Lajmet

​Zjarrfikësit shpëtuan nga vërshimet dy familje në Fushë Kosovë

Published

on

Për vërshimet e fundit nga reshjet në disa rajone të Kosovës, punë i doli edhe Brigadës të Zjarrfikësve në Prishtinë.

Vetëm brenda dy ditësh kjo brigadë ka intervenuar në mbi 20 raste për shpëtimin e banorëve, për largimin e ujit dhe shuarjen e zjarreve.

Komandant i Brigadës të Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka ka thënë për KosovaPress se në ditët e fundit ka qenë një situatë e rëndë nga vërshimet dhe është intervenuar me të gjitha kapacitetet që ka pasur kjo brigadë.

“Është një situatë e vështirë, gjithsej ne prej të premtes e deri më sot i kemi pasur 23 raste, prej tyre ka pasur raste të llojllojshme, por posaçërisht për thithjen e ujit në dhjetë vende. Pra kemi intervenuar për thithjen e ujit, shpëtim të banorëve nga shtëpitë, ku kemi tërhequr dy shtëpi në Fushë Kosovë, që kanë qenë të bllokuar qytetarët. Po ashtu kemi tërhequr vetura, të cilat kanë mbetur në ujë. Zjarr në shtëpi kemi pasur një rast, furnizim me ujë, si dhe hapje të dyerve, hapje të ashensorëve, shuarjen e zjarrit në veturë”, tha ai.

Komandanti Zeka ka treguar edhe për vështirësitë që kanë pasur këto ditë dhe për numrin e vogël të zjarrfikësve krahas shërbimeve që kërkohen në rast intervenimi në Prishtinë. Kësaj brigade ai tha se i nevojiten edhe mbi 100 zjarrfikës.

“Vështirësi më së shumti kemi pasur natën e mbrëmshme, në një spital që është mbushur bodrumi me ujë. I kishim gjithsej katër pompa për të tërhequr atë ujë, por shumë ujë që dilte, ishim të barabartë me ardhjen e ujit dhe tërheqjen e ujit. A ka brigada kapacitete të mjaftueshme? Jo, vetëm Prishtina duhet t’i ketë 200 zjarrfikës, ndërsa për momentin janë vetëm 98 të cilët punojnë dhe veprojnë”, tha ai.

Nga vërshimet e fundit, zonat më të prekura janë ajo nga Dukagjini, Drenica dhe Fushë Kosova. Mësohet se nga të reshurat e madhe janë bërë dëme të konsiderueshme materiale nëpër shtëpi, infrastrukturë, biznese dhe bujqësi. 

Lajmet

Kurti takon QUINT-in: Flitet për anëtarësimin në KiE dhe zhvillimet politike

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Kryeministrit njoftoi se temë kryesore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, siç është vlerësuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Në njoftim thuhet më tej se kryeministri Kurti paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në anëtarësim po ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kosova ishte afër anëtarësimit vitin e kaluar, por çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e la atë jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.

Në fund të njoftimit thuhet se, ndër të tjera, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.

Prej disa javësh, përfaqësuesit politikë nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri më tani janë mbajtur 14 seanca, në të cilat deputetët kanë dështuar të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

Derisa Vetëvendosje po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit, kjo parti ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme.

Pas gjashtë dështimeve në votimin e Haxhiut, së fundi, udhëheqësi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi votim të fshehtë.

Por ky veprim i Deharit u dërgua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të partive të tjera për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Meqë nuk shihet ndonjë rrugëdalje nga bllokada në Kuvend, nga 15 maji presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takojë udhëheqësit e partive politike në një përpjekje të re për të formuar institucionet e reja./REL/

Continue Reading

Lajmet

Nga 15 maji, Osmani nis përpjekjet për zhbllokim të Kuvendit

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Këtë e konfirmoi këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.

Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina.

Më 11 maj, për të katërmbëdhjetën herë më radhë, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Derisa partitë e tjera politike nuk përkrahin zgjedhjen e Albulena Haxhiut në pozitën e kryetares së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, vazhdon të insistojë se nuk do të propozojë emër tjetër për kryeparlamentar.

Sa herë që emri i Haxhiut u hodh në votim nuk mori votat e nevojshme për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.

Më 11 maj, pas dështimit të fundit për konstituimin e Kuvendit, Donika Gërvalla, deputete e Vetëvendosjes dhe ministre e Jashtme në detyrë, nuk tregoi qartë nëse do t’i përgjigjeshin ftesës së presidentes.

Gërvalla deklaroi se “duhet ta marrim ftesën dhe të shohim se çfarë përmban ajo dhe për çfarë na thërret ajo”.

Partitë e tjera përfshirë, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në kanë thënë se janë të hapura për të marrë pjesë në një takim me presidenten.

Ndërkohë më 12 maj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.

Time Kadrijaj nga ky subjekt politik tha se kanë dërguar në “Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”.

Kërkesa është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Derisa Vetëvendosje si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit insiston se votimi i fshehtë është ligjor dhe kushtetues, partitë e tjera përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në kanë kundërshtuar një gjë të tillë./REL/

Continue Reading

Lajmet

Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri

Published

on

By

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar sot një takim në objektin e Qeverisë të Kosovës.

Ambasadori francez, Olivier Guerot, ai i BE-së, Aivo Orav dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves kanë dalë tashmë nga objekti i qeverisë dhe janë larguar nga aty.

Ndonëse këto takime ishin të zakonshme të hënave, kjo është hera e parë që ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në Qeveri, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa deri më tash nuk ka mundur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e Kuvendit të Kosovës. Propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare mbetet i papranueshëm për partitë e tjera (Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës).

Continue Reading

Lajmet

LDK-ja dorëzon kërkesë në ZRRE për anulimin e shtrenjtimit të rrymës

Published

on

By

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ZRRE-së iu kërkua të anulojë dy vendime: atë që i obligon bizneset të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike, si dhe vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 për qind.

Bajrami tha se gjatë takimit me udhëheqësit e ZRRE-së nuk morën përgjigje pozitive për “shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës”.

Sipas tyre [ZRRE-së], një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm qeveria – në këtë rast, kushdo që është duke ushtruar detyrën e qeverisë dhe ministrave, sepse bëhet fjalë për rreth 50 milionë euro diferencë në çmim, e cila duhet të vijë si subvencionim nga buxheti i shtetit. Ndryshe, këta [ZRRE-ja] detyrohen që vendimin ta lënë në fuqi”, deklaroi Bajrami.

Nga rritja e çmimit të energjisë, sipas Bajramit, nuk po sfidohen vetëm qytetarët, por edhe shumë biznese.

Në veçanti, sipas saj, të sfiduara nga vendimet e ZRRE-së janë mbi 1.300 biznese kosovare, të cilat janë të obliguara të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike nga fillimi i qershorit.

Këto biznese, sipas Bajramit, po përballen me oferta shumë më të shtrenjta sesa kanë paguar deri më tani.

Ditë më parë, ZRRE-ja vendosi të rrisë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët për 16.1 për qind.

Kjo rritje i prek edhe bizneset që kanë më pak se pesëdhjetë punëtorë.

Ato biznese që kanë më shumë se 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim, nga 1 qershori, sipas vendimit të ZRRE-së, janë të obliguara të dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë elektrike.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar për çmime të papërballueshme./REL/

Continue Reading

Të kërkuara