Lajmet

“Jetimët” nga Prishtina drejt Londrës dhe skenave evropiane

Published

on

Shfaqja teatrore, një bashkëprodhim artistik Shqipëri–Kosovë, vjen më 7 shtator në Teatrin Dodona, ndërsa më 12 shtator prezantohet në Londër.

Shfaqja teatrore “Jetimët”, një produksion i realizuar përmes bashkëpunimit artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ngjitet në skenën e Teatrit Dodona në Prishtinë, më 7 shtator 2026, ndërsa pesë ditë më vonë, më 12 shtator, do të prezantohet para publikut në Londër, në King Alfred Phoenix Theatre.


“Jetimët” është një tragjikomedi e fuqishme dhe emocionuese që sjell në skenë historinë e tre njerëzve të formësuar nga vetmia, mungesa dhe nevoja e thellë njerëzore për t’u dashur. Një takim i papritur i vendos ata përballë sekreteve, plagëve dhe të vërtetave që për një kohë të gjatë i kanë mbajtur të fshehura.

 

Duke ndërthurur humorin e zi, tensionin dhe momente thellësisht prekëse, shfaqja lëviz vazhdimisht mes së qeshurës dhe dhimbjes, duke ngritur pyetje mbi familjen, braktisjen, dashurinë dhe nevojën njerëzore për të pasur dikë që mund ta quajmë “tonin”.

 

Një tragjikomedi që të bën të qeshësh, të shqetëson dhe të fton të reflektosh, “Jetimët” vjen si një bashkëpunim artistik Shqipëri–Kosovë dhe bashkon në skenë artistë nga të dyja vendet.

 

Regjia e shfaqjes është e Ilir Bokshit, ndërsa në role interpretojnë Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi. Asistent regjisor është Butrint Pasha, skenografinë dhe kostumet i ka realizuar Petrit Bakalli, muzika është e Butrint Pashës, ndërsa përkthimi është realizuar nga Artur Lena.

Producentë të projektit janë A&M Arts and Films dhe Teatri Dodona.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit CultAlb. Ekipi realizues shpreh mirënjohjen për këtë mbështetje, e cila kontribuon në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Bashkëpunime të tilla ndërmjet institucioneve dhe artistëve të të dyja vendeve krijojnë mundësi të reja për shkëmbim kulturor dhe për prezantimin e krijimtarisë shqiptare në skenat ndërkombëtare.

Pas prezantimeve në Prishtinë dhe Londër, shfaqja “Jetimët” pritet të vazhdojë rrugëtimin e saj ndërkombëtar, me prezantime të planifikuara në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, si dhe me pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të ndryshme teatrore në rajon dhe Evropë.

Përmes këtij projekti, “Jetimët” synon të sjellë para publikut një vepër të rëndësishme të dramaturgjisë bashkëkohore, por edhe të dëshmojë potencialin e bashkëpunimit artistik Shqipëri–Kosovë dhe kontributin e artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare./RTK/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aksident i rëndë në Berlin: Tramvaji ndahet përgjysmë pas daljes nga shinat, dhjetëra të plagosur

Published

on

By

Të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti të rëndë në pjesën lindore të Berlinit, ku një tramvaj doli nga shinat dhe u nda përgjysmë.

Sipas shërbimit të zjarrfikësve, ngjarja ka ndodhur në qarkun Lichtenberg. Tramvaji dyshohet se ka goditur një shtyllë të linjës elektrike gjatë marrjes së një kthese, çka ka shkaktuar shkëputjen e mjetit dhe daljen e pjesës së pasme nga shinat.

Të gjithë të lënduarit janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. Si pasojë e aksidentit, qarkullimi i linjave të tramvajit në atë zonë të kryeqytetit gjerman është pezulluar tërësisht. /Bild/

Continue Reading

Lajmet

Dogana parandalon kontrabandimin e një arme në Aeroportin e Prishtinës

Published

on

By

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar hyrjen e një arme ajrore të padeklaruar gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Arma e llojit revole ajrore “FB Record” (kalibri .177) u zbulua gjatë skanimit të bagazhit të një udhëtari që kishte kaluar nëpër “kanalin e gjelbër”, zonë kjo e destinuar për personat që nuk kanë mallra për deklarim. Për t’iu shmangur kontrolleve, pistoleta ishte e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini e rroba.

Pas zbulimit, arma është konfiskuar dhe i është dorëzuar Policisë Kufitare për hapa të mëtejshëm, ndërsa ndaj udhëtarit kanë nisur procedurat përkatëse administrative dhe ligjore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

U kapën me dokumente të falsifikuara në Merdare, arrestohen dy shtetas turq

Published

on

By

Dy persona, një burrë dhe një grua, shtetas të Turqisë, janë arrestuar në Pikën Kalimtare Kufitare në Merdare, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit në hyrje/dalje, të dyshuarit kanë prezantuar para zyrtarëve policorë dokumente udhëtimi që dyshohet se ishin të falsifikuara.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një grua në banesën e saj në Prizren

Published

on

By

Një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në Prizren.

Ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës. Nën udhëzimin e prokurorit të shtetit, rasti është hapur si “Hetim i vdekjes”.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa njësitet policore po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara