Teknologji

15 pajisjet e reja teknologjike më të mira të vitit 2021

Telefonat Galaxy Z Flip3 dhe syzet Smart nga Ray-Ban janë disa prej tyre.

Published

on

Markat më të mira botërore kanë sjellë shpikje të reja gjatë këtij viti problematik, që janë po aq të dobishme sa edhe elegante në dizajn.

Është e vështirë për një person që nuk është elokuent në gjuhën e teknologjisë që të qëndrojë i përditësuar ndaj të gjithë shpikjeve të reja pasi duhet thënë, numri i inxhinierëve që diplomohen çdo vit dhe i shpikjeve që ata sjellin në treg – të suksesshme ose jo – sa vjen e rritet.

Sidoqoftë, të gjithë biem dakord se ndjesia e një pajisjeje të re, të freskët, të sapo dalë në treg – në dorën tonë, nuk ka të paguar.

Trendet e reja teknologjike mund të ndahen në dy kategori: ato që kanë qëllim të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe ato që krijohen me qëllimin e vetëm të nxisin egon tuaj.

Për shembull, disa aksesorë elektronikë të teknologjisë së lartë kanë pamjen luksoze që ju bën të ndjeheni sikur po ndiqni stilin e jetës së një milioneri, ndërsa grupi i dytë i pajisjeve praktike, prodhohen në masë, me qëllim që të shtojnë funksionalitet në jetën e të gjithëve ne.

Më poshtë do të gjeni një listë produktesh të të dyja këtyre kategorive, që kanë dalë në treg gjatë vitit që po lëmë pas, çmimin e tyre si dhe ku mund t’i blini.

1 – Studio Buds nga Dr. DRE

Veçoria e versionit më të ri të kufjeve Beats 2021 është anulimi i zhurmës që vjen i përditësuar si kurrë më parë. Në fakt, opsioni Active Noise Cancelling përdor një filtër që zbulon dhe bllokon të gjithë valët zanore që mund të ndërhyjnë negativisht në veshët tuaj delikat. Një e re tjetër është jetëgjatësia e baterisë prej 24 orësh dhe karikimi i shpejtë prej vetëm 5 minutash.

2 – Stabilizator për telefon OM5 nga DJI

DJI është prova e gjallë se shkopi selfie stick nuk ka vdekur në vitin 2021 – dhe nuk mund ta bënte një gjë të tillë – jo në një kohë që numri i videografëve ka dalë jashtë çdo pritshmërie. OM 5 është një pajisje smart dhe portative që i dërgon aftësitë tuaja fotografike në një nivel tjetër. Si fillim, kjo pajisje nuk pëson asnjë dridhje, zero! Dhe formula e re ActiveTrack 4.0 ju mundëson të gjurmoni objekte brenda kornizës së fotografimit, për një fokus me rezolucion sa më të lartë, edhe në rast se ato objekte janë në lëvizje. Për video dhe foto selfie perfekte, kjo është pajisja që çdo influencer apo youtuber kishte ëndërruar.

3 – Telefonat Galaxy Z Flip3 nga SAMSUNG

Ekranet fleksibël po e ri-dimensionojnë atë që mund të arrihet me anë të elektronikës ditët e sotme. Telefoni FLIP nga Samsung, mund të paloset në dysh, që e bën të duket si një fantazi fantastiko-shkencore e para dhjetë viteve. Sot, ëndrra është bërë realitet.

Kur paloset ky telefon bëhet 4.8 centimetra, dhe ekrani i tij, edhe në këtë formë mund të bëjë shumë, duke nisur nga shfaqja e të rejave, lajmeve, mesazheve apo edhe fotot selfie. I pa palosur ai është telefoni juaj celular i zakonshëm. Samsung e ka nxjerr në treg këtë edicion të telefonave FLIP për përdoruesit multi-funksional duke i personalizuar ata me tema dhe ngjyra të ndryshme.

4 – Syze SMART nga RAY-BAN

Edhe pse ky nuk është një set i plotë VR (Realitet Virtual), është shpikja më e re që bën bashkë teknologjinë dhe modën. Gjenerata e parë e syzeve smart nga Ray-Ban sjell risinë në treg që përfshin mundësinë për të filmuar nga një këndvështrim i vetës së parë, pasi kamera minimaliste është e instaluar në një nivel me sytë. Këto syze përmbajnë një kamera që filmon përmbajtje HD në vetën e parë, një fushë me touch ku me anë të një prekjeje të vetme mund të kontrolloni muzikën apo kamerën dhe bokset e instaluara në bishtat e syzeve pranë veshëve, që ju japin mundësinë ta lini telefonin tuaj në xhep ndërkohë që i përgjigjeni një telefonate. Një pajise që deri dje ishte vetëm pjesë e filmave futuristik, tashmë është reale dhe mund të bëhet juaja me një klikim të vetëm.

5 – Kamera e çastit nga POLAROID

Fotot e stilit Polaroid kanë qenë gjithnjë të preferuara nga artdashësit dhe adhuruesit e fotografisë, pikërisht sepse ato imitojnë atmosferën, ngjyrat dhe nuancat e një fotoje të vjetër apo retro. Në një hap të vetëm, me këtë kamera – mund të bëni foto pa qenë nevoja t’i editoni apo modifikoni në Photoshop më vonë. Me filtra për 5 lente të ndryshme, këto kamera të reja nga Polaroid ju japin mundësinë të luani me efektet, kontrastin dhe ekspozimin e fotove tuaja.

6 – Gjurmuesit AirTag nga APPLE

Një nga pajisjet tona të preferuara, kjo shpikje e re nga Apple i vjen në ndihmë njerëzve harraq apo atyre që shpesh i humbin gjërat dhe nuk i gjejnë dot më kurrë. Mjafton ky gjurmues i vogël në formën e një kopse, që vendoset në sendet tuaja të shtrenjta apo ato që i keni afër zemrës, dhe menjëherë bëhet lidhja me aplikacionin ‘Find my App’ që ju bën të mundur ta kërkoni në telefonin tuaj pajisjen e humbur, për të gjetur ku e keni vendosur herën e fundit. Kjo pajisje ka dhe një boks të instaluar brenda saj që ju lejon ta dëgjoni me zë vendndodhjen e sendit tuaj personal. Gjeniale!

7 – Ora inteligjente Gen 6 nga FOSSIL

Një orë inteligjente që përmban pamjen klasike të një ore tradicionale, apo një orë smart e maskuar si një orë klasike? Për të gjithë ata që e dashurojnë pamjen e një ore të zakonshme dhe nuk duan të heqin dorë nga kjo për të shijuar të gjithë benefitet e një ore smart, kompania FOSSIL ka bërë të mundur produktin ideal.

8 – Blenderi Bishë nga BEAST

Është e dukshme që ky blender apo shtrydhës e merr emrin si pasojë e performancës së tij ekstreme. Si shumë pajisje të ngjashme, ky blender mund të prodhojë lëngje të shtrydhur ose smuthi kremoze – një kombinim tejet ushqyes dhe i shijshëm. Por, nëse po kërkoni një blender të një niveli komplet tjetër, kjo makineri mund të krijojë një turbulencë aq të fuqishme, sa që e lejon në një kohë të shkurtër të shkërmoqi edhe ingredientët më të akullt apo të fortë. Dhe edhe pse funksionon si një bishë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pamjen e tij tejet elegante.

