Truri i njeriut funksionon në mënyra që shpesh mbeten mister.
Studimet kanë treguar se elemente të zakonshme të jetës sonë të përditshme, si muzika, kanë ndikim në funksionet dhe strukturën e trurit, ndonjëherë duke sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën si mendojmë, ndjejmë dhe sillemi.
Ja disa fakte interesante që tregojnë se muzika është shumë më tepër se një zë i këndshëm në veshët tanë.
1. Të dridhurat nga muzika lidhen me dopaminën
A ndiheni ndonjëherë të përfshirë emocionalisht deri në dridhje kur dëgjoni një këngë të fuqishme? Kjo ndodh për shkak të dopaminës, një kimikate që truri e liron gjatë momenteve të kënaqësisë. Dopamina lidhet me motivimin, kënaqësinë dhe varësinë, dhe është arsyeja pse muzika ka qenë gjithmonë pjesë e ngjarjeve emocionale në historinë e njerëzimit.
2. Muzika aktivizon pothuajse tërë trurin
Shumë pak aktivitete aktivizojnë kaq shumë zona të trurit si muzika. Përmes skanimeve me rezonancë magnetike funksionale, studiuesit kanë vërejtur se dëgjimi i muzikës stimulon zonat emocionale, motorike e kreative, madje ndihmon në zhvillimin e qelizave nervore të reja.
3. Muzika mund të ndryshojë fizikisht strukturën e trurit
Truri ka aftësinë të përshtatet e të ndryshojë gjithë jetës, një proces që quhet plasticitet cerebral. Muzikantët profesionistë kanë korteks më të zhvilluar sesa jo-muzikantët, duke dëshmuar se dëgjimi dhe të mësuarit ndikojnë në mënyrë të matshme në strukturën e trurit.
4. Truri reagon ndaj muzikës si ndaj ushqimit
Ashtu si ushqimi apo aktivitetet e këndshme, muzika nxit lirimin e dopaminës, e cila shkakton ndjenjën e kënaqësisë. Studimet tregojnë se dëgjimi i muzikës, edhe pa tekst, aktivizon të njëjtat qendra të kënaqësisë si ngrënia apo përjetimi i emocioneve të forta pozitive.
5. Muzika përmirëson performancën gjatë ushtrimeve
Dëgjimi i muzikës gjatë aktivitetit mund të rrisë performancën dhe të ulë ndjenjën e lodhjes. Kjo ndodh për shkak të një procesi të quajtur disasociacion, i cili e shpërqendron mendjen nga përpjekja fizike dhe e fokuson tek ritmi e motivimi që sjell muzika.
6. Lidhjet emocionale ndikojnë në zgjedhjen e këngës së preferuar
Këngët tona të preferuara lidhen me kujtime apo ndjenja të forta emocionale. Edhe pse mund të ndryshojmë shijet muzikore me kalimin e kohës, lidhjet e krijuara përmes emocioneve e bëjnë një këngë të caktuar të mbetet e paharrueshme.
7. Rrahjet e zemrës ndjekin ritmin e muzikës
Muzika ndikon në rrahjet e zemrës, presionin e gjakut dhe frymëmarrjen. Sistemi kardiovaskular i pasqyron ritmet e muzikës, kur muzika është e qetë, zemra rreh më ngadalë; kur ajo është ritmike dhe e fortë, rrahjet shtohen.
8. Muzika ndikon në perceptimin e realitetit
Dëgjimi i muzikës ndryshon mënyrën si e perceptojmë botën. Truri përpunon informacionin vizual duke u bazuar në emocionet që ndiejmë, një këngë e gëzueshme mund ta bëjë botën të duket më e ndritshme, ndërsa një melodi e trishtuar mund ta errësojë perceptimin tonë.
9. “Krimbi i veshit” – kur një këngë nuk të del nga mendja
Të gjithë kemi përjetuar “krimbin e veshit”, atë këngë që nuk ndalon së luajturi në mendje. Kjo ndodh sepse korteksi auditiv i trurit përpiqet të “plotësojë” boshllëqet muzikore, duke e riprodhuar ritmin edhe pasi kënga ka përfunduar.
10. Muzika stimulon qendrat e kënaqësisë në tru
Një pjesë e vogël e trurit, e quajtur nucleus accumbens, liron dopaminë gjatë ushqimit apo aktivitetit seksual, e njëjta ndodh kur dëgjojmë muzikë. Amygdala, e cila përpunon emocionet, aktivizohet nga muzika, duke shpjeguar pse ajo mund të na gëzojë apo të na trishtojë thellë.
11. Muzika përdoret në terapi mjekësore
Terapia me muzikë është përdorur për dekada për pacientët me Parkinson, goditje në tru dhe probleme motorike. Ajo ndihmon në koordinimin e lëvizjeve dhe përmirësimin e të folurit, pasi stimulon zonat e trurit që lidhen me këto funksione.
12. Të mësuarit e një instrumenti përmirëson aftësitë njohëse
Një studim me fëmijë tregoi se ata që kishin trajnim muzikor për tre ose më shumë vite kishin rezultate më të larta në aftësi motorike, fjalor dhe arsyetim logjik. Muzika ndikon pozitivisht jo vetëm në kreativitet, por edhe në zhvillimin intelektual. /A.Z/UBT News/