepni – si shumë nominale apo relative e GDP-së pa dallim. Asnjë fjalë për spitalet që do t’i ndërtoni, investimet në pajisjet e vjetruara që do t’i bëni, klinikat që do t’i funksionalizoni – e edhe më pak për premiumet e fondit shëndetësor aq të nevojshëm që do t’i implementoni. As datë, as numër, as masë. Për katër vjet plan e program, asnjë e dhënë.

Po aq e thatë, sikurse shëndetësia, mbetet edhe pjesa ekonomike e programit. Nuk besoj që në historinë ekonomike të ndonjë qeverie në rajon e Evropë pa dallim, të jetë në gjendje dikush të shkruajë kaq shumë fjalë pa asnjë parashikim, pa asnjë numër, pa asnjë vlerësim. Blanko.

Ky program s’arrin të tregojë se sa do të jetë rritja ekonomike në vend për secilin vjet, sa do të ulet papunësia, sa do të ngushtohet deficiti tregtar e sa do të rriten investimet e huaja, çdo vjet – për katër vjet.

E ftoj Qeverinë e Kryeministrin të na tregojë, sot, këtu, indikatorët kryesorë ekonomik të vendit për mandatin e tij qeverisës. Sa do të jetë rritja ekonomike në katër vjetët e tua? Çfarë rritjeje synon për secilin vit? Çfarë buxheti do të kesh? Ku do ta ndash me prioritet?

Nëse në shëndetësi – në rregull – por, sa?

Nëse në arsim – në rregull – por, sa?

Nëse në rend dhe ligj – në rregull – por, sa?

Nëse në investime kapitale – në rregull – por, sa?


Dhe në fund, pasi t’i keni bërë gjithë këto, të na tregoni se sa të papunë do t’i kemi katër vjet nga tash? Sepse punësimi është brenga kryesore e qytetarëve tanë sot e sa vjet. E keni për obligim t’u tregoni atyre, dhe vetes, se çfarë rruge dëshironi të ndiqni në këtë mandat. Atyre sepse e presin nga ju. Vetes sepse kështu e qartësoni rrugën përpara. Rrugë paushalli s’mund të ketë. Shohim e bëjmë një program qeverisës s’mund të jetë. Një paragraf të tërë e keni për punësim. Një paragraf. Për problemin numër një të kosovarëve, një paragraf përshkrim, në stilin “do të bëjmë mirë”. Çka do të bëni zonja e zotërinj? Kjo kërkohet nga ju në Programin Qeverisës.

Pjesa më shqetësuese për mua, dhe për LDK-në në përgjithësi mbetet prezantimi i tre masave puro të majta, puro socialiste, që në thelb kanë ndërmend ta forcojnë madhësinë e shtetit në ekonomi, rritjen e burokracisë e keq shfrytëzimin e parasë publike për mirëmbajtjen e ndërmarrjeve të destinuara për humbje. Pra, ky program i majtë në skajshmëri që synon ta shtojë rolin e pronës publike në ekonomi, nuk ka kuptuar asgjë për dështimet e 20 vjetëve të fundit. Nëpërmjet Fondit Sovran, synon të ndërtojë një super ndërmarrje publike – natyrisht burokratike – ku i bën mishmash ndërmarrjet në fitim e ato në humbje; të rrënuarat e funksionalet, të gjitha në një, pa dallim. Natyrisht as këtu s’jepet datë kur e si do të nisë ky Fond; por, për aq kohë sa nuk nisë aq më mirë për Kosovën.

Nëpërmjet Agjencisë Zhvillimore, pushteti synon të replikojë – në plotni por pa nevojë në tërësi – Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ta krijojë një Ministri mbi Ministri. Se pak kemi ministri. Shpeshtimi i niveleve të shtetit ka vetëm një emër – i thonë burokraci. E burokracia ka vetëm një rezultat, dështim. E nëpërmjet Bankës Zhvillimore, pushteti, synon që dhjetëra e qindra milionat e veta e tonat pa dallim, t’i kapitalizojë në një treg financiar të stërmbushur me kreditim. S’e bën këtë për ndonjë efekt; sepse efekt në atë treg nuk do të ketë – dhe këtë ky pushtet e di. Shteti jonë as s’do të ketë mjete e as treg për t’i konkurruar sektorit financiar në vend. Edhe po t’i kishte s’do të duhej ta bënte, sepse ka shëndetësinë e arsimin e rendin e ligjin në nivele dëshpëruese për para. Pushteti e bën këtë për të dhënë mesazh politik, ideologjik – me zero efekt gjithsesi.

