Lajmet

2 mijë e 203 të vdekur nga COVID-19 në Kosovë

Published

on

2 mijë e 203 është numri i përgjithshëm i rasteve që kanë përfunduar me fatalitet në Kosovë si pasojë e infektimit me COVID-19.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus në vendin tonë më 13 mars e deri më tani janë regjistruar gjithsejt 106 mijë e 345 raste pozitive.

Nga ky numër sipas IKSHPK-së deri më sot janë shëruar 97 mijë e 384 persona.

Ndërkaq numri i rasteve aktive shënon, 6 mijë e 758.

Deri më tani si të dyshuar për SARS Cov-2 janë testuar gjithsejt 552 mijë e 70 persona.

Lajmet

​Raporti Kurti-Osmani, në LVV thonë se qëllimet e tyre janë të njëjta dhe të palëkundura

Published

on

By

Dallimet ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me kryeministrin, Albin Kurti, që dolën së fundmi në pah edhe në adresimin vjetor të së parës së shtetit në Kuvendin e Kosovës, për partinë pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje nuk paraqet ndonjë problem. Sipas tyre, krerët institucional mund të kenë dallime në nuanca, por se qëllimi është gjithnjë i njëjtë.

Përfaqësues të kësaj partie thonë se Presidenca dhe Qeveria mund të kenë dallime në çështje të caktuara por që sipas tyre, kjo nuk pengon që në hapat tutje të gjejnë gjuhën e përbashkët për interesa të Kosovës. Ndërkaq, opozita dhe analist politik, qëndrimet e presidentes Osmani kundër kryeministrit Kurti i shohin si të vonuara.

Presidentja Osmani para deputetëve të enjten adresoi një mori kritikash ndaj Kurtit, veçmas në ruajtjen e raporteve me aleatët, madje siç theksoi ajo luajtja bixhoz me ta cenon shtetësinë e vendit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha thotë, se pavarësisht dallimeve në mes Kurtit dhe Osmanit, e rëndësishme është që qëllimet e tyre janë të njëjta dhe të palëkundura.

“Nuk pres që të gjitha institucionet të kenë të njëjtat ide në të gjitha situatat. Natyrisht mund të ketë dallime, por e rëndësishme është që të kenë qëllimi i përbashkët dhe të ketë qëndrime bërthamë të përbashkët dhe të njëjtat nuk lëvizin…Në nuanca mund të dallojmë, prandaj presidentja i tha ato që ajo mendon. Qeveria i ka qëndrimet e veta por kjo nuk pengon që në hapat tutje të gjejmë gjuhën e përbashkët për interesa të Kosovës”, tha ai.

Megjithatë, deputeti i mazhorancës është më i rezervuar në raport me idenë e presidentes Osmani sa i përket zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes së Brukselit.

“Secila ide, sidomos kur vjen nga presidentja, kryeministri apo kryeparlaemntari duhet të diskutohet dhe shqyrtohet. Pas këtyre diskutimeve ne mund të shohim a është e duhur apo jo. Momentalisht nuk kemi informata më të detajuara si është menduar kjo çështje…Marrëveshjet të cilat bëhen janë marrëveshje ndërkombëtare dhe të cilat nuk mund njëanshëm t’i zbatojmë pasi nëse pala tjetër nuk i pranon atëherë i bie se nuk kemi marrëveshje. Me aleatët tanë kemi interesa të tjera siç është konsolidimi i mëtejmë i shtetësisë së Kosovës dhe pranimi në organizata ndërkombëtare”, shton Batusha.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu thotë, se deklarimet e presidentes Osmani janë të vonuara. Sipas saj, një presidente që është e thirrur të mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, do të duhej të kishte guxim që më herët të reagonte ndaj kryeministrit Kurti.

“Është qasje e vonë. Është absolutisht qasje e vonë. Një presidente e cila ka marrë mandat nga ky kuvend dhe është votuar si e para e vendit është dashur që të ketë të paktën guximin që për këto katër vite njëherë të vetme të deklarohet në shpërputhje me qëndrimet e qeverisë. Deri tash kemi pa harmoni të plotë të saj në deklarimet e qeverisë. Asnjëherë as në raport me mediat që janë cenuar dhe sulmuar, po ashtu kur janë atakuar institucionet e pavarura… Një presidente që është e thirrur të mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë do të duhej të kishte guxim, jo vetëm institucional por edhe moral dhe qytetarë se këto që po ndodhin e dëmtojnë demokracinë dhe stabilitetin e një vendi demokratik. Prandaj këto i shoh absolutisht si qëndrime të vonuara në raport me keqqeverisjen që po dominon në Kosovë”, deklaron ai.

Se qëndrimi i presidentes Osmani është i vonuar e thotë edhe analisti politik, Arton Demhasaj.

Gjithsesi, ai e sheh si pozitive propozimin për të ecur përpara në dialog dhe largimin nga status-quo-ja.

