Lajmet

29 masat e reja antiCOVID

Published

on

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, si pasojë e rritjes së rasteve. Masat e reja hyjnë në fuqi nga sot.

1. Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

1.1 Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

1.2 Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore, nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

1.3 Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;

1.4 Për transport të organizuar me autobus ose linjë te rregullt ndërkombëtare tranzite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;

1.5 Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS;

1.5.1 Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë;

1.6 Diplomatët e huaj që janë akredituar në RKS si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ;

1.7 Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS-së, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali,

1.8 Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.

2.Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19, dhe për këtë qëllim do të inspektohen nga organet kompetente.

3.Të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë si restorantet, kafetëritë dhe të ngjashme në Republikën e Kosovës, u ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 , përveç shërbimeve “Merr me veti“ (Take away).

3.1 Brenda orarit të lejuar mund të punojnë duke respektuar distancën prej 2 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe të mbajnë dezinfektantët për duar në çdo tavolinë, të cilat mund të shfrytëzohen nga klientët. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekte publike dhe private.

4. Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim;

5. Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, si dhe çfarëdo forme tjetër organizimi ku ka grumbullim të njerëzve, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim;

6. Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

7. Lejohet therja e kafshëve në ambientet e autorizuara për therjen e kafshëve.

8. Qytetarëve të Republikës së Kosovës u lejohet pjesëmarrja në ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në objektet fetare dhe jashtë tyre, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekt.

9. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektantët për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe vizitorët.

10. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të vendosin rregulla me shenja të dukshme në çdo hyrje të objektit (përfshirë këtu ndalimin e hyrjes pa maska, obligimi për të respektuar distancën etj), në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19.

11. Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave, Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 30 % të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitet si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, gjithmonë duke u bazuar në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekt.

12. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive.

13. Lejohen fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitetet individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40 % të hapësirave, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte.

14. Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me kapacitete të përgjysmuara të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin, për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

15. Kërkohet nga të gjitha komunat të riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

16. Për ushtrim të veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale, në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte.

17. Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit udhëzohen të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre online nga shtëpia.

18. Personave mbi moshën 65 vjeçare u lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00- 10:00 dhe 16:00-19:00. Jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

19. Mësimi në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publike dhe private, organizohet në formën online. Ndërkaq, provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen normalisht, por duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së.

20. Të gjitha qendrave tregtare në tërë territorin e Republikës së Kosovës u ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

21. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.

22. Obligohen ekipet teknike mjekësore të QKMF-ve,(Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare) me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare: Merdarë, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe ANP “Adem Jashari ”.

23. Shtabet komunale për parandalimin e epidemisë, drejtoritë për shëndetësi dhe QKMF-të, do të mbikëqyrin deri në dy javë ecurinë e shëndetit të personave të infektuar dhe do t’i raportojnë në baza ditore në QRSHP- IKSHPK për aktivitetet e ndërmarra dhe për situatën në teren.

24. Komunat udhëzohen të shtojnë përpjekjet për realizimin e shërbimeve shëndetësore shtëpiake për të sëmurët kronik.

25. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së udhëzohet të liroj nga paraqitja e rregullt për qëllime të evidentimit të gjithë përfituesit e skemave dhe benificioneve që menaxhohen nga MPMS.

26. Konviktet dhe mensa e studentëve punojnë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.

27. Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, përfshirë menaxhmentet e institucioneve publike dhe private që kanë për detyrë zbatimin e masave për mbrojtjen nga COVID-19, ndaj tyre organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

28. Ky vendim do të vlerësohet brenda dy javësh, varësisht nga situata epidemiologjike, dhe do të vlej deri në një vendim tjetër.

29. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë nr.01/32 datës 25/09/2020./UBTNews

Rajoni

Maqedonci: Raketat kineze, kërcënim i Serbisë ndaj fqinjëve

Published

on

By

Blerja e fundit e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina ka nxitur reagimin e Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se ky armatim shërben për mbrojtje, duke i cilësuar lëvizjet e Beogradit si një shpërfaqje të hapur të tendencave hegjemoniste ndaj vendeve fqinje.

Sipas ministrit, asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur qëllime agresive, ndërkohë që është vetë Serbia ajo që mban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai vuri në dukje se furnizimi me sisteme raketore kundër-ajrore si FK3, HQ-17 dhe radarë të ndryshëm nga Kina është vazhdimësi e politikës së Aleksandar Vuçiqit për të sfiduar sigurinë në rajon përmes bashkëpunimit me vende joanëtare të NATO-s.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se këto raketa “tmerrësisht të shtrenjta” janë integruar me sukses në avionët ushtarakë rusë MiG-29. Ai e arsyetoi këtë blerje si një përgatitje ndaj asaj që ai e quajti “aleanca e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, duke iu referuar deklaratës për bashkëpunim në mbrojtje që këto tri vende nënshkruan në mars të vitit 2025.

Lajmi për armatimin e ri ka alarmuar edhe fqinjët e tjerë. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka paralajmëruar se do ta adresojë këtë çështje direkt në strukturat e NATO-s. Ndërkohë, të dhënat e fundit nga instituti SIPRI konfirmojnë se Kina është bërë partneri kryesor ushtarak i Serbisë, duke mbuluar 57% të importeve të armëve, e ndjekur nga Rusia me 20%. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Uashingtoni tërhiqet përkohësisht nga sanksionet ndaj Moskës për të ulur çmimet

Published

on

By

Uashingtoni ka marrë këtë vendim emergjent për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, të cilat janë tronditur rëndë nga lufta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një leje të posaçme 30-ditore, e cila u mundëson vendeve të blejnë naftë dhe produkte të naftës ruse që aktualisht kanë mbetur të bllokuara në det për shkak të sanksioneve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se ky hap është i domosdoshëm për të stabilizuar tregun energjetik, i cili po përballet me pasiguri të mëdha pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, siç raporton Reuters.

Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës pësuan një rënie të lehtë mëngjesin e së premtes në tregjet aziatike. Sipas përfaqësuesit rus, Kirill Dmitriev, ky vendim do të lirojë rreth 100 milionë fuçi naftë bruto ruse, sasi kjo që barazohet pothuajse me prodhimin ditor global.

Kjo është hera e dytë brenda pak më shumë se një jave që administrata e Presidentit Donald Trump tërhiqet nga sanksionet e lidhura me luftën në Ukrainë. Ky veprim shihet si një përpjekje për të zbutur çmimet e energjisë, pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit kanë paralizuar transportin përmes Ngushticës së Hormuzit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaroi të enjten se kjo është ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë në histori.

Leja vlen deri më 11 prill

Dokumenti i lëshuar nga Uashingtoni autorizon shitjen dhe dërgesat e naftës ruse që është ngarkuar në anije para datës 12 mars dhe vlen deri në mesnatën e 11 prillit 2026. Ky vendim pasqyron shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se rritja e çmimeve (mbi 100 dollarë për fuçi) do të dëmtojë bizneset dhe konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Sekretari Bessent u shpreh se masa është “afatshkurtër” dhe nuk do t’i sjellë përfitime të mëdha financiare qeverisë ruse. “Rritja e çmimeve është një ndërprerje e përkohshme, por veprimet tona do të sjellin përfitime masive për ekonominë tonë në afatgjatë,” tha ai, duke përsëritur qëndrimin e Presidentit Trump.

Përplasje me aleatët evropianë

Ndryshe nga Uashingtoni, aleatët evropianë janë shprehur kundër zbutjes së sanksioneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “tani nuk është koha për të liruar presionin ndaj Rusisë”. Po ashtu, qeveria britanike konfirmoi se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, duke e quajtur këtë një “moment kritik në agresionin rus kundër Ukrainës”.

Pezullimi i sanksioneve vjen pas një bisede telefonike mes Trumpit dhe Putinit më 9 mars, dhe një vizite të mëvonshme të delegacionit rus në SHBA, ku morën pjesë edhe emisarët e afërt të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. /Reuters/

 

Continue Reading

Rajoni

Hiqet fusnota për Kosovën në Komitetin Evropian të Rajoneve

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka mirëpritur vendimin e Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr fusnotën nga emërtimi i Republikës së Kosovës në të gjitha dokumentet dhe komunikimet e tij zyrtare.

Sipas njoftimit të MPJD-së, ky hap i rëndësishëm institucional e harmonizon praktikën e këtij mekanizmi me atë të Parlamentit Evropian, duke shënuar një progres të ri në procesin e integrimit evropian të vendit.

“Ky vendim e harmonizon praktikën e këtij institucioni me emërtimin zyrtar që përdoret nga Parlamenti Evropian, dhe përbën një zhvillim të rëndësishëm institucional në integrimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë zhvillim, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka shprehur mirënjohje të veçantë për raportuesen Gillian Coughlan.

Ai vlerësoi lart angazhimin e saj të vazhdueshëm në kuadër të Grupit Punues për Kosovën, duke e cilësuar këtë vendim si një njohje të rëndësishme për subjektivitetin institucional të Kosovës në arenën evropiane.

Continue Reading

Lajmet

REL: Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n

Published

on

By

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi më 12 mars se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë i kanë integruar tashmë me sukses raketat kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29, të cilët i zotërojnë.

Deklarata e tij vjen pasi një forum i specializuar ushtarak publikoi së voni fotografi që tregonin disa avionë luftarakë të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Një avion, siç u pretendua, ishte i armatosur me një raketë kineze ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi, me shenjën CM-400.

Tjetri, sipas raportit, mbante një bombë ajrore LS-6, gjithashtu të prodhuar në Kinë.

Vuçiq tha se avionët me raketat kineze ishin “filmuar rastësisht”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarit se sa kushtuan raketat kineze.

“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese.

Ndaj kësaj blerjeje reagoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

Ai tha se vendi i tij – anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s – do të flasë me aleatët e tij për këtë çështje.

“Ne do të flasim me partnerët tanë në NATO dhe do t’i paralajmërojmë për armët e tilla, të cilat janë risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq.

Megjithatë, ai shtoi se nuk pret që një armë aq e fuqishme të përdoret ndonjëherë kundër vendeve fqinje, si Kroacia apo ndonjë shtet tjetër.

Serbia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, po e zgjeron bashkëpunimin e saj ushtarak me Kinën.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Shtoi se, gjatë një vizite në Indi në mes të shkurtit, Pllenkoviq e ka siguruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë.

“E dëgjova dhe kaq. Por, a kam ende një dozë shqetësimi dhe frike? Po, kam”, tha Vuçiq.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara