E përditësuar:
11:50
Deputeti i PDK-së Përparim Gruda i vetëm nga partia e tij është duke marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme e ku gjatë fjalimit të tij në foltore tha se shkoi ta sqarojë vendimin dhe qëndrimin e partisë për të mos qenë pjesë e kësaj seance të jashtëzakonshme të cilën e quajnë të paligjshme.
Por ai është penguar nga deputeti i VV-së, Agim Bahtiri.
“A je ardh me ba hajgare. Nuk mund të vazhdosh kështu”, tha Bahtiri.
Gruda: Duromni një jam prej PDK, nuk kam ardh për propagandë”./S.K/EO/
11:40
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e cila i dedikohet votimit të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, si dhe miratimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Seanca po zhvillohet pa pjesëmarrjen e deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe, të cilët kanë bojkotuar seancën.
Në rend dite të seancës së parë janë përfshirë:
• Formimi i komisioneve parlamentare,
• Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
• Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
• Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”,
• Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për projektin “Kompas” – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë,
• Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
• Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026,
• Miratimi i buxhetit për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,
• Çështja e financimit të RTK-së.
Deputetja e Nismës, Arbresha Krasniqi, ka deklaruar se partia e saj nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për orën 11:00, duke e cilësuar atë si të kundërligjshme dhe të organizuar jashtë rregullave të punës së Kuvendit
Pas përfundimit të kësaj seance, Kuvendi do të mbajë edhe seancën e dytë të jashtëzakonshme, në ora 14:00, ku pritet të votohet Qeveria e re e Republikës së Kosovës./S.K/EO/