9 – TV inteligjent 4K nga SAMSUNG

Kemi një mashtrues në shtëpi. Jo, është ‘Korniza’ apo ‘The Frame’ nga Samsung, i cili funksionin si televizor kur është i ndezur dhe kur fiket mund të transformohet në një vepër arti. Në fakt, ai ka dhe vetinë inteligjente për t’u bërë njësh me nuancat e murit. Përveç të gjithave, rezolucioni 4K nuk ka të krahashuar dhe mundësia për ta bërë të projektojë ikona të botës së artit si Mona Lisa e Da Vincit apo Nata me Yje e Van Gogh, është një opsion që mund të personalizojë çdo dhomë ndenje dhe një shpikje që ja vlen të duartrokitet.

10 – Tharëse Flokësh Nanoe nga PANASONIK

Në i përdorim tharëset e flokëve për të tharë flokët sigurisht por Panasonik premton se me ketë tharëse të re, flokët tuaj do të jenë më të shëndetshëm dhe do të dëmtohen më pak. Tharësja Nanoe i thanë flokët tuaj duke i hidratuar. Ky paradoks në pamje të parë arrihet duke thithur ujë nga ajri për të krijuar grimca hidratuese që bëjnë të mundur që çdo fije e flokut tuaj të thahet pa u djegur.

11 – iMAC 2021 nga APPLE

Kur kompania e famshme Apple lajmëroi se do të nxirrte iMac-un e ri këtë vit, rrjete sociale sigurisht që dolën jashtë kontrollit. Mos e paragjykoni vetëm se është rozë, violet apo portokalli, Kompjuteri i ri nga Apple, vjen për herë të parë me kamerën, mikrofonat dhe bokset më të mira që kjo kompani ka ofruar ndonjëherë, duke i shtuar edhe opsionin e identifikimit me prekje apo Touch, si dhe pamjen e re super elegante (me një trashësi prej vetëm 11.5 milimetrash) që arrihet nga teknologjia e re e çipit M1.

12 – TV me palosje OLED nga LG

Jo, nuk është një lapsus, as gabim. Lexojeni edhe njëherë: televizori i parë në botë që paloset si tapet, për çmimin $100,000 dollarë. Ju thamë që kjo listë do përfshinte produkte luksi. Ju besohet? Të gjithë serialet tuaj të preferuar në një ekran që paloset e rrokulliset si një qilim apo tapet joge?

E dimë, pavarësisht kësaj, ajo që të bën vërtetë të habitesh është çmimi i tij. Sigurisht, me shumë mundësi këta mund të jenë ekranet e së ardhmes por diçka është e sigurt, për momentin vetëm një numër i caktuar njerëzish mund të bëhen pronarë të këtyre televizorëve kaq fleksibël.

13 – Levë për video-lojërat në telefon nga OTTERBOX

Kompania Otterbox ka bërë të mundur shkrirjen e video-gameve në Playstation apo Xbox me ato telefonike, duke sjellë në treg këtë kapëse apo kliper që ju bën të mundur të vendosni levën apo konsolën tuaj në telefonin celular. Transformojeni eksperiencën tuaj të video lojërave në celular duke shtuar opsionin e një konsole si aksesor. Tashmë, mund t’i keni të dyja në një.

14 – Stacion Ushqyes Dock5 nga SATECHI

Ky stacion ushqyes ju jep mundësinë të karikoni disa pajisje – 5 në fakt – në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Ky aksesor vjen edhe me një opsion të dyfishtë, që është karikimi me wireless apo WI-FI. Ç ‘kërkoni më tepër? Një pamje dhe dizajn elegant? Edhe atë do ta gjeni këtu, së bashku me mbrojtje nga temperaturat e larta dhe nxehja e pajisjeve tuaja gjatë karikimit. Shijojeni!

15 – Makina e Kafes DualBrew Pro nga NINJA

Kompania Ninja ka sjellë në treg një sistem të ri të bërjes së kafesë suaj të preferuar duke filluar nga bluajta e deri tek prodhimi i një makiato-je si të ishte nga dora e një banakieri profesionist. Fundja, kafeja është një art i vërtetë, dhe pija e preferuar e njerëzve në të gjithë botën – pas ujit sigurisht!/euronews.al

Teknologji

Samsung vendos rekord në prodhimin e telefonave, prodhimi global bie

Published

on

Një total prej 289 milionë telefonash inteligjentë u prodhuan në të gjithë botën në tre muajt e parë të 2025, një rënie prej tre përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, një prodhues u dallua në këtë stanjacion të përgjithshëm, dhe ai është Samsung, transmeton Telegrafi.

Sipas raportit nga kompania analitike TrendForce, gjiganti i teknologjisë së Koresë së Jugut prodhoi deri 64 milionë pajisje gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Kjo jo vetëm që zuri vendin e parë në tregun global, por arriti një rritje prej 21 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Pjesa e Samsung në tregun global tani është 22 përqind, që është konfirmim i strategjisë së suksesshme të kompanisë. Samsung ka rritur dërgesat për të siguruar furnizime të mjaftueshme për tregun amerikan, në të njëjtën kohë po përgatitet intensivisht për lansimin e modeleve të reja të nivelit të lartë.

Apple doli e dyta me një pjesë treg 17 përqind. Një rënie prodhimi deri 40 përqind u regjistrua, për shkak të ndërprerjes së prodhimit të disa modeleve më të vjetra, por edhe për shkak të një pranie të reduktuar në tregun kinez ku mungonte mbështetja e mëparshme shtetërore në formën e subvencioneve.

Xiaomi, që përfshin Redmi e Poco, zuri vendin 3 me 14% të tregut. Edhe pse kjo kompani kineze regjistroi rënie të lehtë të prodhimit 7 përqind, arriti të ruajë pozicion të qëndrueshëm falë mbështetjes së fortë për tregun vendas e integrimit të mirë të telefonave inteligjentë me pajisje tjera brenda ekosistemit të saj.

Tremujori i parë i 2025 sjell rezultate të përziera, prodhimi global po bie pak, Samsung është rikthyer në ballë të industrisë, ndërsa Apple dhe shumica e markave kineze po përpiqen të gjejnë një ritëm të ri në kushtet e ndryshueshme të tregut.

Continue Reading

Teknologji

Keni shumë mesazhe të palexuara? WhatsApp tani ka një zgjidhje

Published

on

Kur jeni të zënë me punë ose angazhime të tjera, është e lehtë të humbisni një numër të madh mesazhesh në WhatsApp, veçanërisht në bisedat në grup.

Të kthehesh pas dhe të lexosh të gjitha ato mesazhe mund të duket si një aktivitet i lodhshëm, por Meta tani ka një zgjidhje, transmeton Telegrafi.

Është prezantuar një veçori e re e bazuar në inteligjencën artificiale – Përmbledhjet e Mesazheve, e cila përdor Meta AI për ta bërë më të lehtë për përdoruesit të lundrojnë nëpër mesazhet e palexuara.

Kur hapni një bisedë me mesazhe të palexuara, do të shihni opsionin “Përmbledh Privatisht” të shfaqet në krye.

Kur zgjidhni këtë opsion, Meta AI do të analizojë të gjitha mesazhet e palexuara dhe shfaqë një përmbledhje të shkurtër të informacionit më të rëndësishëm. Do ta tregojë atë ekskluzivisht për ju, dhe pa ndryshuar përmbajtjen e vetë bisedës.

Meta thekson se kjo veçori mbështetet në të ashtuquajturin “përpunim privat”, që do të thotë se as Meta dhe as Meta AI nuk kanë qasje në mesazhet tuaja ose në përmbledhjen e gjeneruar.

Përdoruesit zgjedhin se cilat biseda duan të përfshijnë në këtë përpunim përmes cilësimeve të Privatësisë së Avancuar të Bisedës. Message Summaries është i disponueshëm vetëm për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara dhe në anglisht.

Kompania njoftoi shpërndarje më të gjerë më vonë, që përdoruesit në gjithë botën të mund ta provojnë para fundit të vitit.

Continue Reading

Automobilizëm elektrikë

Franca tërheq 2.5 milionë vetura për shkak të një defekti

Published

on

Franca ka urdhëruar tërheqjen e 2.5 milionë veturave të pajisura me “airbag” me defekt që mund të shpërthejnë në rast përplasjeje dhe kanë shkaktuar një sërë vdekjesh.

Vjen pas një aksidenti fatal në fillim të muajit në Reims ku një 37-vjeçare që po voziste një Citroen C3 u godit në kohë nga copëza metali që fluturuan pas një përplasjeje të vogël.

Është drama e fundit në skandalin 20-vjeçar të prodhuesit japonez Takata, pajisjet e së cilit ishin instaluar në pothuaj të gjithë prodhuesit kryesorë të automjeteve.

Ministria e Transportit lëshoi urdhër që të largohen nga përdorimi veturat që kanë “airbag” Takata, deri në ndërrimin e pajisjeve.

Mendohet se 35 persona kanë vdekur në botë si pasojë e “airbag”-ut Takata dhe rreth 100 milionë automjete janë tërhequr në disa shtete.

Continue Reading

Teknologji

CEO i OpenAI thotë se nuk duhet t’i besojmë ChatGPT sepse shpik!

Published

on

Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI, foli në episodin e parë të podcast-it të ri të kompanisë për nivelin e besimit që njerëzit kanë te ChatGPT.

“Njerëzit kanë një shkallë shumë të lartë besimi te ChatGPT, gjë që është interesante, sepse inteligjenca artificiale shpik. Në fakt, duhet të ishte një teknologji që nuk i besohet aq shumë,” tha Altman.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur kapacitetet e AI janë ende në fazat e para të zhvillimit. Miliarda njerëz në mbarë botën po përdorin inteligjencën artificiale, por siç thotë edhe vetë Altman, ajo “nuk është fort e besueshme”.

ChatGPT dhe modele tjera janë të njohura për aftësinë për të “shpikur”, duke gjeneruar informacion që tingëllon i besueshëm, por është i pasaktë ose i trilluar. Miliona përdorues i besojnë këtyre mjeteve për kërkime, punë, këshilla personale apo edhe për prindërim.

Altman rrëfeu se e ka përdorur ChatGPT për pyetje rreth prindërimit në muajt e parë të jetës së djalit, duke e cilësuar si mjet të dobishëm, por edhe me rreziqe, pasi mund të japë me siguri të plotë përgjigje të gabuara.

Vërejtjet e Altman nënvizojnë një paradoks thelbësor në epokën e inteligjencës artificiale: edhe pse njerëzit janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se AI mund të gabojë, komoditeti, shpejtësia dhe rrjedhshmëria në komunikim e kanë kthyer ChatGPT në burim që trajtohet si një mik i besuar ose ekspert profesionist.

Kjo ndjesi besimi forcohet edhe më shumë nga aftësitë e AI-së për të mbajtur mend kontekstin, për të personalizuar përgjigjet dhe për të ndihmuar në një gamë të gjerë temash, veçori që Altman dhe ekipi i tij besojnë se do të përmirësohen edhe më tej me zhvillimin e teknologjisë.

Altman paralajmëron se ky besim nuk është i justifikuar. Rreziku i përdorimit të përmbajtjes që gjeneron AI është i madh në fusha të si shëndetësia, drejtësia apo arsimi. Ndërsa e vlerësoi dobinë e ChatGPT, ai theksoi rëndësinë e vetëdijes së përdoruesve dhe mendimit kritik, duke kujtuar: “AI shpik dhe nuk duhet t’i besohet verbërisht.” Ai theksoi se ruajtja e “sekreteve” të përdoruesve është thelbësore, përmes transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave.

Continue Reading

Të kërkuara