Delegacioni i Kombëtares së Kosovës ka mbërritur sot në Bukuresht, një ditë para përballjes me Rumaninë, në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndeshja e rëndësishme do të zhvillohet të premten mbrëma, më 15 nëntor, në orën 20:45, në “Arenën Kombëtare” të kryeqytetit rumun.
Ky takim është shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, por në veçanti për Kosovën, e cila kërkon fitore për të ruajtur shpresat për pozitën e parë në grupin e Ligës së Kombeve dhe mundësinë për kualifikim në turneun e ardhshëm.
Rreth orës 14:00 të ditës së sotme, përfaqësuesja e Kosovës mbërriti në Bukuresht me avion nga Prishtina. Pas zbritjes në aeroport, delegacioni udhëtoi me autobus drejt hotelit ku do të qëndrojnë gjatë qëndrimit në Rumani.
Në orën 17:00, trajneri Franco Foda do të mbajë konferencën për shtyp, ndërsa stërvitja e fundit para ndeshjes do të zhvillohet rreth orës 17:30.
Kosova ka shpresa të mëdha për këtë ndeshje, duke synuar një paraqitje të fortë dhe një rezultat pozitiv që do t’i japë mundësinë të vazhdojë luftën për vendin e parë në grup./UBTNews/