Kulturë

10 vjet nga lansimi i “Gangnam Style”, Psy flet për suksesin e jashtëzakonshëm të këngës

“Gangnam Style” u bë viral, duke bërë bujë në të gjithë botën.

Published

on

Fillimi i viteve 2010 ishte një epokë e hiteve të suksesshme. Nga “Harlem Shake” te “Party Rock Anthem”, platformat digjitale filluan në një epokë të re publiciteti — dhe viraliteti.

Më 15 korrik të vitit 2012, këngëtari dhe reperi koreano-jugor, Psy hyri në skenën muzikore globale me një smoking të ndezur blu, një kërcim të paharrueshëm dhe një ritëm energjik që ra në tekstin tërheqës, “Oppan Gangnam style”.

Së shpejti, “Gangnam Style” u bë viral, duke bërë bujë në të gjithë botën. Kënga rrëmbeu valët e transmetimit, videoklipi vërshoi Facebook-un dhe flokët dhe syzet e diellit të Psy u shfaqën në emisionet amerikane të natës. Kënga debutoi në Billboard Hot 100 në muajin shator, para se ta rrëmbente vendin e dytë disa javë më vonë. Më vonë kjo u bë videoja e parë që arriti 1 miliard shikime në YouTube.

Psy, i cili ishte i famshëm në vendin e tij, por jo edhe globalisht, shpejt u bë një nga artistët më të njohur në botë. Brenda një viti, ai theu tri Rekorde Botërore Guinness dhe performoi në Madison Square Garden krah yllit Madonna. Për 35-vjeçarin e atëhershëm nga Seuli, suksesi ishte diçka që nuk mund ta imagjinonte kurrë. Por ndikimi i këngës shtrihej shumë përtej industrisë muzikore. Në fakt, suksesi i “Gangnam Style” konsiderohet si një katalizator i madh në “valën koreane”, ose “hallyu”, një term që përshkruan përhapjen e fundit të kulturës koreane në nivel ndërkombëtar — diçka që qeveria e Koresë së Jugut është përpjekur ta shtyjë përmes muzikës dhe medias që nga vitet 1990.

Gyu Tag Lee, profesor i asociuar i studimeve kulturore i specializuar në K-pop dhe hallyu në kampusin e Koresë së Jugut të Universitetit George Mason, vlerëson se “Gangnam Style” e bëri të njohur kulturën pop koreane jashtë Azisë Lindore.

Për Psy, ekzistonte gjithmonë edhe një anë tjetër e suksesit të tij global. Sado i emocionuar dhe i lumtur që ishte gjatë atyre ditëve të “Gangnam Style”, ai tha se performanca dhe vallëzimi në rrugë e dërmuan atë. Fama solli gjithashtu pritshmëri të reja — dhe presion për të bërë më shumë hite.

“Kur një këngë bëhet hit, edhe këngët tjera duhet të jenë hite”, thotë ai. “Kur një person është hit, suksesi është më i qëndrueshëm. Në këtë rast, unë jam i pari dhe BTS i dyti”, deklaroi ai tutje.

Ndërsa Psy nuk e përsëriti kurrë suksesin e “Gangnam Style”, ai e ka kaluar dekadën e fundit duke u dëshmuar se është një muzikant dhe balerin me një dëshirë të veçantë për t’u argëtuar. Që nga viti 2012, ai ka lansuar tri albume të plota që shfaqin stilin e tij të larmishëm — nga hitet e kërcimit që ai është më i njohur për, te baladat më të buta dhe ritmike që të kujtojnë punën e tij të mëparshme./UBTNews/

Continue Reading

Kulturë

45 vjet nga demonstratat e vitit 1981, përkujtohet roli i tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës

Published

on

Mbrëmë u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku u theksua rëndësia historike dhe politike e këtyre ngjarjeve në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe shtetësisë.

Në këtë aktivitet përkujtimor u vlerësua se demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një ndër momentet kyçe në historinë moderne të Kosovës, duke shënuar fillimin e një lëvizjeje të organizuar për të drejta politike dhe kombëtare.

Akademia mblodhi përfaqësues institucionalë, pjesëmarrës të asaj kohe dhe studiues, të cilët rikujtuan zhvillimet që çuan në organizimin e protestave. U theksua se demonstratat, të cilat nisën si protesta studentore në Universitetin e Prishtinës, u shndërruan shpejt në një lëvizje të gjerë qytetare me kërkesa të qarta politike.

Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe ish-kryeministri Bajram Kosumi.

Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të shoqatave të të burgosurve politikë dhe personalitete të tjera publike, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të trashëgimisë së rezistencës për brezat e ardhshëm.

Continue Reading

Kulturë

Shqiptarët “pushtojnë” NBA-n, valle dhe muzikë tradicionale në parketin e Chicago Bulls

Published

on

By

Një moment i veçantë dhe plot krenari për komunitetin shqiptar është shënuar në një nga arenat më të mëdha të basketbollit në botë, gjatë një ndeshjeje të NBA.

Para përballjes mes Chicago Bulls dhe Phoenix SunsUnited Center, ansambli i komunitetit shqiptar në Illinois dhuroi një performancë mbresëlënëse me këngë dhe valle tradicionale.

Tingujt e muzikës shqiptare pushtuan sallën, ndërsa valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe emocion në parket. Publiku amerikan mbeti i mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve, duke e kthyer këtë moment në një spektakël të rrallë në skenën e NBA-së.

Kjo natë e dedikuar komunitetit shqiptar dëshmoi edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij  nga Shqipëria dhe Kosova deri në zemër të Chicago.

Momenti i veçantë tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar para botës bukurinë dhe pasurinë e traditave shqiptare.

Continue Reading

Kulturë

Premiera globale e filmit të ri të Malick më 26 maj

Published

on

Regjisori amerikan Terrence Malick pritet të rikthehet në skenën ndërkombëtare me filmin e tij të ri “The Way of the Wind”, i cili do të ketë premierë globale në Netflix më 26 maj.

Projekti, i cili ka qenë në montazh për rreth shtatë vite, konsiderohet ndër më ambiciozët dhe më personalët në karrierën e tij. Filmi sjell një portret shpirtëror të jetës së Jezusit, ndërsa ka qëndruar për një kohë të gjatë larg vëmendjes së publikut, duke rritur pritshmëritë për rikthimin e regjisorit.

Në reflektimet e tij, Malick thekson se arti nuk njeh kufij dhe se një imazh arrin te publiku pavarësisht vendndodhjes. Ai pranon rëndësinë e kinemave si hapësira të veçanta, por nënvizon edhe përvojën intime që ofron ekrani personal.

Vendimi për publikimin e filmit drejtpërdrejt në Netflix ka befasuar industrinë, duke shënuar një hap ndryshe për një autor të lidhur tradicionalisht me kinemanë.

“The Way of the Wind” pritet të jetë një tjetër kapitull i rëndësishëm në krijimtarinë e Malick, duke vijuar eksplorimin e temave shpirtërore dhe estetike që e karakterizojnë stilin e tij.

Continue Reading

Kulturë

Italia blen kryeveprën e Rilindjes për 12.6 milionë euro

Published

on

Italia ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore, duke blerë një vepër të çmuar të periudhës së Rilindjes për 12.6 milionë euro.

Bëhet fjalë për pikturën fetare “Ecce Uomo” të artistit Antonello da Messina, e cila ishte nxjerrë në ankand në New York. Vepra paraqet Jezusin me kurorë gjembash dhe një litar në qafë, në momentin kur Pontius Pilate ia dorëzon turmës për kryqëzim.

Piktura vlerësohet jo vetëm për rëndësinë e saj artistike, por edhe për historinë e veçantë që mbart. Ajo është përdorur për lutje private për vite me radhë dhe është ruajtur në një çantë lëkure, çka ka shkaktuar dëmtime në anën tjetër të panelit, ku paraqitet figura e Shën Jeronimit.

Kjo blerje vjen pak kohë pasi Italia investoi rreth 30 milionë euro për një portret të rrallë nga Caravaggio, një nga shpenzimet më të mëdha shtetërore për një vepër arti.

Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një strategjie më të gjerë për të rikthyer në Itali vepra me rëndësi të veçantë dhe për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun.

“Ecce Uomo” pritet të ekspozohet fillimisht në Muzeun Kombëtar të Abruzzos, përpara se të prezantohet edhe në institucione të tjera kulturore në të gjithë vendin.

Continue Reading

Të kërkuara