Teknologji

15 pajisjet e reja teknologjike më të mira të vitit 2021

Telefonat Galaxy Z Flip3 dhe syzet Smart nga Ray-Ban janë disa prej tyre.

Publikuar

Markat më të mira botërore kanë sjellë shpikje të reja gjatë këtij viti problematik, që janë po aq të dobishme sa edhe elegante në dizajn.

Është e vështirë për një person që nuk është elokuent në gjuhën e teknologjisë që të qëndrojë i përditësuar ndaj të gjithë shpikjeve të reja pasi duhet thënë, numri i inxhinierëve që diplomohen çdo vit dhe i shpikjeve që ata sjellin në treg – të suksesshme ose jo – sa vjen e rritet.

Sidoqoftë, të gjithë biem dakord se ndjesia e një pajisjeje të re, të freskët, të sapo dalë në treg – në dorën tonë, nuk ka të paguar.

Trendet e reja teknologjike mund të ndahen në dy kategori: ato që kanë qëllim të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe ato që krijohen me qëllimin e vetëm të nxisin egon tuaj.

Për shembull, disa aksesorë elektronikë të teknologjisë së lartë kanë pamjen luksoze që ju bën të ndjeheni sikur po ndiqni stilin e jetës së një milioneri, ndërsa grupi i dytë i pajisjeve praktike, prodhohen në masë, me qëllim që të shtojnë funksionalitet në jetën e të gjithëve ne.

Më poshtë do të gjeni një listë produktesh të të dyja këtyre kategorive, që kanë dalë në treg gjatë vitit që po lëmë pas, çmimin e tyre si dhe ku mund t’i blini.

1 – Studio Buds nga Dr. DRE

Veçoria e versionit më të ri të kufjeve Beats 2021 është anulimi i zhurmës që vjen i përditësuar si kurrë më parë. Në fakt, opsioni Active Noise Cancelling përdor një filtër që zbulon dhe bllokon të gjithë valët zanore që mund të ndërhyjnë negativisht në veshët tuaj delikat. Një e re tjetër është jetëgjatësia e baterisë prej 24 orësh dhe karikimi i shpejtë prej vetëm 5 minutash.

2 – Stabilizator për telefon OM5 nga DJI

DJI është prova e gjallë se shkopi selfie stick nuk ka vdekur në vitin 2021 – dhe nuk mund ta bënte një gjë të tillë – jo në një kohë që numri i videografëve ka dalë jashtë çdo pritshmërie. OM 5 është një pajisje smart dhe portative që i dërgon aftësitë tuaja fotografike në një nivel tjetër. Si fillim, kjo pajisje nuk pëson asnjë dridhje, zero! Dhe formula e re ActiveTrack 4.0 ju mundëson të gjurmoni objekte brenda kornizës së fotografimit, për një fokus me rezolucion sa më të lartë, edhe në rast se ato objekte janë në lëvizje. Për video dhe foto selfie perfekte, kjo është pajisja që çdo influencer apo youtuber kishte ëndërruar.

3 – Telefonat Galaxy Z Flip3 nga SAMSUNG

Ekranet fleksibël po e ri-dimensionojnë atë që mund të arrihet me anë të elektronikës ditët e sotme. Telefoni FLIP nga Samsung, mund të paloset në dysh, që e bën të duket si një fantazi fantastiko-shkencore e para dhjetë viteve. Sot, ëndrra është bërë realitet.

Kur paloset ky telefon bëhet 4.8 centimetra, dhe ekrani i tij, edhe në këtë formë mund të bëjë shumë, duke nisur nga shfaqja e të rejave, lajmeve, mesazheve apo edhe fotot selfie. I pa palosur ai është telefoni juaj celular i zakonshëm. Samsung e ka nxjerr në treg këtë edicion të telefonave FLIP për përdoruesit multi-funksional duke i personalizuar ata me tema dhe ngjyra të ndryshme.

