Lajmet
Lojërat Mesdhetare: Një delegacion ndërkombëtar inspekton impiantet sportive në Prishtinë
Published
5 months agoon
By
UBT NewsNga 4 nëntori deri më sot është zhvilluar në Prishtinë vizita e parë në terren e përfaqësuesve të RCAG, kompanisë fituese për hartimin e projektit për Lojërat Mesdhetare 2030.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte nisja e bashkëpunimit praktik në fazën përgatitore të projektit dhe krijimi i një kuptimi të përbashkët mes palëve për pritshmëritë dhe drejtimin që duhet të marrin punët që duhet të përfundohen.
Delegacioni në fjalë ka parë nga afër infrastrukturën aktuale sportive në Kosovë duke inspektuar disa prej impianteve kryesore sportive si stadiumin “Fadil Vokrri”, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, Bulevardet e Prishtinës (lokacioni i garave të 3×3 basketbollit), Lokacionin e kompleksit olimpik të notit, Parkun Kombëtar të Gërmisë, Zonën e parashikuar për Fshatin e Sportistëve, Qendrën e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe hotelet e parashikuara për “Games Family”.
“Janë dy nivele kyçe në të cilat ata do të fokusohen. Numër një është plani i operimeve dhe i shërbimeve të cilat ne do t’i ofrojmë familjes mesdhetare e cila sot ta vizitojë Kosovën dhe natyrisht ajo pa të cilën nuk mundemi dhe kjo është infrastruktura sportive dhe infrastruktura e përgjithshme e cila duhet të krijohet për t’i organizuar Lojërat Mesdhetare. Një nga temat shumë të rëndësishme do të jenë burimet njerëzore, pra si do ta arrijmë nivelin që sa më shumë staf profesional lokal të jetë i kyçur në Lojërat Mesdhetare dhe plani ynë dhe parashikimet tona janë që mbi 500 persona të rinj nga Kosova do të jenë të angazhuar në nivele të ndryshme të memaxhmentit të organizimit të Lojërave Mesdhetare”, bëri të ditur Aliti.
Rekomandimet e dala nga kjo vizitë, sipas Fidan Shatrit nga Ministria e Sportit, do të përfshihen në masterplanin e Lojërave Mesdhetare.
“Ideja e vizitës është nga kompania përfituese e masterplanit që të jenë fizikisht këtu për t’u informuar për detaje të ndryshme që të marrin sa më shumë informata që hyjnë në funksion të hartimit të masterplanit për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’. Në këtë kontekst ne e kemi një bazë pasi që marrja e këtyre lojërave është një dokument i cili fillimisht është hartuar në atë kohë, pra libri i kandidimit dhe pastaj kontrata e kryeqytetit që është njëkohësisht edhe garanci e qeverisë së Kosovës për zhvillimin ose kandidimin në atë kohë dhe marrjen e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030′”, theksoi Shatri.
Ndërsa shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Prishtinës Vllaznim Osmani theksoi se pas kësaj vizite, do të bëhet më e qartë se në cilat pika infrastrukturore sportivet duhet të intervenohet menjëherë.
“Ky është takim fillestar dhe normal është e kuptueshme që disa prej objekteve ekzistuese në kryeqytet dhe jo vetëm është mirë të shikohen se cilat janë intervenimet që duhet të bëhen për të pasur mundësi që këto arena të shfrytëzohen për këto lojëra. Mirëpo ne e dimë prej studimeve që i kemi bërë vet si kryeqytet që këto nuk janë të mjaftueshme dhe janë shumë të limituara, mirëpo është mirë që të bëhet një analizë e mirëfilltë prej kompanisë e cila ka eksperiencë të madhe në këtë fushë për ta kuptuar se cilat janë ato elemente që ne duhet t’i rregullojmë për të pasur mundësi t’i shfrytëzojmë dhe cilat janë nevojat adekuate për të investuar në infrastrukturë të re”, deklaroi Osmani.
E përfaqësuesi i kompanisë RCAG, Rob Clarke, thotë se është momenti që Kosova të nis menjëherë me punët konkrete në terren për Lojërat Mesdhetare.
“Mendoj se përshtypja jonë është se koha është e mirë. Tani është momenti për të filluar me strategjinë dhe planin e zbatimit. Besoj se periudha prej katër deri në katër e gjysmë vjet ofron një mundësi të mirë për të menduar në mënyrë të hollësishme për ndikimin që do të ketë trashëgimia e Lojërave. Pra, jo vetëm planifikimi për Lojërat, por edhe mendimi për trashëgiminë. Kjo përfshin aspektin fizik, trashëgiminë infrastrukturore. Së fundi, ne kemi diskutuar pikërisht planet e zhvillimit të infrastrukturës për lojërat. Po ashtu, duke menduar edhe nga aspekti ekonomik, cilat janë mundësitë e mundshme të biznesit për kompanitë vendore që të ndihmojnë me ofrimin e mallrave dhe shërbimeve për lojërat.”, tha Clark.
Agjenda përfshinte prezantimin e palëve kryesore të përfshira në projekt, njohjen me qytetin dhe ambientet sportive, si dhe harmonizimin e objektivave për fillimin e zbatimit të fazave të ardhshme të planifikimit./S.K/KP/
You may like
Lajmet
Shuhet ëndrra e Kosovës për Botëror, Turqia fiton minimalisht
Published
9 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje me rezultat 0-1 ndaj Turqisë duke i dhënë fund shpresave për kualifikim në Kampionatin Botëror.
Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Kerem Aktürkoğlu në minutën e 53-të, një gol që rezultoi vendimtar për fatin e takimit.
Kosova pati përpjekje gjatë gjithë ndeshjes për të barazuar rezultatin, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Në minutat shtesë, loja u tensionua edhe më shumë, ku pati kartonë të verdhë dhe ndërhyrje të shumta nga të dyja skuadrat.
Kjo humbje zyrtarizon eliminimin e Kosovës nga gara për një vend në Botëror, duke shuar kështu një tjetër ëndërr për përfaqësuesen.
Lajmet
Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi
Published
16 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.
Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.
Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.
Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.
Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.
Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.
Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.
Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës
Lajmet
Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”
Published
17 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.
Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.
Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.
Shuhet ëndrra e Kosovës për Botëror, Turqia fiton minimalisht
Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi
Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it
Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”
Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze
Alumni i UBT-së udhëheq punëtorinë mbi psikologjinë klinike dhe formulimin e rasteve me studentët e nivelit master
Botërori është afër: “The Guardian” i thur lavde rrugëtimit emocional të Kosovës
Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha
Lufta në Iran: Çfarë po ndodh në ditën e 32-të të sulmeve SHBA-Izrael?
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