Në politikën e jashtme, Qeveria e re tregon mungesë të plotë vizioni e saktësie. Por jo edhe të ambicies. Qeveria na thotë se brenda mandatit të saj katër vjeçar, po e citoj këtë sepse është perlë, “Kosova do të jetë e gatshme” dhe “do të paraqesë kërkesë për anëtarësim në BE”.

Ta mbajmë si referencë. Do të ishte shumë më reale sikur ky program do ta adresonte fillimisht çështjen politike – dhe jo teknike si e konsideron – të lëvizjes së lirë. Sepse lëvizja e lirë është bërë çështje politike tashmë. Kjo Qeveri, në këtë program do të duhej të garantonte se tema e lëvizjes së lirë, nuk do të ndërlidhet fare me dialogun me Serbinë.

Do të ishte shumë më reale, po ashtu, sikur ky program, do të tregonte synime më reale në sigurimin e ndonjë njohjeje, në anëtarësimet në Interpol, UNESCO e organizata të tjera ndërkombëtare. Të tregojë një aspiratë të vetme për një anëtarësim shumë më të thjeshtë sesa ai i BE-së. As Interpoli, as UNESCO, e as Këshilli i Evropës, e as edhe një organizatë tjetër ndërkombëtare – nuk përmendet as edhe një herë në këtë program sipërfaqësor.

E do të ishte shumë më reale, dhe e pritshme, që ky program të jepte një pasqyrë që Republika e Kosovës do të ndiqte në dialogun me Serbinë. Në këtë pasqyrë të shtronte qartë e pa hezitim tri parimet themeltare që Kosova duhet t’i ketë në dialog: integritetin territorial, karakterin unitar e frymën kushtetuese që Kosova ka. Meqë parimet s’janë, s’janë as edhe afatet kohore për dialog. E meqë s’ka as parime as afate në program, s’ka, sërish, si në çdo temë tjetër në këtë program, as qartësi mbi rrugën që Qeveria e Kosovës do të ndjekë për katër vjet.

***

Në fund fare, më lejoni të ngrisë dhe një çështje të rëndësishme, të përmendur në programin tuaj qeverisës por që tejkalon përmasat e prizmit partiak. Të padisë së paralajmëruar për gjenocid kundër Serbisë.

Kjo padi është obligim i gjeneratës së tanishme, për gjeneratat e shkuara për viktimat e vendit, për historinë e Kosovës; por, mbi të gjitha është trashëgimi që ne të gjithë bashkë duhet t’ua kalojmë gjeneratave të ardhshme.

Përgatitja për padi kapërcen kapacitetet e një Qeverie; sepse para së gjithash, një padi e tillë përfaqëson një popull të tërë – të tërë në plot kuptimin e fjalës. Si e tillë, ajo duhet të përgatitet mirë; aq mirë sa të mos dështojë. Sepse, dështimi më pas është njollë për të ardhmen e përbuzje e pafalshme për viktimat, e gjithë të shkuarën. Prandaj, ju ftoj që të njëjtën të mos e trajtoni për ndonjë poen të përkohshëm politik, por ta trajtoni si obligim të shenjtë për të gjithë. Mos e dështoni këtë padi.

Ju faleminderit.

Botë

Shtëpia e Bardhë thotë se shkurtimet e vendeve të punës janë ‘të afërta’ pa asnjë fund të mbylljes së punës në horizont

Published

on

By

Shtëpia e Bardhë thotë se pushimet masive nga puna të punonjësve federalë amerikanë do të fillojnë brenda dy ditësh, ndërsa legjislatura shkëmben akuza për mbylljen e parë të qeverisë në pothuajse shtatë vjet.

Mbyllja filloi të mërkurën pasi republikanët dhe demokratët në Kongres nuk arritën të bien dakord për një plan të ri shpenzimesh para afatit të mesnatës.

Ka pak shenja se secila palë është e gatshme të bëjë kompromis, dhe votimi për t’i dhënë fund mbylljes dështoi vetëm disa orë pasi ajo filloi, shkruan BBC.

Senati është mbyllur që atëherë, duke ngritur frikën se mbyllja mund të zvarritet dhe të kërcënojë qindra mijëra vende pune, si dhe të rrezikojë t’i kushtojë ekonomisë amerikane miliarda në humbje prodhimi.

Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën pasdite, Zëvendëspresidenti JD Vance bëri një paraqitje të rrallë së bashku me Sekretaren e Shtypit Karoline Leavitt dhe akuzoi Demokratët se po luajnë lojëra politike.

“Nëse janë kaq të shqetësuar për efektin që kjo po ka tek populli amerikan, dhe duhet të jenë, ajo që duhet të bëjnë është të rihapin qeverinë, jo të ankohen se si reagojmë,” tha ai.

Ndërkohë, Leavitt tha se shkurtimet masive të vendeve të punës do të ndodhin brenda dy ditësh. “Ndonjëherë duhet të bësh gjëra që nuk dëshiron t’i bësh,” tha ajo, duke shtuar se “Demokratët na kanë vënë në këtë pozicion”.

Ky ishte sulmi i fundit në atë që ka qenë një lojë e hidhur fajësimi midis të dyja partive, me demokratin kryesor të Senatit Chuck Schumer që më parë akuzoi Republikanët se po përpiqen të “ngacmojnë” Demokratët që të pranojnë planin e tyre të financimit./D.B/KP

 

Continue Reading

Lajmet

Edhe një ditë kohë për të aplikuar subvencionim të teksteve shkollore

Published

on

By

Vetëm deri nesër (3 tetor 2025)  në ora 23:59 do të mund të aplikohet për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platofrmës e-Kosova. Kështu ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Për të gjithë ata që ende nuk e kanë plotësuar aplikimin e tyre, ky është njoftimi i fundit për të përfituar nga mundësia e subvencionimit. Pas këtij afati, pra nga ora 00:00 e datës 4 tetor, aplikimet nuk do të pranohen më dhe platforma do të mbyllet. Që nga hapja e platformës më 15 gusht 2025 janë pranuar 203,865 aplikime, janë trajtuar 200,679 aplikime, prej tyre janë aprovuar 195,343, janë refuzuar 5336 aplikime, ndërsa në proces të verifikimit mbesin edhe 3186 aplikime. Platforma do të mbetet e qasshme vetëm për koordinatorët komunalë dhe shkollorë, deri në përfundim të trajtimit të aplikimeve të mbetura. MAShTI inkurajon të gjithë prindërit dhe kujdestarët ligjorë që nuk kanë aplikuar ende, të përfundojnë aplikimin brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që fëmijët e tyre të përfitojnë nga subvencionimi i teksteve shkollore dhe materialeve mësimore”, thuhet në thirrjen e MAShTI-it./D.B/EO

Continue Reading

Aktualitet

Fillon fushata sensibilizuese kundër kancerit të gjirit

Published

on

Me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës fillon fushatën sensibilizuese kundër Kancerit të Gjirit.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesionistë shëndetësorë.

“Mamografia është metoda më e rëndësishme diagnostikuese për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Si një ekzaminim radiologjik, ajo mundëson identifikimin e ndryshimeve shumë të vogla në indin e gjirit, shpesh para se këto të jenë të dukshme klinikisht. Zbulimi i hershëm ka rëndësi thelbësore, pasi rrit ndjeshëm mundësinë e trajtimit efektiv dhe ul vdekshmërinë nga kjo sëmundje. Mamografia rekomandohet si mjet skriningu për gratë mbi 40 vjeç, ose më herët për ato me faktorë rreziku, duke qenë një procedurë të thjeshtë, të shpejtë dhe të sigurt për ruajtjen e shëndetit të grave. Gjatë këtij muaji, Mamografi Mobil do të jetë në qytetet e parashikuara në kalendar, sipas datave të specifikuara, nga ora 10:00 deri në 16:00”, thuhet në njoftim të MSH-së.

Me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë njofton se nga data 1 deri më 31 tetor 2025, Mamografi Mobil do të jetë në qytetet e Kosovës./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​De Bruyne: Nuk kam problem me trajnerin Conte

Published

on

Mesfushori belg, Kevin De Bruyne ka mohuar zërat për një përçarje me trajnerin Antonio Conte, pas fitores së Napolit 2-1 ndaj Sporting Lisbonës në Ligën e Kampionëve.

De Bruyne i cili kishte reaguar me nervozizëm kur u zëvendësua në ndeshjen kundër Milanit, tha se marrëdhëniet me Conten janë të mira.

“Me Conten nuk ka pasur kurrë problem. Jam fitues, dua të luaj dhe të bëj diferencën”, deklaroi ai.

De Bruyne ishte vendimtar në triumfin e Napolit, duke asistuar të dy golat e Rasmus Hojland dhe shpjegoi edhe rolin e tij në skemën e Contes, duke theksuar se shpesh lëviz në qendër, ndërsa shokët e skuadrës ndryshojnë pozicione në sulm.

Belgu iu bashkua Napolit këtë verë pas përfundimit të kontratës me Manchester Cityn dhe deri tani ka qenë një nga lojtarët kryesorë të ekipit italian./S.K/KP/Sky Sport/

Continue Reading

Të kërkuara