“Është e vonshme ky qëndrim i presidentes për shkak se po flasim për katër vite të kësaj qeverie, përafërsisht edhe katër vjet mandat të presidentes që vazhdimisht kanë ngulur këmbë…Në vend që të koncentrohen se qysh me jep një zgjidhje pasi Kosova ka mbetur në status-qou dhe qysh me u nxjerr nga status-qou. Unë mendoj se Kosova mund të dal nga status-qou edhe nëse Serbia s’pranon me zbatu marrëveshjen e Brukselit. Kosova është dashur të ulet me BE-në dhe ShBA-në dhe të merr garanca nga ta se nëse Kosova fillon me zbatu njëanshëm marrëveshjet çfarë garanca jepen. Qoftë për njohjen e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kosovës t’iu hapet perspektiva në BE dhe NATO”, thekson ai.

Kryeministri Kurti deri më tani si ka komentuar deklarimet e presidentes Osmani se luajtja bixhoz me aleatët cenon shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Continue Reading

Bota

Plani 5.3 mln euro: Zviceranët i thonë ‘Jo’ qeverisë, votojnë kundër zgjerimit të autostradave

Published

on

Zviceranët kanë votuar kundër një propozimi të qeverisë për zgjerimin e rrjetit të autostradave, duke refuzuar ndarjen e 5.3 milionë eurove për të financuar ndërtimin e rrugëve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese në gjashtë lokacione kyçe, përfshirë zona afër Bernës dhe midis Gjenevës dhe Lozanës. Rezultati i referendumit, i cili u mbajt të dielën, ka treguar se 52.7% e votuesve ishin kundër këtij plani, duke e refuzuar atë si një politikë transporti të papërshtatshme për nevojat e sotme.

Plani, i miratuar nga parlamenti zviceran vitin e kaluar, kishte për qëllim të përballonte rritjen e trafikut në autostradat e vendit, i cili është rritur ndjeshëm gjatë 60 viteve të fundit. Megjithatë, kundërshtarët e projektit, përfshirë Partinë e Gjelbër dhe grupet mjedisore, argumentuan se zgjerimi i autostradave do të kishte një ndikim negativ në mjedis, duke shkaktuar më shumë ndotje dhe më shumë trafik. Ata gjithashtu shprehën shqetësimin se zgjerimi i rrugëve do të çonte në një rreth vicioz, ku autostradat më të gjera do të tërhiqnin më shumë automjete, duke krijuar më shumë bllokime dhe më shumë ndotje.

Në vend të zgjerimit të autostradave, ata kërkuan që fondet të përdoren për investime në transportin publik, lëvizshmërinë aktive dhe rinovimin e infrastrukturës ekzistuese. Mattea Meyer, përfaqësuese e kampit që u shpreh kundër zgjerimit të autostradave, u shpreh e kënaqur me rezultatin e referendumit, duke thënë se “shumica e popullsisë dëshiron mbrojtje klimatike dhe një sistem transporti që nuk është në kundërshtim me klimën, gjë që nuk është zgjerimi i autostradave”.

Ky rezultat ka shkaktuar një ndjenjë triumfi te ata që kanë luftuar për një politikë më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, duke pasur një impakt të drejtpërdrejtë në politikat e transportit të ardhshme në Zvicër./UBTNews/

Continue Reading

Kulturë

Elbasani, i pari qytet që shpalli pavarësinë!

Published

on

Qyteti i Elbasanit ka pasur një vend të veçantë në historinë e pavarësisë së Shqipërisë, duke u shndërruar në qytetin e parë që shpalli pavarësinë më 25 nëntor të vitit 1912. Ky akt historik ka ardhur në kuadër të rrethanave të rëndësishme të kohës dhe pas dakordësisë me Ismail Qemalin, duke e bërë Elbasanin pionier të shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar.

Në këtë ditë të shënuar, përfaqësuesit e qytetit të Elbasanit, të udhëhequr nga Aqif Pashë Biçakçiu, shpallën me krenari Deklaratën e Pavarësisë, që u bë një akt simbolik i madh për popullin shqiptar. Deklarata e firmosur në atë kohë mbante mesazhe të fuqishme dhe të qarta, duke e bërë të ditur për botën se Shqipëria ishte plotësisht e shkëputur nga Mbretëria turke dhe do të qeverisej e pavarur dhe me drejtësi. Ajo theksonte se çdo qytetar shqiptar dhe i huaj do të kishte të drejtat e plota njerëzore dhe do të jetonte në liri, pa asnjë dallim fetar ose ideologjik.

Në këtë deklaratë, theksohej gjithashtu dëshira e popullit të Elbasanit për të jetuar në harmoni me shtetet fqinj dhe për të kërkuar ndihmën e tyre në krijimin e një qeverie të drejtë dhe të paanshme. Fjala “Rroftë Shqipëria e lirë” përfundonte këtë akt historik, duke i dhënë një ndihmesë të fuqishme luftës për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Ky moment i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë është një kujtim i gjallë i angazhimit dhe sakrificës së popullit shqiptar për lirinë e tij, dhe Elbasani, si qyteti i parë që shpalli pavarësinë, do të mbetet gjithmonë në kujtesën kolektive të shqiptarëve si një simbol i besimit në një të ardhme të lirë dhe të pavarur./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

​“Alarmante shifrat e dhunës në familje”, Haxhiu: Deri tani asnjë dënim maksimal për dhunuesit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbatojnë legjislacionin në fuqi për ndëshkimin maksimal të dhunuesve. Sipas saj, deri më tani nuk ka asnjë dënim me gjobë deri në tri vjet, siç e parasheh neni i Kodit Penal të Kosovës. Kështu u shpreh ajo në aktivitetin “Thyerja e heshtjes: Fuqizimi i Zërave nga Italia dhe Kosova kundër dhunës ndaj grave”, të organizuar nga Ambasada e Italisë dhe Fondacioni Jahjaga.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu tha se shifrat e dhunës në familje kudo në botë janë alarmante.

“Dhuna ndaj grave shpesh mbulohet nga heshtja, duke i detyruar viktimat të mbajnë barrën e traumës së tyre të vetme, nga frika ose turpi; kjo heshtje përfaqëson jo vetëm një zbrazëti, por edhe një pengesë për drejtësinë dhe rehabilitimin e tyre psikologjik. Kjo është arsyeja pse është qenësore të thyhet kjo heshtje, duke u dhënë zë atyre që nuk kanë dhe duke krijuar një hapësirë të sigurt për dialog dhe mbështetje. Në Itali, ne jemi dëshmitarë të rritjes së një lëvizjeje fuqizimi; gratë po mblidhen së bashku, duke ndarë historitë dhe përvojat e tyre. Kjo jo vetëm që ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit publik, por gjithashtu ofron një model të qëndrueshmërisë për viktimat e dhunës. Në Kosovë, gratë po bëjnë të njëjtën gjë, duke luftuar për të drejtat e tyre dhe një të ardhme më të mirë”u shpreh De Riu.

Roli i institucioneve, sipas diplomatit italian është thelbësor që viktimat të marrin ndihmën e nevojshme.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kritikoi institucionet e drejtësisë për mos-ndëshkueshmëri të dhunuesve sipas ligjit.

“Është tejet e rëndësishme që të ketë zbatim të legjislacionit në fuqi. Qeveria, Kuvendi i Kosovës e ka për detyrë që të hartojnë ligjet, por është e detyrë e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të drejtësisë që të zbatojnë në përpikëri detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Nëse shohim Kodin Penal, vepra e dhunës në familje parasheh dënim me gjobë dhe me burgim deri në tri vite. Por deri më tani nuk kemi asnjë dënim deri në maksimumin që e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Prandaj, po e shfrytëzoj edhe këtë organizim që të bëjë thirrje tek institucionet e drejtësisë që të zbatojnë me përgjegjësinë më të lartë nenin që ndërlidhet me dhunën në familje, që dhunuesve të ua japin dënimin e merituar me gjobë dhe me burgim deri në tri vite. Kjo është ajo çfarë parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

E para e Drejtësisë tha se janë bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

Në ditën e parë të fushatës globale “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, ish-presidentja, Atifete Jahjaga përmendi disa nga emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre.

“Dhuna me baza gjinore nuk është realitet i Kosovës vetëm, ky problem po prek çdo shoqëri pasi që dhuna nuk njeh kufi. Ajo shfaqet në të gjitha kulturat, në çdo komunitet duke e bërë këtë një çështje botërisht shqetësuese. Intensiteti dhe mënyra se si trajtohet kjo dukuri varet nga shumë faktor përfshirë edhe reagimin ligjor dhe institucional. Kosova si një vend i ri ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar një kuadër ligjor të fort kundër kësaj plage shoqërore, por sfidat qëndrojnë në zbatimin e tij të plot dhe në zbatimin e tij efektiv. Ani pse jemi vend i ri në krahasim me vendet sikurse Italia ta themi, Kosova zhvillimin e ka të shpejt dhe të dukshëm në shumë fusha. Po filloj me shembullin personal, në vitin 2011 askush në Kosovë, as burrë e as grua, i ri apo i vjetër nuk e ka paramenduar që Kosova do ta zgjidhte gruan e parë presidente”, përfundoi Jahjaga.

Jahjaga foli edhe për sfidat e asaj kohe gjatë udhëheqjes së shtetit, ku tha se pati dyshime se “si grua nuk do të ja dalë në një vend të udhëhequr nga burrat”.

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, deri më 10 dhjetor do të organizohen aktivitete nga institucionet por edhe nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

Continue Reading

Të kërkuara