Kulturë

150 vjet nga lindja e Kristo Luarasit, mjeshtri i shtypshkronjës dhe i çështjes shqiptare

Published

on

Kristo Luarasi (15 dhjetor 1875 – 8 korrik 1934) ishte një nga patriotët e shquar të Rilindjes Kombëtare dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i cili i kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare.

Pas shërbimit si mësues i gjuhës shqipe në Kolonjë, ai emigroi fillimisht në Bukuresht dhe më pas në Sofje, ku hapi shtypshkronjën “Mbrothësia”, duke botuar libra, gazeta dhe revista shqipe që shpërndaheshin falas tek shqiptarët kudo.

Në vitin 1897, Luarasi nisi botimin e Kalendarit Kombiar, të cilin e botoi për 17 vjet, si dhe publikoi gazetat “Drita” dhe “Liria e Shqipërisë” dhe mbi 150 tituj librash të autorëve të njohur shqiptarë, përfshirë Naim, Sami dhe Mit’hat Frashëri, Faik Konicën e të tjerë.

Ai punoi si tipograf, botues dhe drejtues gazete, duke qëndruar gjithmonë aktiv në publicistikë dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Pas periudhës në Sofje dhe Selanik, përshëndeti Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe riktheu botimin e gazetës “Liri e Shqipërisë” (1915-1920). Më 1920, u vendos në Tiranë, ku themeloi Shtypshkronjën “Luarasi”, që u bë edhe Shtëpia Botuese Luarasi, duke botuar dhjetra libra, revista dhe tekste shkollore deri në vitin 1947.

Për veprimtarinë patriotike, Kristo Luarasi u vlerësua edhe nga regjimi komunist me Urdhërin e Flamurit të Klasit të Dytë (1962) dhe pas viteve ’90 me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Fan Noli e konsideroi Luarasin si një nga 28 pionerët e krijimit të shtetit shqiptar.

Luarasi ndërroi jetë më 8 korrik 1934 në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe patriotike për Shqipërinë. /A.Z/UBT News/

Lajmet

Nga hiri i luftës në art: Halilaj rikthen kujtesën e Kosovës në Berlin

Published

on

Artisti kosovar Petrit Halilaj ka hapur në Berlin një ekspozitë të re që lidhet drejtpërdrejt me luftën në Kosovë, kujtesën personale dhe transformimin e dhunës në art.

Ekspozita bazohet në një ngjarje të vitit të kaluar në Drenicë, kur gjatë përgatitjeve për operën “Syrigana” u dogj një kontejner me rekuizita artistike dhe u lanë simbole e mesazhe nacionaliste e kërcënuese. Halilaj këtë ngjarje nuk e trajton si lajm të zakonshëm, por si material artistik që e shndërron në vepër.

Në Berlin, ai ka krijuar një hapësirë të ngjashme me një “çajtore”, ku ndërthuren kujtesa, tradita kosovare dhe diskutimi bashkëkohor për identitetin. Në disa interpretime hapësira lexohet edhe si “Gaytore”, duke simbolizuar hapje ndaj komuniteteve dhe identiteteve të ndryshme.

Brenda ekspozitës gjenden mbetjet e kontejnerit të djegur, dardha si simbol i Kosovës (Dardanisë), zogj të zinj, vizatime të fëmijërisë së artistit të shpëtuara nga lufta, si dhe libra e materiale historike që flasin për mënyrën si shqiptarët janë përshkruar në kohë të ndryshme. E gjithë kjo vendoset përballë objekteve që simbolizojnë jetën, si kafshë dhe këngë, duke krijuar kontrast mes dhunës dhe shpresës.

Halilaj e lidh këtë ekspozitë edhe me veprat e tij të mëparshme në institucione të mëdha ndërkombëtare, duke theksuar se qëllimi i tij nuk është të theksojë vetëm dhimbjen, por ta shndërrojë atë në dialog, bashkim dhe imagjinatë për të ardhmen.

Në thelb, ekspozita pyet se kujt i përket toka dhe kujtesa, duke e kthyer një histori dhune në një rrëfim për paqe dhe bashkëjetesë.

Continue Reading

Lajmet

Mbrëmje muzikore polake në Prishtinë

Published

on

Në shënim të Ditës së Kushtetutës së Polonisë, më 3 maj, dhe në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë, Filharmonia e Kosovës solli për publikun e Prishtinës Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës.

Mbrëmja u hap nga drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, i cili për fjalët përshëndetëse ftoi Mateusz Prendotën, drejtor i Filharmonisë së Krakovës, dhe Drilon S. Gashin, ambasador i Republikës së Kosovës në Varshavë. Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore dhe roli i shkëmbimeve artistike në forcimin e miqësisë mes Kosovës dhe Polonisë.

Në një atmosferë të veçantë, muzikantët Joanna Konarzewska, Zuzanna Frankiewicz, Jan Czyżewski dhe Martyna Sołtys interpretuan dy vepra të rëndësishme të repertorit polak për kuartet harkor: “Kuarteti Harkor Nr. 2, Op. 42” nga Władysław Żeleński dhe “Kuarteti Harkor Nr. 3” nga Grażyna Bacewicz.

Mbrëmja konfirmoi edhe një herë rolin e artit dhe kulturës si ura të fuqishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe dëshmoi përkushtimin për thellimin e pranisë kulturore polake në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

Vizita kulturore në El Salvador nis me institucione kyçe

Published

on

Në ditën e parë të qëndrimit në El Salvador, Ministria e Kulturës e këtij vendi organizoi një program vizitash në disa nga institucionet më të rëndësishme kulturore për ekipin nga Kosova.

Vizita nisi në Bibliotekën Kombëtare, ku u prezantuan hapësirat moderne, përfshirë laboratorë të avancuar për printim 3D, robotikë dhe teknologji të tjera në shërbim të publikut dhe edukimit.

Më pas, u zhvillua një vizitë në Pallatin Kombëtar, ku u ofrua një pasqyrë mbi historinë dhe trashëgiminë institucionale të vendit.

Programi vijoi në Teatro Nacional de El Salvador, ku Baleti Kombëtar i Kosovës do të performojë më 8, 9 dhe 10 maj në gala mbrëmje të përbashkëta me Baletin Kombëtar të El Salvadorit.

Në përfundim, u shpreh mirënjohje për Ministrinë e Kulturës së El Salvadorit për mikpritjen, organizimin dhe përkushtimin në prezantimin e këtyre vlerave kulturore.

Continue Reading

Lajmet

Gala e përbashkët Kosovë – El Salvador në skenën ndërkombëtare

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të El Salvadorit, do të prezantojë tri mbrëmje gala të përbashkëta më 8, 9 dhe 10 maj në Teatro Nacional de El Salvador, në San Salvador.

Gjatë këtyre netëve artistike, Baleti Kombëtar i Kosovës do të interpretojë veprën “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloros, ndërsa Baleti Kombëtar i El Salvadorit do të sjellë “The Invisible Trace”, me koreografi nga Pepe Hevia.

Kjo ngjarje realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kosovës, Ambasadës së Kosovës në Panama, ambasadores Heroina Telaku, si dhe Ministrisë së Kulturës së El Salvadorit dhe Baletit Kombëtar të këtij shteti.

Ky bashkëpunim shënon një moment të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare artistike, duke forcuar lidhjet kulturore mes dy vendeve dhe duke afirmuar praninë e Baletit Kombëtar të Kosovës në arenën globale.

Continue Reading

Të kërkuara