Lajmet

340 punëtorë të Telekomit aplikojnë për pensionim të parakohshëm e ndërprerje vullnetare të kontratave

Procesi i aplikimit ishte paraparë të përfundojë me 25 prill ende nuk është përmbyllur.

Published

on

Në Telekomin e Kosovës për ofertën pensionim të parakohshëm e ndërprerje vullnetare të kontratave kanë aplikuar 340 punëtorë të kësaj ndërmarrje. Krahas kësaj, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim të zgjasë afatin e kësaj oferte deri më 10 maj.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj thotë për KosovaPress se 340 punëtorë të kësaj kompanie publike kanë aplikuar për të dalë në pension të parakohshëm dhe ndërprerje vullnetare të kontratës për punë.

“Nga data 25 mars deri në 25 prill kanë aplikuar 340 punëtorë për pensionim të parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026, si dhe për marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefitet e përcaktuara për punëtorin/en”, thotë ai.

Sipas tij, ka të interesuar edhe shumë të tjerë ta firmosin largimin vullnetar nga puna, dhe sipas tij, për këtë qëllim edhe kanë kërkuar nga menaxhmenti të zgjatet afati edhe për dy javë.

Ndërsa edhe nga menaxhmenti i Telekomit kanë konfirmuar për KosovaPress se procesi i aplikimit që ishte paraparë të përfundojë me 25 prill ende nuk është përmbyllur.

Zëdhënësi i kësaj kompanie, Fadil Lepaja ka thënë për KosovaPress se me kërkesë të sindikatës, të arsyetuar me interesimin e shtuar të ditëve të fundit për këto pako, Burbuqe Hana, UD Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit ka vazhduar afatin e aplikimit për pakot vullnetare deri më datën 10 maj.

“Lidhur me temën konkrete, deri tani as ne si kompani nuk i kemi të dhënat e plota, pasi procesi i aplikimit ende nuk është përmbyllur. Me kërkesë të sindikatës, të arsyetuar me interesimin e shtuar të ditëve të fundit për këto pako, zonja Burbuqe Hana, UD Kryeshef Ekzekutiv i TK e ka vazhduar afatin e aplikimit për pakot vullnetare deri më datën 10 maj. Me përfundimin e këtij procesi, gjithsesi do t’i kemi të dhënat e plota”, thotë Lepaja.

KosovaPress ditë më parë ka raportuar se punëtorët e Telekomit, më 25 mars kishin pranuar një e-mail të pazakontë.

Në këtë shkresë elektronike, të titulluar “Ofertë me pako vullnetare për punëtorët!”, të punësuarve në këtë kompani iu ofrohet një pako dalëse, e cila përfshin dy mundësi.

Në email u bëhet ofertë punonjësve që të dalin në pension gjatë katër vjetëve të ardhshme të arrijnë marrëveshje për pensionim të parakohshëm, ndërsa po ashtu u bëhet ofertë edhe punonjësve që janë të interesuar për ndërprerje të kontratës në mënyrë vullnetare.

“a)Pensionimi i parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026, si dhe b) Marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefitet e përcaktuara për punëtorin/en”, thuhet ndër të tjera në e-mailin e dërguar secilit punëtor.

Ata që firmosin për t’u pensionuar para kohe do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim.

Derisa, punëtorët e Telekomit që vullnetarisht ndërpresin marrëdhënien e punës do të marrin 24 paga bruto përnjëherë.

Në këtë email, ishte shkruar po ashtu se “Kjo ofertë bëhet vetëm gjatë intervalit kohor 25 mars 2022 deri më 25 prill 2022, që përkon me periudhën para finalizimit të procesit të ristrukturimit. Pas kësaj date në kompani do të rianalizohen opsionet e tjera që gjithsesi nuk do të jenë kaq të volitshme”.

Stafi janë njoftuan gjithashtu edhe për procesin e ristrukturimit (reformimit) që ka hyrë në fazën e tij përfundimtare dhe për hapat që do të ndërmerren në vijim.

Lajmet

Dortmund rikthen interesimin për Fisnik Asllanin

Published

on

By

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së gjigantit gjerman Borussia Dortmund. Sipas raportimeve nga gazeta e njohur gjermane “Bild”, drejtuesit e “Verdhëzinjve” po e ndjekin me interes të madh situatën e talentit kosovar, duke e parë atë si një pasues adekuat të Serhou Guirassyt.

Skenari më i mundshëm për momentin mbetet ai i një huazimi, një formulë kjo që më parë u tentua edhe nga RB Leipzig. Nga ana e tij, Asllani është i hapur për të gjitha opozicionet e mundshme në tregun e transferimeve dhe nuk do ta refuzonte një kalim te Dortmundi, çka do të shënonte një hap gjigant në karrierën e tij. /Bild/

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Kosova në Spanjë një person i kërkuar nga Interpoli për “rrëmbim të fëmijës”

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, një shtetas i huaj është ekstraduar më 20 gusht 2026 nga Kosova drejt Spanjës.

Policia, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e personit i cili ishte arrestuar në Kosovë.

I dyshuari kërkohej përmes INTERPOL-it, me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Spanjës, nën dyshimin për veprën penale “rrëmbim i fëmijës”.

Sipas njoftimit, ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Spanjës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të veprave penale dhe kapjes së personave të kërkuar ndërkombëtarisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PDK: Nuk do të takohemi më me Kurtin, zgjedhjen e presidentit ta bëjë pa votat tona

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në takime të tjera me kryeministrin në detyrë, njëherësh kryetarin e LVV-së Albin Kurti, duke i cilësuar ato si të padobishme dhe si zvarritje të procedurave për konstituimin e institucioneve.

Deputetja e PDK-së, Besa Deliu, tha se partia e saj e ka të qartë qëndrimin dhe se rruga për dalje nga situata aktuale është konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“PDK-ja e ka qartësuar pozicionin e saj. Ne nuk kemi nevojë që të takohemi më me Albin Kurtin, pasi është parë se këto takime janë farsë. Po të kishte vullnet Albin Kurti, e para do të konstituonte Kuvendin e Kosovës dhe dyta do të sillen në harmoni të plotë me rregullat dhe ligjet e Republikës. Ne nuk do të takohemi me Albin Kurti pasi është parë se këto takime i shërbejnë vetëm zvarritjes së procedurave për ta cuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Këto takime nuk kanë prodhuar asgjë dhe ne jemi të qartë se nuk do të takohemi. Ftesa jonë është të kthehemi te konstituimi dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës”

Ajo i bëri i Kurtit ta zgjedh presidentin pa votat e 22 deputetëve të PDK-së.

Duke folur për thirrjen e ShBA-së që të formohen institucionet e reja, ajo theksoi se kërkesa e SHBA-së është në linjën e njëjtë me kërkesën që kanë ata si PDK.

Përndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi./KosovaPress/ A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Mbi një kilogram marihuanë konfiskohet në Brezovicë, arrestohet 27-vjeçari

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, një 27-vjeçar është arrestuar në Brezovicë nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.

Rasti është raportuar më 19 gusht, rreth orës 23:30, pasi njësitet e Stacionit Policor në Shtërpcë kishin pranuar informatë për një substancë të dyshuar narkotike në një villë të pabanuar në Brezovicë.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe dy peshore digjitale. Për shkak të dyshimeve se mund të kishte edhe substanca të tjera, është kontrolluar edhe një vilë tjetër, ku është gjetur sasi shtesë e marihuanës.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar gjithsej 1,063 gramë marihuanë e dyshuar, dy peshore digjitale, një çantë krahu, një thikë metalike dhe një telefon celular.

Për rastin është njoftuar edhe Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, ndërsa prokurori i shtetit ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit dhe ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara