Lajmet

​Zgjedhjet në veri, frikë për tensione dhe pjesëmarrje të ulët të qytetarëve

Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje po konsiderohet si mundësi që strukturat paralele në veri të pengojnë procesin zgjedhor.

Published

on

Mbajta e zgjedhjeve në katër komunat veriore më 23 prill ka ngjallur frikë për krijimin e tensioneve të reja, përkundër gatishmërisë së institucioneve të Kosovës për të ofruar një proces zgjedhor të qetë dhe pa incidente. Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje po konsiderohet si mundësi që strukturat paralele në veri të pengojnë procesin zgjedhor dhe t’iu bëjnë trysni qytetarëve që mos të dalin në zgjedhje.

Pavarësisht mundësive për kontestim të legjitimitetit të procesit zgjedhor në veri, pushteti dhe opozita e shohin të domosdoshme mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, sidomos pas përkrahjes së shteteve të QUNIT-it. Mirëpo, monitoruesit e proceseve zgjedhore, ngrehin shqetësime se mund të ketë pengesa të organizimit të zgjedhjeve ne qendrat e votimit nga zyrtarët serbë lokalë atje. Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror Zgjedhor, nuk kanë treguar nëse ka pengesa teknike për organizimin e zgjedhjeve në veri dhe se kur do të dalin ekipet e tyre në teren për përgatitjen të qendrave të votimit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se të gjitha institucionet relevante në Kosovë janë të gatshme për organizimin e zgjedhjeve në veri. Sipas saj, mbështetja e vendeve të QUNIT-it për procesin zgjedhor të 23 prillit në veri edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe është dëshmi për nevojën e organizimit të tyre.

“Institucionet e Kosovës e kanë të gjithë gatishmërinë për të ofruar një proces të qetë dhe pa ndonjë incidente dhe që do të ketë pjesëmarrje të qytetarëve serbë në këto zgjedhje për të votuar për njerëzit që ata mendojnë për t’i përfaqësuar. Është shumë i rëndësishëm edhe deklarata e shteteve të QUNIT-it që i përkrahin dhe mbështesin këto zgjedhje dhe që janë pro këtij procesi zgjedhor… Është një vulë që e vërteton faktin se ne kemi thënë gjithmonë se është shumë e rëndësishme që të mbahen këto zgjedhje dhe se nuk e kemi pasur gabim, as kur i caktuam ato më herët, as kur i shtymë dhe as kur e vendosëm një datë të re siç është më 23 prill. Kjo tregon se shtetet e QUINT-it kanë qenë mbështetës të vendimeve dhe veprimeve që qeveria i ka bërë karshi procesit të zgjedhjeve në komunat veriore”, thotë ajo.

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaron se zgjedhjet në veri duhet të mbahen më 23 prill, por shton se mund të ketë tensione të reja atje.

“Është e vështirë për të thënë se a mund të mbahen (zgjedhjet) pa Listën Serbe. Zgjedhjet, popullata serbe i kanë mbajtur edhe kur s’ka pasur Listën Serbe, por parti të tjera të cilat kanë hyrë në zgjedhje. Tash nëse shumica e partive që janë në veri janë dakorduar për të mbajtur zgjedhjet, ndërkaq Qeveria, KQZ-ja dhe të gjitha institucionet relevante që lidhen me këtë çështje janë dakord (zgjedhjet) mund të mbahen. Do të varet edhe sa dalin qytetarët, pasi ata besoj se do të ketë presion shumë të madh edhe Serbia, Lista Serbe por edhe nga grupet të cilat veprojnë dhunshëm në veri kundër qytetarëve të vet mund të krijojnë një kaos dhe një çështje të panevojshme”, thekson deputeti opozitar.

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje do të dëmtojë procesin zgjedhor në disa drejtime. Ai përmend se impakti i Listës Serbe do të bëjë që në zgjedhje të ketë pjesëmarrje të ulët të qytetarëve, derisa shton se mund të ketë tentime për të penguar procesin zgjedhor, por jo në shkallën sikur dhjetorin e vitit të kaluar.

“Mospjesëmarrja e Listës Serbe sigurisht që do të dëmtojë procesin zgjedhor si të tillë dhe atë në disa drejtime. Ndër të cilat më të mund të jenë dalja e ulët në zgjedhje të votuesve duke marrë parasysh faktin se Lista Serbe në vazhdimësi ka pasur përkrahje mbi 96 për qind të votuesve, atyre 70-80 për qind të qytetarëve që dalin në zgjedhje. Impakti i mospjesëmarrjes së Listës Serbe do të vërehet tek dalja në zgjedhje, ndërsa së dyti mund të ketë tentim për të penguar procesin zgjedhor, sa i përket hapjes së qendrave të votimit dhe punës komisionale zgjedhore”, thotë Cakolli.

Mirëpo mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prillit në veri, sipas deputetes nga mazhoranca, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ofron mundësinë e krijimit të një pluralizimi në mesin e partive politike që përfaqësojnë serbët në Kosovë. Ajo thotë se është e domosdoshme që të ketë njerëz të rinj nga komuniteti serb në pozita institucionale që mund të punojnë për qytetarët e këtij komuniteti që jetojnë në Kosovë.

“Është e rëndësishme që të krijohet një pluralizëm në mesin e partive politike që përfaqësojnë serbët, pasi kemi pasur vetëm Listën Serbe, deputetët e Aleksandër Vuçiqit që e kanë përfaqësuar serbët në Republikën e Kosovës në institucione të ndryshme. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ketë pluralizëm, të ketë përfshirje edhe të partive të tjera politike serbe, pasi po e shihni se ka një dekonstruktivitet dhe bojkot të jashtëzakonshëm të Listës Serbe në Kuvendin e Republikës. Është shumë e rëndësishme që të risjellën njerëz të ri në këto pozita që mund të punojnë për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë”, shton ajo.

Ditë më parë, Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore ka treguar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të mbahen në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Zgjedhjet në veri fillimisht ishin caktuar me datë 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato u shtyn pas incidenteve dhe pamundësisë për organizimin e tyre.

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Lajmet

Koncerti i Fakultetit të Muzikës Moderne dhe Produksionit Digjital sjell kreativitetin e studentëve

Published

on

By

Në Sallën e Koncerteve të UBT-së, u zhvillua koncerti i Fakultetit të Muzikës Moderne, Produksionit Digjital dhe Menaxhmentit, një ngjarje që nxori në pah talentet e studentëve dhe frymëzimin krijues të brezit të ri të artistëve. Ngjarja shërbeu si platformë prezantuese për të ekspozuar rezultatet e punës akademike dhe artistike të studentëve gjatë semestrit, duke përfshirë interpretime instrumentale, vokale dhe projekte të audioproduksionit.

Koncerti u hap me performancën e Korit të UBT-së, duke interpretuar këngën “Creep” nën drejtimin e dirigjentes Prof. Lindita Isufi, me shoqërimin në piano nga Ledian Shala. Më pas, të pranishmit u njohën me një seri interpretimesh nga studentë të ndryshëm:

  • Vesa Xhara, viti II, Kompozim, klasa e Prof. Liburn Jupolli, performoi një duet për klarinet, të realizuar nga Sunaj Qerimi dhe Rinor Hasimi.
  • Ledian Shala, viti III, klasa e Prof. Klevis Gjergji, interpretoi Etuden Op.25 No.11 “Winter Wind” nga F. Chopin.
  • Blerta Mulolli, viti III, klasa e Prof. Adelina Thaqi-Meta, solli këngën “Through My Soul” nga Enlly Blue.
  • Bleta Hamza, viti III, klasa e Prof. Luan Durmishi, performoi “So Easy” nga Olivia Dean.
  • Eda Lecaj, viti III, klasa e Prof. Adelina Thaqi-Meta, interpretoi “The One That Got Away” nga Katy Perry.
  • Yllka Dema, viti III, klasa e Prof. Luan Durmishi, prezantoi këngën “Oscar Winning Tears” nga Raye.
  • Orges Morina, viti III, në Këngëshkrim për këngëtarë, klasa e Prof. Liburn Jupolli, solli kompozimin origjinal “Tu Ndryshu”.
  • Petrit Dragidella, viti II, Audioproduksion, interpretoi “Electric Overture” nga Petro Marko.
  • Ernes Sopi, viti III, Audioproduksion, prezantoi “Çdo Natë” nga Leyla.
  • Blend Fejza, viti III, Audioproduksion, performoi këngën “Dashni”.

Një pjesë e veçantë e koncertit ishte edhe performanca e bendit të studentëve, ku Shend Xhini (Bateri), Ledian Shala (Piano), Rilind Ramushi (Kitare) dhe Dukagjin Muhaxheri (Saksofon) shfaqën energjinë dhe kreativitetin e tyre muzikor, duke plotësuar atmosferën artistike të ngjarjes.

Ky koncert është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit të Muzikës Moderne, Produksionit Digjital dhe Menaxhmentit për të ofruar studentëve një përvojë praktike dhe prezantuese, duke i përgatitur ata për sfidat e industrisë së muzikës dhe prodhimit digjital, si dhe për të nxitur kreativitetin dhe inovacionin në çdo nivel akademik.

Continue Reading

Lajmet

PDK kërkon hetim ndaj Kurtit për “mashtrim publik” në rastin e dronëve kamikaz

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës(PDK), ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të verifikojnë dhe hetojnë siç kanë thënë mashtrimin publik dhe institucional të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, “në rastin e prodhimit të dronëve kamikaz”.

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, në konferencë për media, të enjten tha se ka dyshime të bazuara se pamjet e testimit të dronit “Skifteri K1” është e manipuluar.

Sipas saj, skandaloze dhe cenim i sigurisë kombëtare është edhe vizita e Kurtit dhe promovimi i kësaj kompanie në periudhë të fushatës zgjedhore.

“Siguria kombëtare nuk është shfaqje elektorale. Kurti e promovoi këtë kompani kinse për prodhim të dronëve dhe u paraqit si sukses shtetëror. Por ka dyshime serioze se pamjet promovuese nuk paraqesin realitetin në Kosovë. Prodhimi i dronëve kërkon personal të specializuar dhe protokolle të sigurisë dhe testime të shumta teknike”, tha ajo.

Continue Reading

Të kërkuara