Lajmet

1 mijë e 300 raste të dhunës në familje për gjashtë muaj, kritikohen prokurorët e gjyqtarët

Kjo fushatë është organizuar nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional (Clard) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Published

on

Në sheshin “Zahir Pajaziti” është organizuar fushatë vetëdijesimi kundër dhunës në familje. Në përmbylljen e fushatës, u tha se janë shpërndarë mbi 20 mijë broshura informative dhe janë mbajtur ligjërata në shkollat e mesme. Megjithatë, përkundër këtyre fushatave janë kritikuar gjyqtarët e prokurorët të cilët nuk po punojnë bazuar në kompetencat e tyre. Veç tjerash, është bërë e ditur se vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë raportuar 1 mijë e 300 raste të dhunës në familje.

Kjo fushatë është organizuar nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional (Clard) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi në kuadër të projektit “Edukimi kundër dhunës në familje dhe ngacmimit seksual”.

Anton Nrecaj nga Clard ka thënë se në kuadër të kësaj fushate janë shpërndarë broshura informative dhe kanë bashkëbiseduar me qytetarë nga gjitha komunat për të informuar ata për pasojat e dhunës në familje.

“Janë mbi 20 mijë broshura që janë shpërndarë gjithandej Kosovës, përmbajnë informatat bazike të kornizës ligjore kundër dhunës në familje dhe informatat bazike se ku mund të drejtohen në rast se janë viktima të dhunës në familje. Janë informacion bazik për secilin qytetar laik që nuk e kupton konceptin e asaj që ofrohet përmes ndihmës juridike dhe të drejtat që i kanë të garantuara nga korniza ligjore për mbrojtjen e dhunës në familje dhe ngacmimeve seksuale”, ka thënë ai.

Po ashtu, në përmbylljen e kësaj fushate, ai ka njoftuar se këtë vit ka pasur numër të madh të rasteve të raportuara për dhunë në familje.

“Statistikat zyrtare për gjashtëmujorin e parë të këtij viti rezultojnë që nga janari deri në qershor të vitit 2022, rastet e raportuara të dhunës në familje janë rreth 1300 në raport me vitin e kaluar që gjatë gjithë vitit kanë qenë mbi 1 mijë e 900 raste të raportuara të dhunës në familje. Kurse sivjet në gjashtëmujorin e parë janë 1 mijë e 300”, ka shtuar Nrecaj.

Prishtina e Peja prin me numrin më të madh të rasteve të dhunës në familje, ka thënë drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj. Ku shtoi se u kanë rekomanduar institucioneve të drejtësisë të ndërmarrin masa parandaluese.

Më tej, Miftaraj ka thënë se qëllimi i kësaj fushate ka qenë informimi i qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre në rastet e dhunës në familje.

“Edhe përkundër kampanjave të shumta që kemi bërë, jo vetëm për qytetarët por edhe për institucionet të sigurisë dhe drejtësisë, fatkeqësisht ende gjyqtarët e prokurorët, policia nuk janë në gjendje të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre që u jep kushtetuta dhe ligji. Ende qytetarët nuk po mund të realizojnë të drejtat e tyre, kryesisht për shkak të joprofesionalizimit të gjykatave dhe prokurorive”, ka thënë Miftaraj.

Ehat Miftaraj nga IKD tha se me mbështetjen e Ambasadës Amerikane është ofruar ndihmë juridike falas edhe për komunitetet në Kosovë.

Lajmet

Arrestohet i arratisuri në Prizren, po kërkohej për fajde e detyrim

Published

on

By

Një person i cili ndodhej në arrati është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prizren, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Fajde” dhe “Detyrim”.

Sipas raportit të Policisë, i dyshuari po kërkohej lidhur me një rast të ndodhur në gusht të vitit të kaluar.

Pas arrestimit dhe intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një i mitur për dhunim në Istog

Published

on

By

Një person i mitur është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të dhunimit në Istog.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur brenda një dite nga aksidentet në Prishtinë

Published

on

By

Një 17-vjeçar dhe një motoçiklist kanë humbur jetën si pasojë e dy aksidenteve të rënda të ndodhura gjatë ditës së mërkurë në rajonin e Prishtinës.

Aksidenti i parë ka ndodhur pasdite në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, përkatësisht në Çagllavicë, ku një veturë ka goditur për mort këmbësorin e mitur, shtetas britanik. Pavarësisht dërgimit me urgjencë në QKUK, i riu nuk u ka mbijetuar lëndimeve. Shoferit të përfshirë në aksident i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Po ashtu, në mbrëmje një tjetër përplasje fatale ka ndodhur në fshatin Llukar mes një automjeti dhe një motoçiklete. Si pasojë e goditjes, motoçiklisti ka pësuar lëndime mortale, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Me zbardhjen e shkaqeve të të dyja rasteve po merren njësitet e trafikut rajonal. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Kafshët që kalojnë dimrin nuk ëndërrojnë. Gjumi është një gjendje fiziologjikisht më “aktive” sesa letargjia dimërore, e cila kërkon që kafshët të zvogëlojnë ndjeshëm të gjitha aktivitetet për të kursyer energji. Thjesht nuk ka aktivitet të mjaftueshëm të trurit, ndërsa një kafshë është në letargji për të mundësuar ëndërrimin. I vetmi përjashtim nga ky rregull është lemuri me bisht të trashë.

 

  1. Pishat mund të dallojnë nëse do të bjerë shi. Herën tjetër që shihni një boçë pishe, shikojeni nga afër. Nëse është e mbyllur, kjo ndodh sepse ajri është i lagësht, gjë që mund të tregojë se shiu është duke ardhur.

 

  1. Nuk mund ta palosësh një copë letër A4 më shumë se tetë herë. Ndërsa numri i shtresave dyfishohet çdo herë, letra shpejt bëhet shumë e trashë dhe shumë e vogël për t’u palosur. Rekordi aktual botëror i palosjes së letrës i përket studentes së shkollës së mesme të Kalifornisë, Britni Gallivan, e cila në vitin 2002 arriti të paloste një copë letër higjienike 1.2 km të gjatë 12 herë.

 

  1. E qeshura erdhi para gjuhës. Si e dimë? Disa studiues gudulisnin majmunët e vegjël, të cilët, përtej të qenit të adhurueshëm, treguan se ata ndajnë të njëjtën strukturë me tonat dhe ka të ngjarë të kenë lindur tek paraardhësit tanë të përbashkët miliona vjet më parë. Gjuha erdhi shumë më vonë.

 

  1. Avioni më i shpejtë reaktiv në botë mund të fluturojë pothuajse 10 herë më shpejt se shpejtësia e zërit (11,854 km/orë). Avioni më i shpejtë reaktiv është aeroplani eksperimental X-43 i NASA-s, tre prej të cilëve u ndërtuan gjithsej. Dizajni nënkuptonte që ata duhej të hidheshin nga një Boeing B-52 për të fluturuar.

Continue Reading

Të kërkuara