Varianti Delta Plus i koronavirusit po shpërndahet në një numër të madh shtetesh, përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Indinë.
Ky variant, që mori vëmendje të madhe mediatike, njihet si B. 1.617.2.1, dhe është version tjetër i variantit Delta që së pari u identifikua në Indi, në muajin shkurt.
Varianti Delta Plus së pari u shfaq në Britani të Madhe, më 11 qershor. Por rastet e para mund të jenë shfaqur edhe më herët, saktësisht më 26 prill në Britani.
Rreth 200 raste me këtë variant janë identifikuar në 11 vende. Ekspertët shëndetësorë po hetojnë nëse Delta Plus mund të jetë më i transmetueshëm se llojet e tjera të varianteve, si Alpha ose Delta – por është shumë herët të thuhet me siguri se cilat mund të jenë efektet e tij.
Ku dallon Delta Plus nga varianti Delta?
Të gjitha variantet kanë grupe mutacionesh. Delta Plus ka një mutacion ekstra që njihet si K417N, që e dallon nga varianti origjinal. Ky mutacion prek proteinën, një pjesë e virusit që shtyn qelizat të infektohen.
Ka edhe variante të tjera të Delta Plus me grupe mutacionesh tjera, thanë nga Qeveria indiane të mërkurën, duke shtuar se AY.1 ishte më i njohuri.
Varianti origjinal i Delta, i njohur si B.1.617.2 u përhap shumë shpejt në dhjetëra vende evropiane, dhe është 40-60% më i përhapur sesa varianti Alpha që së pari u identifikua në Angli, thotë Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
A është më i rrezikshëm ky variant?
Ekspertët thonë se varianti Delta Plus shfaq disa tipare shqetësuese si përhapja më e madhe, lidhja më e fortë me receptorët e qelizave të mushkërive dhe një reduktim i mundshëm i përgjigjes së antitrupave.
Në cilat shtete u shfaq ky virus?
Delta Plus u shfaq në 11 vende – por numri i rasteve për vend pasqyron vetëm rastet që janë detektuar, dhe duhet edhe më shumë të dhëna për ta përcaktuar shkallën e përhapjes.
Deri më tani 83 raste janë detektuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pastaj renditet Britania e Madhe me 41 raste dhe India me 40 raste. Rastet tjera janë shfaqur në Kanada, Japoni, Nepal, Poloni, Portugali, Rusi, Zvicër dhe Turqi./UBTNews
Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut ka zhvilluar gjatë javës së fundit aktivitete të shtuara operative dhe parandaluese për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 12 armë zjarri dhe janë arrestuar 15 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Në kuadër të aktiviteteve në trafik, Policia ka shqiptuar gjithsej 1,390 gjoba, ndërsa janë vendosur edhe 9 masa mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjeteve motorike, për kundërvajtje të ndryshme.
Policia e Mitrovicës së Jugut ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet operative dhe parandaluese, me synim rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve./A.K/
OpenAI ka raportuar në FBI një 25-vjeçar nga Florida, pasi ai dyshohet se përdori ChatGPT për të shkruar plane të hollësishme për përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës së tij.
Sipas hetuesve, Darren Zhou kishte nisur të përdorte ChatGPT në mars për të diskutuar ndarjen nga partnerja e tij, por bisedat më vonë u shndërruan në kërcënime serioze. Ai dyshohet se shprehu xhelozi ndaj personave që rrethonin ish-të dashurën dhe shkroi se do ta vriste atë deri në fund të muajit.
Kërcënimet dyshohet se u zgjeruan edhe ndaj familjes së 21-vjeçares. Ish-partnerja e Zhou kishte deklaruar se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes së tij të çrregullt, xheloze dhe kontrolluese. Pas ndarjes, ajo tha se ai e kishte përndjekur përmes telefonatave, mesazheve dhe komunikimeve kërcënuese në rrjetet sociale.
OpenAI u dha autoriteteve informacionin për bisedat, pasi kompania lejon shqyrtimin e komunikimeve dhe njoftimin e institucioneve kur identifikohet një rrezik serioz ndaj personave të tjerë. Në maj, FBI-ja ia dorëzoi Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach bisedat e Zhou-s për një periudhë prej dy muajsh.
Një efektiv i përfshirë në rast vlerësoi se mesazhet nuk përbënin thjesht shpërthime emocionale, por tregonin një model të planifikimit.
Zhou u arrestua në maj dhe u lirua dy ditë më vonë kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh. Ai u akuzua për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular.
Më 13 gusht, Zhou u deklarua fajtor për të tria akuzat dhe arriti një marrëveshje që e shmangu burgimin. Gjykata e dënoi me tetë vjet mbikëqyrje nga shërbimi i provës, si dhe i vendosi një sërë kufizimesh./A.K/
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një burrë është gjetur pa shenja jete në Mitrovicën e Veriut.
Autoritetet policore kanë njoftuar se rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’i nënshtruar obduksionit, nga ku pritet të sqarohen rrethanat dhe shkaqet e plota të vdekjes. /E.A/