Lajmet

12 figura të njohura ruse që kanë vdekur në rrethana misterioze që nga fillimi i luftës në Ukrainë

I fundit që vdiq është Ravil Maganov.

Published

on

Nga Maurizio Stefanini

“Dhjetë indianët e vegjël” është libri i shkrimtares angleze Agata Kristi, që shiti mbi 110 milionë kopje, duke thyer të gjitha rekordet. Ai rrëfen historinë e 10 të ftuarve në një vilë në një ishullin Devon, të cilët vdesin një e nga një në kohë të caktuara dhe përmes mënyrave të tmerrshme.

Ndërkohë në Rusi numërohen tashmë 12 oligarkë dhe menaxherë rusë, që kanë vdekur në një mënyrë misterioze që nga fillimi i këtij viti. Por nëse lëmë mënjanë numrin, ekzistojnë të paktën 4 dallime të rëndësishme. Së pari, skena e ngjarjeve nuk është një ishull pa asnjë mjet komunikimi me botën, por e gjithë Evropa dhe madje edhe SHBA-ja. Së dyti, ritmi që shoqëron këto vdekje nuk është një këngë, por lajmet e luftës në Ukrainë. Së treti ndërsa në librin e Kristit, autori mbetet i pa dyshuar deri në fund, në rastin konkret kushdo që e njeh sadopak Rusinë, sugjeron se pas këtyre vdekjen qëndron Putin. Dhe e katërta, historia e Agata Kristit është e trilluar, ndërsa vdekja e 12 rusëve është një fakt i vërtetë.

I fundit që vdiq është Ravil Maganov. Nëndrejtor i kompanisë ”Lukoil” dhe kryetar i Bordit të Drejtorëve. Zyrtarisht u raportua se humbi jetën pasi u “rrëzua” nga dritarja e katit të gjashtë të Spitali Klinik Qendror në Moskë, ku sapo kishte vdekur Gorbaçovi, dhe që konsiderohet si spitali më i mirë në Rusi. Ai ishte 67 vjeç, dhe në një deklaratë të saj kompania “Lukoil” shprehet: ”Me hidhërim të madh ju njoftojnë se Ravil Maganov, kryetar i Bordit të Drejtorëve, ka vdekur pas një sëmundjeje të rëndë. Ravil Ulfatoviç dha një kontribut të paçmuar jo vetëm në zhvillimin e kompanisë, por të gjithë industrinë ruse të naftës dhe gazit”.

Asnjë përmendje të rrethanave të vdekjes së tij. Disa zëra folën për edhe për problemet e zemrës dhe zhytjes në një depresion të thellë. Agjencia ruse lajmeve Tass specifikon më tej: atak në zemër, ndërsa kurohej edhe me anti-depresivë. Me pak fjalë, ekzistojnë dy hipoteza. E para, u rrëzua nga agjentët e shërbimit sekret pasi bordi i Lukoil kritikoi hapur në mars operacionin ushtarak në Ukrainë, duke bërë thirrje për “përfundim të shpejtë të konfliktit të armatosur”, dhe shprehur “afërsi të sinqertë me të gjitha viktimat”. Së dyti, i dëshpëruar nga të qenit numri 2 i gjigantit të dytë rus të naftës, Maganov u ndje keq ndërsa po qëndronte në dritare dhe u rrëzua poshtë.

I pari në listën me 12 viktima vdiq më 29 janar, ende pa nisur lufta. Bëhet fjalë për Leonid Shulman, 60 vjeç, kreu i shërbimit të transportit të “Gazprom Invest”. Thuhet se ai u gjet i vdekur në banjën e vilës së tij, në periferi të Moskës. Pranë iu gjet një shënim, në të cilin ai ankohej për dhimbje nga një këmbë e thyer. Por sipas shërbimit sekret ukrainas, ai kishte prerje të thella në trupin e tij të gjakosur. Nga ana tjetër, sipas revistës “Fortune”, Shulman ishte në telashe për shkak të një hetim për mashtrim.

 Më 25 shkurt, ditën e parë të luftës, ndodhi vdekja e dytë. Ajo e Aleksandër Tjuliako, 61 vjeç, zëvendësdrejtor i Bankës Gazprom. Ai u gjet i varur në garazhin e vilës së tij. Edhe ai pati një shënim pranë, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet. Shërbimi i sigurisë i Gazprom i përzuri që të gjithë nga vendi i krimit; madje edhe policinë. 

Më 28 shkurt, i treti në listë ishte Majkëll Uorford, 66 vjeç. Emri i vërtetë Mikail Tolstosheja, me origjinë ukrainase. Pasi u bë i pasur nga nafta dhe gazi, ai emigroi në vitin 2000 në Britaninë e Madhe, ku ndryshoi shtetësinë, emrin dhe veprimtarinë profesionale, duke u marrë me pasuritë e paluajtshme. Trupi i tij u gjet gjithashtu në një garazh në shtëpinë e tij në Sarrej. Policia britanike përjashton pistën e vrasjes, por e quan vdekjen si “të pashpjegueshme”.

Më 23 mars, ishte radha e Vasili Melnikov, 43 vjeç, pronar i kompanisë Medstom që importon pajisje mjekësore. Në apartamentin e tij luksoz në Nizhni Novgorod nuk u gjet vetëm trupi i tij, por edhe i gruas dhe i 2 fëmijëve. Shkaku i vdekjes: plagë me thikë të shkaktuara nga disa thika të gjetura në vendin e krimit. Për shkak të sanksioneve, Medstom ishte në prag të falimentimit. 

Më 18 prill, i pesti në listë ishte Vladisllav Avaev, 51 vjeç, nëndrejtor i Gazprombank dhe ish-zyrtar i Kremlinit. Sërish pranë trupit të tij në shtëpinë e tij në Moskës u gjetën ato të gruas së tij dhe një vajze 13-vjeçare. Po ashtu edhe një armë, me të cilën ai do t’i vriste fillimisht 2 femrat, dhe më pas do të kryente vetëvrasje.

“E vrau Putini”– ishte akuza e forte e Igor Volobuev, ish-zëvendëspresident i Gazprom, që u arratis dhe shkoi në vendlindjen e tij në Ukrainë, për të luftuar kundër pushtuesve.

Më 21 prill, është radha e Sergej Protosenja, 55 vjeç, menaxheri kryesor i Novatek, gjiganti i dytë më i madh energjetik në Rusi pas Gazprom, me një pasuri personale prej 400 milionë eurosh. Kufoma e tij u gjet së bashku me atë të gruas dhe vajzës 18-vjeçare në Lloret de Mar, 70 km larg Barcelonës, në një vilë të marrë qira për festën e Pashkëve. Ai ishte mbytur, ndërsa 2 femrat ishin të goditura me thikë. Djali i familjes që në atë moment ndodhej në Francë, e përjashton absolutisht skenarin – vetëvrasje.

1 maji regjistroi vdekjen e shtatë misteroze. Andrei Krukovski, 37 vjeç, drejtor i resortit të skive Gazprom në Krasnaja Poljana, vdes në Kaukaz. Sipas agjencisë së lajmeve Tass, “ai u rrëzua nga një shkëmb” në Soçi. “Ai i donte malet dhe aty e gjeti paqen. Tragjedia ndodhi në rrugën për në fortesën Akzepsinskaja”– vijoi raportimi. 

Më 7 maj, i teti në listë ishte Aleksandër Subotin: 43 vjeç, ish-drejtues i Lukoil, por anëtar i Bordit të Drejtorëve, si dhe vëllai i tij Valeri Subotin, ish-zëvendës president i seksionit tëblerjes dhe shitjes së naftës në Lukoil. Ai vdiq nga një sulm në zemër, pasi iu nënshtrua një kure popullore në Mitisçi, 19 km larg Moskës. Ishte një terapi, së cilës ai i nënshtrohej shpesh për t’u shëruar nga varësia nga alkooli. Kura bazohej tek helmi i bretkosave, që shmang të vjellat dhe në të njëjtën kohë e forcon sistemin imunitar. Në të njëjtën kohë, mjekët popullorë thërrasin shpirtrat, duke sakrifikuar disa gjela dhe duke u larë me gjakun e tyre. Por këtë herë ai u ndje keq dhe, në vend se t’i telefononin menjëherë urgjencës, preferoi të provonte ilaçin Korvalol, një qetësues i bazuar në barishte natyrale.

Më 27 qershor, i nënti ishte Jevgeni Palant, 47 vjeç, me origjinë ukrainase, pronar i kompanisë celulare, A-Mobile, aktive në Abkhazi, dhe gjithashtu financier i një Teatri Dramatik Rus në të njëjtën republikë të shkëputur nga Gjeorgjia. Trupi i tij i zhveshur u gjend në rrethinat e Moskës, pranë gruas së tij Olga, 50 vjeçe, nga vajza 20-vjeçare Polina. Pasi zbuloi se donte ta linte, gruaja e goditi 14 herë më thikë. Më pas vizatoi në mur dy zemra me gjakun e saj, dhe në fund u vetëvra. Të paktën kështu pretendojnë mediat pro–qeveritare.

Më 5 korrik, i dhjeti ishte Juri Voronov, 61 vjeç, pronar i Astra-Shipping, një kompani logjistike që kishte nënshkruar disa kontrata me Gazprom për shpimet në Arktik. Trupi i tij u gjet në mesin e pishinës në banesën e tij luksoze, me një plumb në kokë dhe një armë aty pranë. Hetuesit thanë se vdekja u shkaktua nga një “mosmarrëveshjeje me partnerët e biznesit”, pasi sipas të vesë, bashkëshorti ankohej se njerëzit po e tradhtonin. Por kamerat e sigurisë nuk tregojnë asnjë vizita apo hyrjen e ndonjë të panjohurit në orët para ngjarjes.

Më 14 gusht, i njëmbëdhjeti në listë është Den Rapoport, 52 vjeç, financier dhe ndërmjetës me origjinë letoneze. Pasi u bë i pasur në Rusi, ai u largua jashtë vendit duke u bërë një kritik i fortë i qeverisë së Putinit. Ai u rrëzua në orët e vona të natës nga një godinë në Uashington. Në momentin e vdekjes së tij, në kokë mbante një kapele portokalli, ndërsa në dorë kishte 2620 dollarë, por as portofol dhe as kartë krediti. Rrethanat e vdekjes së tij përshkruhen si “tejet të dyshimta” nga Bill Brouder, një ish-financier amerikan që dikur ka punuar në Moskë, djali i një lideri të famshëm të Partisë Komuniste të SHBA-së, që u bë më vonë një nga mbështetësit kryesorë të sanksioneve kundër Rusisë së Putinit pas vrasjes të avokatit të tij rus Sergei Manjicki në vitin 2009. / “Linkiesta” – Bota.al

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara