Lajmet

24 mars 1999: NATO filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe

Published

on

Mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, Aleanca Veriatlantike filloi sulmet kundër forcave serbe, në Serbi, në Mal të Zi e në Kosovë.

Ishte natë e gjatë gëzimi për shqiptarët, sepse po fillonte të shihej drita në fund të tunelit. Por, ishin 78 ditë të mbushura me luftë të përgjakshme të UÇK-së kundër forcave serbe në tokë, sulme nga qielli të aeroplanëve të NATO-s, por në terren vazhduan masakra e tmerre mbi popullatën civile shqiptare.

Por, në natyrën e rubrikës sonë, të lë shohim ngjarjet që shënuan këtë ditë, deri në fillimin e bombardimeve, në mbrëmje:

 Edicioni i parë: Dështon misioni i Hollbrukut – Solana i jep urdhër gjeneralit Klark për aksione mbi caqet ushtarake serbe

Misionari amerikan Riçard Hollbruk u kthye dje në orët e vona në Bruksel dhe e njoftoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, për mossukesin e misionit të tij për të bindur Millosheviqin që të pranojë planin për Kosovën, të propozuar nga Grupi i Kontaktit.

Po mbrëmë, në orën 23:15, në një brifing me gazetarë, Solana tha se i kishte dhënë urdhër kryekomandantit të forcave të NATO-s për Evropë, gjeneralit Ueslli Klark, që të ndërmarrë sulme kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë së vetëshpallur.

Në të njëjtën kohë, me urdhër të presidentit Jelcin, kryeministri rus, Jevgenij Primakov, ka hequr dorë nga vizita në Uashington dhe është kthyer në gjysmë të rrugës, mbi Atlantik. Kështu, ai shprehu mospajtimin e Rusisë me sulmet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe.

Ndërkohë, mediat shtetërore serbe transmetuan deklaratat e zyrtarëve serbë se assesi nuk do të pranojnë vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë, dhe se do të mbrohen me të gjitha mjetet nga sulmet eventuale të NATO-s.

Ndërsa nga terreni njoftohet se forcat serbe kanë bartur gjatë natës tërë armatimin dhe mjetet luftarake dhe i kanë strehuar nëpër vendbanime civile. Duket se objektet ushtarake që mund të jenë cak i sulmeve të aeroplanëve të Aleancës Veriatlantike janë zbrazur.

 

Lajme të tjera:

Digjen shtëpitë në një lagje të Podujevës – koncentrim i madh forcash dhe zhvendosje e popullatës;

Vushtrri: Lëvizje të mëdha të forcave serbe, granatime drejt Pasomës dhe fshatrave të Vushtrrisë;

Një konvoj i forcave serbe shkoi rreth orës 7 në drejtim të fshatit Karaçë;

Kaçanik: Granatime në fshatrat e Kaçanikut, djegie shtëpishë në Gajre;

Forcat serbe po granatojnë disa fshatra të Deçanit e të Dushkajës së Gjakovës;

Një shtëpi shqiptare në Zajm u qëllua me minahedhës dhe automatik.

 

 

Lajm i plotë: Njoftohen emrat e shtatë shqiptarëve të vrarë të hënën në Suharekë

KI i Degës së LDK-së në Suharekë ka njoftuar emrat e shtatë shqiptarëve që u vranë gjatë një aksioni të forcave serbe pardje në qendër të këtij qyteti,

Pas vrasjes së një serbi në rrethana e nga autorë të panjohur, snajperistët serbë shtinë pa kontroll dhe me këtë rast vranë Emërllah Hoxhën (70), Mehmet Emërllah Hoxhën (33), të dy nga Peqani, Naser Abdyl Bytyçi (33) nga Suhareka, Xhemajl Haxhi Morina (35) nga Reshtani, Ramadan Morina (48) nga Reshtani, Fadil Haxhi Bytyçi nga Suhareka dhe Bislim Miftar Morina nga Reshtani.

Po gjatë këtij aksioni forcat serbe dogjën një shtëpi.

 

Lajme të tjera:

Mbi fshatin Sllatinë përforcime të mëdha të forcave ushtarake-policore serbe

Në fshatin Barilevë janë djegur 14, kurse janë demoluar dhe plaçkitur rreth 200 shtëpi

Zhbllokohet rruga Prishtinë-Podujevë

 

 

Edicioni i dytë:

Lajm i plotë: Gjendje dramatike në komunën e Vushtrrisë

Një gjendje dramatike ka përfshirë sot në mesditë komunën e

Vushtrrisë, ndërsa në qytet ka vërshuar një lum i madh i popullsisë së zhvendosur.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Vushtrri njofton se forcat serbe hynë rreth mesditës në fshatin Studime e Poshtme dhe kanë filluar të djegin shumë shtëpi. Banorët e këtij fshati, i cili gjendet afër Vushtrrisë, kanë mësyrë qytetin. Zhvendosje të mëdha të popullsisë ka edhe nga Begaj, Pasoma, Banjska, Smrekonica e fshatrat tjera. Dega e LDK-së në Vushtrri është mobilizuar për strehimin e të zhvendosurve. Njoftohet se të zhvendosurit do të strehohen në xhamitë dhe në shkollat e qytetit.

I njëjti burim bën të ditur se sot, rreth orës 9:00, në oborrin e burgut në Srekonicë kanë rënë 4 granata, që dyshohet të jenë shkrepur nga pozicionet e forcave serbe në fshatin Banjskë. Sipas dëshmitarëve, viktima në njerëz nuk ka pasur.

 

 

Lajm i plotë: Mitrovicë: Granatime në fshatrat e Shalës, dy të plagosur në lagjen Bair

Edhe sot në mesditë forcat serbe po vazhdojnë granatimin e fshatrave të Shalës së Bajgorës, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

I njëjti burim bën të ditur se mbrëmë, rreth orës 19:30, persona të paidentifikuar kanë shtënë me automatik në kafenenë “Te Meda”, në lagjen “Bair” të Mitrovicës, me ç’ rast janë plagosur lehtë Hamdi (Hajrë) Kuqi (36) e Muhedin (Ramadan) Mikulani (42), banorë të kësaj lagjeje.

Burimi bën të ditur se është bërë identifikimi edhe i dy shqiptarëve të ekzekutuar në Skënderaj. Këta janë: Ilaz (Osman) Oruçi (42) nga Rezalla dhe Sadri (Zenel) Goshani (45) nga Polluzha e Skënderajt.

Nga Mitrovica njoftohet edhe për lëvizje të mëdha të forcave serbe. Sot, rreth orës 8:15, nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt kanë shkuar 10 automjete me ushtarë, ndërsa në orën 9:40, në të nëjtin drejtim shkuan edhe 12 automjete me policë.

Burimet thonë se policët serbë kanë urdhëruar familjen Dr. Sami Beqirit të ndjerë që ta braktisë shtëpinë dhe në të janë vendosur forcat ushtarake e policore serbe.

 

Lajm i plotë: Forcat serbe po mitralojnë disa fshatra të Malishevës

Edhe sot forcat serbe kanë mitraluar disa fshatra të komunës së Malishevës. Komisioni për Informim i Degës së LDK-së të Malishevës bën të ditur se forcat serbe po mitralojnë nga Malisheva, Llazica e Smonica (përballë Tërpezës) fshatrat Tërpezë, Lladrovc, Carrallugë, Mleçan e Balinc. Lumi i banorëve të zhvendosur nga këto fshatra, të cilët kanë mësyrë zona më të qeta, është shumë i gjatë.

I njëjti burim bën të ditur se dje, prej orës 14:00 deri në orën 17:00, ka pasur luftime ndërmjet forcave të UÇK-së dhe forcave serbe në rrethinën e Rahovecit. Në njoftim thuhet se forcat serbe kanë sulmuar pozicionet e UÇK-së në fshatrat Reti e Opterushë të Rahovecit dhe në fshatin Shkozë të Malishevës, ndërsa njësitet e UÇK-së u janë përgjigjur këtyre sulmeve. Bëhet e ditur se gjatë këtyre luftimeve nuk ka pasur viktima.

 

Lajm i plotë: “Jugosllavia” shpallë gjendjen e jashtëzakonshme

Kryeministri i “Jugosllavisë” ka shpallur mbrëmë gjendje të jashtëzakonshme, të cilësuar si “gjendje para rrezikut të luftës”.

Ky vendim u mor vetëm disa orë pas dështimit të Misionit të Hollbrukut dhe para deklarimit të Sollanës se e ka autorizuar gjeneralit Klark për sulme kundër caqeve ushtarake serbe.

 

Shënim: Më 24 mars 1999, në mbrëmje, filluan bombardimet e NATO-s. Deri në çlirimin e Kosovës më nuk pati mundësi pune për gazetarët në Kosovë.

 ####

Por, le të shohim edhe cilat kanë qenë zhvillimet në këtë datë, që nga viti 1993:

 

 

24 mars 1993

Lajmet kryesore:

U lirua dr. Abdyl Krasniqi;

Dega e LDK-së organizon tubim proteste Munih;

Trafiku në Kosovë pothuajse u bllokua tërërisht;

Lidhje kulturore të Shqipërisë me Gjermaninë;

Policia e arrestoi ish-oficerin e APJ-së Fadil F.Rekajn;

Gjykatë speciale për krimet në ish-Jugosllavi;

Qeveria e Shqipërisë ka përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

 

24 mars 1994

Lajmet kryesore:

Presidenti Klinton zgjodhi edhe Shqipërinë për ndihma ushtarake;

Tubim madhështor protestues i shqiptarëve në Stokholm;

Dr. Fehmi Agani: S’ka përçarje midis partive politike shqiptare;

Kryetari i Partisë Republikane të Kosovës u dërgua në burgun e Pejës;

Një i ri nga Suhareka u dërgua me dhunë në ushtrinë serbe;

Policia serbe hyri në zyrën e Degës së LDK-së në Kodrën e Trimave;

Demonstrata paqësore në Gjermani kundër kthimit të refugjatëve shqiptarë ;

Reagimi i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për kthimin e refugjatëve nga Gjermania;

Protestë e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës;

Policia ndërpreu turneun e shahut “Kosova ’94”.

 

 

Represioni i policisë serbe në Kosovë

Mitrovicë: Sot në hyrje të Mitrovicës një patrullë e policisë serbe ndali autobusin me regjistrim të Nishit, i cili po kthehej nga Bullgaria përplotë udhëtarë. Pas legjitimimimit të udhëtarëve, policët dërguan në stacionin e policisë Bujar Xhemën, Afrim Vehapin, Safet Pecin dhe Ymer Gashin, si dhe tre udhëtarë tjerë, emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë. Njoftohet se të arrestuarit po mbahen ende në stacionin e policisë në Mitrovicë.

Ndërkaq, dje, rreth orës 12, në stacioni e autobusëve në Mitrovicë, një patrullë e policisë serbe rrahu brutalisht vëllezërit Bashkim, Qenan, Adnan dhe Ruzhdi Ibrahimin nga Tërrnava e Preshevës. Vëllezërit Ibrahimi janë pronarë të firmës transportuese “Bashkimi”, të cilët e kanë të regjistruar vijën Preshevë-Mitrovicë dhe anasjelltas.

Vëllezërit Ibrahimi u rrahën pa kurrfarë shkaku.

Prishtinë: Parmbrëmë, rreth orës 17, në rrugën “Drenica II” në lagjen Kodra e Trimave, dy policë serbë rrahën fëmiun 13-vjeçar, Besnik Maloku, vetëm për shkak se Besniku nuk dinte të fliste serbisht.

I Istog: – Dje, organet e policisë serbe në Istog, morën në pyetje korrespodentin e “Bujkut”, Daut Blakajn. Inspektorët serbë nga

Daut Blakaj u interesuan të dinë veçanërisht rreth sistemit të informimit, si dhe rreth aktivitetit të Këshillit komunal për financim.

Më 21 mars, polica serbe mori në pyetje, Zymer Ademajn, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Banjë, i cili u keqtrajtua psikikisht nga ana e policisë serbe.

Ndërkaq, dje inspektorët e sigurimit serb në Istog morën në pyetje dr.Sadik Bujupin nga Istogu, i cili kohë më parë kishte punuar me iniciativën e Komisionit për Shëndetësi të LDK-së.

Dje, rreth orës 11, shefi i policisë serbe në Istog, mori në pyetje edhe Hazbi Bajrajn, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Istog. Edhe Hazbi Bajraj u mor në pyetje për shkak të kontrollimit mjekësor të nxënësve shqiptarë në Istog.

Hazbi Bajraj u lirua me kusht që të paraqitet sot sërish në stacionin e policisë në Istog në orën 8.

Po ashtu dje, organet e sigurimit serb, ftuan edhe Tush Gegajn, kryetar i Degës së SHH “Nënë Tereza” në Istog.

Lipjan: – Dje, rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Bajram Ollurit në fshatin Krojmir të Lipjanit. Familja e Bajram Ollurit është bastisur edhe gjatë vitit të kaluar, ndërsa edhe tash nga ai kërkohet që të dorëzojë një revole. Gjatë bastisjes, policia serbe u soll me vandalizëm duke thyer e demoluar shumë orendi. Pas bastisjes, policia mori me vete djalin e Bajramit, Heset Ollurin, të cilin e futën në bagazh të veturës dhe e dërguan në stacionin e policisë në Lipjan, me ç’rast u rrah brutalisht.

Klinë: – Më 21 mars, policia serbe i la ftesën që të paraqitet në stacionin e policisë në Klinë, Tahir Terdevajt nga Kërrnica. Pasi Tahiri të nesërmen u paraqit në polici, ai menjëherë u dërgua në Pejë.

Më 18 mars, disa policë serbë ishin mysafirë në familjen e Avdyl H.Asllanajt në Cerovik të Klinës. Njoftohet se Abdyl H.Asllanaj është bashkëpunëtor i okupatorit serb, ndërkaq në shtëpinë e tij policët ndejtën rreth katër orë.

Viti: Dje, në fhsatin Goshicë të Vitisë, policia serbe ia konfiskoi Sami Ahmetit një revole.

 

 

24 mars 1995

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e presidentit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova;

U shënua numri jubilar i Informatorit ditor të QIK-ut;

Bota po e teston vendosmërinë tonë për pavarësi;

Kosova në hartat e mbrojtjes së Evropës;

Në Parlamentin e Norvegjisë u themelua Komiteti për Kosovën;

Protesta për pavarësinë e Kosovës organizohen edhe në Danimarkë;

Shkrimtarët shqiptarë në sallonet e librit në Paris;

Në Han të Elezit policia serbe bastisi dhe plaçkiti disa familje shqiptare;

Në Han të Elezit shpërndahen thirrje për shërbim ushtarak;

Filloi procesi kundër vrasësit të Z. Rashitit;

Papa: Tragjedia e Bosnjës dhe Kroacisë rrezikon tërë Evropën Juglindore;

Greqia pranon takimet direkte me Maqedoninë;

Asociacionet e rinisë së Kosovës organizojnë tubim me rastin e “Javës së aksionit evropian kundër racizimit”;

Dr. Kadrush Berisha u dënua me 20 ditë burg;

Policia ndërhyri sërish në SHM ” Muharrem Bekteshi” në Vushtrri;

Në Dragash u arrestuan dy të rinjë që kanë dezertuar nga ish-armata jugosllave;

Vazhdon dhuna e policisë serbe kundër banorëve shqiptarë në Grejkovc të Suharekës.

 

Një qytetar rom hodhi gruan dhe tre fëmijët e tij në ujërat e liqenit të Batllavës

Më 21 mars në Orllan ndodhi një tragjedi e rëndë familjare. Një qytetar rom, i vendosur në Beograd, i cili më parë ka jetuar në fshatin Sfeqël të Podujevës, për shkaqe tash për tash të panjohura, në ujërat e liqenit të Batllavës hodhi gruan dhe tre fëmijët e tij. Njëri nga fëmijët humbi jetën në ujërat e liqenit, ndërsa dy fëmijët dhe bashkëshortja e tij janë në gjendje të rëndë dhe gjenden të shtrirë në shok dhomë, në spitalin e Prishtinës. Kryesi i kësaj vepre ndodhet në arrati.

 

 

24 mars 1997

Lajmet kryesore:

UE kushtëzon Jugosllavinë e vetëshpallur me Kosovën;

Dialogu rreth Kosovës – pa kushtëzime paraprake;

Ministri shqiptar i mbrojtjes priti atasheun ushtarak të Francës;

Rigjykohen udhëheqësit e Odës Ekonomike të Kosovës;

Marrëveshje e Suedisë me Beogradin për kthimin e refugjatëve;

Kukës: 46 të plagosur nga krismat e pakontrolluara të armëve;

Pesë shqiptarë u mbytën në ujërat e Adriatikut;

“Vëllazëria Shqiptare” e Stambollit apelon për ruajtjen e Shqipërisë;

Grumbullohen ndihma për Shqipërinë;

Në Prishtinë policia serbe keqtrajtoi dhe plaçkiti një student;

Një i kthyer nga Gjermania u dënua me 20 muaj burg;

Dhuna e përditshme në Kosovë;

Në Vushtrri u mbajtën takimet tradicionale të poeteve shqiptare të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara