Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk do të qëndrojë duarkryq përballë refuzimit të Serbisë për të zbatuar vendimin e Komunitetit të Energjisë, i cili e obligon Beogradin të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën.
Gjatë takimit joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili këtë vit kryesohet nga Kosova, Rizvanolli akuzoi hapur Serbinë se ka shpërfillur plotësisht afatin e caktuar të 1 korrikut 2026 për hapjen e këtyre kapaciteteve.
Në këtë forum, ministrja Rizvanolli shpalosi tri prioritetet kryesore të udhëheqjes së Kosovës: përshpejtimin e integrimit të tregut të rrymës sipas legjislacionit të BE-së, harmonizimin e politikave klimatike për zvogëlimin e emetimeve të karbonit dhe bashkëpunimin e shtuar rajonal për shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese transmetuese e gjeneruese.
Megjithatë, ajo theksoi se ky bashkëpunim po sabotohet direkt nga pala serbe.
“Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal”, deklaroi Rizvanolli.
Sipas saj, duke penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit, Serbia po mbingarkon rrjetin e Kosovës dhe të vendeve fqinje, duke u vendosur një barrë financiare të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit. “Pasojat e kësaj i kemi ndier shumë afër dhe shumë rëndë në vitet e kaluara. Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq”, paralajmëroi ajo.
Në këtë takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë evropianë, të cilët rikonfirmuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm energjetik të BE-së është një prioritet strategjik.
Yolanda Garcia Mezquita, Shefe e Njësisë për Bashkimin Evropian, përçoi një mesazh të prerë për rajonin.
“Mesazhi ynë sot është i qartë: siguria energjetike e Evropës nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike evropiane, e cila është e integruar, e ndërlidhur mirë dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta”.
Nga ana tjetër, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vuri në pah një sfidë specifike gjeografike dhe infrastrukturore të vendit tonë. Ai saktësoi se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka interkoneksione (linja të drejtpërdrejta të transmetimit) me ndonjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian.
Lorkowski shtoi se, përkundër këtyre sfidave, BE-ja tashmë u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të integrohen plotësisht në tregun energjetik evropian, pa pritur anëtarësimin e tyre politik në bllok. /Ekonomia online/ /E.A/