4 – Syze SMART nga RAY-BAN

Edhe pse ky nuk është një set i plotë VR (Realitet Virtual), është shpikja më e re që bën bashkë teknologjinë dhe modën. Gjenerata e parë e syzeve smart nga Ray-Ban sjell risinë në treg që përfshin mundësinë për të filmuar nga një këndvështrim i vetës së parë, pasi kamera minimaliste është e instaluar në një nivel me sytë. Këto syze përmbajnë një kamera që filmon përmbajtje HD në vetën e parë, një fushë me touch ku me anë të një prekjeje të vetme mund të kontrolloni muzikën apo kamerën dhe bokset e instaluara në bishtat e syzeve pranë veshëve, që ju japin mundësinë ta lini telefonin tuaj në xhep ndërkohë që i përgjigjeni një telefonate. Një pajise që deri dje ishte vetëm pjesë e filmave futuristik, tashmë është reale dhe mund të bëhet juaja me një klikim të vetëm.

5 – Kamera e çastit nga POLAROID

Fotot e stilit Polaroid kanë qenë gjithnjë të preferuara nga artdashësit dhe adhuruesit e fotografisë, pikërisht sepse ato imitojnë atmosferën, ngjyrat dhe nuancat e një fotoje të vjetër apo retro. Në një hap të vetëm, me këtë kamera – mund të bëni foto pa qenë nevoja t’i editoni apo modifikoni në Photoshop më vonë. Me filtra për 5 lente të ndryshme, këto kamera të reja nga Polaroid ju japin mundësinë të luani me efektet, kontrastin dhe ekspozimin e fotove tuaja.

6 – Gjurmuesit AirTag nga APPLE

Një nga pajisjet tona të preferuara, kjo shpikje e re nga Apple i vjen në ndihmë njerëzve harraq apo atyre që shpesh i humbin gjërat dhe nuk i gjejnë dot më kurrë. Mjafton ky gjurmues i vogël në formën e një kopse, që vendoset në sendet tuaja të shtrenjta apo ato që i keni afër zemrës, dhe menjëherë bëhet lidhja me aplikacionin ‘Find my App’ që ju bën të mundur ta kërkoni në telefonin tuaj pajisjen e humbur, për të gjetur ku e keni vendosur herën e fundit. Kjo pajisje ka dhe një boks të instaluar brenda saj që ju lejon ta dëgjoni me zë vendndodhjen e sendit tuaj personal. Gjeniale!

7 – Ora inteligjente Gen 6 nga FOSSIL

Një orë inteligjente që përmban pamjen klasike të një ore tradicionale, apo një orë smart e maskuar si një orë klasike? Për të gjithë ata që e dashurojnë pamjen e një ore të zakonshme dhe nuk duan të heqin dorë nga kjo për të shijuar të gjithë benefitet e një ore smart, kompania FOSSIL ka bërë të mundur produktin ideal.

8 – Blenderi Bishë nga BEAST

Është e dukshme që ky blender apo shtrydhës e merr emrin si pasojë e performancës së tij ekstreme. Si shumë pajisje të ngjashme, ky blender mund të prodhojë lëngje të shtrydhur ose smuthi kremoze – një kombinim tejet ushqyes dhe i shijshëm. Por, nëse po kërkoni një blender të një niveli komplet tjetër, kjo makineri mund të krijojë një turbulencë aq të fuqishme, sa që e lejon në një kohë të shkurtër të shkërmoqi edhe ingredientët më të akullt apo të fortë. Dhe edhe pse funksionon si një bishë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pamjen e tij tejet elegante.

9 – TV inteligjent 4K nga SAMSUNG

Kemi një mashtrues në shtëpi. Jo, është ‘Korniza’ apo ‘The Frame’ nga Samsung, i cili funksionin si televizor kur është i ndezur dhe kur fiket mund të transformohet në një vepër arti. Në fakt, ai ka dhe vetinë inteligjente për t’u bërë njësh me nuancat e murit. Përveç të gjithave, rezolucioni 4K nuk ka të krahashuar dhe mundësia për ta bërë të projektojë ikona të botës së artit si Mona Lisa e Da Vincit apo Nata me Yje e Van Gogh, është një opsion që mund të personalizojë çdo dhomë ndenje dhe një shpikje që ja vlen të duartrokitet.

