Lajmet

​Votimi i personave me COVID, KQZ me 200 ekipe mobile në tërë vendin

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke zhvilluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 200 ekipe mobile do të jenë në shërbim të personave të infektuar me COVID-19 në mënyrë që ata të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit në 38 komuna të Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se janë duke vazhduar përgatitjet për realizimin e votimit për qytetarët e infektuar me COVID-19, që në ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese, gjegjësisht qëndrimit në karantinë.

Elezi thotë për KosovaPress se do të ndjekin praktikën e 29 nëntorit në zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme të mbajtura në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

“KQZ është duke zhvilluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të datës 14 shkurt. Në këtë drejtim po vazhdojmë përgatitjet sa i përket realizimit të votimit edhe për qytetarët të cilët janë të infektuar me COVID-19 dhe që në ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese, duhet të qëndrojnë në karantinë shtëpiake. Natyrisht, procesi mund të jetë sfidues për faktin se bëhet fjalë për 38 komuna të Kosovës, duhet të organizohet votimi edhe për këta qytetarë. Mësimet të cilat i kemi marrë nga komuna e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut do të na shërbejnë shumë në realizimin e shërbimit të votimit edhe për këta qytetarë me të drejtë vote”, thotë ai.

Elezi bën të ditur se KQZ do të angazhojë rreth 200 ekipe mobile në mënyrë që t’ju mundësojë personave të infektuar me COVID-19 për të votuar, nëse këta të fundit shprehin gatishmëri për një gjë të tillë.

“Do të jenë rreth 200 ekipe mobile gjithandej Kosovës, në të gjitha komunat e Republikës të Kosovës, të cilat në ditën e zgjedhjeve do të shkojnë në adresa të caktuara të këtyre votuesve, të cilët janë në karantinë shtëpiake për t’iu mundësuar votimin përmes ekipeve mobile. Zakonisht ekipet mobile do të përbëhen nga 4 anëtarë. Njëri prej tyre do të jetë nga ekipet shëndetësore me qëllim që të këshillojë profesionalisht anëtarët e ekipit mobil”, thotë ai.

Për të ardhur deri tek momenti i votimit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë listat zyrtare nga institucionet përkatëse, që merren me menaxhimin e pandemisë, në mënyrë që të kontaktojë votuesit e infektuar me COVID-19 për t’i informuar lidhur me dërgimin e ekipeve mobile. Pastaj është në vullnetin e këtyre votuesve që të pranojnë shërbimin nga ana e KQZ-së.

Kjo praktikë është ndjekur edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Përvojën e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 29 nëntor në Podujevë ndan Besarta Vllasa, anëtare e njërit ekip mobil.

Sipas saj, gjithçka ka nisur me listën e personave të infektuar që është marrë nga autoritetet lokale dhe më pas janë ndarë në grupe.

“KQZ ka kërkuar listën nga epidemiologia jonë e Podujevës të personave të prekur me virus. Do të thotë ne si punëtorë shëndetësorë jemi ndarë në grup, me ato lista kemi shkuar në ato shtëpi që janë prekur me virus për të marrë votën e tyre. Atë ditë nuk mundem me cek që ka pasur ndonjë vështirësi, kemi kaluar shumë mirë. Ata persona që kemi shkuar paraprakisht kanë qenë në dijeni që ne do të shkojmë të marrim votën e tyre dhe na kanë pritur mirë të gjithë. Dhe, nuk mund të them se kam ndjerë ndonjë rrezik”, është shprehur ajo.

Ajo tregon për KosovaPress se pas zgjedhjeve është testuar për COVID-19, ku ka rezultuar negativ.

Votat e personave të infektuar me COVID-19 llogariten vota me kusht, të cilat numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pas ditës së zgjedhjeve dhe pas numërimit të votave të rregullta.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 14 shkurt do të jenë 200 ekipe mobile që do t’ua mundësojnë votimin personave të infektuar me COVID-19. Ndërkaq në secilin ekip mobil do të ketë edhe një përfaqësues mjekësor.

Lajmet

33 të lënduar e tre të arrestuar gjatë protestës së mbrëmshme në Prishtinë

Published

on

By

Të paktën 20 zyrtarë policorë, 12 protestues dhe një gazetar kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të pësuara gjatë përplasjeve të së hënës para Kuvendit të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar tre persona për mosrespektim të urdhrave të forcave të rendit. Me vendim të prokurorit, dy prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas policisë, ndërhyrja me mjete të ligjshme përfshirë sprejin, gazin lotsjellës dhe topat e ujit, erdhi pasi disa protestues hodhën në vazhdimësi mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe sende të forta drejt zyrtarëve policorë dhe objekteve shtetërore. Organet e rendit theksuan se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i domosdoshëm për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës.

Policia e Kosovës u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, duke respektuar ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve në terren. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

AAK: Ejani ta votojmë Ligjin për Specialen

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje publike të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mblidhen urgjentisht për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një konference për media të mbajtur në ambientet e Kuvendit, Tahiri theksoi se kanë mbetur vetëm edhe 13 orë nga afati për të votuar këtë ligj dhe për të përmbyllur procesin.

“Jemi në Kuvend kur kanë mbetur edhe 13 orë deri te mundësia e votimit të Ligjit të Dhomave të Specializuara dhe konstituimit të plotë të vendit. Nga këtu, në emër të GP të Aleancës, u bëjmë thirrje kolegëve deputetë: ejani menjëherë në Kuvend ta votojmë Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special, të bashkohemi sot gjithmonë në anën e drejtë të historisë rreth UÇK-së, vlerës më të lartë kombëtare. Kosova na thërret”, deklaroi Tahiri. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon sqarim nga Kushtetuesja për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Continue Reading

Lajmet

Gjeneral Jashari pret në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, me rastin e përmbylljes së misionit të tij ushtarak në Kosovë.

Gjatë takimit, dy krerët ushtarakë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it. Ata vlerësuan lart nivelin e partneritetit ndërinstitucional, duke theksuar nevojën për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe operacional përmes angazhimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke riafirmuar përkushtimin e FSK-së për forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe.

Në përmbyllje të takimit, komandanti i FSK-së i uroi gjeneralit Ulutaş shëndet dhe suksese në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja ushtarake./E.A/

Continue Reading

Të kërkuara