Lajmet

23 librat më të mirë për t’i lexuar

Published

on

Librat gjithmonë tërheqin vëmendjen. Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, libra të shumtë kanë bërë dhe vazhdojnë të kenë jetë të gjatë. Po sjellim këtu një listë prej 23 librash, të hartuar nga ekspertë të letërsisë, të cilat janë kategorizuar si librat më të mirë për t’u lexuar.

  1. “Për kë bien kambanat” – Ernest Heminguej

Është roman i botuar në vitin 1940. Libri tregon historinë e Robert Jordanit, një specialist shpërthimesh amerikan në Brigadat Ndërkombëtare, i vendosur në një njësi guerilësh republikanë gjatë Luftës Civile në Spanjë (1939). Ai eksploron një numër temash të tilla, si vdekja, dashuria dhe fanatizmi.

2.“Zoti i mizave” – Uilliam Golding

Vepra flet për një grup djemsh të mirë britanikë, që kanë ngecur në një ishull të pabanuar, të cilët përpiqen të vetëqeverisen, por me rezultate shkatërrimtare. Në libër Golding trajton temat shumë të debatueshme të natyrës njerëzore dhe mirëqenies individuale, përkundrejt të mirës së përbashkët.

3.“Ana Karenina” – Leon Tolstoi

Është një roman i botuar në seri nga viti 1875 deri në 1877. Duke rrëfyer historinë e aristokrates nga Shën Petërsburgu, Ana Karenina, libri eksploron në mënyrë mjeshtërore një sërë temash, nëpër pothuaj një mijë faqet e tij. Një sondazh i vitit 2007 me 125 shkrimtarë bashkëkohorë, e shpalli Ana Kareninën “librin më të bukur që është shkruar ndonjëherë”.

4.“Princi i vogël” – Antoine de Saint-Eksuperi

I shkruar nga aristokrati, shkrimtari, poeti dhe aviatori francez Antoine de Saint-Exupery, “Princi i vogël” është një novelë shumë popullore e vitit 1943 dhe libri i katërt më i përkthyer në botë. Libri përshkruan me shumë dhembshuri vetminë, miqësinë, dashurinë, dhe humbjen, të përjetuara nga një princ i vogël që ka rënë në Tokë.

5.“Manifesti komunist” – Karl Marks dhe Friedrich Engels

Një pamflet politik i vitit 1848 nga filozofët gjermanë Marx dhe Engels, “Manifesti komunist” pranohet sot si një prej dorëshkrimeve politikë më me ndikim. Ai paraqet një qasje analitike unike ndaj luftës së klasave, problemeve të kapitalizmit, dhe natyrës së shoqërisë e politikës.

6.“Mbi origjinën e specieve” – Çarls Darvin

I botuar në 1859, “Mbi origjinën e specieve” është vepër letërsie shkencore që konsiderohet edhe themeli i biologjisë evolucionare. I shkruar për lexues jospecialistë, ai paraqet një trupë provash se diversiteti i jetës ka ardhur nga linja e zakonshme e trashëgimisë përmes një modeli të degëzuar të evolucionit.

7.“Zgjedhja e Sofisë” – Uilliam Styron

“Zgjedhja e Sofisë” është një roman i vitit 1979 që përqendrohet në vendimin tragjik që Sofia, një katolike polake e mbijetuar e kampeve të përqendrimit në Gjermani, u detyrua të bëjë pas futjes bashkë me dy fëmijët në kamp. Sofisë iu desh të zgjedhë se cili prej fëmijëve do të jetonte dhe cili do të vdiste.

8.“Në rrugë” – Jack Kerouac

Libri përcaktues i brezave të kundërkulturës së pasluftës, “Në rrugë”, është roman i vitit 1957 i bazuar në udhëtimet e autorit dhe miqve të tij nëpër Amerikë. Libri flet për jetën e lirë, xhazin, poezinë dhe drogat. Ai është zgjedhur nga revista TIME si një prej 100 romaneve më të mirë në gjuhën angleze, nga viti 1923 deri në 2005.

9.“Të vrasësh zogun përqeshës” – Harper Li

Romani fitues i Çmimit Pulitzer është shndërruar në një klasik të letërsisë moderne amerikane. Me linjën e tregimit dhe personazhet që janë bazuar kryesisht në vëzhgimet që vetë autorja i ka bërë familjes së saj dhe fqinjëve, romani është I njohur për ngrohtësinë dhe humorin, pavarësisht se trajton problemet serioze të përdhunimit dhe pabarazisë racore.

10.“1984” – Xhorxh Orvell

“1984” është një roman distopik që i ka të vendosura ngjarjet në një botë të zymtë me luftë të përjetshme, me mbikëqyrje të kudondodhur nga ana e qeverisë dhe manipulim publik, ku individualizmi dhe mendimi i pavarur persekutohen dhe mendohen si “krime”.

11.“Konti i Monte Kristos” – Alexandre Duma

I përfunduar në vitin 1844, “Konti i Monte Kristos” është roman aventurë që merret me tema të shpresës, drejtësisë, hakmarrjes, mëshirës dhe faljes. Ai përqendrohet tek një burrë i cili burgoset pa të drejtë, arratiset nga burgu, fiton një pasuri dhe më pas i hyn rrugës së hakmarrjes për ata që ishin përgjegjës për burgosjen e tij.

12.“Getsbi i madh” – F. Scott Fitzgerald

I konsideruar vepra më e madhe e Fitzgeraldit, “Getsbi…” eksploron temën e dekadencës, idealizmit, rezistencës ndaj ndryshimit, rebelimit social, dhe teprimeve, duke krijuar një portret të Epokës së Xhazit apo viteve njëzetë të shekullit të kaluar, që është përshkruar si një rrëfim paralajmërues për Ëndrrën Amerikane.

13.“Alkimisti” – Paolo Coelho

Alkimisti është një roman i botuar fillimisht në vitin 1988. Një roman alegorik, ndjek një bari andaluzian në udhëtimin e tij në Egjipt, pasi ka parë një ëndërr sikur ka gjetur një thesar atje. Një bestseller ndërkombëtar, “Alkimisti” është një prej librave më popullor në histori.

14.“Të drejtat e njeriut” – Thomas Paine

Botuar në dy pjesë në mars 1791 dhe shkurt 1792, “Të drejtat e njeriut” është një prej librave më të rëndësishëm nga një aktivist politik anglo-amerikan, filozof, teoricien i politikës dhe revolucionar. Libri merret me Revolucionin Francez dhe të drejtat që i duhen dhënë të gjithë qenieve njerëzore.

15.“Një histori e shkurtër e kohës” – Stiven Havking

Është një libër i shkencës popullore i vitit 1988, ku autori përpiqet të shpjegojë një sërë temash si kozmologjia, përfshirë Big Bengun, vrimat e zeza, si dhe konet e dritës për lexuesit jospecialistë. Libri u bë menjëherë i njohur dhe u përkthye në 35 gjuhë deri në vitin 2001.

16.“Në egërsinë e natyrës” – Jon Krakauer

I shkruar në vitin 1996, ky libër është një bestseller ndërkombëtar i botuar në 14 gjuhë. I përdorur gjerësisht në kurikulën e shkollave dhe kolegjeve, libri merret me temat se si të pranohesh në shoqëri dhe se si, ndonjëherë, të gjesh vetveten bie ndesh me të qenit një pjesëtar aktiv i shoqërisë.

17.“Thertorja Pesë” – Kurt Vonnegut

Është një roman satirik për Luftën e Dytë Botërore. I konsideruar gjysmë-autobiografik, romani bazohet pjesërisht në përvojën e vetë autorit në luftë. Përgjithësisht i pranuar si libri më me ndikim i Vonnegutit, përqendrohet tek ushtari amerikan Billi Pilgrim.

18.“Liza në botën e çudirave” – Luis Karroll

Është roman aventurash i shkruar nga matematikani anglez Çarls Dodgson me pseudonimin Luis Karroll. Libri luan mjeshtërisht me logjikën, duke i dhënë një popullaritet të madh si tek të rriturit, edhe tek fëmijët.

19.“Portreti i Dorian Greit” – Oskar Uajld

Është një roman gotik që merret me temat e esteticizmit, dyfishtësisë morale, dhe vetëllastimit. Në vitin 1890, kur u botua fillimisht, ai fyeu ndjeshmëritë morale të lexuesve dhe kritikëve, por sot konsiderohet një prej veprave më të spikatura të shekullit 19.

20.“Kumbari” – Mario Puzo

Është një roman i famshëm krimi, që trajton historinë e një familje mafioze në Nju-Jork, e udhëhequr nga Don Vito Corleone, që u bë sinonim me mafien italiane. Romani mbulon vitet 1945-1955 dhe ofron gjithashtu historinë e të kaluarës së Korleones.

21.“Ferma e Kafshëve” – Xhorxh Orvell

Një tjetër vepër e madhe e Orvellit. Një roman alegorik dhe distopik i botuar fillimisht në Angli në vitin 1945. Duke kritikuar në mënyrë alegorike komunizmin, libri u refuzua fillimisht nga një numër botuesish amerikanë, por sot konsiderohet një prej librave më me ndikim që është shkruajtur ndonjëherë.

22.“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” – Erih Maria Remark

I shkruar nga një veteran gjerman i Luftës së Parë Botërore, vepra është roman lufte i botuar në vitin 1928 që përshkruan stresin ekstrem fizik dhe mendor të ushtarëve gjermanë gjatë luftës e pas kthimit në shtëpi.

23.“Njëqind vjet vetmi” – Gabriel Garsía Márkez

I konsideruar vepra më e madhe e Markezit, është roman i realizmit magjik botuar në vitin 1967, që rrëfen historinë e familjes Buendia. I përkthyer në 37 gjuhë dhe me më shumë se 30 milionë kopje, romani njihet si një prej veprave më të rëndësishme në letërsinë e gjuhës spanjolle.

 

Continue Reading

Vendi

Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit.

“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.

Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua Lumir Abdixhikun, udhëheqësin e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, por në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit.

Pas takimit pothuajse dyorësh, Kurti tha se “jemi të përcaktuar” që të shmangen zgjedhjet e reja, pasi sipas tij as votimet e reja nuk do të sillnin 80 vota, aq sa kërkohet për votimin e presidentit të ri.

Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e mori Haxhiu, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

Kurti ka paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.

Por, sipas një komunikate të cituar nga mediat lokale në Kosovë, Hamza i ka kthyer përgjigje Kurtit lidhur me ftesën për takim, duke i kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që për këtë temë të diskutohet në organet e partisë dhe më pas të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për EkonomiaOnline se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë të re për takim. Ajo tha se subjekti i saj politik nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit mbetet te Kurti, partia e të cilit ka shumicën në Kuvend.

LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë. /REL/

Continue Reading

Lajmet

UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale

Published

on

By

Në një treg global ku kufijtë mes krijimtarisë vizuale tradicionale dhe teknologjisë po zbehen, programi Bachelor – Arti dhe Mediat Digjital  në UBT po shndërrohet në një epiqendër për zhvillimin e talentit dhe inovacionit vizual.

Ky drejtim është projektuar si një përgjigje strategjike ndaj nevojave të industrisë kreative, e cila përfaqëson një nga sektorët me rritjen më të shpejtë ekonomike, duke synuar përgatitjen e kuadrove që jo vetëm zotërojnë mjetet e epokës digjitale, por edhe visionin artistik për të lënë gjurmë në shoqëri.

Në kontekstin e Kosovës, ku potenciali i jashtëzakonshëm i rinisë kërkon hapësira të specializuara për t’u profilizuar, ky program ofron një platformë ndërdisiplinore që lidh dizajnin grafik, animacionin, videoproduksionin dhe kuratorinë digjitale në një cikël të vetëm studimi.

Përmes një kurrikule të pasur, studentët nisin udhëtimin e tyre me bazat e vizatimit, pikturës dhe skulpturës, për t’u avancuar më tej në fusha komplekse si modelimi 3D, fotografia profesionale, efektet vizuale (VFX) dhe arti i performancës.

Ky formim i gjithanshëm u mundëson të rinjve të mos jenë thjesht ekzekutues teknikë, por artistë të pavarur me mendim kritik që kuptojnë thellësisht marrëdhënien midis artit dhe platformave emergjente të komunikimit.

UBT synon që përmes këtij programi të rritet jo vetëm shkalla e të punësuarve, por edhe cilësin e shprehjes vizuale në vend, duke krijuar profesionistë që operojnë me përgjegjësi sociale dhe ndjeshmëri të lartë kulturore.

Përtej shkathtësive praktike, programi nxit një qasje kërkimore ndaj sfidave të shoqërisë moderne, duke i inkurajuar krijuesit e rinj të transformojnë mjedisin ku jetojnë përmes inovacionit dhe kreativitetit.

Objektivi kryesor mbetet edukimi i një gjenerate që është e gatshme të sfidojë normat ekzistuese dhe të ndërtojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe reflektuese.

Në fund të rrugëtimit të tyre akademik, të diplomuarit në Arti dhe Mediat Digjitale dalin si liderë të gatshëm për të eksploruar dhe riformësuar peizazhin mediatik dhe kulturor, duke dëshmuar se UBT mbetet udhërrëfyesi kryesor për karrierat e suksesshme në artin e shekullit të 21-të.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

lajme

Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin

Published

on

By

Gjatë qëndrimit të tij në Hungari për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u shpreh i bindur se SHBA-ja do të marrë një përgjigje nga Teherani përpara skadimit të afatit të fundit.

Sipas tij, objektivat ushtarake amerikane në këtë luftë janë arritur në masë të madhe dhe tashmë topi është në fushën e Iranit.

Uashingtoni kërkon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, rrugë kjo ku kalon rreth 20% e naftës botërore.

Bllokada e tanishme ka paralizuar trafikun detar dhe ka shkaktuar rritje të paprecedentë të çmimeve të karburanteve në mbarë botën, prandaj administrata Trump po këmbëngul që lundrimi i lirë të rikthehet pa vonesa të mëtejshme.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës

Published

on

By

Fakulteti i Arkitekturës në UBT, i njohur për standardet e larta akademike dhe qasjen inovative, ka bërë një hap të madh drejt fuqizimit të studentëve të tij duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK).

Ky partneritet strategjik synon të forcojë lidhjen mes edukimit akademik që ofron UBT dhe kërkesave rigoroze të tregut profesional. Përmes kësaj kornize, studentët e UBT-së do të kenë një qasje më të drejtpërdrejtë në proceset e integrimit profesional dhe avancimin e standardeve etike e bashkëkohore në fushën e arkitekturës.

Marrëveshja e nënshkruar krijon një platformë afatgjatë që do të fokusohet në disa shtylla kryesore; avancimi i standardeve profesionale në arkitekturë; përgatitja e studentëve për tregun profesional dhe proceset e integrimit në profesion; shkëmbimi i njohurive dhe përvojës ndërmjet akademisë dhe profesionit; organizimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; bashkëpunimi në zhvillimin e aktiviteteve që kontribuojnë në edukimin profesional të vazhdueshëm (EVP).

Për Fakultetin e Arkitekturës në UBT, kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm dije teorike, por edhe mundësi konkrete për t’u bërë pjesë e elitës profesionale.

Bashkëpunimi me OARK-në shërben si një platformë që nxit zhvillimin e arkitekturës moderne në vend, duke i dhënë zë gjeneratave të reja të arkitektëve.

Oda e Arkitektëve, gjithashtu shpreh gatishmërinë që përmes këtij partneriteti me UBT-në, të kontribuojë në ndërtimin e një profesioni të fortë dhe bashkëkohor, duke siguruar që dija akademike të përkthehet në zgjidhje praktike për mjedisin e ndërtuar në Republikën e Kosovës.

 

Continue Reading

Të kërkuara