Lajmet

​Zemaj thotë se po angazhohen për sigurimin e vaksinave antiCOVID, nuk tregon se kur arrijnë

Published

on

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj deklaroi se situata me pandeminë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për ndonjë alarm.

Ai në takimin e komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me COVID-19, tha se ka rënie të rasteve pozitive dy javët e fundit dhe rënie të numrit të rasteve që përfundojnë me fatalitet.

Zemaj tha se janë të angazhuar për sigurimin e vaksinës anti-Covid, ndonëse nuk dha ndonjë datë se kur pritet vaksinat të arrijnë në Kosovë.

“Në dy javët e fundit me 07.02.2021 deri me 20.02.2021 janë raportuar 4 mijë e 122 raste pozitive, 49 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa pozitiviteti është 1.18 përqind. Deri më tani janë regjistruar 1 mijë 572 vdekje me një shkallë prej 2.3 përqind. Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë tregon ulje simbolike të rasteve dy javët e fundit për 1.16 përqind, por me shenja iniciale të mundësisë së fillimit të rritjes së rasteve pozitive në këtë javë. Kemi ulje të rasteve të vdekjeve të raportuara nga SHSKUK dhe nga spitalet COVID për 36.7 përqind”, tha ai.

Zemaj tha se janë meshkujt ata që janë prekur më shumë me COVID-19 në Kosovë, pasi janë 51 përqind meshkuj të prekur me COVID dhe femra 49 përqind.

Duke u bazuar në situatën epidemiologjike, Zemaj tha se duhet të vazhdohen masat rigoroze të përkufizimit të lëvizjes dhe aktiviteteve sipas sëmundshmërisë nëpër komuna duke i klasifikuar sipas tri ngjyrave. Ai ka ftuar AUV-in që të vazhdojnë kontrollin rigoroz të respektimin e masave anti-COVID, ku tha se ka një humbje të vëmendjes në këtë mbikëqyrje.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, shtoi se vazhdojnë të jenë të angazhuar për sigurimin e vaksinës anti-COVID në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës.

“Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës COVID-19 në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës sonë. Pres që sipas planit për vaksinim anti-COVID të hartuar nga Instituti të zbatohen nga të gjithë nivelet e përkujdesjeve shëndetësore duke filluar nga ajo primare. Puna jonë është transparente, e përqendruar dhe e pandalshme”, tha ai.

Se ka rënie të numrit të rasteve pozitive me COVID-19, e tha edhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, i cili shtoi se ka rënie edhe të numrit të rasteve të vdekjeve dhe se nuk ka shpërthim të infektueshmërisë javëve të fundit.

Ramadani tha se janë të gatshëm edhe sa i përket strategjisë për nisjen e vaksinës dhe se janë në pritje që ajo të arrijë në Kosovë.

“Ne jemi gati dhe po presim kontingjentin e parë të vaksinave të Oxfordit. Sigurimi i vaksinës pra është projektuar në strategji dhe pritet vetëm të realizohet, ekipet janë gati dhe kapacitetet pritëse janë gjithashtu gati. Si përfundim mund të themi se IKSHPK, faktikisht komiteti për monitorim dhe luftim të sëmundjeve ngjitëse tashmë e ka zbatuar dhe po e zbaton planin e gatishmërisë, ne jemi duke bërë edhe një strategji tjetër shtetërore për parandalimin, luftimin e pandemisë që do të zbatohet deri në shuarjen e pandemisë dhe deri në ekzistimin e ligjit anti-COVID. Duke e pasur parasysh shfaqjen e rasteve të reja me variantin e ri të virusit SARS, IKSHPK ka bërë tashmë hulumtimin dhe do të vazhdojë së shpejti të hulumtojë në mënyrë rutinore variantet e reja të virusit me aparaturat ekzistuese, njëkohësisht duke futur në punë edhe aparaturën e re të cilën e ka marr tashmë të cilën e bëjnë vetëm disa laboratorë të rralla të shteteve të avancuara të Evropës”, tha ai.

Ai ka bërë thirrje që masat anti-COVID, të vazhdojnë të respektohen nga të gjithë qytetarët dhe institucionet.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se sa i përket aspektit klinik të pacientëve të prekur nga COVID-19, situata paraqitet e menaxhueshme dhe është nën kontroll të plotë aktualisht. Ai tha se ka dy muaj që situatën e kanë më të favorshme, ku tha se nga fillimi i këtij viti e deri më tash numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme sillet rreth 500.

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Vendi

Haxhiu pret senatoren amerikane Joni Ernst, e dekoron me medalje presidenciale

Published

on

By

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka pritur të martën në takim senatoren amerikane Joni Ernst. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

Me këtë rast, Haxhiu e ka dekoruar senatoren Ernst me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit dypalësh dhe mbështetjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Në njoftim u theksua se Kosova do të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen e saj krah SHBA-së.

Senatorja Ernst po qëndron në Kosovë nga e hëna, ku fillimisht u prit nga e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati. Po ashtu, ajo ka vizituar Manastirin e Graçanicës, ku u prit nga kryepeshkopi Teodosije i Rashkës-Prizrenit, i cili shprehu shqetësimet e tij lidhur me situatën e Kishës Ortodokse Serbe dhe komunitetit serb në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Thaçi do të qëndrojë në paraburgim deri në aktgjykim, Gjykatësi jep urdhër të mos dërgohen më komente për rishikimin e radhës

Published

on

By

Seanca për dhënien e verdiktit final në Hagë do të mbahet më 16 shtator. Kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar palët që të mos dërgojnë më parashtresa për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit, i cili sipas afateve ishte caktuar më 9 tetor 2026, rreth një muaj pas verdiktit.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër tij dhe Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Për të fundit herë para verdiktit të 16 shtatorit, Trupi Gjykues ka refuzuar lirimin e tij me kusht, duke i vazhduar ndalimin për të 27-tën herë.

Në vendimin e datës 10 gusht, Trupi Gjykues si arsye kryesore të vazhdimit të paraburgimit ka dhënë pretendimin se Thaçi mund të ndikojë në proces apo te dëshmitarët, ndërsa ka theksuar se nuk ka rrezik që ai t’i ikë drejtësisë.

“Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t’i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet në vendim.

Sa i përket anullimit të parashtresave për paraburgimin, në vendim sqarohet:

“Paneli vëren se, në përputhje me nenin 41(10), shqyrtimi i ardhshëm i paraburgimit të z. Thaçi, në parim, është i caktuar të bëhet të premten, më 9 tetor 2026, përveç nëse Aktgjykimi shpallet ndërkohë. Duke pasur parasysh se seanca për shpalljen e Aktgjykimit është caktuar për të mërkurën, më 16 shtator 2026, Paneli konsideron se nuk është e nevojshme të urdhërojë Palët të dorëzojnë parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit.”

Ish-kryetarit të shtetit i është vazhduar paraburgimi edhe në rastin tjetër ku akuzohet për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale. Për këtë çështje, palët janë urdhëruar që deri më 14 shtator të dorëzojnë komentet e tyre, ndërsa një vendim i ri pritet të merret gjatë muajit shtator. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Të kërkuara