Kujtesë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 nëntor 1992-1998?
Published
26 minutes agoon
By
UBTNewsNë rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
24 nëntor 1992
50 vjet marrëdhënie midis SHBA-ve dhe Shqipërisë
Në kuadër të Kuvendit Vjetor të Shoqatës Amerikane për Përhapjen e Studimeve mbi ishBS dhe Evropën Lindore që po zhvillon punimet në qytetin Feniks të shtetit amerikan, Arizona, Shoqata për Studime Shqiptare në Shtetet e Bashkuara organizoi një simpozium me titull “50 vjet marrëdhënie midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.
Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, na jep disa hollësi mbi këtë simpozium.
Simpoziumi kishte për qëllim vlerësimin e marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Shqipërisë gjatë 50 vjetëve të fundit. Referatin kryesor e paraqiti dijetari i njohur shqiptaro-amerikan, Nikolla Pano, profesor i historisië në Universitetin Uesten Ilinoi.
Profesori Pano bëri fjalë për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy popujve që në periudhën para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ai theksoi rolin e madh që luajtën shqiptarët e Amerikës në luftën për njohjen dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Prof.Pana analizoi me hollësi zhvillimin e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Tiranës në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore dhe rolin e Komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai pohoi se deri në fillim të viteve ’70 nuk u ndërmorr asnjë hap me rëndësi nga të dy palët për të rivendosur marrëdhënie diplomatike.
Duke filluar në vitin 1973 Qeveria amerikane herë pas herë shprehu gatishmëri për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Mirëpo qeveria komuniste shqiptare nuk tregoi ndonjë interesim. Profesor Pano u kushtoi vëmendje të dukshme faktorëve që çuan në normalizimin e marrëdhënieve në mars të vitit 1991 dhe ecurisë së marrëdhënieve Uashington-Tiranë. Ai vlerësoi rolin që po luan Komuniteti shqiptaro-amerikan për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë gjatë periudhës së vështirë kalimtare nga diktatura në demokraci. Prof.Pano theksoi se ekzistojnë mundësi të mira për zhvillimin e mëtejshëm si dhe zgjerimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në të gjitha fushat.
Ndërkaq, Bernard Fisher, profesor i historisë në Universitetin Hagur, u përqëndrua në referatin e tij në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe gjatë periudhës së mbretit Zog.
24 nëntor 1993
U identifikuan 39 kufoma
Dje dhe sot u bë identifikimi i 39 kufomave, ndërsa kufomat tjera mbetën të paidentifikuara deri më tash, ndonëse ato u shikuan nga të afërmit e viktimave.
Deri më tash janë identifikuar këto kufoma: Bajram Naseri, Xhemajl Bega, Hajrifete Berisha, Hilmie Dulaj, Ismail Fazliu, Hanumshahe Fazliu, Haki Halimi, Basri Haziri, Zeqir Kurteshi, Milazim Adnani, Selim Muriqi, Ismail Masarovski, Nehat Halimi, Xhemajl Jashari, Etem Nuhia, Emin Nuhia, Nusret Ismaili, Belan Prushi, Maliq Ramadani, Imer Ramadani, Sinan Sadiku, Ragip Shaqiri, Emin Sopi, Zejnulla Sylejmani, Avdije Zylfiu, Ilaz Ajeti, Feriz Ajeti, Halit Ajeti, Ekrem Izerovski, Avni Fazliovski, Mekolio Imerovski, Tërpe Janevski, Julia Zosevska, Filip Apostolovski, Xhavid Profilovski, Vaska Profilovska dhe Nase Profilovski.
Për në Kosovë deri sot në orën 12 janë nisur 24 kufoma të identifikuara, ndërsa kufomat tjera që janë identifikuar (sipas listës së lartëpërmendur) deri më tash pritet të nisen brenda ditës së sotme.
Sipas dr.Adem Limanit, ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe të dr.Binak Kastratit, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës, të cilët patën rast të hyjnë dje në morg, identifikimi i kufomave të tjera mund të bëhet vetëm përmes gjësendeve, të cilat nuk janë karbonizuar.
Nga Struga merret vesh se autoritetet maqedonase, të afërmve të viktimave që nuk mund të identifikohen, iu kanë propozuar që kufomat të krematizohen ose të varrosen në një varrezë kolektive. Të afërmit e viktimave theksojnë që kufomat e paidentifikuara të varrosen në një varrezë të përbashkët.
Personat që kanë pasur rast t’i afrohen morgut, theksojnë se varrimi i kufomave duhet të bëhet sa më shpejt.
Të afërmit e viktimave janë pritur mirë nga bashkëkombasit tanë në Strugë dhe në Ohër.
24 nëntor 1994
RFI për shkallëzimin e represionit në Kosovë
Në një raport që e emitoi mbrëmë Radio-Franc International, emisioni në gjuhën serbo-kroate, thuhet se pushteti serb në Kosovë këto ditë ka burgosur mëse 30 aktivistë të partive politike shqiptare dhe të sindikatave të pavarura, që e përbëjnë kryesisht shqiptarët e Kosovës. Sindikata bëri me dije se janë burgosur 30 aktivistë dhe anëtarë të saj, kryesisht udhëheqës të ish-shërbimeve të punëve të brendshme. Arrestimet janë kryer në Prishtinë, Prizren, Suharekë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë dhe Ferizaj.
Në Rahovec është arrestuar gati gjithë udhëheqja lokale e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa anëtarë të Këshillit për Vetëfinancim të shërbimeve shqiptare. Kundër tetë prej tyre dje u caktua paraburgimi prej 30 ditësh dhe janë hapur hetimet kundër cenimit territorial të së ashtuquajturës Jugosllavi.
Pushteti serb deri tash nuk është prononcuar lidhur me arrestimin e ish-punëtorëve të punëve të brendshme dhe nuk u kanë lejuar avokatëve që të marrin kontakt me klientët e tyre. Për këtë arsye ende nuk mund të flitet me siguri për shkaqet dhe për masat e këtyre arrestimeve. Mirëpo nëse edhe kundër tyre hapen hetimet, atëherë në Kosovë aktualisht pritet të dënohen për shkak të cenimit të tërësisë territoriale mëse 60 shqiptarë nga Kosova.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës kumtoi se ditëve të kaluara policia serbe keqtrajtoi brutalisht dhe arrestoi me dhjetëra aktivistë të Lidhjes Demokratike në disa komuna të Kosovës. Represioni është shtuar dukshëm, thuhet në komunikatë, edhe kundër shkollës shqipe dhe sportistëve kosovarë, kurse janë përherë më të shpeshta aksionet e bastisjes të familjeve shqiptare dhe ekspeditat e plaçkitjes së tregjeve në Kosovë. Lidhja Demokratike vlerëson se pushteti serb, duke shtuar terrorin, përpiqet që me dhunë t’ua imponojë shqiptarëve të Kosovës vullnetin e vet, me çka vetëm ridëshmohen vlerësimet shqiptare se pushteti serb nuk është i sinqert kur deklarohet për dialog si mënyrë e vetme e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Në këtë raport të Radio-Franc International përmendet edhe rasti i gazetarit të sportit Gani Kosumi. Më shumë se shtatë orë pardje ai është mbajtur në një të ashtuquajtur “bisedë informative” në polici, i cili sërish është thirrë në bisedë edhe për sot. Ndër të tjera policia është e interesuar edhe për punën e disa gazetarëve në Kosovë, thuhet në fund të këtij raporti.
24 nëntor 1995
U shënua 26 nëntori – Dita e Universitetit të Prishtinës
Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, sot u mbajt një mbledhje solemne për nder të Ditës së Universitetit – 26 Nëntorit.
Fjalën e rastit e paraqiti rektori i UP-së Ejup Statovci, i cili i bëri një paraqitje historikut katërvjeçar të punës së Universitetit të Prishtinës jashtë objekteve të tij dhe në kushte okupimi dhe theksoi se 26 nëntori s’ka si mos të jetë një nga ato ditët e shënuara dhe historike për Universitetin dhe popullin tonë. Kjo do të hyjë në histori si një nga ditët e shënuara kurKuvendi i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës vendosi që Universiteti të vazhdojë punën si Universiteti i pavarur, i lire dhe ndërtues nën okupimin klasik shkaktërrues, nëpër shtëpia private.
Statovci theksoi se ky vit është i katërti që Universiteti ndërton pavarësisht, por kjo është hera e parë që shënohet 26 Nëntori, ditë kjo e shënuar e Universitetit të pavarur të Prishtinës. Kjo datë është caktuar me Statutin e Universitetit si ditë e shënimit të Universitetit tonë, për dallim nga dita e themelimit të tij, që është 15 shkurti, nënvizoi rektori i UP-së.
Zoti Statovci theksoi se Kuvendi i Universiteti të Prishtinës vendosi më 26 nëntor 1991 të bëjë një ndërtim të paparë e të panjohur për historinë e universiteteve, që UP të vazhdojë punën aq të frytshme e të arritur 22-vjeçare, me mbi 25 mijë student e rreth 1.000 mësimdhënës, në rrugë pa vende e pa lokale të caktuara. Rrethanat, tha ai, deshën që platforma – koncepti dhe strategjia e vazhdimit të Universitetit nën kushte të jashtëzakonshme të bëhet në një depo kripe! Prej aty u përhapën njoftimet e lajmet në botë për Universitetin, por mu aty u derdh edhe presioni i egër dhe barbar i pushtetit serb.
Universiteti i Prishtinës, tha ai, që pandalshëm shkon drejt lartësive duke u transformuar në një Universitet modern në bazë të përvojave positive evropiane e botërore, duke hyrë shkallë shkallë në rrjedhat e universiteteve me dispozitat ligjore të kohës, të cilat janë dëshmuar tani më; me programe e plane mësimore të krahasueshme me universitetet botërore; duke e njohur, pranuar, afirmuar e bashkëpunuar me universitetet, me institucionet shtetërore e diplomatike, me asociacione e organizata ndërkombëtare, duke i hapë rrugën kështu vetes, personelit mësimor dhe studentëve të tij, duke afirmuar çështjen kombëtare në botë, por edhe duke e realizuar e konkretizur shtetësinë e Republikës së Kosovës. Të merituar për të gjitha këto janë mësimdhënësit, populli, studentët dhe institucionet shtetërore, tha, mes të tjerash, rektori Statovci.
Në vazhdim të tubimit solemn me rastin e Ditës së Universitetit, u bë ndarja e diplomave “Profesor emeritus”, të cilat iu dhanë pedagogëve të shquar të këtij universiteti për punën dhe kontributin e tyre në rritën e UP-së.
Këto diploma iu dhanë Akademik Idriz Ajetit, Akademik Mark Krasniqit, Akademik Minir Dushit, dr.Feriz Krasniqit dhe dr.Fehmi Aganit.
Në emër të të shpërblyerve falënderoi Akademik Idriz Ajeti, i cili tha se titujt e dhënë janë njohje e mirënjohje e Universitetit të Prishtinës që i presim me gëzim të madh dhe i marrim me kuptim të dyfishtë. Një, me ta neve na njihen përpjekjet që ne kemi bërë këtu e më se dyzet vjet për të hedhur ndonjë gur në ndërtesën e Kulturës së shqiptarëve këtu tek ne dhe, dy, si dëshmi se brezi i ri shkencor yni do e di të çmojë punën dhe përpjekjet e brezave të paraardhshëm, me ç’gjë provohen raporte të shëndosha të breznive të pasardhshme ndaj të paraardhshmeve, raporte të shëndosha në mes inteligjencisë kulturore e teknike të re dhe të asaj me moshë të madhe.
