Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.
Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.
Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.
“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.
Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.
“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.
Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.
“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re./A.K/