Në tetorin e vitit 1989, një vajzë katërvjeçare u zgjua natën nga një telefonatë dhe një britmë. Ajo doli zbathur në korridorin e ftohtë dhe dëgjoi nënën e saj të thoshte me zë të thyer: “Ai vdiq në një aksident me makinë!”.
Vajza nuk mund të thoshte asgjë, vetëm kujtonte përqafimin e fundit me babanë para se ai të nisej me avion. Në atë çast, e kishte ndjerë se nuk do ta shihte më kurrë gjallë.
Kjo është një nga historitë që njerëzit tregojnë për paranjohjen (gut feeling), aftësinë për të ndier apo “parë” diçka para se të ndodhë.
Shkencëtarja Julia Mossbridge ka mbledhur me dhjetëra rrëfime të tilla, por edhe ajo që në fëmijëri ka pasur ëndrra që janë bërë realitet, nisi të mbante një ditar ëndrrash dhe zbuloi se disa prej tyre ishin parashikime të sakta.
Mossbridge beson se këto përvoja tregojnë se koha nuk është aq lineare sa na duket.
“Nuk është e vështirë të kuptosh paranjohjen,” tha ajo. “Është vetëm e vështirë të besosh nëse nuk e ke përjetuar vetë. Shkencëtarët ende nuk e kuptojnë si funksionon koha. Ne kemi frikë nga e panjohura, nga ideja që realiteti mund të mos jetë ashtu siç e shohim.”
Psikologë e neuroshkencëtarë përpiqen ta shpjegojnë fenomenin, që në gjuhën shkencore quhet perceptim jashtëshqisor. Është ndjenjë e brendshme, e fortë, që diçka do të ndodhë. Në kultura të lashta, shamanët e mistikët e përdornin si mjet për të kuptuar motin apo për të zbuluar rreziqet që vinin. Psikologu Dean Radin shpjegon se ndërgjegjja kapë informacion edhe jashtë rrjedhës së zakonshme të kohës.
Ai ka dekada që studion këtë fushë e thotë: “Në mekanikën kuantike, koha sillet ndryshe nga sa e përjetojmë ne çdo ditë. Mund të ketë diçka në ndërgjegjen tonë që është në gjendje të marrë informacione nga e shkuara ose nga e ardhmja.”
Radin bëri eksperiment interesant. Vullnetarët lidhen me aparate që masnin aktivitetin e trurit, në ekran shfaqeshin imazhe të rastësishme, pozitive (si lindje dielli), negative (si aksidente). Rezultatet treguan se truri i njerëzve “e ndiente” imazhin negativ, para se ta shihte.
Ky eksperiment është përsëritur e ka dhënë të njëjtat rezultate. Më 1995, CIA publikoi dokumente që e mbështesnin këtë fenomen.
Shkencëtarët mendojnë se kjo lidhet me ndërlidhjen kuantike, proces misterioz ku grimcat lidhen mes tyre dhe ndajnë informacion, edhe nëse ndodhen larg në hapësirë apo në kohë.
“Ndoshta truri lidhet me versionin e vet në të ardhmen,” thotë Radin. “Prandaj ndiejmë kujtime për gjëra që nuk kanë ndodhur ende.”
Një shpjegim i tillë do të sqaronte edhe fenomenin e déjà vu, atë ndjenjën e çuditshme se një moment e kemi përjetuar më parë.
Sipas Mossbridge dhe Radin, edhe pse mekanizmi i saktë nuk dihet ende, statistikat tregojnë qartë se paranjohja është reale.