10 – Tharëse Flokësh Nanoe nga PANASONIK

Në i përdorim tharëset e flokëve për të tharë flokët sigurisht por Panasonik premton se me ketë tharëse të re, flokët tuaj do të jenë më të shëndetshëm dhe do të dëmtohen më pak. Tharësja Nanoe i thanë flokët tuaj duke i hidratuar. Ky paradoks në pamje të parë arrihet duke thithur ujë nga ajri për të krijuar grimca hidratuese që bëjnë të mundur që çdo fije e flokut tuaj të thahet pa u djegur.

11 – iMAC 2021 nga APPLE

Kur kompania e famshme Apple lajmëroi se do të nxirrte iMac-un e ri këtë vit, rrjete sociale sigurisht që dolën jashtë kontrollit. Mos e paragjykoni vetëm se është rozë, violet apo portokalli, Kompjuteri i ri nga Apple, vjen për herë të parë me kamerën, mikrofonat dhe bokset më të mira që kjo kompani ka ofruar ndonjëherë, duke i shtuar edhe opsionin e identifikimit me prekje apo Touch, si dhe pamjen e re super elegante (me një trashësi prej vetëm 11.5 milimetrash) që arrihet nga teknologjia e re e çipit M1.

12 – TV me palosje OLED nga LG

Jo, nuk është një lapsus, as gabim. Lexojeni edhe njëherë: televizori i parë në botë që paloset si tapet, për çmimin $100,000 dollarë. Ju thamë që kjo listë do përfshinte produkte luksi. Ju besohet? Të gjithë serialet tuaj të preferuar në një ekran që paloset e rrokulliset si një qilim apo tapet joge?

E dimë, pavarësisht kësaj, ajo që të bën vërtetë të habitesh është çmimi i tij. Sigurisht, me shumë mundësi këta mund të jenë ekranet e së ardhmes por diçka është e sigurt, për momentin vetëm një numër i caktuar njerëzish mund të bëhen pronarë të këtyre televizorëve kaq fleksibël.

13 – Levë për video-lojërat në telefon nga OTTERBOX

Kompania Otterbox ka bërë të mundur shkrirjen e video-gameve në Playstation apo Xbox me ato telefonike, duke sjellë në treg këtë kapëse apo kliper që ju bën të mundur të vendosni levën apo konsolën tuaj në telefonin celular. Transformojeni eksperiencën tuaj të video lojërave në celular duke shtuar opsionin e një konsole si aksesor. Tashmë, mund t’i keni të dyja në një.

14 – Stacion Ushqyes Dock5 nga SATECHI

Ky stacion ushqyes ju jep mundësinë të karikoni disa pajisje – 5 në fakt – në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Ky aksesor vjen edhe me një opsion të dyfishtë, që është karikimi me wireless apo WI-FI. Ç ‘kërkoni më tepër? Një pamje dhe dizajn elegant? Edhe atë do ta gjeni këtu, së bashku me mbrojtje nga temperaturat e larta dhe nxehja e pajisjeve tuaja gjatë karikimit. Shijojeni!

15 – Makina e Kafes DualBrew Pro nga NINJA

Kompania Ninja ka sjellë në treg një sistem të ri të bërjes së kafesë suaj të preferuar duke filluar nga bluajta e deri tek prodhimi i një makiato-je si të ishte nga dora e një banakieri profesionist. Fundja, kafeja është një art i vërtetë, dhe pija e preferuar e njerëzve në të gjithë botën – pas ujit sigurisht!/euronews.al

Vazhdo të lexosh

Internet

Gjermania paralajmëron pasoja pas sulmit të dyshuar kibernetik rus

Publikuar

nga

Rusia do të përballet me pasoja për sulmin kibernetik, që dyshohet se është orkestruar nga një grup që ka lidhje me inteligjencën ushtarake ruse, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Gjermania është në mesin e shteteve perëndimore që i jep ndihmë ushtarake Ukrainës në luftën e saj me Rusinë.

Dhjetorin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë gjerësisht të ngrira.

Në janar të vitit 2023, Berlini tha se hakerët rusë kishin sulmuar disa ueb-faqe gjermane, duke i nxjerrë nga përdorimi, në përgjigje të vendimit të Gjermanisë për të dërguar tanke në Ukrainë. Megjithatë, atëbotë autoritetet gjermane thanë se sulmi nuk kishte ndonjë efekt të ndjeshëm.

“Tani ne qartësisht mund t’ia atribuojmë sulmin e vitit të kaluar grupit rus, APT28, që kontrollohet nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU”, tha Bearbock gjatë një konference për media në Adelaide më 3 maj.

“Me fjalë të tjera, hakerët shtetërorë rusë kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike”, shtoi Bearbock.

Kryediplomatja gjermane e cilësoi si të papranueshëm një sulm të tillë dhe tha se ai “nuk do të mbetet pa pasoja”.

Në mars, agjencia gjermane për siguri kibernetike dhe hulumtuesit që punojnë për Alphabet, të kompanisë Google, thanë se grupi i ngjashëm, i quajtur APT29, ishte kapur duke shënjestuar disa parti politike gjermane, me synimin që të vidheshin të dhënat e tyre./REL

Vazhdo të lexosh

Internet

BE nis hetimet për dezinformim ndaj Meta-s

Publikuar

nga

Komisioni Evropian ka nisur hetimet ndaj gjigantit të mediave sociale, Meta, për dezinformim.

BE-ja nisi të martën hetimet ndaj Meta-s, meqë ka dyshime se kompania amerikane ka shkelur rregullat e bllokut lidhur me përmbajtjen në internet. Para zgjedhjeve të BE-së që do të mbahen në muajin qershor, Brukseli ka rritur përpjekjet për të shtypur dezinformimin.

Komisioni njoftoi se përpjekjet e Meta-s për të moderuar përmbajtjen janë “të pamjaftueshme” dhe se nuk po arrijnë të trajtojnë reklamat mashtruese dhe dezinformatat.

Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA), i cili hyri në fuqi vitin e kaluar, kërkon që “Big Tech” të bëjë më shumë për të kundërshtuar përmbajtjen e paligjshme dhe të dëmshme në platformat e mediave sociale./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

AI

Microsoft do të investojë 1.7 miliard dollarë për AI në Indonezi

Publikuar

nga

Microsoft ka njoftuar rreth planeve për të investuar 1.7 miliard dollarë në shërbimet e inteligjencës artificiale në Indonezi.

CEO i Microsoftit, Satya Nadella, njoftoi se gjiganti i teknologjisë do të trajnojë 840 mijë njerëz në Indonezi në përdorimin e AI-së dhe do të ofrojë mbështetje për zhvilluesit e teknologjisë në vend.

“Kjo gjeneratë e re e inteligjencës artificiale po riformulon mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe punojnë kudo, duke përfshirë edhe Indonezinë. Investimet që po i njoftojmë sot – që përfshijnë infrastrukturën dixhitale, aftësitë dhe mbështetjen për zhvilluesit – do ta ndihmojnë Indonezinë të lulëzojë në këtë epokë të re”, tha ai.

Sipas tij, investimi i Microsoftit do të sjellë infrastrukturën më të fundit dhe më të madhe të AI-së në Indonezi./UBTNews/

 

Vazhdo të lexosh

Internet

Pronari kinez i Tiktok-ut e paralajmëroi ShBA-në se ky aplikacion nuk do të shitet

Senati amerikan e miratoi ligjin i cili parasheh që kjo platformë duhet të shitet ose të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Publikuar

nga

Kompania kineze ByteDance, e cila ka në pronësi TikTok-un, se nuk e mendon shitjen e aplikacionit të famshëm, pasi senati amerikan e miratoi ligjin i cili parasheh që kjo platformë duhet të shitet ose të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të javës, TikTok-u paralajmëroi se do të ankohet në gjykatë ndaj këtij vendimi, të cilin e konsideron “jo kushtetues”.

Ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkori të mërkurën ligjin mbi të cilin do të ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, gjë e cila pritet të ndodhë nëse pronari i saj nuk do ta shesë atë brenda një viti.

Shqetësimet mbi këtë platformë janë shprehur edhe nga zyrtarët ligjorë dhe të inteligjencës, se autoritetet kineze mund të detyrojnë ByteDance-in t’ia dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milionë amerikanëve që e përdorin TikTok-un.

Kjo kompani ka thënë se kurrë nuk i ka ndarë me autoritetet kineze të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara