Sport

“2023-ta, vit i zhvillimit të hovshëm sportiv”, Osmani: Sivjet investojmë në infrastrukturë

Kështu e cilëson vitin 2023 në një intervistë zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.

Published

on

2023-ta po konsiderohet të ketë qenë viti me zhvillimin më të hovshëm të sportit, si për zhvillimin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Kështu e cilëson vitin 2023 në një intervistë zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani. Ajo mbi të gjitha vlerëson ndryshimet në infrastrukturën ligjore, duke përfshirë projektligjin e ri për sport, i cili parasheh fuqizimin e strukturës sportive ku përfshihet edhe Agjencia për Sport si organi më i ri në këtë fushë.

“Ligji parasheh fuqizim të strukturës sportive, përkundër se bashkëpunimi ka ekzistuar vazhdimisht me federatat, klubet, akterët e jashtëm, mirëpo përmes ligjit sqarohet saktësisht roli, përgjegjësitë, detyrat dhe kompetencat e secilës palë, secilit akterë që është brenda sistemi tonë. Përtej kësaj, parasheh edhe riorganizim të strukturës institucionale, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vazhdon të mbetet zëri kyç i sportit në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mirëpo parashihet edhe themelimi i Agjencisë për Sportin i cili do të ketë rol ekzekutiv në zbatim të politikave sportive në kuadër të vendit tonë, pastaj themelimi i Inspektoratit për Sport i cili kryesisht do të jetë i fokusuar te çështja e inspektimit të infrastrukturës sportive”, thotë Osmani.

Osmani zbulon se me këtë ligj, për herë të parë parashihet kompensimi financiar i sportistëve, të cilët kanë kontribuar në kohën e okupimit.

“Një risi e veçantë është që ligji po ashtu krijon bazë për njohjen e kontributit të ish-sportistëve dhe trajnerëve të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë gjatë kohës së okupimit gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta në Kosovë, një kërkesë e kahmotshme e komunitetit sportiv. Tani, ne kemi krijuar bazë e cila më në detaje do të shtjellohet edhe përmes akteve nën ligjore, të cilat do të hartohen në momentin që ligji votohet në Parlament…Do të ketë kompensim edhe për ta, tani për mënyrën e identifikimit për shkak se e dimë që është një numër i madh, ne kemi pasur disa tentativa edhe gjatë vitit të kaluar që së bashku me federatat të fillojmë të bëjmë një listë të këtyre emrave. Disa i njohim, i dimë të gjithë, por ka edhe shumë të tjerë që nuk janë shumë prezentë në komunitet apo edhe në mediat sportive brenda vendit në përgjithësi. Përveç identifikimit, do të gjendet edhe formula përmes së cilës do të bëhet edhe kompensimi i kontributit që e kanë dhënë”, deklaron Osmani.

Vitin e kaluar, Osmani e konsideron si vit kyç për zhvillimin e sportit në Kosovë që kulmoi me fitimin e të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Konsiderojmë që 2023-ta deri më tani viti kyç i zhvillimit të sportit në vend për shkak se kryesisht fokusi apo mobilizimi dhe investimi ka qenë te zhvillimi i brendshëm i sportit dhe ne këtë e kemi më së shumti për nevojë tani për shkak se me zhvillim të brendshëm do të arrijmë të kemi edhe rezultate ndërkombëtare e paraqitje të shkëlqyeshme në arenat sportive ndërkombëtare. Siç e dimë, Kosova është shpallur shteti nikoqir i Lojërave Mesdhetare 2030, një moment historik që komplet politikën sportive e vendosë brenda një kornize kohore të caktuar për gjashtë vjet, deri më 2030, e cila prek pastaj të gjitha komponentët e sportit…Procesi i licencimit është pothuajse i përmbyllur. Sot, kemi 37 federata sportive të licencuara nga pesë apo gjashtë sa i kishim në fillim të vitit, proces ky i cili e ka ngritur standardin e qeverisjes”, thekson Osmani.

Kritikave se MKRS-ja nuk ka bërë investime të mëdha në infrastrukturë, Osmani iu përgjigjet duke thënë se janë gjetur shumë shkelje ligjore në projektet e viteve të kaluara dhe se është dashur rregullimi i tyre. Ajo shton se 2024-ta do të jetë vit i shumë investimeve në infrastrukturën sportive.

“Ne nuk mund të themi që nuk ka lëvizje, mirëpo duhet ta kemi të qartë se për të thënë unë sot që e kemi nisur, e kemi bërë. Shumë lehtë kemi mundur ta vendosim edhe ne një gurthemel kudo në njërën nga këto investimet tona, por të cilat nuk kanë pasur projekt, nuk kanë pasur tokë të ndarë për ndërtim. Jemi siguruar dhe do të vazhdojmë me qasjen e njëjtë edhe gjatë viteve në vazhdim që para se ta vendosim një gurthemel, planifikimi të jetë i qartë, buxheti të jetë aty, procedurat administrative të jenë të përfunduara në mënyrë që të mos hasim prapë në vështirësi…Siç edhe e dini, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është ministria me rritjen më të madhe të buxhetit për 2024 me votimin e Ligjit të Buxhetit në Kuvend dhe kjo po bëhet, pjesa më e madhe e atij buxheti padyshim se shkon në infrastrukturën e sportit”, shton Osmani.

2024-ta do të jetë vit që në Kosovë sjell pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit, dhe kjo sipas Osmanit do të ndikojë në rritjen e investimeve në renovimin dhe ndërtimin e palestrave të reja.

“Përveç rinovimit të shtatë palestrave kryesore në vend, parashihet edhe ndërtimi i palestrave të reja, është një në Prishtinë e cila veçse është në kod buxhetor në Ligjin e Buxhetit…projekt ky, i cili do të zbatohet në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Basketbollit dhe Federatën e Basketbollit përbrenda vendit tonë. Qasja për investimet e reja, do të jenë investime lokale, të cilat do t’i shërbejnë komunitetit, të cilat do të shfrytëzohen nga klubet, qytetarët, ndërsa renovimi i palestrës së Pallatin të Rinisë dhe Sporteve, salla e djegur, që edhe kjo është pjesë e Lojërave Mesdhetare, do të jetë hapësira, e cila do të shfrytëzohet për organizime edhe më të mëdha, të cilat synojmë t’i kemi në të ardhmen”, thotë Osmani.

Gjatë vitit 2023, Osmani thekson gjithashtu se përmes subvencioneve të ndryshme, për sektorin e sportit, MKRS ka ndarë mbi 12 milionë euro.

“Ministria e Sporti ka ndarë mbi 12 milionë euro subvencionim për sektorin e sportit, duke përfshirë memorandumet e bashkëpunimit me federatat, memorandume të veçanta për programe dhe aktivitete specifike, duke përfshirë thirrjet publike për klubet dhe organizatat sportive, si dhe sportistë dhe individë të tjerë, për shkak se thirrjet nuk i targetojnë federatat sportive, mirëpo pjesën tjetër të komunitetit”, bën të ditur Osmani.

Vëmendje të veçantë MKRS po i kushton edhe projektit “Sporti në Shkolla”, i cili, sipas Osmanit, synon shtrirjen e aktivitetit sportiv brenda klasave në shkollat fillore dhe të mesme.

Sport

Talentes austriake i përfundon karriera pas dy arresteve kardiake: Mjekët nuk besonin se do të mbijetoja

Published

on

By

Talentes së skijimit “cross-country” nga Austria, Katharina Engelhardt, i është dashur t’i japë fund karrierës sportive vetëm në moshën 18-vjeçare, pasi përjetoi dy arreste kardiake që e vunë jetën e saj në rrezik.

Sportistja e re zbuloi përmes një postimi në rrjetet sociale se kaloi ditë të vështira në spital, ku u mbajt në komë të shkaktuar nga mjekët për katër ditë.

“Më thanë se kisha pësuar dy arreste kardiake dhe isha në komë të shkaktuar nga mjekësia për katër ditë”, shkroi Engelhardt në Instagram, duke publikuar edhe një fotografi nga shtrati i spitalit.

Për shkak të një miokarditi (inflamacion i muskulit të zemrës), ajo kaloi një javë në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa gjendja e saj ishte tejet kritike.

18-vjeçarja tregoi se edhe mjekët kishin pak shpresa për mbijetesën e saj.

“Edhe mjekët e shkëlqyer në Linz menduan se nuk do t’ia dilja. Por gabuan, sepse ia dola”, shkroi ajo, duke falënderuar stafin mjekësor, familjen dhe miqtë për mbështetjen gjatë periudhës më të vështirë të jetës së saj.

Engelhardt konsiderohej një prej talenteve premtuese të skijimit austriak, por problemet serioze shëndetësore e kanë detyruar të tërhiqet përgjithmonë nga sporti garues.

Megjithëse ëndrra e saj sportive ka marrë fund, 18-vjeçarja e ka fituar betejën më të rëndësishme, atë për jetën.

D.L

Continue Reading

Sport

Ronaldo: Spanja e shkatërroi Argjentinën, rezultati nuk pasqyroi dominimin e saj

Published

on

By

Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo Nazário, ka lavdëruar paraqitjen e Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar se kampionët e rinj të botës ishin dukshëm superiorë ndaj Argjentinës, pavarësisht fitores minimale 1:0 pas vazhdimeve.

Në një reagim të publikuar në kanalin e tij në TikTok, ish-sulmuesi brazilian tha se rezultati nuk e pasqyroi aspak epërsinë që Spanja tregoi gjatë gjithë takimit.

“Ishte një ditë historike. Spanja dominoi nga fillimi deri në fund, pikërisht ashtu siç e prisja. Golat nuk erdhën aq lehtë sa e meritonin dhe nuk fituan me diferencën që e meritonin, por ishte dominim absolut gjatë gjithë ndeshjes”, deklaroi Ronaldo.

Fituesi i dy Kupave të Botës shkoi edhe më tej në analizën e tij, duke theksuar se dallimi në cilësi mes dy kombëtareve ishte i dukshëm.

“Ishte një shkatërrim. Diferenca në cilësi mes Spanjës dhe Argjentinës është e madhe. Edhe me Messin, nuk arritën t’i bëjnë ballë”, u shpreh ai.

Sipas Ronaldos, triumfi i Spanjës është rezultat i forcës kolektive dhe organizimit të skuadrës, e jo vetëm i individualiteteve.

“Një lojtar i talentuar mund të fitojë një ndeshje, por për të fituar një Kupë Bote të duhet forca e ekipit, siç e ka Spanja. Ata luajnë si një njësi dhe çdo futbollist është i rëndësishëm”, tha ai.

Në fund, ish-ylli brazilian e cilësoi stilin e lojës së Spanjës si standardin e ri të futbollit botëror.

“Argjentina nuk ka luajtur kurrë futboll të bukur, ata vetëm kanë luftuar me shumë karakter. Spanja ka ADN-në e saj të lojës dhe luan futboll të bukur. ‘Joga Bonito’ e Brazilit është tejkaluar dhe mënyra se si luan Spanja është tani më e mira në botë”, përfundoi Ronaldo.

D.L

Continue Reading

Sport

Guillermo Ochoa i jep fund karrierës, legjenda meksikane var dorezat në moshën 41-vjeçare

Published

on

By

Portieri legjendar i Meksikës, Guillermo Ochoa, ka njoftuar tërheqjen nga futbolli profesionist, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme që zgjati 22 vjet.

41-vjeçari kishte bërë të ditur më herët largimin nga Kombëtarja e Meksikës, por kishte lënë të hapur mundësinë për të vazhduar të luante në nivel klubesh. Megjithatë, ai ka vendosur t’i japë fund përfundimisht karrierës së tij.

“Kam dhënë çdo gjë. Kam lënë gjithçka në fushë për klubet ku kam luajtur dhe për ekipin kombëtar. Sot i var dorezat e mia”, shkroi Ochoa në mesazhin e tij të lamtumirës.

Ochoa do të mbahet mend si një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit meksikan. Ai mori pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës, një arritje që e ndajnë vetëm Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Në Botërorët e Brazilit 2014, Rusisë 2018 dhe Katarit 2022 ai ishte portieri titullar i Meksikës, duke dhuruar paraqitje që mbeten ndër më të mirat në historinë e turneut.

Karrierën e nisi te Club América, ndërsa më pas ndërtoi një rrugëtim të suksesshëm edhe në futbollin evropian, ku mbrojti ngjyrat e Ajaccio, Málaga, Granada, Standard Liège, Salernitana dhe disa klubeve të tjera.

Me pensionimin e Ochoas, futbolli humbet një prej portierëve më karizmatikë dhe më të spikatur të dy dekadave të fundit, i njohur për refleksin e jashtëzakonshëm dhe paraqitjet mbresëlënëse në skenën më të madhe të futbollit botëror.

D.L

Continue Reading

Sport

Trump dëshiron Infantinon në krye të OKB-së, zbulon media amerikane

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dëshiron ta shohë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, raportoi The New York Post, duke cituar burime pranë presidentit amerikan.

Sipas raportimit, marrëdhëniet mes Trumpit dhe Infantinos janë forcuar gjatë bashkëpunimit për organizimin e Kupës së Botës 2026. Burimi i gazetës thotë se Trump e vlerëson lart kreun e FIFA-s, duke besuar se ai “respektohet nga të gjithë në botë” dhe se ka “një aftësi të veçantë për të bashkuar njerëzit”.

Mandati i sekretarit aktual të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfundon në fund të dhjetorit dhe zgjedhja e pasuesit të tij pritet të zhvillohet gjatë këtij viti.

Për të marrë këtë detyrë, kandidati duhet të sigurojë fillimisht miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i përbërë nga 15 anëtarë, ku pesë anëtarët e përhershëm kanë të drejtën e vetos. Më pas, kandidatura duhet të konfirmohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Infantino është i interesuar të kandidojë për këtë post apo nëse ka zhvilluar bisedime konkrete me Trump lidhur me këtë mundësi.

Sipas The New York Post, presidenti amerikan e sheh Infantinon si një kandidat me potencial të madh, veçanërisht në një garë ku kandidatët e tjerë konsiderohen “relativisht të dobët”, sipas një burimi të cituar nga gazeta amerikane.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara