Lajmet
25 vjet nga publikimi i raportit ‘Java e terrorit në Drenicë’
Në këtë raport, i cili u publikua më 8 shkurt 1999, përshkruhet se si forcat speciale serbe kah fundi i shtatorit 1998 masakruan 21 civilë në Abri e Epërme.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiOrganizata amerikane për të Drejtat e Njeriut “Human Rights Watch “, 25 vjet më parë publikoi raportin me titull “Java e terrorit në Drenicë.”
Në këtë raport, i cili u publikua më 8 shkurt 1999, përshkruhet se si forcat speciale serbe kah fundi i shtatorit 1998 masakruan 21 civilë në Abri e Epërme, dhe vranë 13 burra në fshatin e afërt Golluboc.
Ekstrakt nga Raporti i Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut – Java e terrorit në Drenicë: Shkeljet e ligjeve humanitare në Kosovë
Luftimet në Abri të Epërme. Kah mesi i korrikut, 1998, armata jugosllave dhe policia serbe filluan një ofensivë të përgjithshme kundër UÇK-së. Ajo pothuaj kishte humbur kontrollin, sipas një vlerësimi, në mbi një të tretën e territorit të Kosovës. Ofensiva që shoqërohej nga artileria e rëndë, tanket, forcat ajrore, pati efekt të lartë në detyrimin e forcave të UÇK-së për t’u tërhequr nga shumica e pozicioneve të tyre drejt maleve mes drunjsh.
Dhe në fund të kësaj ofensive, vetëm pak luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u zunë rob. Vuajtjet më të mëdha i përjetoi popullata civile shqiptare, që jetonte në zonat e luftimeve. Më shumë se dyqind fshatra janë shkatërruar dhe së pakut 300 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë. Shumica e më se 2.000 të vrarëve gjatë shtatorit janë civilë. Rreziku që u kanosej civilëve në Kosovë ishte artikuluar në një qëndrim publik të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lëshuar në shtator: “Në momentin e tanishëm mbretëron gjendje e rënd dhe e pandryshueshme për disa javë me radhë. Dhjetëra e mijëra civilë janë në rreth të hekurt të sulmeve dhe të zhvendosur nga trojet e veta. Ata i janë ekspozuar dhunës, madje u kërcënohet edhe jeta, shkatërrimi i shtëpive, ndarja nga familjet dhe abduksioni.
Mijëra sish nuk kanë vend ku të strehohen as të kërkojnë vetëmbrojtje…”Nga mesi i shtatorit, presioni ndërkombëtar ndaj Millosheviqit për të ndërprerë këtë ofensivë ishte rritur. Por, tashmë qeveria kishte arritur të shkatërrojë qendrat dhe vendqëndrimet e UÇK-së, duke i shtyrë ata drejt maleve. Veprimet shkatërruese kishin ngelur pambaruar edhe në një zonë të rëndësishme; Drenicën, pjesën qendrore të Kosovës, ku kishin zënë vend luftimet më të shumta mes UÇK-së dhe forcave të qeverisë. Dyshohej se ditët finale të ofensivës ishin kalkuluar me kujdes.
Millosheviq dhe krerët e tij ushtarak e dinin se kishin pak kohë për ta kompletuar objektivin e tyre në Kosovë e pastaj për të manipuluar me një kërkesë për tërheqje rapide të forcave nga Kosova, siç kërkon perëndimi. Fshati Abri e Epërme gjendet në territorin e komunës së Gllogovcit të Drenicës. Fshat i vjetër 500-vjeçar, që kishte rreth 300 shtëpi të ndara në disa komponime (lagje) të mëdha familjare, me fusha dhe drunj në mes tyre, llogaritur edhe lagjen Deliu dhe atë Hysenaj, të cilat zënë vend të posaçëm në këtë raport. Tri kilometra në veri, në maje të bregut gjendet Likoci, që ishte në shërbim të UÇK-së, por që nga 13 shtatori (1998 – Sh.B) ri-okupohet nga forcat jugosllave. Gjatë muajit shtator, forcat e qeverisë morën një ofensivë në regjionin e Drenicës që kishte për qëllim të dislokojë UÇK-në nga kjo trevë e fuqishme. Policia dhe ushtria sulmuan nga drejtimi i Klinës, në jugperëndim të Gllogovcit, pastaj edhe nga Qyçavica, malet në lindje dhe me efikasitet do t’i rrethojnë forcat e UÇK-së në bregun e Abrisë.
Duke iu referuar Naim Malokut, një komandues i UÇK-së dhe ish-oficer i armatës jugosllave i intervistuar nga “Nju Jork Times”, forcat jugosllave hasën në rezistencë të UÇK-së mes Abrisë dhe Likocit… Pas pushtimit të Likocit, forcat e serbe ishin nisur drejt Abrisë. Sipas Zejnije Deliut, që ishte me familjen e saj në Abri, në fillim të ofensivës, forcat e qeverisë filluan të bombardojnë lagjen Deliu nga Likoci që në mëngjes, rreth orës tetë, të premten, më 26 shtator, nga llojet më të ndryshme të artilerisë dhe mortajave. Shumica e banorëve të lagjes ishin strehuar në pyll, për t’u ikur granatimeve.
I vetmi civil që kishte ngelur në Lagje gjatë granatimeve ishte Bashkim Deliu, 21- vjeçar, që duhej të kujdesej për babanë e tij Fazliun, 94-vjeçar dhe invalid. Bashkimi sqaron se sulmet vazhduan sërish të shtunën në mëngjes, pasi në mbrëmjen e së premtes policët sërish ishin kthyer në Likoc. Gjysma e konvojit të tankeve në Likoc, që ishin rreth 68 gjithsej, kishin lëvizur në drejtim të lagjes Deliu.
Ata hidhnin pandërprerë gjyle nga topat e tankeve mbi lagjen tonë. Këmbësorët vinin pas tankeve dhe shumica e tyre kishin mjekra. Unë vazhdoja të qëndroja me babanë tim, që kishte nevojë për ndihmën time, për ujë dhe ushqim. Ishim duke tymosur nga një cigare, kur granata ra në kulm të shtëpisë. Kërceva jashtë nga kati i dytë i shtëpisë dhe vrapova nëpër oborr. Shikova nga një vrimë e derës së oborrit dhe pashë se në shtëpinë e fqinjit ishin futur ushtarë e paramilitarë. I pashë ushtarët tek vinin drejt shtëpisë sime jo më larg se tridhjetë metra. Kishin uniforma ushtarake ngjyrë kafeje dhe shumë prej tyre kishin thika të mëdha ose sëpata të vogla, përveç armëve të zjarrta. Vazhdova të vrapoj me sa forcë që kisha drejt Badërlakëve (Lagjes fqinje)… Për disa ditë me radhë pastaj forcat jugosllave do të mbajnë nën kontroll Abrinë, duke kryer keqbërjet e cekura në këtë raport.
Vendi
Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja
Published
9 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.
Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.
“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/
Vendi
Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik
Published
12 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.
Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.
Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.
Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.
Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Vendi
Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës
Published
12 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.
Gjatë takimit, Konjufca informoi Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.
Lajmet
Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit
Published
12 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.
Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.
Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.
UEFA pezullon përkohësisht Prestiannin pas incidentit me Vinicius
Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja
Zvicra këmbëngul për një marrëveshje tregtare të detyrueshme ligjërisht me SHBA-në
Dalin në shitje biletat për Kosovë – Sllovaki
Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik
Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës
Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit
DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?
Shpërthen dhuna pasi forcat meksikane të sigurisë vrasin bosin e kartelit të drogës “El Mencho”
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
