Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria do të eksportojë makina ushtarake të gjeneratës së fundit.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në “Tirana Industrial Park” ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të bizneseve dhe punonjës mbi strategjinë e politikat e punësimit.
Rama ka theksuar se janë duke punuar për të ndërtuar një partneritet strategjik me një nga kompanitë më të mëdha të botës në fushën e industrisë ushtarake, ku sipas tij kanë arritur ta kurorëzojmë në linjat e përgjithshme këtë partneritet.
“Prodhimet do të jenë ‘Made in Albania’ dhe Shqipëria do të eksportojë në tregje të tjera makina ushtarake të gjeneratës së fundit. Janë një sërë iniciativash të tjera në fushën e industrisë ushtarake, që janë në proces dhe unë jam shumë optimist që do të materializohen njëra pas tjetrës”, është shprehur Rama.
Kryeministri Rama, ndër të tjera, ka deklaruar se shumë kompani janë me produkte goxha të sofistikuara.
Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të kompanisë shqiptare, e cila ka ndërtuar makinën e parë ushtarake të blinduar “Made in Albania” të quajtur “Shota”.