Lajmet

​Zelensky: Rusia po e shantazhon Evropën përmes gazit

Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka bërë të ditur se do t’i zvogëlojë furnizimet me gaz në Gjermani

Published

on

Ukraina e ka akuzuar Moskën për “luftë gazi” kundër Evropës, si dhe për ndalje të furnizimeve për të nxitur “terror” ndaj njerëzve.

Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka bërë të ditur se do t’i zvogëlojë furnizimet me gaz në Gjermani, për shkak të punimeve në një turbinë në Rrjedhën Veriore 1. Mirëpo, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kjo gjë përbën vetëm shantazh me gaz kundër Evropës, raporton REL.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1, që bart gazin nga Rusia në Gjermani, ka punuar nën kapacitetin që ka tash e sa javë. Më herët gjatë këtij muaji, ky gazsjellës – më i madhi i Rusisë në Evropë – është mbyllur për shkak të punimeve 10-ditore, duke nxitur shqetësime në Evropë se ai mund të mos i rikthehet më punës.

Dërgesat kanë rinisur pesë ditë më parë – ndonëse me kapacitet të zvogëluar. Mirëpo, të hënën, Gazprom-i ka thënë se do t’i ndalë furnizimet edhe një herë. Këtë herë kompania ka thënë se i duhet të ndalë furnizimet gati përgjysmë, në mënyrë që t’i kryejë punimet. Megjithatë, Qeveria gjermane ka thënë se nuk ka arsye teknike për të kufizuar furnizimet.

“Shantazhi me gaz në Evropë, që vetëm sa shkon e përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm për shtetin terrorist në mënyrë që të vështirësojë jetën e çdo evropiani”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij ditor.

Një kontrollues i gazit i vendosur mbi një tubacion. Fotografi ilustruese nga arkivi. Ai ka thënë se Rusia me qëllim është duke e bërë më të vështirë për Evropën që të përgatitet për dimër, pa e marrë parasysh situatën, me të cilën mund të përballen njerëzit në atë stinë.

Bashkimi Evropian, i cili ka siguruar 40 për qind të gazit nga Rusia vitin e kaluar, e ka akuzuar Rusinë edhe për përdorim të energjisë si armë. Lajmi për një tjetër zvogëlim të sasisë së gazit rrit presionin ndaj shteteve të BE-së që të ulin varësinë e tyre ndaj gazit rus.

Ky vendim, po ashtu, ua bën atyre edhe më të vështirë sigurimin e gazit për muajt e dimrit. Ministrat evropianë të Energjisë do të takohen të martën në Bruksel, ku pritet të arrijnë pajtueshmëri për një përgjigje të përbashkët ndaj krizës.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian u ka propozuar vendeve anëtare që të zvogëlojnë për 15 për qind përdorimin e gazit në shtatë muajt e ardhshëm. Shënjestra është prezantuar vetëm për vendet që duan të jenë vullnetare, ndonëse Komisioni mund ta bëjë atë të detyrueshme në rast të ndonjë emergjence.

Ndonëse disa shtete i kanë rezistuar planit, presioni në BE për të arritur marrëveshje është i lartë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më herët se ekziston mundësia që Rusia të ndalë plotësisht gazin për bllokun evropian.

Shefja e BE-së për Politika të Energjisë, Kadri Simson, ka kritikuar njoftimin e Gazpromit. “Ne e dimë se nuk ka arsye teknike për të vepruar kështu. Ky është hap i motivuar politikisht dhe ne duhet të jemi gati për këtë gjë. Pikërisht për këtë gjë, kërkesa jonë parandaluese për zvogëlim të përdorimit është strategji e mençur”, ka thënë Simon, pasi ka arritur të martën në Bruksel.

Ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë, Jozef Sikela, ka paralajmëruar se një zvogëlim i tillë është i nevojshëm, sepse presidenti rus, Vladimir Putin “do të vazhdojë të luajë lojëra të ndyta sa u përket furnizimeve me gaz”.

Vendimi i Gazpromit “është një dëshmi shtesë, se ne duhet të marrim lojën në duart tona dhe duhet të ulim varësinë në furnizimet ruse, sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai. Republika Çeke udhëheq presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, nga ana e Rusisë, më 24 shkurt, çmimi i gazit është rritur dhe ky konflikt ka pasur ndikim në faturat e energjisë në gjithë botën.

Kremlini ka thënë se çmimet e larta janë rezultat i sanksioneve të Perëndimit, duke insistuar se është partner i besueshëm i energjisë dhe nuk është përgjegjës për pengesat e fundit në furnizimet me gaz.

Ndërkohë, Ukraina ende shpreson që marrëveshja e arritur me Rusinë, nën ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara, do të nënkuptojë që eksportet e grurit të rinisin nga portet e Detit të Zi “brenda ditësh”.

“Nëse palët garantojnë siguri, marrëveshja do të zbatohet. Nëse jo, nuk do të zbatohet”, ka thënë ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov.

Në adresimin e tij ditor, Zelensky ka thënë se beson që eksportet e grurit nga Ukraina do të nisin sërish këtë javë. Ukraina dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje për eksportet e grurit

Komentet e tij pasuan shqetësimet se marrëveshja mund të dështojë, meqë Rusia ka shënjestruar portin kyç të Ukrainës, Odesan, me raketa, ditën e shtunë. Rreth 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në Ukrainë, në pamundësi për t’u bartur, sepse marina ruse kontrollon pjesën më të madhe të Detit të Zi./REL/

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara