Lajmet

147 vjet nga Lidhja e Prizrenit

Published

on

Sot mbushen 147 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15-të.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875-1876, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizës lindore. Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës.

Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Ata u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.

Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.

Po atë ditë, Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.

Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore, ndërsa kryetar u zgjodh Iljaz pashë Dibra./KosovaPress

Vendi

Pas zgjedhjeve, Kurti udhëton në Austri: Do të takojë kancelarin Stocker

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Austri, vetëm një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë kësaj vizite dyditore, kreu i qeverisë në detyrë do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë shtetëror dhe ekonomik. Ndër të tjera, ai do të pritet në takim nga Kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum).

Ky udhëtim zyrtar i Kurtit zhvillohet pikërisht në kohën kur në Kosovë sapo është përmbyllur procesi i numërimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka përfunduar 100% numërimin e kutive të votimit (2,498 nga 2,498 vendvotime), duke nxjerrë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave përfundimtare të kësaj faze nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike në vend duke siguruar 42,91% të votave (299,152 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,12% (147,220 vota), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,58% (122,575 vota). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka grumbulluar 7,16% të votave, ndërsa Lista Serbe ka marrë 6,18%. Në këto zgjedhje, pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve me të drejtë vote arriti në 37,05%, teksa rezultatet pritet të certifikohen pasi të përmbyllen procedurat e numërimit të votave të diasporës dhe ato me postë.

 

Continue Reading

Lajmet

Liqeni i Shkodrës përfshihet në UNESCO

Published

on

By

Një lajm i rëndësishëm ka ardhur për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë, me përfshirjen zyrtare të Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin ndërkombëtar të kësaj pasurie të jashtëzakonshme natyrore.

Këtë arritje e ka ndarë me publikun edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një mesazhi u shpreh se ky është një sukses i angazhimit institucional dhe diplomatik të vendit.

“Me kënaqesinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë”, ka njoftuar Rama.

Continue Reading

Vendi

Përzgjidhet projekti fitues për Memorialin e Adem Jasharit në Prishtinë, “Zâni i Lirisë” merr vendin e parë

Published

on

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është përzgjedhur projekti fitues për “Memorialin Përkujtimor Adem Jashari”, ku vendin e parë e ka zënë koncepti “Zâni i Lirisë”.

Sipas Ramës, projekti fitues është përzgjedhur nga komisioni profesional vlerësues dhe do të realizohet në kryeqytet, duke bartur peshën historike, kombëtare dhe emocionale që përfaqëson figura e Adem Jasharit dhe familjes Jashari.

“Zâni i Lirisë” synon të jetë më shumë se një monument përkujtimor. Koncepti është menduar si simbol i sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

I frymëzuar nga fjalët e njohura të Adem Jasharit, memoriali do ta shndërrojë zërin e tij në një simbol të përhershëm të lirisë, duke ruajtur kujtesën historike dhe duke përcjellë mesazhin e sakrificës ndër breza.

Sipas Komunës së Prishtinës, memoriali do të jetë një hapësirë që do të nderojë figurën e Komandantit Legjendar dhe do të shërbejë si pikë referimi për kujtesën kolektive të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Kaja Kallas: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funksionale

Published

on

By

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të angazhohen për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.

Kallas theksoi se vendi ka nevojë për institucione funksionale që mund të çojnë përpara reformat e nevojshme dhe procesin e integrimit evropian. Ajo nënvizoi se tejkalimi i ngërçit politik është i domosdoshëm për stabilitetin institucional dhe përfitimin e Kosovës nga mbështetja e Bashkimit Evropian.

Deklarata e saj vjen në një periudhë kur skena politike në Kosovë po përballet me sfidën e krijimit të shumicës parlamentare dhe formimit të qeverisë së re. Bashkimi Evropian ka përsëritur vazhdimisht se funksionalizimi i institucioneve është kusht kyç për avancimin e reformave dhe afrimin e vendit me strukturat evropiane.

Sipas Kallas, përgjegjësia për tejkalimin e dallimeve politike bie mbi partitë dhe liderët e vendit, të cilët duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët në interes të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të Kosovës. Ajo vlerësoi se krijimi i shpejtë i institucioneve do të dërgonte një sinjal pozitiv për partnerët ndërkombëtarë dhe do të ndihmonte në zhbllokimin e proceseve të rëndësishme zhvillimore.

BE-ja ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por ka theksuar se përfitimi i plotë nga kjo mbështetje kërkon institucione të qëndrueshme dhe efektive që mund të zbatojnë reformat e kërkuara.

 

Continue Reading

Të kërkuara