24 nëntor 1997
“Dojçe Vele” kritikon pagëzimin me emra të huaj të firmave në Jug të Shqipërisë
Radioja gjermane “Dojçe Vele” emetoi mbrëmë një reportazh interesant lidhur me mbishkrimet greke në disa qytete në Jug të Shquipërisë. Autori i këtij reportazhi Odise Kote pyeste se si e ndien vetën qytetarët shqiptarë, të cilët kanë filluar të flasin në gjuhë të huaj kur përmendin lokalet, supermarkatet ose firmat e tyre? Ai shfaqë habinë e tij sesi në bashkitë e Gjirokastrës, Sarandës e Delvinës, ngrehin supet kur i pyet për arsyet e lejimit të një fenomeni të tillë, dhe pyet: A është kjo mungesë kulture dhe dinjiteti e atyre që i përdorin, apo diçka tjetër? Mos ndoshta bashkiakëve të këtyre rretheve u mungojnë njohuritë e mjaftueshme në gjuhën shqipe?! Në vazhdim të këtij reportazhi, gjuhtari dhe profesori i universitetit “Eqrem Çabej”, dr. Valter Memishaj, citohet të ketë thënë: “Vërtetë është problem shqetësues. Populli me një histori mijavjeçare, me një gjuhë që ka ditur të përballojë invazionin e huaj grek, romak, sllav, turk dhe prej gjuhëve të popujve që kanë sulmuar sovranitetin dhe gjuhën e popullit shqiptar, është habi që tash të gjendemi në një gjendje të tillë. Shumë popuj na respektojnë për kulturën që kemi, sheshe dhe rrugë nderojnë me emrat e heronjëve të popullit e të historisë së Shqipërisë, kurse vetë ne në Shqipëri hasim në emërtime të tilla, hasim në indiferencën e organve që mbajnë përgjegjësi për këtë”.
Autori i këtij reportazhi thekson se duket se askush nuk po kujdeset për këtë fenomen, pra për detonimin e identitetit kombëtar dhe, akoma më keq, për asimilimin. Nëse Evropa e kërkon të shkojmë drejt një komuniteti, atëherë rruga drejt saj është përmes theksimit të identiteteve kombëtare, thekson ai, dhe konstaton se mjaft prej shteteve evropiane, me kulturë dhe identitet të konsoliduar kombëtar, marrin masa e sanksione deri edhe kushtetuese në këtë drejtim.
– Ndoshta ndjeshmëria dhe papërgjegjshmëria e organeve tona lokale, në këtë rast në simbiozë edhe me ato qendrore, është për t’u habitur – thuhet në këtë reportazh.
Profesori Memishaj thot se para disa vjetësh me një vendim të Këshillit të Ministrave u krijua një komision i planifikimit gjuhësor që do të merrej edhe me këtë dukuri. Por, ai vetëm sa është shtruar si komision dhe nuk po vepron. Po kështu, edhe bashkitë e qyteteve dhe të prefekturave duhet ta ndjejnë këtë përgjegjësi, ngase ky është elementi i parë i kulturës së kombit, është prezentim i parë që i bëjmë një turisti në mjedisin tonë, është prezentimi i parë që i bëjmë një të huaji për kulturën shqiptare dhe historinë e saj, thotë profesori dr. Valter Memishaj.
Autori i këtij reportazhi ua sheh për të madhe bashkive të qyteteve jugore që nuk e kanë analizuar fenomenin në asnjë prej mbledhjeve të tyre. Për rrjedhojë nuk është marrë asnjë vendim, ligj apo sanksion dhe kjo bëhet më së shumti, si për mungesë të vizionit, ashtu edhe të edukatës qytetare të bashkiakëve dhe këshilltarëve të tyre. Por, snobizmi dhe neglizhienca e sotme, nesër do të ketë një konto tepër të lartë, nënvizohej në fund të këtij reportazhi
24 nëntor 1998
Suedi: “Lufta për Kosovën bëhet nëpërmes internetit”
Në kuadër të raporteve për situatën më të re në Kosovë për të cilën raportojnë të dërguarit e mediave suedeze, sot në teletekstin e TV4 u emetua një lajm interesant nga i dërguari i agjencisë shtetërore të lajmeve TT . Në korespondencën e të dërguarit të TT-së të titulluar “Lufta për Kosovën bëhet nëpërmes internetit”, thuhet se shqiptarët e Kosovës vitet e fundit vuajnë nga datomania (komjuteromania) e zhvilluar. Një shqiptar nga Prishtina, i papunë dhe shumë i varfër, i cili posedon një kompjuter shumë të avancuar, thotë se kompjuteri është prona më e rëndësishme për shqiptarët.
Gazetari komenton se lufta për Kosovën paraqet një shkallë të lartë të luftës me informacion dhe për informacion. Ndërtesat e larta në jug të Prishtinë krijojnë pamje të befasishme sepse një ndërtesë e tillë me 220 banesa ka së paku, po aq antena satelitore të montuara në kulm dhe nëpër mure të saj. Më tutje gazetari sqaron se lufta bëhet mes banorëve shqiptarë të Kosovës dhe shtetit jugosllav i cili me metoda të vjetra komuniste përpiqet të kontrollojë të gjitha informacione jo vetëm në Kosovë por edhe në mediat e lira serbe.
You may like
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 nëntor 1992-1998?
Published
23 minutes agoon
November 25, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
25 nëntor 1992
22 familje në Gllogovc u përzunë nga banesat
Siç shkruan gazeta e sotme “Bujku”, 22 familje shqiptare që banonin në lagjen “Ferronikeli” të Gllogovcit, u përzunë nga banesat e tyre. Autoritetet serbe i detyruan anëtarët e këtyre 22 familjeve të lëshonin banesat e tyre. Shumica e familjeve ishin të ish-punëtorëve të “Ramiz Sadikut”.
Mirret vesh se pas pastrimit dhe meremetimit të këtyre banesave, në to do të vendosen afër 250 refugjatë serbë nga Bosnjë-Hercegovina. Është paraparë që ata të ushqehen në mensën e “Ferronikelit”.
Rol vendimtar në dëbimin e shqiptarëve nga këto banesa si edhe në vendosjen e refugjatëve serbë në to, luajti i ashtuquajturi komisariat për refugjatë, si dhe Bogdan Kecmani -kryetar i Kryqit të Kuq të Serbisë për Kosovën.
25 nëntor 1993
“Le Soar”: Terror i përditshëm psikologjik në Kosovë
Gazeta e njohur belge “Le soar” botoi një artikull më 25 nëntor nga pena e gazetarit të saj Eduard van Velthem, i cili është njohës i mirë i situatës në Kosovë. Në këtë artikull thuhet se arrestimet arbitrare, bisedat informative, pra një varg masash provokuese në betejën e saj kundër atyre që, siç e quan ajo “terrorizëm secesionist” shqiptar në Kosovë, Serbia nuk kursen asgjë në metodat energjike. Raportet e organizatave
humanitare apo të Kombeve të Bashkuara tërheqin vërejtjen rregullisht përkitazi me pikën e vlimit në këtë zonë të Ballkanit. Si dëshmi të fundit gazeta përmend organizatën joqeveritare amerikane Helsinki Uoç dhe përfaqësuesit e saj për Jugosllavi. Ata gjatë qëndrimit në Kosovë patën probleme në Kosovë me policinë serbe.
Qëkur kanë refuzuar vazhdimin e mandatit të misionit të KSBE në këtë rajon, autoritetet serbe, thotë gazeta, kontrollojnë çdo gjë që prek në këtë dosje të përvluar. Dhe askush nuk mund të t’i shmanget në një mënyrë apo tjetër pushtetit të tyre absolut. Gazeta në vazhdim shkruan se përfaqësuesit serbë të komunës së Prishtinës ishin të revoltuar për faktin se shumë gazetarë, personalitete politike apo ekspertë të organizatave humanitare nuk e shohin nevojën që të vijnë, siç thonë ata, as të na shohin. Apartheidi në jetën sociale, kontrolli serb në çdo pore të jetës, atmosfera e frikës, sidomos nëpër fshatra, të kontrolluara nga njësitë speciale: kjo është atmosfera ekzistuese sot në Kosovë, ajo e terrorit të përditshëm psikologjik, e cila në çdo moment mund të rezultojë në gjakderdhje, thotë, në mes tjerash, gazeta belge “Le soar”.
25 nëntor 1994
Represioni në Kosovë
Istog: – Më 19 nëntor, policia e postkomandës së Banjës së Pejës, nën pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpinë e tij, Qazim Hakajn nga Orrobërda e Vogël e Istogut, së bashku me vëllain e tij, Cenë Hakajn, të cilët janë rrahur rëndë. Njoftohet se vëllezërit Hakaj janë rrahur edhe më 21 nëntor, ndërsa më 24 nëntor, policia mori edhe vëllain tjetër, Mustafë Hakaj, i cili po ashtu është keqtrajtuar nga ana e policisë.
Pardje, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpinë e tij, Sylë Maksutajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në Gudenicë të Istogut, i cili u keqtrajtua fizikisht nga ana e policisë. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish dje në stacionin e policisë në Istog.
Mitrovicë: – Dje, rreth orës 10:00, dy policë hynë në shtëpinë e Isuf Jasharit në lagjen “Tavnik” në Mitrovicë, nën pretekst të kërkimit të njëfar Nazmiut, kinse ai u dashka që të paguaj një dënim për kundravajtje në komunikacion.
Pardje, rreth orës 10:00, policia bastisi shtëpinë e Sadik Ademit për të kërkuar djalin e tij, Halit Ademin (21). Bëhet me dije se Halit Ademi tash një kohë gjendet në Gjermani.
Më 18 nëntor, rreth orës 12:00, në të dalë të Mitrovicës, policia serbe i legjitimoi dhe i rrahu pa kurrfarë shkaku nxënësit e shkollës së mesme teknike “Trepça” në Mitrovicë, Canabeg Hysenin (17), Ismet Goxhulin (18), Arsim Istrefin (17), Bekim Sadriun (18) dhe Fahredin Nimanin (17). Bëhet me dije se policia këta nxënës i keqtrajtoi rëndë, ndërsa më së keqi pësoi Canabeg Hyseni. Suharekë: – Dje, rreth orës 13:00, policia bastisi shtëpinë e Adem Salihajt në fshatin Grejkoc të Suharekës, i cili nuk gjendej në shtëpi. Shkaku i bastisjes së shtëpisë së Adem Salihajt tash për tash nuk dihet, ndërsa policia pas kësaj bastisjeje defiloi nëpër fshat nën pretekst së shpërndarjes së disa thirrjeve fshatarëve të Grejkocit.
25 nëntor 1995
Gjermania i akordoi Shqipërisë 63 milionë marka ndihmë
Prishtinë, 25 nëntor (QIK)
Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i akordoi Shqipërisë 63 milionë marka ndihmë në kuadër të bashkëpunimit financiar e teknik mes dy vendeve, njoftoi mbrëmë RTSH.
Do të financohen projektet e furnizimit të popullsisë me ujë të pijshëm.
25 nëntor 1996
Nënë Tereza përjetoi sulm në zemër
Nëna Tereze përsëri përjetoi sulm në zemër, që është sulmi i dytë gjatë tri ditëve të fundit.
Ajo po mjekohet në klinikën e Kalkutës.
25 nëntor 1997
Në aeroportin e Beogradit po mbahen 50 qytetarë të kthyer nga Gjermania
“Ka disa ditë që grupi prej 50 – 70 njerëzish, kryesisht nga Kosova dhe nga Sanxhaku, pa kurrfarë arsyeje, po mbahen në ndërtesën e aeroportit të Beogradit”, shkruan “Koha ditore”, duke iu referuar një deklarate të drejtoreshës së Fondit për të drejtën humanitare, Natasha Kandiq, dhënë agjencisë Beta.
Në njoftim thuhet se ky fond, së bashku me Komitetin serb të Helsinkit do të këkrojë nga organet e Jugosllavisë së vetëshpallur lidhur me arsyen e mbajtjes në aeroport të këtyre qytetarëve.
25 nëntor 1998
Në Bubavec u varrosën dy shqiptarë të vrarë në ofensivën e fundit serbe
Dje në Bubavec të Malishevës u varrosën trupat e dy shqiptarëve, Murat Rexhep Kryeziut (55) e Bajram Ali Kryeziut, të vrarë para tre muajsh nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Trupat e tyre u gjetën para disa ditësh, pas kthimit të banorëve nëpër shtëpitë e tyre.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 23 nëntor 1992-1998?
Published
2 days agoon
November 23, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
23 nëntor 1993
Po dalin në shesh dobësitë që i paraprinë tragjedisë ajrore në Ohër
Fatkeqësia ajrore e aeroplanit të kompanisë “Avioimpeks” të tipit “Jak 42”, që qarkullonte në linjën Gjenevë-Shkup, ndodhi më 20 nëntor 1993 në orën 23 e 30 minuta në afërsi të aeroportit të Ohrit, në vendin Trojansko Polje. Për shkak të motit të lig në aeroportin e Shkupit, binte borë dhe shikimi ishte i dobët, si edhe aeroplanët e tjerë para tij, edhe ky u dërgua të zbresë në aeroportin e Ohrit. Në momentin e fatkeqësisë të gjitha radiolidhjet dhe mjetet e navigacionit në aeroportin e Ohrit punonin normalisht. Gjithashtu ekzistonin edhe kushte të volitshme atmosferike për zbritje, ose saktësisht shikimi ishte rreth 15 kilometra, baza e poshtme e mjegullës ishte larg, shumë më e lartë se minimumi dhe nuk kishte të reshura të shiut e të borës, deklaroi Goran Pavlovski, kryetar i Komisionit shtetëror për përcaktimin e shkaqeve të fatkeqësisë.
Për shkaqe deri më tash të panjohura për ne, piloti i cili duhej të vepronte sipas procedurës së përcaktuar për zbritje, iu shmang lartësisë së sigurisë dhe fluturimi përfundoi me goditje në malin e afërt, e me përplasje në malin e afërt, katër deri 5 kilometra në verilindje të aeroportit, tha Pavlovski.
Siç njofton gazeta e sotme “Bujku”, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Maqedonisë, u formua komisioni shtetëror në krye të të cilit është Goran Pavlovski dhe ky komision do të shqyrtojë shkaqet që sollën këtë tragjedi të rëndë. Në punën e komisionit do të marrin pjesë edhe ekspertë nga disa shtete të tjera.
Me vendimin e qeverisë së Maqedonisë, dita e sotme – 23 nëntori ishte ditë zie në Republikën e Maqedonisë.
Në konferencën e parmbrëmshme për shtyp të “Imperimpexit” dhe “Avioimpexit”, të cilën e udhëhoqën drejtorët Gjorgje Goshev dhe Ilia Smilev, u tha se lista e viktimave me të cilën po manipulohet është ende jozyrtare. Në të janë vetëm emra a inicialet e udhëtarëve që kanë blerë bileta në agjencinë “Prishtina AG” në Gjenevë, thanë ata dhe shtuan se aeroplani ishte i kompanisë ajrore ruse “Aeroflot” ose më saktësisht i “Saratov Aviacon e Kotrendit”.
23 nëntor 1994
Shtohet terrori në Rahovec
U mbush një javë prej se Rahovecin me rrethinë e ka përfshirë një valë e egër dhune e terrori.
Pas arrestimeve të funksionarëve lokalë të LDK-së dhe të sindikatës së pavarur gjatë javës së kaluar, këtyre ditëve forcat serbe ua kanë bastisur shtëpitë të arresturave.
Policia ia bastisi dy herë shtëpinë Gani Mullabazit, deputet i Parlamentit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Rahovec.
Është bastisur edhe shtëpia e dr. Osman Vuçitërnës.
Pas bastisjeve, policia u ka marrë atyre shkresa personale.
Gjatë ditëve të kaluara represioni është përqëndruar edhe në aktivistet e LDK-së në Rahovec. Janë marrë në pyetje në polici Shadije Raba Syla, veprimtare e Forumit të Gruas dhe bashkëshortja e kryetarit të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Rahovec, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së.
23 nëntor 1995
Në Prizren katër të rinj shqiptarë u keqtrajtuan nga persona civilë serbë
Më 22 nëntor në Prizren, Rifat Gashi, Flamur Shala, Veton Bytyçi e Shahin Treshnjaku, nxënës të shkollës së mesme të muzikës “Luçiano Mitroni” në Prizren, u keqtrajtuan fizikisht nga tre civilë serbë, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.
Njoftohet se nxënësit e lartëshënuar, pas përfundimit të mësimit, shkuan në qendër të qytetit në Prizren dhe derisa ata po bënin fotografi, tre civilë serbë iu afruan atyre dhe ua kërkuan fotoaparatin, por kur nxënësit shqiptarë refuzuan t’ua japin atë, civilët serbë i keqtrajtojnë.
23 nëntor 1996
Nënë Tereza u shtrua përsëri në spital
Nënë Tereza u shtrua dje në mëngjes në një klinikë të Kalkutës, pas dhimbjeve që ndjeu në zemër, njoftuan burime spitalore.
Një mjek i ekipit të shenjtores, tha se hollësi për gjendjen e saj shëndetësore do të jepen gjatë ditës.
Nëna Tereza ka marrë Çmimin Nobel për Paqe më 1979, për kontributin e saj në nidhmë të të mjerëve dhe të botës mbarë.
23 nëntor 1998
Bora ka shkaktuar probleme të mëdha në fshatrat e Malishevës
Dëbora e madhe që këto ditë aty këtu ka mbuluar në trashësi mbi 60 cm. fshatrat e komunës së Malishevës, ka shkaktuar probleme të shumta për dhjetra mijëra banorët vendas, por edhe për të zhvendosurit e pa strehë. Krahas prezencës së forcave serbe në qytezën e Malieshvës dhe në disa mjedise tjera krejt etnike shqiptare, por edhe krahas lëvizjeve të shpeshta të këtyre forcave armike, është bora ajo që e ka rënduar gjendjen. Tani më shumë se kurrë, po mungojnë ushqimet e domosdoshme dhe veshmbathjet, shtrojë-mbulojë e ilaçet e kujdesi i domosdoshëm mjekësor. Vdekja u kanoset dhjetëra fëmijëve e personave të sëmurë, të cilët gjatë disa muajve u shtrënguan të jetojnë edhe nën qiellin e hapur. Dhjetëra mijëra banorë të fshatrave malishevase, por edhe mijëra të tjerëve nga fshatrat e Klinës, Gllogocit, Suharekës, Rahovecit etj., të cilët kanë gjetur strehë tash e sa muaj në këtë anë, u duhen ndihma të vazhdueshme për ta përballuar disi gjendjen e rëndë. Por, më së keqi e kanë gjithsesi ata të cilët edhe më tej kanë mbetur jashtë vatrave të tyre e të pastrehët, ndonëse në ndonjë fshat, nga tani janë tërhequr forcat serbe, njerëzit kanë filluar të adaptojnë ndonjë dhomë banimi për të mbijetuar me familje.
Banorët e 42 fshatrave maleshivase, tani e afër 6 muaj, përballen edhe me mungesë të energjisë elektrike dhe për afër 5 muaj, nuk kanë gazetat e tyre ditore dhe as periodike. Megjithatë, më së keqi do të jetë për banorët e qytezës së Malishevës e të Kijevës, të cilët, janë të shtrënguar edhe më tej të qëndrojnë jashtë vatrave të tyre. Ndërsa banorët e fshatrave Llozicë, Balincë, Mleçan, Bubavec, Carrallukë, Tërpezë, etj., janë të shqetësuar e në ankth për çdo ditë për shkak të lëvizjeve të shpeshta të forcave serbe. Nxënësit e 7 shkollave të plota fillore, 4 paraleleve të ndara dhe 2 shkollave të mesme, nuk mund ta fillojnë mësimin ende. Telashe kanë edhe shkollat të tjerët, shkollat e të cilëve janë djegur, shkatërruar e demoluar.
Ardhje të reja të forcave serbe në Kosovë
Sot në orën 12:45 nëpër rrugën magjistrale Podujevë – Prishtinë, nga drejtimi i Serbisë kanë hyrë dy autobusë me policë, dy micubisha, dy llandroverë, një picgauer dhe një kamion.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 nëntor 1992-1998?
Published
3 days agoon
November 22, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
22 nëntor 1993
Në fatkeqësinë ajrore në aeroportin e Ohrit humbën jetën 97 shqiptarë
Në fatkeqësinë e parmbrëmshme ajrore në afërsi të Ohrit, sipas njoftimeve dhe të dhënave të deritashme humbën jetën 115 persona, prej tzre, 107 udhëtarë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa thuhet se shpëtoi vetëm një person.
Në bazë të të dhënave që i siguruan burimet tona në Gjenevë, mirret vesh se përkatësia etnike e viktimave është: 97 shqiptarë, 9 maqedonas dhe 2 francezë. Në mesin e viktimave 4 janë fëmijë të moshës gjer në 2 vjeç, 4 të tjerë gjer në moshën 12-vjeçare, 19 janë femra dhe 81 meshkuj.
Pesë nga viktimat ishin kërkues të strehimit politik në Zvicër, të cilët policia zvicerane i përcolli gjer në aeroplan: Shemsie Hoxha nga Gjakova me të bijën Shukrien fëmijë), Avdurrahim Orlati, Isuf Berisha nga Shkupi dhe Emin Sopi.
Dy prej viktimave ishin francez: Thierry Joubert, anëtar i shoqatës bëmirëse “Equilibre”, i cili shkonte me mision në Kosovë dhe Pierre Ollier, nëpunës i Komisariatit të Lartë për Refugjatë. Udhëtarët ishin kryesisht të punësuar në Zvicër dhe jetonin në kantonet e Gjenevës, Vaud Lozanë), Valesë, Neuchatelit dhe Bernë.
Aeroplani “Yak 42” ishte i prodhimit rus, ndërsa kompania maqedonase e kishte huazuar nga Ukraina.
22 nëntor 1994
Në vend të bustit të Hivzi Sulejmanit u vu shtatorja e njëfar srpski sokolit
Më 17 nëntor, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Hivzi Sulejmani” në Ferizaj, në bazamentin e bustit më parë të përdhosur të Hivzi Sulejmanit, u vu shtatorja e njëfar srpski sokolit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Bëhet me dije se zyrtarët e instasluar serbë në Ferizaj organizuan edhe një solemnitet rasti, në të cilin morën pjesë edhe qytetarë serbë e malazias.
22 nëntor 1995
Dita e Flamurit shënohet edhe në Bullgari
Në organizim të Ambasadës shqiptare në Bullgari, Shoqatës së miqve të Shqipërisë në Bullgari dhe Shoqatës së shqiptarëve në Bullagri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nesër në Sofje do të mbahet një manifestim rasti me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Sipas njoftimit të kryetarit të Shoqatës së shqiptarëve në Bullgari “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Thoma Kacorri këtë manifestim do të shpallë të hapur historiani Bobi Bobev, ndërsa për rëndësinë e kësaj date historike për shqiptarë do të flasë ambasadori i Shqipërisë në Bullgari Xhelal Tahiri.
Në kuadër të këtij manifestimi është paraparë të shfaqet edhe një program kulturo-artistik, në të cilin do të paraqiten këngëtarë dhe artistë që do të lexojnë vargjet tonë social, Migjenit.
22 nëntor 1996
Veshmbathje për familjet e rrezikuara
Forumi i Gruas në krye me Xhylferije Krasniqin dhe Dega e LDK-së në Prizren organizuan një aksion për grumbullimin e veshmbathjes për familjet e rrezikuara të Mitrovicës.
Të shtunën e kaluar, më 16 nëntor një delegacion i FG të LDK-së të Degës së Prizrenit ia dorëzuan FG dhe Degës së LDK-së në Mitrovicë një sasi veshmbathjehe në një vlerë rreht 3200 DM.
Gjatë kësaj jave vazhdoi ndarja e këtyre ndihmave familjeve të nevojtarëve në Mitrovicë.
22 nëntor 1997
Finlandë: Ndihma për Kosovën në ushqim, veshmbathje e barëra
Shqiptarët që jetojnë në Hyvinks të Finlandës, në bashkëpunim me asociacionet e ndryshme humanitare të këtij qyteti, kohë ma përë ndërmorën një aksion për grumbullimin e ndihmave materiale për Kosovën.
Kryetari i Nëndegës së LDK-së dhe i shoqatës “Kosova” në këtë qytet, z. Faton Mulaj, i tha KI të Degës së LDK-së në Finlandë se këto ndihma, kryesisht ushqim, veshmbathje dhe barëra, janë dërguar në Kosovë dhe janë dorëzuar në selinë e shoqatës “Nëna Terezë” në Prishtinë, nga bartësi i këtyre ndihmave, z. Karl Aguson.
22 nëntor 1998
Mbi 10.000 shqiptarë demonstruan në Bernë me kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës
Mbi 10 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria e viset tjera shqiptare demonstruan dje në sheshin para Parlamentit të Zvicrës në Bernë me kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për ndaljen e terrorit serb në Kosovë.
Në demonstratës me moton “Të njihet pavarësia e Kosovës”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë anëtarë të të gjitha partive dhe shoqatave politike e jopolitike shqiptare, si dhe zviceran, miq të shqiptarëve, iu dha përkrahje e plotë politikës së Kryetarit Rugova, si dhe mbështetje e fuqishme luftëtarëve të UÇK-së, drejt realizimit të synimeve kombëtare shqiptare.
Pjesëmarrësit e demonstratës kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare ndërprerjen e terrorit serb në Kosovë dhe dënimin e kryetarit serb Millosheviqe dërgimin e tij në Gjykatën e Hagës.
Para pjesëmarrësve folën shumë oratorë dhe përfaqësues të strukturave politike shqiptare që veprojnë në diasporë, si Hysen Gërvalla, kryetar i Degës së LDK-së për Zvicër, Hafiz Gagica, kryetar i Kolegjiumit të degëve të LDK-së për Diasporë, valdet Avdiu, kryetar i FR të LDK-së për Zvicër, dhe oratorë zviceranë, të cilët dënuan politikën dhe terrorin e regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Para pjesëmarrësve u lexua edhe telegrami i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovësm, akademik Idriz Ajeti.
Demonstratës së shqiptarëve i dhanë publicitet të madh mediat zvicerane.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 nëntor 1992-1998?
Published
4 days agoon
November 21, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
21 nëntor 1994
Gazeta suedeze “Folket”: Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran
Më 17 nëntor e përdithmja suedeze “Folket” nga qyteti Eskilstuna botoi një artikull me titull “Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran”.
Artikulli bën fjalë për historinë, traditat, kulturën dhe gjuhën shqipe dhe vazhdon me një pasqyrë të okupimit të Kosovës në vitin 1989 nga ana e Serbisë.
Shqiptarët, thuhet më tej në artikull, u përjashtuan nga puna për shkak të përkatësisë kombëtare, ata po vriten, burgosen, ndiqen, keqtrajtohen, helmohen; kundër tyre po aplikohet politikë e hapët e aparteidit dhe si pasojë e të gjitha këtyre po bëhet pastrimi etnik i shqiptarëve nga trojet e tyre.
Më tej në artikull bëhet fjalë për mençurinë e shqiptarëve në organizimin e partive politike, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë së vogël, sistemit të shpërndarjes së ndihmave, sportit, kulturës etj., në kushte tejet të vështira.
Shqiptarët e Kosovës kanë shpallë Kushtetutën e vet në vitin 1990, kanë mbajtur Referendumin gjithëpopullor ku janë deklaruar për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, kanë mbajtur zgjedhjet e lira dhe shumëpartiake si dhe kanë zgjedhë presidentin e Republikës së Kosovës.
Në vitet e fundit shqiptarët e Kosovës, të prirë nga presidenti i Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova, kanë bërë mjaft për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke shtruar para bashkësisë ndërkombëtare kërkesat legjitime të popullit shqiptar. Shqiptarëve të Kosovës duhet t’u njihet e drejta për vetëvendosje. Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran dhe i pavarur.
Prandaj të mos harrohet Kosova! Përndryshe do të jetë burim i përhershëm i konflikteve dhe njollë e zezë e bashkësisë evropiane dhe botërore, thuhet në fund të artikullit të gazetës suedeze “Folket”, të cilin e hartoi Dega e LDK-së në Suedi.
21 nëntor 1995
Ngritet akuza e dytë për gjenocid kundër Fatos Nanos
Pas akuzës për gjenocid ndaj disa personave të vrarë në periudhën shkurt-mars 1992, Fatos Nano, lider i Partisë Socialiste, dhe ish-kryeministër para dhe pas zgjedhjeve të vitit 1991, i burgosur për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, tash akuzohet edhe për ngjarjet e 2 prillit të vitit 1991, në Shkodër, njofton ATSH.
Sipas këtij njoftimi të plagosurit e masakrës së Shkodrës, po përgatisin një aktakuzë që së shpejti do t’i kalojë prokurorisë. Në këtë akuzë kërkohet që së bashku me të dënuarit e tjerë për këtë ngjarje të ulen në bankën e të akuzuarve edhe urdhërdhënësit për gjenocidin e ushtruar ndaj popullit të kësaj zone.
Përkujtohet se më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër u vranë 4 persona dhe u plagosën 57 të tjerë, shumica e të cilëve edhe sot vuajnë pasojat e plagëve të marra. Gjykata e rrethit për ngjarjet e atëhershme tashmë ka dhënë dënimin për 5 persona të akuzuar për vrasje, por ky vendim ka lënë të pakënaqur njerëzit të cilët duan që përpara drejtësisë të dalin autorët e vërtetë të krimit dhe urdhërdhënësit e tyre.
21 nëntor 1996
Në fatkeqësi komunikacioni humbi jetën prof.dr. Xhavit Ahmeti
Nga plagët e marra në një aksident komunikacioni në afërsi të Smederevës, sot në orën 11,30 vdiq prof.dr. Xhavit Ahmeti, këshilltar për arsim i kryetarit të Republikës së Kosovës.
Në aksidentin që ndodhi sot rreth orës 8 në autostradën Nish-Beograd, afër Smederevës, u lënduan rëndë edhe Mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm i LDK-së e Agim Spanca, vozitës në Kryesinë e LDK-së, ndërsa nënkryetari i LDK-së Hydajet Hyseni mori lëndime të lehta.
- Hyseni i tha QIK-ut se dr. Xhavit Ahmeti u dërgua me plagë të rënda në spitalin e Neurokirurgjisë në Beograd. Përgjegjësit e këtij spitali thanë se plagët ishin vdekjeprurërse.
Një përgjegjës i spitalit të Smederevës tha se me plagë të rënda në këtë spital gjenden mr. Fatmir Sejdiu dhe Agim Spanca.
Ndërsa Hydajet Hyseni ka marrë lëndime të lehta.
Funksionarët e lartë të LDK-së dhe këshilltari për arsim i kryetarit të Kosovës udhëtonin për në Beograd për të kryer punë në disa ambasada të vendeve perëndimore.
Me vdekjen e prof. dr. Xhavit Ahmetit, shkenca, arsimi dhe lëvizja për pavarësi e Kosovës humbën një prej personaliteteve më të shquara.
21 nëntor 1997
AFP: Franca dhe Gjermania kërkojnë palë të tretë në bisedimet për Kosovën
Prishtinë, 21 nëntor (QIK)
Në një mesazh të përbashkët të enjtën Franca dhe Gjermania kanë ftuar presidentin e Jugosllavisë që të fillojë bisedimet për një status special për Kosovën, ku 9 nga 10 banorët e saj janë shqiptarë etnikë, thuhet në një njoftim të agjencisë frenge AFP, në versionin anglisht.
Në një letër të dërguar, që mbanë datën e të mërkurës (19 nëntor -QIK), e cila i është dërguar presidentit Sllobodan Millosheviq, Ministrat e Punëve të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë, Yber Vedren dhe Klaus Kinkel theksojnë se janë të gatshëm të diskutojnë me Millosheviqin për një numër zotimesh të favor të Jugosllavisë.
“As pavarësia për Kosovën e as status quo-ja nuk mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje paqësore dhe afatgjate për Kosovën”, thuhet në letër. Në versionin frengjisht të lajmit citohet pos kësaj fjalie edhe formulimi: “Një zgjidhje e qëndrueshme në nivelin evropian duhet të parashikojë një status të veçantë për Kosovën”.
Parisi dhe Boni kanë kërkuar nga autoritetet jugosllave të fillojnë bisedimet me shumicën shqiptare në Kosovë nën mbikëqyrje të palës së tretë.
“Vetëm një zgjidhje me negociata në mes përfaqësuesve të Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), Republikës së Serbisë dhe komunitetit shqiptar të Kosovës mund të krijojë themelet për paqë stabile dhe të qëndrueshme në rajon, ndërsa një palë e tretë e pranuar nga palët negociuese do të duhej të mirrte pjesë në bisedime”, theksojnë liderët frengë dhe gjermanë.
Vedren dhe Kinkel do të udhëtojnë për në Bosnje më 4 dhjetor për të diskutuar përgatitjet për një konferencë, e cila to të analizojë rezultatet e marrëveshjes paqësore për Bosnjë të vitit 1995. Ata poashtu kishin planifikuar një vizitë në Serbi për të diskutuar gjendjen në Kosovë, por kjo vizitë është shtyer, thanë ata. Vizita ende qëndron në “orarin e tyre edhe pse është shtyrë për një kohë”, i kanë thënë ata Millosheviqit.
“Franca dhe Gjermania do të ndërmarrin nisma që Unioni Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare do të reagojnë pozitivisht ndaj çdo progresi drejt zgjidhjes paqësore të problemit të Kosovës”, thanë ata.
Në mesin e masave të parapara Vedren dhe Kinkel përmendin hapjen e misionit të UE-së në Prishtinë, kryeqytet i Kosovës, rivendosjen e marrëdhënieve normale diplomatike në mes të UE-së dhe Jugosllavisë, përkrahje përpjekjeve të Jugosllavisë për t’iu bashkuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, vazhdimin e marrëveshjes tregtare në mes të UE-së dhe Jugosllavisë dhe përparimin drejt qëllimit afatgjatë të riintegrimit të Jugosllavisë në institucionet ndërkombëtare si dhe ripërtrirjen e bashkëpunimit me UE.
21 nëntor 1998
Forcat serbe mbajtën dje në shtetrrethim fshatin Prejlep të Deçanit
Forca të shumta të ushtrisë dhe të policisë serbe gjatë tërë ditës së djeshme kanë mbajtur nën rrethim fshatin Prejlep të Deçanit për shkak të vrasjes së dy dhe plagosjes së katër policëve serbë në këtë fshat në rrethana ende të pasqaruara, njofton KI i Degës së LDK-së për Deçan.
Me këtë preteskt forca të mëdha serbe rrethuan në fillim tri shtëpitë e familjes Latifaj, të vetmet shtëpi të fshatit Prejlep që kanë mbetur pa u djegur, dhe në prani të anëtarëve të familjes në mënyrë barbare rrahën e torturuan vellezërit Azem dhe Hazir Latifaj që të dy pleq dhe djalin e Azemit, Musliun, 50 vjeçar. Më vonë këta tre persona forcat policore serbe i morën dhe i dërguan në drejtim të panjohur.
Forcat serbe në këto shtëpi kanë rrahur dhe kanë maltretuar edhe gratë dhe vajzat e këtyre familjeve, Zade dhe Gale Latifaj, pastaj vajzat e Azemit Ajmane e Zylfie si dhe dy vogëlushet e tij Shqipen dhe Gentianën.
Mbrëmë në orët e vona, me ndihmën e verifikuesve të Misionit të OSBE-së, janë liruar të gjithë këta persona. Mirëpo për shkak të dhunës së ushtruar nga forcat serbe, gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë.
Gjatë ditës së djeshme edhe në disa fshatra janë dëgjuar të shtëna nga automatikët.
Situatën në komunën e Deçanit e ka rënduar tepër edhe bora e cila tash dy ditë po bie pandërprerë, sidomos për ato familje të cilat ishin të zhvendosura në vende të tjera dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre të djegura e të rrënuara, thuhet në njoftim.
Foto: Xhavit Ahmeti
Haxhiu në nisje të “16 Ditëve të Aktivizmit”: Kontrolli mbi jetën e gruas është dhunë, institucionet duhet ta ndalin mosndëshkimin
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 nëntor 1992-1998?
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 nëntor 1992-1998?
Arrestohen tre burra në Spanjë, dyshohen për rreth 20 grabitje në vila luksoze
UBT dhe MIDAS IT nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për inxhinierinë e ndërtimit
Samiti BE–Ballkani Perëndimor mbahet sot në Bruksel, në fokus zgjerimi dhe Plani i Rritjes
“Familja moderne” rikthehet në RTK, kësaj radhe në formatin HD
Nga “Avengers: Doomsday” te “The Debut”: 12 filmat më të mirë për t’i parë këtë dhjetor
Jennifer Barreto nga Porto Riko shpallet “Miss Universe 2026”, shënon histori si nëna e parë me këtë kurorë
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoThaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte
-
Lajmet2 months agoVotohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen
-
Vendi2 months ago15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026
-
Vendi2 weeks agoProfesoresha Lisjeta Thaqi Jashari mban ligjërata për inteligjencën artificiale në Universitetin e Salentos